E diele, 04.05.2025, 03:14 AM (GMT+1)

Editorial

Everest Haxhi: Interesat dhe Siguria Kombëtare

E merkure, 14.05.2014, 08:04 PM


INTERESAT KOMBËTARE DHE SIGURIA KOMBËTARE

NGA EVEREST HAXHI

Mardhëniet midis interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare janë shumë të rëndësishme në kohën ku jetojmë. Shtetet gjithnjë e më tepër i drejtojnë politikat e brendshme dhe të jashtme në varësi të dinamikës së ndërthurjes  së këtyre dy elementëve. Më shumë se tre dekada më parë, Henry Kissinger në artikullin e tij “Politika e Jashtme e Amerikës; Tre essetë” shtroi disa nga pyetjet më thelbësore  për raportin midis interesave kombëtare dhe sigurisë ku qartë shprehu dilemën se "Çfarë është në interesin tonë kombëtar për të parandaluar? Çfarë duhet të bëjmë për ta realizuar? . Të njëjtat pyetje vazhdojnë të sfidojnë hartuesit e politikave, studiues, dhe zyrtarë të lartë të institucioneve të rëndësishme vendimmarrëse të të gjitha vendeve.

Në raport më këtë dinamike zhvillimi midis interesave kombëtare dhe sigurisë,  rajoni dhe vendi ynë nuk mund të bëjnë përjashtim. Reflektimi i parë se si Shqipëria duhet të mendojë për realizimin e interesave kombëtare dhe cfarë duhet të parandalojë në raport me këto interesa vendos natyrshëm një dimension rajonal ndërthurur më dimensionin e brendshëm dhe rolin që secili nga këto dimensione merr në situata të caktuara politike. Fakt është që sot vendet e rajoni dhe finjët tanë operojnë maksimalisht sipas këtyre referencave duke lënë herë pas here vendin tonë vulnerabël dhe me alternativa të cunguara zgjidhjeje.

Duke iu referuar kësaj përqasjeje dhe deklarata e Ministrit të Jashtëm Grek Venizelos për njohjen e Kosovës ruante këtë linjë mendimi duke deklaruar se Greqia nuk ka asnjë problem për njohjen e Kosovës por vendimet merren vetëm në përputhje me interesat kombëtare të Greqisë. Pra është e qartë që secili vend operon me interesa prioritare të sigurisë së vet kombëtare dhe përqasja rajonale është vetëm në mbështetje të tyre pavarësisht nëse dimensioni rajonal mund të shërbejë si burim rreziku për interesat kombvëtare të secilit prej vendeve që përbëjnë rajonin.

Në kohën ku jetojmë cështjet që lidhen me sigurinë dhe rolin që duhet të luajnë aktorët shtetërorë për të ofruar siguri maksimale po bëhen gjithnjë e më të komplikuara. Në vendin tonë komplikimi lidhet edhe me aspektin perceptual të sigurisë dhe pyetja shtrohet se “A dinë shqiptarët se çfarë apo cilat janë intersat kombëtare të vendit tonë?” Në shikim të parë pyetja duket relativisht e thjeshtë duke u përgjigjur po thjesht se:

“Interesat kombëtare të Shqipërisë janë ato të promovimit të vlerave dhe objektivave të vendit duke qartësuar që promovimi kuptohet si mbrojtje e vlerave dhe objektivave të Shqipërisë duke përdorur strategji efikase dhe politika të suksesshme të sigurisë kombëtare.”

Po të bëjmë një analizë më të hollësishme kuptojmë se përgjigja e mësipërme është jo e përshtatshme pasi në raport me dinamikën e zhvillimit të vendit pyetjet që dalin janë:

1. Cilat janë vlerat tona?

2. Si janë ato të reflektuara në interesat kombëtare?

3. Cila është lidhja midis interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare?

4. Si mund të implementohen politikat e sigurisë kombëtare në mënyrë që të kenë impaktin dhe benefitet maksimale për vendin tonë brenda dhe jashtë vendit?

