Editorial
Everest Haxhi: Siguria Kombëtare
E shtune, 10.05.2014, 06:05 PM
SIGURIA KOMBËTARE MIDIS SHOQËRISË,
GJEOPOLITIKËS DHE GJEOEKONOMISË
NGA EVEREST HAXHI
Siguria kombëtare perceptohet shpesh si sinkronizimi i aseteve shtetërore dhe kapaciteteve të forcës së një shteti për ti bërë ballë një agresioni të mundshëm apo presumimit të një rreziku prioritar. Në këtë kontest duket se institucionet e mbrojtjes dhe kryesisht Forcat e Armatosura mbajnë peshën kryesore të saj në nivel reagues dhe doktrinor edhe pse ky mentalitet e ngushtëzon së tepërmi planin në të cilin duhet parë siguria kombëtare.
Dinamika e ndryshimeve në shekullin e ri e vendos përqasjen mbi sigurinë në një plan kompleks shumëdimensional duke zgjeruar nocionin e sigurisë shtetërore me komponentë të tjerë; atë të sigurisë njerëzore dhe mirëqenies. Kjo përqasje e re ndaj sigurisë kombëtare duket më e plotë pasi përmban dimensionin jashtë-shtetëror ndërkombëtar dhe dimensionin brenda-shtetëror në mbrojtjen e shoqërisë jo vetëm nga rreziqet transnacionale por dhe nga rreziqet e brendshme si politika dhe vetë shteti si burimi kryesor i ofrimit të nje model-sistemi politiko-social. Shteti i cili ende vazhdon të mbetet aktori kryesor që duhet të vendosë një rend të sigurt social e politik duhet të krijojë premisat që qytetarët të ndjejnë se po respektohen të drejtat e tyre themelore dhe vlerësojnë se kjo siguri që shteti ofron është funksionale.
Siguria njerëzore si pjesë e sigurisë kombëtare kërkon nga udhëheqësit vizionarë vendosjen e një standarti vlerash mbi të cilat duhet të bazohet kontributi i qytetarëve brenda sistemit politiko-social por njëkohësisht, perceptimi qytetar që shteti garanton sigurinë e këtyre vlerave duhet të jetë maksimal.
Ndryshimet konceptuale mbi sigurinë kombëtare kanë qenë të hershme por vetëm në dy dekadat e fundit, pas Luftës së Ftohtë, filluan të bëheshin bazë e doktrinave hartuese mbi sigurinë duke u fokusuar te siguria njerezore dhe mirëqënia e shoqërisë në dimensionin ekonomiko-social të saj. Shkolla e Sigurisë së Kopenhagenit e themeluar nga Barry Buzan vendosi bazat doktrinore per konceptin e ri të sigurisë shumëdimensionale duke zgjeruar konceptin ushtarak të sigurisë në sigurinë ekonomike, sigurinë politike, sigurinë mjedisore, sigurinë e ushqimit dhe sigurinë shëndetësore.
Kjo përqasje ndaj sigurisë ndihmoi vendet perendimore të kuptonin se diferencat ekonomiko-sociale që kishin me vendet e tjera më të varfëra përbënin kërcënim për sigurinë e tyre dhe u përpoqën të fokusoheshin te dimensioni i sigurisë njerëzore në aspektin social-ekonomik duke grupuar vendet me dinamikë dhe problematika të përafërta për një përqasje rajonale të kapaciteteve reaguese të tyre në mbrojtje të interesave kombëtare. Kapacitetet reaguese evoluan në përputhje me konceptin e sigurisë duke kaluar nga përdorimi tradicional i forcave të armatosura në platforma asistence në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndihmave ekonomike dhe planeve të zhvillimit social dhe shoqëror.
Në këtë këndvështrim cdo mbështetje e afruar deri tani ndaj rajonit dhe vendit tonë duhet vlerësuar brenda konceptit të ri mbi sigurinë dhe duhet të bëhet pjesë e analizave të thella dhe reflektimeve mbi suksesin e implementimit të drejtë të sistemeve politiko-sociale për të kaluar barrierën e konsumatorit të sigurisë dhe vendosjen e premisave për të prodhuar siguri.
Duke parë rajonin tonë me dinamikën dhe problematikat e përafërta, përqasja natyrore do të ishte në vlerësime të ngjashme të ambjentit të sigurisë por implikimet që sjellin pozita gjeografike për Shqipërinë dhe rritja e faktorit shqiptar në Ballkanin Perendimor do të nxirrnin një natyrë tjetër rreziku. Kjo natyrë unike e rrezikut mund të analizohet mbështetur në konceptet e reja të sigurisë por duke i dhënë karakter kombëtar analizës dhe përqasjen specifike të shoqërisë shqiptare. Edhe pse demokracia garantoi sigurinë politike në aspektin normativ dhe sasior, natyra e tranzicionit të tejzgjatur në vendin tonë ka sjellë një zhvlerësim të konceptit të sigurisë shtetërore duke lënë një vakuum sigurie i cili është mbushur me kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, sigurisë njerëzore dhe asaj individuale.
