Editorial
Ramiz Selimi: Kush është një politikan i mirë?
E shtune, 12.04.2014, 06:25 PM
Kush
Besimi i publikut në integritetin e përfaqësuesve politik është humbur
Kthimi i besimit kërkon kohë, pasi është mbjellë një frikë kolektive për të penguar zhvillimet ekonomike dhe me qellim të thellimit të ndasive mes politikës dhe popullit. Duke mbajtur situatën e cila pengon shpërndarjen horizontale të mjeteve financiare .
Shkruan Ramiz Selimi
Perceptimi mbi kualitetin e politikanit shqiptarë në qarqet politike botërore, por edhe nga miqtë ndërkombëtare është në nivelin më të ulet të mundshëm. Sa që mendohet se politika në Shqipëri, por edhe në Kosovë është mirë e koordinuar, bie fjala për ndarjen e plaçkës në mënyrë të barabartë. Kjo po shqetëson faktorin ndërkombëtarë, pasi ekziston rreziku real i pasurimit të politikës edhe më shumë në kurriz të popullit, duke zhytur atë në varfëri totale. Kjo shumicë e varfër do të jetë invalide dhe e pafuqishme për të ngritur zërin edhe për shumë e shumë vite.
A duhet
të jetë një politikan aq i pasionuar pas politikës, sa që do të ndihej si një
predikues i popullit, siç ndihet politika sot?
A e ka përfaqësuesi politikën si profesion të ideve prosperuese dhe a
angazhohet ai në zbatimin e tyre? Mos politikani duhet të jetë patjetër një oratorë i mirë, që
medoemos duhet të jetë prezent në të gjitha mediet, pa dhënë llogari në
zbatimin e atyre që thotë?
Prandaj , nga kreu politik fillon çdo gjë. Pse duhet unë si qytetarë me një pagë të ulet të sakrifikojë, kur shefat tonë mendojnë dhe veprojnë për pasurim personal? Pse duhet unë të paguaj tatim, kur shefat e mi blejnë pallate në vende të ndryshme të botës, kur punësimi bëhet vetëm përmes ryshfetit apo farefisit, kur dëgjojë për lloji –lloji afera korruptive, që kurrë nuk e marrin dënimin e merituar. Si ta fitojë unë besimin të kjo elitë politikë, pasi që unë dua të besojë?
Pa besim nuk ka funksionim të një shoqërie, po as të një kompanie dhe ekonomie . Unë duhet të jem në gjendje të besojë se të tjerët janë të sinqertë, se po respektojnë ligjet dhe marrëveshjet , se gjerësisht po veprojnë në mënyrë të drejtë. Këtë dua edhe gradualisht ta shohë. E kam shumë të qartë se kurrë nuk mund të formulohen ligje dhe traktate që mund të sanksionojë çdo abuzim në mënyrë efektive apo edhe për të përjashtuar. Në ekonomi nuk është ndryshe, kush dëshiron të ketë sukses në tregun e mallrave, së pari duhet të ndërtojë raporte besimi, por njëkohësisht besimin duhet ta arsyetoje për produktet apo shërbimin tij me kualitetin që ofron. Besimi duhet të jetë fituar ai kërkon kohë për bindje, por besimi i fituar me shumë vështirësi mund të humbet shumë shpejt .
Frika kolektive është mbjellë në popull!
Ky parim vlen edhe për politikën. Bota jonë është e ndërthurur në mënyrë që nuk ka përgjigje të lehta . Asnjë komb apo shtetit nuk mund të shkëputet vetë nga zhvillimet e pjesëve tjera të botës, bota është globalizuar aq shumë sa që edhe parregullsitë më të vogla nuk mbesin pa u vërejtur. Prandaj ka vetëm një zgjidhje që kënaqë të gjithë ose shumicën .
Rreziku që politika të thellojë akoma më shumë hendekun me popullin është shumë reale, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Në këto vende politika është e ndarë në dy pole, ku partitë e vogla janë të pafuqishme dhe janë të detyruara të futen nën çatinë e njërit pol. Preokupimi kryesor i tyre mbetet thithja e sa më shumë fondeve dhe mundësisht përfitimi sa më i madh për interesa privat, si dhe rehatimi i militantëve gjatë mandatit që kanë. Bizneset dhe përfitimet e parregullta qofshin ato edhe të opozitës nuk preken nga pozita, pasi në prapavijë ka arritje të traktateve për kompromise në vjedhje. Këtu është edhe baza për shqetësim nga Bashkësia Ndërkombëtare. Unë si qytetarë kam dy mundësi, të kyçem në njërin tabor politik me shpresën se do të mund të marr ndonjë copë torte apo ndonjë kockë të mbetur, ose të përfundojë të shumica e varfër. Variant tjetër fer dhe korrekt nuk ekziston.
Dy taborët politikë përmes militantëve të tyre kanë një ndikim tejet të lart të votuesi, sa që ata asnjëherë nuk janë të rrezikuar të humbasin zgjedhjet, sido që të ndodhë. Ndryshimet bëhen çdoherë me marrëveshje paraprake nga dy taborët politikë. Kurrë me parë, shqiptarët nuk kanë marr aq shumë donacione e mjete financiare nga bota demokratike(bile ato në shuma miliardësh), por rezultatet lënë shumë për të dëshiruar.
Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë politika ka mbjellë një frikë kolektive të populli. Duke kujtuar kohën e komunizmit, apo “rikthimin” e Serbisë në Kosovë, politika e ka shumë të lehtë të manipulojë me pjesën dërmuese për të arrit qëllimet e veta. Po a është një politikan i mirë ai që shfrytëzon ndjenjat e përjetuara, për qëllime personale?
Vokrri i harxhuar si futbollist, por jo Xherdani!
Rrallë herë pothuajse asnjëherë një politikan që është orator i talentuar ofron argumente dhe fakte për të bindur masën e votuesve. Ne si qytetarë ju besojmë atyre politikanëve që kanë ndërtuar një lloji besimi dhe raporti me popullin, të konfirmuar, që luftuan, apo që ishin politikanë në një sistem, dhe kjo është e rrezikshme dhe pengesë për zhvillime pozitive, sepse nuk i jep mundësi shpërthimit të kualitetit. Nuk është diçka tjetër në futboll, Vokrri ishte i konfirmuar, por tani është i harxhuar si futbollist, apo futbollisti më i mirë nga kampionati Kosovës, nuk ka forcë të matet me futbollistë të kalibrit botëror, Januzaj-n e kërkojnë patjetër, në kombëtarën shqiptare e kosovare. Është koha ideale që edhe politika të kërkojë Januzaj-t e saj, për ti kyçur në politik!
Në vend të zgjidhjeve komplekse “ky ishte luftëtar”, “ ky ishte i konfirmuar në sistemin komunist” ne duhet të përqendrohemi në zgjidhjen e aftësive, pra të zgjedhim politikanë të ri me potencial të lart, të zbulojmë dhe të zgjedhim , Januzaj-n e Xherdanat-at e politikës në diasporë, e kudo që ndodhen.
Pyetja se çfarë e dallon një politikan të mirë? Natyrisht janë disa cilësi dhe veçori që e karakterizojnë një politikanë. Politikani duhet ta ketë politikën pasion, që punon e bënë me nder, shpirt dhe zëmër, duke u vënë në shërbim të kolektivit. Kjo do të thotë në aftësinë dhe vullnetin për t'u marrë me mekanizmat komplekse të veprimit të ekonomisë sonë dhe shoqërisë . Vendi ynë ka nevojë për politikanë të cilët shkojnë në fund të problemeve dhe të zhvillojnë pikëpamjet pa dogmatizëm dhe mendje-ngushtë. Sot jemi dëshmitarë kur politikanët punojnë pa asnjë pasion, për ato që i proklamojnë, veprojnë komplet diçka tjetër nga ato që thonë. Një politikan i mirë duhet të ketë një lloji sensi të përgjegjësisë, në rast të gabimeve dhe mos sukseseve të largohet vullnetarisht nga politika.
Politikanët Shqiptarë dhe Kosovarë janë amator të vërtetë!
Dëshirë e madhe e qytetarëve tanë është që politika të zbatojë njëherë të vetme ato që premton. Kryeministri shqiptarë i premtojë elektoratit shqiptarë mbi 200 mijë vende pune në periudhën e tij 4 vjeqare, pas 8 muaj qeverisje nga ai, ka regres në vende pune. Ne duam dhe kemi nevojë për politikanë që atë që thonë dhe mendojnë ta realizojnë në praktikë . Një politikan i mirë duhet të digjet zjarr brenda, për të realizuar ato që ka premtuar, sepse në të kundërtën politika më shumë i ngjanë grupeve mafioze.
Udhëheqës të mirë janë ata që të mirën e drejtojnë në interes të përbashkët , kurse sot kemi politikën aktuale shqiptare tejet të dobët që është vetëm zëdhënëse e besimeve të tyre. Dëgjimi dhe të kuptuarit janë të huaja për ta. Shumica e politikanëve mund të flasin shumë , pa thënë asgjë, me sloganin premto sa më shumë, sepse ai vetë nuk i merr seriozisht ato që thotë. Populli jonë jeton nga optimizmi thonë disa, kështu që ne vetëm po i frymëzojmë elektoratin të dalin në votime, thonë të tjerët, sepse ne vetvetiu nuk besojmë në ato që themi, thonë të tretët.
Politikani i mirë duhet të posedojë aftësinë për të bërë veten dhe rolin e tij në fjalë, dhe pastaj të zbatojë ato në jetë. Ata që festojnë dhe e paraqesin veten me imazhe të shumta, kanë një ndjenjë jo të sinqertë, pasi interesi i tij është tërheqja e vëmendjes së publikut , por jo realizimi i premtimeve. Si kurrë më parë janë në qendër të vëmendjes së medias aq shumë politikanë, sa qe media është bërë peng i tyre dhe kontribuues i drejtpërdrejt të situatës që kemi. Shumica e medieve janë bërë të mërzitshme, sa që as nuk dëshirojnë ti shohin, as ti dëgjojnë po as ti lexojnë.
Nëse ne duam që të ndjehemi rehat në shoqërinë tonë kjo varet shumë edhe nga ne votuesit dhe jo vetëm nga politika, sepse ajo nuk është ekskluzivisht përgjegjëse e vetme. Por ne qytetarët, që qëndrojnë me njëri-tjetrin , në lagje , në klube, në organizata , në punë , në familje, nuk duhet të biem pre e militantëve, por të vlerësojmë të pavarur, pa emocione në mënyrë korrekte me logjiken tonë, duke vlerësuar të arriturat. Jam thellë i bindur se politika shqiptare dhe kosovare janë amatore, profesionistet e vërtet po presin inkuadrimin.