E shtune, 03.05.2025, 03:30 PM (GMT+1)

Editorial

Vana Ramadani: Shkollat e Kosovës, pa psikologë!

E marte, 10.06.2014, 08:23 PM


Shkollat e Kosovës, pa psikologë (!)

Nga Vana Jerliu - Ramadani

Në Kosovë, sot një nga brengat e mëdha të prindërve, është shkollimi i fëmijëve të tyre. Prindërit nuk janë të kënaqur. Problemet po rriten ditë e më shumë nëpër shkolla, kurse autoritetet nuk po ndërmarrin asgjë për të përmirësuar arsimin e shekullit 21 në Kosovë. E keqja më e madhe është se shkollave në Kosovë u mungojnë psikologët. Psikologja Vana Jerliu-Ramadani, studente e masterit në SHBA, thotë se nga përvojat botërore dihet se psikologët kryejnë punë shumë të rëndësishme në shkolla dhe përmirësojnë cilësinë e shkollimit. Sikur të kishte psikologë në çdo shkollë, ata do të punonin me fëmijët, mësimdhënësit dhe familjet, për të  përmirësuar arritjet akademike, sjelljet pozitive dhe mirëqenien mendore të të gjithë nxënësve, në veçanti të atyre që kanë probleme të ndryshme në mësim. Psikologët ndihmojnë mësimdhënësit për të studiuar mundësinë, interesat, inteligjencën, nevojat dhe krijojnë teknika të ndryshme për të komunikuar në mënyrën më efektive me fëmijët. Ata ndihmojnë në parandalimin e situatave të acaruara nga problemet e ndryshme të nxënësve dhe ndihmojnë në parandalimin e braktisjes së shkollimit, thotë Jerliu-Ramadani.

Psikologët ndihmojë nxënësit në tejkalimin e krizave

Rëndësia e psikologëve në arsim është shumë domethënëse, për të studiuar mënyrën e mësimdhënies si dhe për aplikimin sa më të drejtë të raporteve mësimdhënës-nxënës. Psikologët e shkollave kanë trajnim të gjerë në vlerësimin, monitorimin e progresit mësimor dhe shëndetit mendor të nxënësve. Trajnimet e tyre janë specifike për konsultime, këshillime, përgjigje ndaj krizave të ndryshme të nxënësve dhe vlerësimin e programit shkollor, duke siguruar cilësi më të mira në arritjen akademike për të gjithë nxënësit. Ata adresojnë pengesat e ndryshme për të mësuar nxënësit në një ambient më të mirë shkollor apo familjar. Psikologët e shkollave punojnë me nxënësit, duke i motivuar ata të angazhohen sa më shumë për të mësuar dhe për të përmirësuar prezantimin akademik. Po ashtu punojnë edhe me familjet e nxënësve që të krijojnë një ambient sa më të suksesshëm shkollimi. Duke punuar me nxënës, ata përdorin metoda profesionale për të krijuar një bindje pozitive tek nxënësit në përmirësimin e suksesit dhe të sjelljeve të tyre. Në mënyrë psikologjike, nxënësit kuptojnë se kanë mbështetje të madhe nga psikologët, gjë që u ndihmon shumë për të kaluar kriza dhe strese të ndryshme. Psikologët e shkollave ofrojnë konsultime profesionale edhe për mësimdhënësit, në strategjinë e mënyrës se si duhet të punohet me nxënës, në përgjithësi e sidomos me disa që kanë nevojë më shumë për ndihmë profesionale për të arritur suksese më të mira. Bëjnë korrigjimin e mënyrës se si mësimdhënësit, punojnë me nxënës atëherë kur paraqiten probleme për arritjen e sukseseve të nxënësve. Nga korrigjime të tilla, mësimdhënësit përfitojnë aftësi më të mira në metoda të ndryshme që duhet përdorur dhe njëherazi nxënësit përfitojnë suksese më të mira dhe ka mundësi të jenë në një gjendje më të mirë psikologjike.

Si duhet t`iu shpjegohet historia fëmijëve ?

Një bashkëpunim i tillë përmirëson rezultatet arsimore, duke ulur mungesat e nxënësve, krijon një disiplinë të mirë shkollimi dhe rrit suksesin e nxënësve. Në shumicën e rasteve psikologët bashkëpunojnë me prindër dhe u ndihmojnë atyre në strategjinë e disiplinës së nevojshme për fëmijët e tyre. Në mënyrë profesionale ndihmojnë në zhvillimin intelektual të fëmijëve duke menaxhuar zemërimet, zhgënjimet, vetëbesimin, optimizmin e tyre, sikurse duhet të monitorojnë gjendjen sociale e psikologjike të fëmijëve, duke parandaluar zhvillimin e sjelljeve agresive dhe antisociale dhe problemet e lidhura me krijimin e sjelljeve jo të mira edhe në shkollë, familje e shoqëri. Ky lloj bashkëpunimi mes psikologëve dhe nxënësve ka për qëllim t`iu ndihmojë fëmijëve në çdo fushë të jetës, duke përfshirë kriza të ndryshme mendore dhe akademike. Është shumë me rëndësi që mësimdhënësit të kenë aftësi t`i identifikojnë personalitetet e nxënësve dhe aftësitë e tyre në mësim. Ata duhet të dinë parimet e duhura për komunikim me nxënës dhe duhet përdorur mënyra të ndryshme profesionale për të arritur rezultate më të mira në procesin mësimor. Mësimi në klasë varet nga njohuritë e mësuesve dhe interesi për punë e po ashtu edhe metoda e shpjegimit të mësimeve. Për shembull, historia për fëmijët e vegjël duhet të shpjegohet në formë të tregimeve të ndryshme, por duke i mësuar datat e ngjarjeve historike. Dy aktivitete shumë të rëndësishme që kryejnë mësimdhënësit në shkolla janë mësimdhënia dhe testimet (matja e rezultateve, gjykimet e inteligjencës së fëmijëve). Shkolla dhe klasat duhet të sigurojnë lirinë e shprehjes për nxënësit, për të shqyrtuar tema të ndryshme që kanë benificionin edukativ. Diskutimet në klasë janë shumë të rëndësishme nëse bëhen me mirëkuptim dhe sjellje të mira, duke pas parasysh opinionet e ndryshme të nxënësve. Të gjitha këto ndihma ofrohen nga psikologët e shkollave, andaj është shumë me rëndësi që edhe në Kosovë, shkollat të kenë psikologët e tyre, për të siguruar një arsimim më adekuat për fëmijët tanë, thotë Vana Jerliu-Ramadani. Sikur të kishin psikologë shkollat tona, me siguri se nuk do të ndodhnin disa prej incidenteve të rënda në shkollat tona.

----------------------

(Autorja vijon studimet master për psikologji në SHBA)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx