Mendime
Imer Mushkolaj: Shtypni kokat!
E merkure, 13.08.2014, 07:28 PM
?Shtypni kokat!
Nga Imer Mushkolaj
Bashkë me të dyshuarit për terrorizëm duhet kapur edhe kokat e tyre - ata që propagandojnë urrejtje, dhunë e terror, ndërkohë që të tjera koka të pushtetit i frymëzojnë e iu krijojnë terren të përshtatshëm me korrupsion, skamje e mjerim
Kryeministri në ikje, Hashim Thaçi, u përpoq t’i marrë për vete meritat e aksionit për arrestimin e të dyshuarve për terrorizëm, por është ai më meritori pse Kosova po rrezikohet nga ekstremizmi fetar.
Për gjithë vitet e qeverisjes së tij, ai krijoi kushte të favorshme jo për zhvillim ekonomik e shoqëror, por për zhvillimin e ideve e agjendave ekstremiste fetare, rritjen e papunësisë, varfërisë, korrupsionit e kriminalitetit.
Për gjithë vitet e qeverisjes së tij, Thaçi krijoi dhe forcoi një sistem të korruptuar shtetëror dhe as që u mor me luftimin e fenomeneve negative që ngadalë e pushtuan shoqërinë.
Të rrëmbyer pas përfitimeve e privilegjeve, pushtetarët nuk deshën t’i shohin pasojat e keqqeverisjes së tyre - pasojat shkak i të cilave u bënë vetë dhe me vetëdije të plotë.
Thaçi me qeverisjen e tij nuk siguroi punë e perspektivë për të rinjtë, duke i detyruar ata të përqafojnë ide e ideologji të rrezikshme, të cilat çojnë veç në humnerë. Shteti drejtuar prej tij nuk e pa të udhës të hap debat shoqëror me këta të rinj, për të parë se si mund t’i orientojë drejt, por i la në duar të lloj-lloj matrapazëve e mashtruesve, të cilët nga ta krijuan mendje të rrezikshme e të dhunshme, që tash shpërthejnë në veprime ekstremiste e terroriste. Shumë nga ta edhe të manipuluar.
Dhe, në këtë rrugëtim drejt humnerës së qeverisjes së tij dhe të shtetit, Thaçit iu bënë bashkudhëtarë tipa që propagandonin jo veç tjetër rregullim shtetëror, por edhe tjetër mënyrë jetese. Me disa bashkëqeverisi, e me të tjerë koketoi, duke ua bërë të qartë se i kishin duart e lira të vazhdonin përmbushjen e agjendave të tyre të frikshme.
Ndërkohë, pushteti po përmbushte të tjera agjenda plot korrupsion, keqpërdorime, hajni e krim të organizuar. Kokat e shtetit kishin në mendje tjetër “biznis”, ndërkohë që po lulëzonte biznesi i rekrutimeve të të rinjve nëpër shoqata të ashtuquajtura humanitare e kulturore fetare, të cilat kishin shtrirë veprimtarinë gjithandej dhe po synonin të indoktrinonin sa më shumë të rinj me ide e ideologji ekstremiste.
Vetëm për t’ia siguruar vetes qëndrimin në pushtet, Thaçi dhe të tjerët bënin kompromise të dhimbshme në emër të votave. Kështu, pushtetarët vazhdonin misionin e tyre të keqqeverisjes, ndërkaq ekstremistët misionin e realizimit të agjendës së tyre.
* * *
Të rinjtë e arrestuar së fundi, të dyshuar për terrorizëm, nuk janë shfaqur papritur dhe befasishëm. Ata janë produkt pikërisht i kësaj qeverisjeje, që u krijoi atyre kushte komode të përqafojnë të tjera ideologji.
Dhe, në këtë situatë, ekstremistë fetarë të të gjitha llojeve u shfaqën krahëhapur për t’i futur në gjirin e tyre ata. Imamë nëpër xhami nuk ngurruan të mbajnë ligjërata plot urrejtje ndaj të gjithë myslimanëve që nuk e aplikojnë “islamin e vërtetë” dhe ndaj të gjithë jomyslimanëve – “qafirëve që duhet shfarosur”. Ata nuk ngurruan të mbushin plot vrer xhematin e tyre.
Këta imamë që propagandojnë urrejtje e jo paqe nëpër xhami, nuk kanë pikur nga qielli. Ata veprojnë nën menaxhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, institucion që asnjëherë nuk e çeli gojën për gjuhën e përdorur nga imamët që i paguante, edhe pse dëshmi kishte sa të duash. Për ndëshkimin e ndonjërit nga ta, as që bëhet fjalë.
E krahas imamëve, në aksion për indoktrinimin e të rinjve dhe propagandimin e një islami tjetër nga ai që kosovarët e aplikuan me shekuj u vunë edhe shoqata të ndryshme, subjekte politike me orientim fetar, deputetë të Kuvendit të Kosovës e pjesëtarë të qeverisë.
Tash, pas arrestimit të të dyshuarve për terrorizëm, shumë nga ta heshtin, e disa thonë se ndaj tyre po aplikohet terror politik.
Ata që flasin, këtë pretendojnë ta bëjnë në emër të të gjithë myslimanëve të Kosovës, ndonëse në protesta nuk mbledhin më shumë se njëqind veta.
Ka edhe
nga ata që flasin, por që janë zbutur e moderuar, ta merr mendja se janë vetë
Nënë Tereza, edhe pse jo
* * *
Bashkë me të rinjtë e dyshuar për terrorizëm do të duhej të ishin kapur edhe ata që i frymëzojnë për të ndërmarrë veprime të rrezikshme, për të shkuar e luftuar në Siri e Irak.
Bashkë me ta do të duhej kapur edhe hoxhallarët që nëpër xhami nuk predikojnë islamin si fe të paqes, por predikojnë dhunë e urrejtje.
Bashkë me ta do të duhej kapur edhe ideologë ideologjish të mbrapshta që garantojnë jo përparim e liri, por kthim prapa e izolim.
Bashkë me ta do të duhej kapur kokat që prodhojnë ide fashiste.