Mendime
Ndue Dedaj: Si historia bëhet e sotme
E enjte, 07.08.2014, 07:43 PM
SI HISTORIA BËHET E SOTME DHE E
SOTMJA HISTORI
-Pasardhësi i Mjedës në Kukël, Dom Nikë Ukgjini -
NGA NDUE DEDAJ
Kukli
është një fshat i vogël në Zadrimë, mes Shkodrës dhe Lezhës, që ka një emër në
të kaluarën, si famullia ku rroi e shkroi për njëzet e ca vite poeti i shquar i
Rilindjes Ndre Mjeda. Tani aty është shtatorja e tij, që rrallë e gjen dhe në
qytete për nga maturimi artistik monumental, vepër e skulptorit Sadik Spahia,
autor dhe i shtatores së Shtjefën Gjeçovit në Zym të Hasit. Por deri para
pesë-gjashtë vitesh Kukli ishte thuajse i harruar, jashtë vëmendjes kulturore
të vendit. Gjërat nisën të ndryshonin rrënjësisht kur aty shkoi famullitar Dom
Nikë Ukgjini, doktor i shkencave historike, që vjen nga Kosova e që ka shërbyer
dhe në famullitë e Malit të Zi së bashku me personalitete të tjera të
mirënjohura si Dom Simon Filipaj, At Vinçens Malaj etj. Mbase vetëm një
kulturolog vizionar si ai mund të shihte në atë objekt të rrënuar nga koha, një
kompleks mozeor të ardhshëm për t’u admiruar, që do ta bënte me duart e tij,
sot e nesër, vit pas viti, pa u ndalur. Kishte qenë kisha e Shën Shtjefnit
Martir e stilit neoklasik, e ndërtuar nga Dom Ndre Mjeda në vitin 1913, që pas
67-s qe kthyer në depo armësh e çetës vullnetare të fshatit. Pasardhësi i
Mjedës do t’i hynte punës për t’ia kthyer këtë objekt dhe qelën e saj të sotmes
dhe pas shumë përpjekjesh mundi t’ia dalë me sukses.
Populli më kot nuk thotë “trimi i mirë me shokë shumë” dhe Dom Nika ka ditur t’i ujdisë punët duke bërë bashkëpunëtorë për Qendrën Muzeore “Ndre Mjeda” (Kukël) institucione dhe personalitete të njohur, si kryetarin e komunës së Bushatit Zef Hila, zv. Ministrin e Kulturës Zef Çuni, kryetarin e Qarkut të Shkodrës Mexhid Cungu, konsullin e nderit të Austrisë Gjergj Liqejza, drejtorin e QSA-së Tiranë Ardian Marashi, deputetë, artistë, gazetarë, biznesmenë dhe kontribues nga diaspora, duke e kthyer kishën Kuklin në një vend peligrinazhi kulturor dhe turizmi historik. Dhe të mendosh se është një njeri me angazhime të shumta jo vetëm famullitare, por dhe si pedagog në Institutin Teologjik Shkodër, kryeredaktor i revistës fetare - kulturore “Kumbona e së Diellës”, autor shkrimesh e kumtesash, realizues filmash dokumentarë për kolosë të letrave shqipe si Budi, Bogdani, Mjeda etj. Një misionar kulture që nuk rresht asnjëherë së punuari, që në një famulli larg metropolit bën gjera të vlefshme, të përditshme, si të jetë një institucion kulturor me personel e fonde, përfshi dhe organizimin e një konference shkencore në Bushat dy vite më parë, me pedagogë të universiteteve të Tiranës, Shkodrës, Prishtinës, Shkupit etj. Për të ka rëndësi si restaurimi i kishës e qelës, që është si të thuash një punë madhore, ashtu dhe ai i tavolinës së punës së poetit, që mund të duket një gjë e vogël, duke ngritur për këtë të fundit në këmbë Ministrinë e Kulturës. Arkitekti i njohur Zef Çuni, projektuesi i kompleksit muzeor, thotë se Dom Nika erdhi e me “zuri” zyrën në Ministri dhe nuk u shkul pa rregulluar punën për restaurimin e tavolinës, ku një shekull më parë shkruheshin sonetet e famshme mjediane.
Por kësaj here në Kukël, në krah të Dom Nikës, do të mungonte një njeri i nderuar, studiuesi i pazakontë Mentor Quku, profesor nderi i Universitetit të Shkodrës, që u nda nga jeta papritur në maj të këtij viti. Ai mbylli sytë pasi kishte përfunduar botimin e veprës së Mjedës në 10 vëllime, fryt i një kërkimi shkencor mbi 30 vjeçar, ashtu siç kishte pas punuar një jetë në heshtje profesor Jup Kastrati për Faik Konicën. Mentor Quku ishte një dijetar i thelluar me botë të pasur shpirtërore, që kur fliste për Mjedën bëhej po aq poet sa dhe ai. E kishte për kënaqësi intelektuale të ndante më miqtë dhe kolegët çdo të dhënë të re që zbulonte për Dom Ndreun e papërsëritshëm. Ishte dhe ai njëri nga pasardhësit e përkushtuar të Mjedës, ndaj njerëzit sa herë të vijnë në Kukël do ta ndiejnë se aty pranë është, ndonëse i padukshëm, dhe i pasionuari biograf i Mjedës, që kishte shërbyer mësues në Zadrimë aq vite sa Mjeda famullitar.
Argjipeshkvi i Shkodër-Pultit, Imzot Angelo Massafra, i pranishëm në veprimtarinë e Kuklit të një gushtit, jo pa emocion shpreh vlerësimin e tij për punën e Dom Nikë Ukgjinit, duke na thënë se ai ka ditur të sintetituzojë kontributet e Argjipeshkvisë me ato të komunës së Bushatit dhe të Këshillit të Qarkut të Shkodrës për restaurimin e shtëpisë muze të poetit, godinë e vitit 1906, që gjithashtu në vitet 1962-1990 ka qenë muze. Thua për një çast sikur të gjithë drejtorët e muzeve të vendit të ishin këmbëngulës si Ukgjini nuk do të mbetej objekt muzeor pa u ruajtur e restauruar, do të krijohej një kulturë e re pune, ku njerëzit e trashëgimisë kulturore do të tërhiqnin me hir e me “pahir” në anën e tyre njerëzit e pushtetit, biznesmenët, restauratorët etj. Do t’ia vlente të zhvillohej në Kukël dhe ndonjë seminar me punonjësit e muzeve dhe monumenteve, për të kuptuar sa e vështirë është të bësh gjera të dobishme, nga një tavolinë e “thjeshtë” relikte, te një qendër muzeore e tërë, një shtatore e bronztë, një konferencë shkencore, një revistë e titulluar “Mjedologji”, një festival folklorik etj. Ky është me pak fjalë Dom Nikë Ukgjini, që rreh telin nga Shkodra në Amerikë për të përmbushur misionin e tij humanitar, shpirtëror e kulturor ndaj Mjedës dhe komunitetit zadrimor, lezhian, shkodran e të tjerë, ku nuk ka asnjë të farefist të tij. Të tilla dhurata janë dhe mirëseardhja më e mirë për Papa Françeskun kur të vijë në Tiranë me 21 shtator.
Post scriptum. Dëgjojmë përditë për Mjeshtra të Mëdhenj, që shpall Presidenti i Republikës, sigurisht të merituar, por nuk dimë nëse ndokush do ta propozonte dhe Dom Nikë Ukgjinin për “Mjeshtër i Madh”? Ne thjeshtë kemi parë me sytë tanë një punë të paqme dhe kemi përcjellë këto radhë përmes shtypit...