Në rrafshin gjeopolitik analiza e konceptit të sigurisë me tiparet e përbashkëta rajonale dhe specifikat kombëtare të vendit tonë duhet lidhur ngushtë me faktin që Ballkani Perëndimor ka qenë dhe mbetet terren konfliktesh ndërshtetërore dhe brendashtetërore në lidhje me sigurinë njerëzore. Ky problem mbetet akoma prioritet i politikave të vendeve të rajonit. Me gjithë progresin që është bërë për të ndërtuar një të ardhme të re përmes procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, Ballkani Perëndimor nuk ka dalë ende nga “listat e zeza” të vendeve perendimore për implikimet etnike që mbart dhe përmasat e gjera të krimit të organizuar. Kjo ka bërë që edhe vlerësimi gjeostrategjik të pësojë një zhvendosje të madhe. Për vendet perendimore, rëndësia strategjike e Ballkanit tashmë shihet e lidhur ngushtë me rreziqet që ai mund të prodhojë dhe eventualisht të eksportojë jashtë tij duke i bërë këto vende të ekspozuara ndaj këtyre rreziqeve me implikime direkte ose indirekte në sigurinë kombëtare të tyre.
Krimi i organizuar shihet si një ndër rreziqet kryesore dhe lufta ndaj tij ka qenë jo vetëm ndër drejtimet kryesore të kontributit të aktorëve ndërkombëtarë për fuqizimin e institucioneve në vendet e rajonit, por në të njëjtën kohë edhe një ndër kushtet bazë që duhet të plotësojnë qeveritë e këtyre vendeve për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Në studimet e kryera mbi këtë thuhet qartë se..”edhe pse krimi i organizuar nuk përfshihet shprehimisht ndër tre tipat kryesore të kërcënimeve të kohës së sotme në fushën e sigurisë, ai shihet si një burim që i ushqen drejtpërsëdrejti këto kërcënime, qoftë atë të konflikteve rajonale, terrorizmin, apo veprimtari që kanë në themel fitimin e paligjshëm. Në fazat e tij më të avancuara, krimi i organizuar trondit stabilitetin e qeverisjes dhe gërryen e shkatërron pareshtur themelet ekonomike e ligjore të shtetit”.
Vlerësimi rajonal i ambjentit të sigurisë duhet të pasurohet me specifikat kombëtare duke pasur parasysh që Shqipëria shërben si nyje tranzitore lidhëse midis perëndimit dhe lindjes edhe pse mungesa e fleksibilitetit të bashkëpunimit midis forcave politike e bën vendin më vulnerabël ndaj rreziqeve të sipërpërmendura dhe zvanit avantazhin gjeostrategjik duke e kthyer atë në disa raste në disavantazh.
Në planin e sigurisë politike bazuar në konceptin e qeverisjes demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut duhet të vlerësohet fakti se cënimi i këtyre të drejtave me synim mbrojtjen e “sigurisë kombëtare” jep premisa për vlerësime të pa balancuara të cilat mund të sjellin humbjen e legjitimitetit të vetë dokumentit të sigurisë. Parimet bazë të demokracisë që garantojnë të gjithë qytetarëve akses të barabartë në pushtet dhe të drejta dhe liri të mbrojtura dhe të garantuara nga shteti duhet të përbëjnë komponentin kryesor të sigurisë njerëzore brenda sigurisë kombëtare.
Në analizat e mjedisit të brendshëm të sigurisë duhet vlerësuar që nëse një demokraci nuk legjitimohet në mënyrë të tillë që të shmangë ndarjen e pabarabartë të pushtetit politik në balanca, siç është ndarja e pushtetit, atëherë një degë e sistemit rrezikon të akumulojë aq pushtet sa të bëhet e rrezikshme për vetë sigurinë kombëtare duke dhënë premisa për destabilizim të brendshëm dhe rajonal.
Pjesë tjetër e rëndësishme në dimensionin e ri të sigurisë kombëtare dhe sigurisë njerëzore është siguria ekonomike e cila në aspektin gjeoekonomik sipas Dent, duhet të sigurojë ruajtjen e integritetit strukturor, të kapaciteteve prosperitet-prodhuese dhe të interesave të entitetit politiko-ekonomik në kontekstin e rreziqeve dhe kanosjeve të ndryshme të brendshme e të jashtme me të cilat ai entitet përballet në sistemin ekonomik kombëtar e ndërkombëtar.
Përqasja ekonomike e sigurisë njerëzore dhe sigurisë individuale sipas teorisë Blatz, duhet të analizojë premisat për të garantuar të ardhura të qëndrueshme dhe burime të vazhdueshme për arritjen e një standarti jetësor të kënaqshëm për qytetarët duke i liruar nga frika e pasigurisë së jetesës. Në këtë kontekst të gjithe elementët përbërës të sigurisë ekonomike të orentuar për të siguruar qëndrueshmëri të ardhurash dhe mirëqënie janë objekt përfshirjeje në sigurinë kombëtare.