Këto pyetje duhet të jenë baza për adresimin e vakumit në të cilin gjendet vendi ynë në raport me interesat kombëtare dhe sigurinë kombëtare për një përqasje analitike dhe me analiza të kujdesshme të këtij problemi kaq delikat.

Një gjë është pothuajse e sigurt që të gjitha brezat në vendin tonë kanë kërkuar dhe kërkojnë të bëjnë interpretimin e tyrë se cilat janë vlerat tona që na karakterizojnë dhe na dallojmë nga vendet e tjera të rajonit. Po ashtu në të njëjtën shkollë mendimi politik dhe shoqëror të gjitha brezat kërkojnë të bëjnë interpretimin e tyrë për interesat kombëtare dhe cilat duhet të jenë politikat efektive të sigurisë kombëtare mbështetur kjo në këndvështrimin e tyre dhe specifikat politiko-shoqërore të secilit brez. Edhe pse ka një emërues të përbashkët, ai i  mbrojtjes së atdheut, brezat diferencojnë njëri tjetrin në mënyrat e përcaktimit të sigurisë kombëtare, nga mënyra e perceptimit të rrezikut të jashtëm apo të brendshëm dhe nga rrugët që mund të ndiqen në implementimin e drejtë të politikave të sigurisë kombëtare.

Mendoj se është e natyrshme që për një vend si yni dhe me specifikat rajonale të njohura tashmë është e pritshme që të kemi interpretime të ndryshme mbi atë cfarë konsiderohet një politikë e suksesshme në mbrojtje të interesave kombëtare. Për këtë, eksplorimi i koncepteve të sigurisë kombëtare, vlerave kombëtare dhe interesave kombëtare duhet të jetë pjesë e qënësishme e procesit të analizës dhe formatimit të politikave efektive të sigurisë kombëtare në interes të promovimit dhe mbrojtjes së vlerave dhe objektivave kombëtare.

Interesat Kombëtare

Interesat kombëtare të Shqipërisë janë ato të promovimit të vlerave më të larta kombëtare të vendit jo vetëm në teatrin e brendshëm por edhe në arenën ndërkombëtare. Ndjekja e këtyre interesave kerkon përpjekje maksimale për krijimin e nje klime të favorshme brenda dhe jashtë vendit në mënyrë që të realizohet nxjerrja në pah e këtyre vlerave. Promovimi lehtësohet kur vlerat kombëtare kanë specifika të tilla që bëhen modele suksesi edhe për vendet e tjera sic është shembulli i njërës prej vlerave më të spikatura dhe unike të popullit tonë ajo e bashkjetesës dhe harmonisë fetare.

Vlerat kombëtare promovojnë harmoninë brenda vendit dhe janë baza kryesore në ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, në promovimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Edhe pse në shekullin ku jetojmë faktori i brendshëm ka marrë një rol primar si rezultat i thyerjes së koncepteve klasike të mbrojtjes dhe rreziqeve asimetrike të cilat përmbledhin krimin e organizuar, terrorizmin dhe specifikat rajonale të konflikteve etnike duhet që të kemi parasysh tre gjëra kryesore:

1. Projektimi i vlerave kombvëtare të vendit tonë në rajon dhe në botë duhet të jetë themeli mbi të cilin duhet të  formatohen interesat kombëtare.

2. Promovimi dhe mbrojtja e interesave kombëtare nuk duhet të limitohet vetëm në konceptin e ngushtë të mbrojtjes së atdheut nga rreziqet e jashtme por të jetë një proces dinamik mbarëkombëtar, ndër-rajonal dhe pse jo ndërkombëtar.

3. Forcimi i institucionit të Presidentit të Republikës si autoriteti kryesor që shërben si simbol bashkimi kombëtar dhe pikë referuese në përcaktimin dhe artikulimin e interesave kombëtare të Shqipërisë mbështetur mbi legjitimitetin dhe balancat që ofron procesi i njohjes dhe respektimit të këtij autoriteti.

