Editorial
Bedri Blloshmi: Një kujtesë e tmerrshme
E marte, 20.05.2014, 08:14 PM
Kështu ka ndodhur 30
vjet më parë.
Një kujtesë e tmerrshme.
Nga Bedri Blloshmi
Sot jemi këtu në këtë humnerë, vend të fshehtë që vetëm një ndërgjegje gjakatare mund ta zbulojë. Do të ishte shumë me vend nëse do ta thoshim se ky kapitull i tmerrshëm i së kaluarës do të kishte marrë fund.
Sot në këtë 30 vjetor të asaj dite të përgjakshme të majit 1984, ne humbëm tre nga shokët tanë të vuajtjes në tmerrin komunist.
Edhe sot, mbas 23 vjetësh, këta heronj të vërtetë, nga kjo e ashtuquajtur demokraci, mbetën të cilësuar “terroristë”. E thënë troç, me Ligjin që u miratua për integrimin dhe dëmshpërblimin ekonomik, nga bijtë e sekretarëve të parë, apo këlyshë të tjerë komunistash e sigurimsash, - nuk përfitojnë-.
Ky ligj duhet parë, të gjendet një klauzolë, e gjaku i këtyre martirëve, të mos shkojë i humbur. Këta që qeverisin sot, duhet t’i rregullojnë fajet e qeveritarëve të para 23 Qershorit, nëse duan të dallohen nga ata. Duhet të rregullohet edhe ajo që u propozua dhe u vendos si datë përkujtimore 21 Maji i 1973 me rastin e revoltës së parë komuniste, ku u ngrit flamuri pa yll, u pushkatuan 4 djem Nënash dhe u dhanë qindra vjet burg për 64 të tjerë.
Ky propozimi i bërë nga deputeti i Vlorës dhe M.K.R.S.Z. Bujar Leskaj po ajo qeveri e quajtur demokratike, e kundërshtoi. Ishte po ky deputet e ministër që çeli një fond fillestar për bërjen Muze të burgut të Spaçit, shumën prej 50 milion lekë, por edhe këto humbën. I vetmi person që e ndjente me shpirt dhe i vlerësonte vuajtjet e të burgosurve politikë dhe nuk u kursye asnjëherë për ne, është Z.Leskaj. Madje ka bërë dhe një libër për poetët dhe shkrimtarët e pushkatuar dhe burgosur, të titulluar “Muzat e Qëndresës”.
Po në këtë ditë të përgjakshme, unë kam bërë një përshkrim të ngjarjes, të pajisur me dokumenta nga arkivi i sigurimit, titulluar “Revolta e Qaf-Barit dhe terrori komunist 1943-1990”, dhe Aldo Bumçi, ministri i asaj kohe, më premtoi, më gënjeu për gati 1 vit e gjysëm, bashkë me një nga udhëheqësit kryesorë të revolucionit komunit të vitit 1997 Frrok Çupi, nuk pranuan të dalë ky libër.
Edhe pse shumë ishin të interesuar që ky libër të mos dilte, ai e pa dritën e diellit dhe ftoj të gjithë të interesuarit që duan të dinë për këtë revoltë, t’a lexojnë dhe të japin mendimin e tyre.
Tani kam në dorë “Revoltën e Spaçit të vitit 1973”. Edhe ky libër do kompletohet me dokumenta arkivore.
Duke përfunduar, me dhimbje sot po kujtojmë dhe do vazhdojmë t’i kujtojmë këta trima të pa përkulur përgjithmonë.
NË ERRËSIRË
Kujtimit të Sokol Sokolit e Tom Ndojës, pushkatuar më 8
Qershor ora 00.00. 1984, Shkodër
Gërmuan vrasësit tokën e butë
Hëna kullonte gjak mbi bajoneta
Nën rreze gjaku gjaksat mbollën kufoma
Nga lart heshtëte vigjëlon antena
Në mëngjez të nesërmen një kal
Tërkuzet e s’kullot si përditë në lëndinë
Ndjen plumbat që u shkrehën gjakun që u derdh
Kufomat fshehur në natën që nxin
Shkojnë vite kalin prapë era e gjakut
E ndiell dhe e ndal te gropa e fshehtë
Cep më cep i bije fushës, por kthehet
Te varret e humbura shkelur pa ditë e pa net
Antena lart heshtëte, jepte lajme në fitore
Veç kali atë bar se ha e rreh e shkelmon
Antena e di: Sokolin dhe Tomën aty i vranë
Në një natë ku veç hëna krimin vajton
Kali i ndjen krismat therur në gjak
Kali barit i trembet i bije me shkelm
Dhe një ditë uli kokën u tret e u mpak
Mbi fushën mbjellur me varre e me helm
Edhe një herë: PUSHOFSHI NË PAQE
Miku Juaj
Bedri Blloshmi