Vlerësimi i rrezikut që sjellin:
• papunësia
• mungesa e monitorimit të cilësisë së ushqimit dhe barnave mjekësore parë si mos garantimi i sigurisë së shëndetit dhe ekspozimit ndaj sëmundjeve dhe menyrave të pashëndetshme të jetesës së popullsisë shqiptare
• mungesa e sigurisë mjedisore parë si dështim i mbrojtjes afatshkurtër dhe afatgjatë të mjedisit nga shkatërrimet natyrore dhe kërcënimet që njeriu i bën natyrës dhe habitatit natyror duke e degraduar atë
• mungesa e sigurisë individuale perceptuar si mos garantimi i mbrojtjes së qytetarëve prej dhunës fizike, qoftë ajo nga vetë shteti apo nga shtete të tjerë, nga individë të dhunshëm, nga abuzimet e ndryshme të brendshme me sfond kulturor apo fetar ose sulmet politike
• degradimi i infrastrukturës sanitare publike dhe sistemit të ujit të pijshëm
dhe të gjitha mundësitë e humbura për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë duhet të trajtohen si prioritete të sigurisë kombëtare për të penguar mos-shfrytëzimin e potencialit ekonomiko-social të vendit.
Në studimet mbi specifikat gjeoekonomike të vendit tonë duhet të mos harrojmë se ekonomia jonë e brishtë disavantazhin e përballjes me superfuqinë ekonomike të Bashkimit Evropian duhet ta kompensoje me pozicionin e vet strategjik shumë afër tregjeve evropiane të konsoliduara dhe ofrimin e korridoreve transite kryesore ekonomike dhe energjetike për rajonin.
Edhe pse gjeoenergjitika është pjesë përbërëse e gjeoekonomise, në Shqiperi mund të shihet si element i vecantë analize në kuadër të sigurisë kombëtare kjo për imlikimet rajonale që mund të sjellin rrugekalimet e naftës dhe të gazit. Në këtë kontest vendi yne i cili ka depozita domethënëse nafte e gazi në rrafsh rajonal po përjeton një rilindje në këtë industri dhe lajmet e përditshme janë me të vërtetë inkurajuese duke konfirmuar epërsinë rajonale në burime hidrokarburesh kjo e rëndësishme për të pasur një bazë për zhvillimin infrastrukturor gjeoenergjitik. Gjithsesi në kontest të sigurisë së energjisë asistenca e partnerëve tanë strategjikë do të ishte shumë e nevojshme pasi projektet energjitike si TAP për vetë madhësinë e tyre dhe mungesën e infrastrukturës energjitike lidhëse në rajon mund të sjellin implikime gjeostrategjike për Shqipërinë.
Në këndvështrimin e sigurisë kombëtare dhe gjeoenergjitikës duhet të theksohet se pavarësisht pozicionit joshës që vendi ynë ofron për investime në infrastrukturën energjitike, implikimet janë edhe të brendshme pasi kostot e larta te këtyre investimeve i bëjnë kompanitë e huaja superiore në raport me ato vendase. Njëkohësisht kompanitë e huaja kanë prioritet vetëm përmbushjen e tregjeve të jashtme duke lënë një kosto shumë të lartë mjedisore në vendin tonë gjë që ndikon drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare.
Si përfundim mendoj se për tu përballur me sfidën e implementimit të koncepteve bashkëkohore të sigurisë kombëtare duhet që hartimi i nje modeli të suksesshëm të sigurisë të orientohet jo vetëm vertikalisht nga shteti te individi por edhe horizontalisht sipas modelit Rothschild, që përfshin sigurinë njerëzore dhe më specifike sigurinë individuale me komponentet e saj politiko-social.
Duke pasur parasysh që në këndvështrimin e ri shteti nuk është më struktura e vetme me të cilën lidhet koncepti i sigurisë atëherë shoqëria, familja, individi mund të ndjehen të sigurt vetëm nëse ata kanë arsye të besojnë se funksioni i tyre brenda sistemit politiko-social nuk është i kërcënuar. Siguria e shtetit varet në masë të madhe nga siguria njerëzore e shoqërisë, familjes dhe individit pa harruar që nëse shteti dështon në përmbushjen e detyrimeve të tij si garantues i shoqërisë atëherë ai bëhet burim kërcënimi për qytetarët e tij.
Në dimensionin e sigurisë ekonomike dhe ndërthurjes me sigurinë njerëzore të elementëve të favorshëm gjeoekonomike dhe gjeopolitike që vijnë si rezultat i pozicionit gjeografik duhet që siguria kombëtare të adresojë shqetësimin ndaj brezave të ardhshëm dhe burimet që ata do të kenë në dispozicion për të garantuar sigurinë njerëzore.