Në përcaktimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare një rol të rëndësishëm duhet të luajë kategorizimi i këtyre interesave. Në këtë këndvështrim dhe duke u mbështetur në shkollën amerikane të studimit të interesave kombëtare dhe kategorizimit të tyre sipas impaktit, interesat kombëtare ndahen në:

1. Interesa jetësore,  të cilat lidhen drejtëpërdrejtë me mbrojtjen e atdheut nga rreziqet e jashtme në përmbushje të misionit kushtetues të Forcave të Armatosura dhe agjencive të tjera kombëtare të zbatimit të ligjit dhe ruajtjes së informacionit.

2. Interesa kritike, të cilat nuk cënojnë direkt integritetitn e vendit por që në prespektivë mund të rrezikojnë mbijetesën e vendit dhe të shndërrohen në interesa jetësore. Interesat kritike zakonisht maten me ambjentin në të cilat ato ushqehen dhe maturohen dhe disa shkolla perendimore mendimi i lidhin ato me etikën dhe vlerat morale të shoqërisë që në një moment specifik të degradimit të këtyre normave mund të bëhen rrezik potencial për të ardhmen e vendit.

3. Interesa serioze të cilat nuk janë prioritare por që përcaktimi i drejtë i tyre përcakton premisat për ruajtjen e këtij niveli kategorizimi pa u agravuar dhe të përshkallëzohen duke kaluar në interesa kritikë apo jetësore.

4. Interesa periferike të cilat përmbledhin të gjitha interesat e tjera jo të vendosura në tre kategoritë e mësipërme por që kërkojnë vemendjen e duhur që të mos jenë rrezik në terma afatgjata. Interesat periferike natyrisht kërkojnë shumë pak vëmendje dhe përdormin minimal të burimeve.

Kategorizimi i interesave kombëtare është shumë i rëndësishëm jo vetëm për të formatuar në kohë dhe në mënyrë sistematike vlerësimin e ambjentit të sigurisë dhe përcaktimin e platformave dhe politikave efikase të sigurisë kombëtare por edhe për përcaktimin në terma afatgjatë të rreziqeve ndaj interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare.  Ky kategorizim ndihmon edhe në nxitjen e debatit midis aktorëve institucionalë jo vetëm për të siguruar rritjen e cilësisë së përcaktimit të këtyre interesave por edhe në kuptimin e qartë dhe modern të dimensionit human dhe moral të sigurisë kombëtare. Gjithmonë e më tepër siguria kombëtare po detajohet me sigurinë njerëzore me gjithë elementët përfshirës të saj duke svenitur kufijtë ndarës midis katër kategorive kryesore të këtyre interesave.

Siguria Kombëtare

Përpjekjet për hartimin e një strategjie të suksesshme të sigurisë kombëtare konvergojnë në studimin e detajuar të dimensioneve të ndryshme të sigurisë si dimensioni i politikave të sigurisë dhe ai i prioriteteve. Vende të ndryshme të botës në përputhje me specifikat kombvëtare janë munduar të përcaktojnë principet themelore mbi të cilat duhet të bazohet studimi i sigurisë kombëtare. Në këtë fushë shkolla amerikane e mendimit të politikave të sigurisë prevalon duke përcaktuar tre përqasjet kryesore në studimin e sigurisë kombëtare. Mendoj se kjo përqasjeje duke i shtuar specifikat kombëtare të vendit tonë mund të shërbejë si fillim i mbarë në kuptimin e drejtë të termit “Siguri Kombëtare” dhe rolit që luajnë vendimmarrja, shoqëria dhe institucionet në një vend demokratik. Për këtë duke iu referuar gjithmonë shkollës amerikane kemi këto tre përqasje kryesore për studimin e sigurisë kombëtare:

1. Përqasja koncentrike-rrethore vendos presidentin në qendër të procesit të hartimit të politikave të sigurisë kombëtare. Këshilltarët dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare ofron suport në vendimmarrje dhe krijon premisat për implementimin efikas të këtyre politikave.  Kjo përqasje tregon qartë nivelin e rëndësisë së grupeve të interesit dhe aktorëve kryesorë që janë pjesë e procesit të hartimit të politikave të sigurisë. Nëse do të marrim një shembull dhe do të konsideronim në një moment të caktuar që objekt kryesor i sigurisë kombëtare do të ishte influencimi i fqinjëve tanë për rritjen e dialogut rajonal dhe konsolidimin e parimit të fqinjësisë së mirë, atëherë më afër qendrës do të ishin pikërisht fqinjët tanë si objekt i rëndësishëm i sigurisë kombëtare. Pavarësisht rëndësisë së jashtëzakonshme që ka Parlamenti, shoqëria dhe media në këtë proces ata nuk janë objekt i sigurisë kombëtare dhe pozicionimi i tyre në përqasjen koncentrike-rrethore do të ishte periferik.

2. Përqasja e pjesëmarrjes së elitave në politikëbërje bazohet në parimin bazë të shoqërisë demokratike i cili percakton që proceset politike dominohen nga elitat. Kjo përqasje vendos elitat si udhëheqëse të procesit të hartimit të politikave të sigurisë kombëtare brenda kornizave institucionale të përcaktuara pavarësisht se grupet elitare të përfshira në proces duhet domosdoshmërisht të sigurojnë publikisht mbështetjen popullore për legjitimimin e procesit. Kjo mbështetje duhet pasi edhe pse elitat kanë kapacitetin e duhur intelektual dhe akses te informacioni i klasifikuar që i ndihmon në hartimin e politikave efikase të sigurisë kombëtare, për të siguruar suksesin afatgjatë të këtyre politikave kërkohet një nivel i caktuar pjesëmarrjeje publike e mishëruar në hapësirat që klasa politike krijon për kontribute të tilla nga shoqëria. Përqasja e modelit elitar për sigurinë kombëtare përcakton Presidentin, Kryeministrin, Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, antarë të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, antarë të parlamentit, ushtarakë të lartë dhe liderë të komunitetit të biznesit si pjesë e një rrethi të ngushtë që është hartues i politikave të sigurisë kombëtare. Ky model përqasje ka disavantazhin e mos balancimit të aftësisë dhe fuqisë së elitave me konceptin e demokracisë gjithëpërfshirëse.

3. Modeli i tretë i përqasjes është ai i analizës së sistemit. Ky model i jep rëndësi dinamikave të marrdhënieve midis aktorëve vendimmarrës në të gjitha hapat e procesit të hartimit të politikave të sigurisë kombëtare. Të gjitha inputet dhe indikacionet që vijnë analizohen nga aktorët politikë vendimmarrës dhe nëpërmjet metodave krahësuese, vlerësuese të ambjentit të sigurisë dhe prioriteteve të përcaktuara hartojnë një politikë të sigurisë kombëtare të pranueshme për pjesëm dërrmuese të aktorëve dhe grupeve të interesit. Impakti që ka politika e hartuar në këtë mënyrë duhet të monitorohet vazhdimisht nga “feedback” për efikasitetin e saj dhe si perceptohet nga ata që e ndjejnë direkt atë.

Njohja e interesave kombëtare dhe analizat studimore mbi sigurinë janë të rëndësishme për të kuptuar qartë jo vetëm procesin e hartimit të politikave të sigurisë kombëtare por edhe për të kuptuar drejt rolin që kanë aktorët e ndryshëm pjesëmarrës në këtë proces. Në promovimin e vlerave dhe përcaktimin e objektivave si bazë të interesave kombëtare modelet perendimore bëhen gjithnjë e më të qarta duke i shtuar atyre elementët specifikë të natyrës së mjedisit të sigurisë që rrethon rajonin dhe vendin tonë. Në këtë mënyrë mund të realizojme një proces të susksesshmë hartimi të politikave të sigurisë dhe një përqasje të drejtë të rolit që duhet të luajë klasa politike, institucionet e sigurisë e të mbrojtjes, shoqëria dhe mediat pa cënuar parimet themelore të ruajtjes së balancave midis institucioneve vendimmarrëse dhe  demokracisë gjithëpërfshirëse.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx