Kulturë
Bajram Qerimi: Funksioni Stilistikor (I)
E enjte, 22.05.2014, 07:06 PM
TIPOLOGJIA E FRAZAVE SIPAS FUNKSIONIT STILISTIKOR (I)
NGA BAJRAM QERIMI
Çështja e klasifikimit të frazave sipas funksionit stilistikor, nuk ka gjetur ende zgjidhje të plotë në frazeologjinë shqipe e edhe në frazeologjinë e përgjithshme si dijesi, si dhe në frazeologjinë evropiane. Arsyen kryesore për këtë do kërkuar në vetë mungesën e studimeve të kësaj fushe të rëndësishme dijesore.Pra, zgjidhjen e kësaj çështjeje e ka vështirësuar edhe mungesa e punimeve teorike e praktike dijesore.
Për klasifikimin e frazave sipas funksionit stilistikor, do të mundohemi, do të marrim mundimin, për herë të parë, në këtë punim hulumtimor, në këtë punim përkushtimor studimor.
Pothuaj se kësaj çështjeje të rëndësishme gjuhësore e stilistikore duket se i është bërë dredhë, pa të drejtë e pa arsye, qoftë në frazeologjinë shqipe, qoftë në frazeologjinë e përgjithshme, botërore. Marrja në shtjellim e trajtim e kësaj çështjeje, nga njëra anë, dhe, moslënia në heshtje edhe më tej, pas sa e sa kohësh, e kësaj çështjeje të veçantë studimore, do t’ u japë shtysë frazeologëve e stilistëve shqiptarë e të huaj për çuarjen më tej e çuarjen përpara të njohurive frazeologjike e stilistikore në këtë fushë të veçantë studimore, në këtë fushë studimore frazeologjike.
Derisa frazat fjalësore mund të klasifikohen vetëm sipas funksionit morfologjik, sipas funksionit gramatikor, frazat stilistikore klasifikohen sipas funksionit të tyre dyjar: sipas funksionit morfologjik (gramatikor) sikundër edhe frazat fjalësore dhe sipas funksionit stilistikor.
Tipologjia e frazave stilistikore lidhet me çështjen se çfarë mjetesh të shprehjes letrare paraqesin me tiparet, veçoritë e tyre dalluese, të veçanta kryesore e qenësore funksionale. Këto fraza shprehin , shënojnë tipare, veçori të veçanta, të rëndësishme stilistikore. Këto fraza, sipas funksionit stilistikor, bëjnë pjesë në shumë tipa, lloje të veçanta, përkatëse stilistikore. Tipat më të përhapur, më kryesor të frazave stilistikore, frazat që dallohen me denduri më të madhe përdorimore në ligjërimin letrar, në të gjitha stilet, për të cilat do të bëjmë fjalë radhazi sipas rendit alfabetik e jo sipas rëndësisë e dendurisë së tyre, janë: frazat alegorike, aluzive, antifrastike, antimetabolike, antitetike, barazmiore (njëjtësimore), eliptike, eufemistike, ftillimore, hiperbolike, idiomatike, inversive, ironike, krahasimore, lakonike, mallkimore, metaforike, metonimike, onomatopeike, perifrastike, proverbiale, topotetike dhe urimore. Këto lloje frazash, pra, i përkasin tipologjisë së veçantë të klasifikimit, klasifikimit sipas funksionit stilistikor, klasifikimit stikistikor të frazave të gjuhës shqipe.
1.f r a z a t a l e g o r i k e
Frazat alegorike për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor kanë kuptim dhe funksion alegorik, kanë kuptim dhe funksion të alegorive. Pra, frazat alegorike në ligjërim dhe shkrim kanë vlerë alegorike dhe kryejnë funksion si alegori.
Frazat alegorike ashtu si edhe alegoritë e thonë njërën dhe e shënojnë, e pasqyrojnë, e paraqesin, e nënkuptojnë tjetrën, që e fshehin, që nuk e thonë, por që nënkuptohet, kuptohet nga lexuesi a dëgjuesi. Pra, në frazat alegorike ajo që thuhet ka domethënie, kuptim të fshehur, por të nënkuptuar. Kështu, fraza alegorike janë, bie fjala, frazat me karakter proverbial: arë pa stom e fjalë pa bishta nuk ka fr.proverb.,aleg.-bashkë me të mira gjendet edhe ndonjë e keqe, midis të mirave gjendet edhe ndonjë e keqe, ndonjë e metë, nuk ka të mirë absolute, s’ ka gjë, s’ ka punë a s’ ka njeri pa ndonjë (një) të metë a mangësi, qoftë kjo edhe fare e vogël, nuk ka gjë, punë a njeri fare pa të meta, fare të përkryer, fare të përsosur, s’ ka njeri pa gabime, nuk ka gjë ideale, nuk ka gjë pa firë. (PETZE-FSHFRR f.7). S.çdo derë ka një lesë; dru pa nyjë nuk ka; edhe bora është e bardhë, por është e ftohtë; edhe dielli ka njolla; s' ka bukë pa thërrime; s’ ka çufër pa hardhucë; s’ ka drithë pa harç; s' ka dru pa krunde; nuk ka eshtra pa mish; s’ ka fushë pa breshkë (pa hardhucë); s’ ka gardh pa ferra; s’ ka grurë pa egjër; s ka kashtë pa byk; s’ ka krye pa bisht; s’ ka lerë njeri me yll në ballë; s’ ka mal pa thi (pa ujk); s’ ka mish pa asht (pa koc, pa kockë, pa kocka); s’ ka njeri të pikur nga qielli; s’ ka oriz pa gurë;nuk ka peshk pa hala; s’ ka peshk pa halë as det pa njala; s’ ka peshk pa halë as shtëpi pa fjalë; nuk ka pyll pa derra; mal pa ujk nuk ka; më sa ka dru pa gdhe, aq ka njeri pa huq; mish pa asht (pa koc, pa kockë) nuk ka; trëndafil pa gjemba s’ ka;
secili at lidhet për kunjin e vet fr.proverb.,aleg.- 1.secili përgjigjet për punën e vet, secili i del zot vetes.2.çdo njeri duhet trajtuar dhe vlerësuar sipas veçorive që ka, duhet parë më vete pa e futur në një thes me të gjithë të tjerët.- E di, je si puna e ferrës së lugatit në trup të gështenjës së butë, po de! Secili at lidhet për kunjin e vet, por ç’ punë pa kripë, për djall! (MI-SHT f. 205). .S. shih sin: çdo berr varet nga këmbët e veta (nga këmbët e tij), çdo berr varet për këmbën e vet, çdo berr varet për këmbësh të veta
s’ i
tregohen kufijtë babës fr.proverb.,aleg.- nuk duhet mësuar dikë për
diçka që e di vetë më mirë nga
përvoja vetanake, nuk duhet mësuar atë
që ka përvojë shumë të madhe në jetë. (VODE-
do (duhet) të piqet bakllava , mandej do (duhet) qitur shërbeti fr. proverb., aleg.- punët duhet kryer, bërë me radhë, punët, veprimet vijnë sipas radhës. (FUSH f.759). S. shih sin: një herë bluan, pastaj gatuan
s 'luan
përskaj barit të thatë digjet edhe i njomi fr.proverb.,aleg..- 1a. nganjëherë për fajin e dikujt e pëson edhe i pafajshmi, njeriu i pafajshëm e pëson pranë
fajtorit, njeriu i mirë e pëson pranë të keqit.1b.puna e vështirë mund të përballohet pasi të kryhet,
të mbarohet puna e lehtë. (BQ-DSH). S.shih sin: digjet
barku e bën e shpina e ha fr.proverb.,aleg.- njëri e bën një faj dhe dikush tjetër e pëson pa qenë fare fajtor vetë drejtpërdrejt, dënohet, ndëshkohet dikush pa qenë fare fajtor, dënohet, ndëshkohet dikush i pafajshëm. (PETZE-FSHFRR f. 16).S. shih sin: unë mbaj barrën, ti djersën
rri mbi dengun e barutit dikush fr.fol.,aleg.-merret me punë, çështje shumë të rrezikshme dikush, e rrezikon shumë vetveten dikush, i shtrohet rrezikut të madh dikush.(FUSH f. 530).S.shih sin: luan me barut dikush
barra në shpinë të huaj është më e lehtë fr.proverb.,aleg.-çdo punë, detyrë e rëndë është më e lehtë kur e kryen dikush tjetër. (HB-FPD f.25).
s'bëhet baxho me një dele fr.proverb.,aleg.- nuk arrihet a nuk sendërtohet diçka e madhe me një njeri të vetëm a me diçka të vetme, nuk bëhet punë e madhe me diçka të vetme, me një njeri të vetëm, puna e madhe nuk mund të bëhet vetëm nga një njeri , por kërkon bashkimin e shumë njerëzve a shumë forcave, nuk mjafton vetëm një njeri a një send për të bërë diçka (një punë etj.) të madhe. (NMUS-SHPK f. 15). S. s' bëhet dasma me një fyell (me një këngë ,me një valle); s’ bëhet muri me një gur; s’ del pranvera me një lule; dorë e vetme s’ ka çka bën; nuk mbahet gardhi me një hu; nuk mbahet shtëpia me një shtyllë; nuk mbahet shtëpia me një tra; me një bung nuk bëhet bungajë; me një dallëndyshe s’ vjen behari (pranvera); me një direk s’ bëhet (s’ mbahet, s’ mbarohet) shtëpia; me një dru s’ bëhet mendër; me një furkëz nuk mbahet çatia; me një gur s’ bëhet mur; me një gjel nuk gdhin; me një hu nuk thuret gardhi; me një ka nuk lërohet; me një kokërr vezë, s’ qitet përpeq; me një lule s’ kënaqet dynjaja; me një lule s' çel (s’ del, s' vjen) behari (pranvera); me një myshteri s’ mbahet dyqani; me një qyqe nuk del vera; me një sëpatë nuk pritet lisi; një burrë s’ bën (një) mur; një dallëndyshe nuk e bie (nuk e sjell) pranverën; një dorë e vetme s’ ka ç’ bën; një gur s’ bën mur; një vijë nuk e kthen lumin prapa; s' pritet lisi me një sëpatë; s’ vjen pranvera me një lule; nuk vjen vera me një qyqe.Ant. ku pështyjnë shumë, bëhet lumë
nuk bën çdo (secila) bletë mjaltë fr.proverb.,aleg.-të gjithë
njerëzit nuk mund të jenë njësoj për nga vlera, dobia, rëndësia. (HK f.
146). S. çdo lule nuk lidh fryt; çdo mizë nuk bën mjaltë; nuk lidhin të
gjitha lulet; sa
bleta di si bëhet mjaltë (mjalti) fr. proverb.,aleg.-1. secli ekspert, njeri profesionalist e di më së miri mbarëvajtjen e punës, profesionit të vet. S. ai që ka bërë çirak, e di ç’ është çirakllëku; bleta e n,jeh lulen ku gjen brumë për mjaltë; e di bleta si e mbledh nektarin; e di vetë si ta vërë dinamitin dikush. 2.secili i di vetë më së miri punët a hallet vetanake (nga përvoja), gjithkush e di, e njeh më së miri, fare mirë punën, gjendjen e vet vetanake, çdo njeri i di më mirë vetë punët a hallet e veta. (BQ-DSH). S.bretku di të gjejë llogaçen; çdo mal e di barrën e vet; çfarë ka vorba që zien, e di luga që e përzien; e di ai që e ka në kurriz; e di ashti çka heq lëkura;e di vetëm belbuqi se ç’ heq thuthuqi; e di çakalli ku ka pre; e di dallëndyshja ku e ka folenë; e di Dema vetë diçka; i di djalli përrenjtë; e di dredha çka heq zgjedha; e di dhelpra ku është gjuetari;e di vetë ku i dhemb dhëmbi (dhëmballa) dikush; e di dhia se ku del vërria; e di dhia si hahen lendet; e di gomari ku e vret samari; e di luga (se) ç’ (çfarë, çka) ka poçja (vegshi, vorba); e di gjalmi se ç' ka torba; e di Gjoni çfarë ka në trastë (në thes); e di Gjoni ç' (çfarë) ka trasta; i di Heta punët e veta; e di këmba ku e vret këpuca; e di krimbi se ç' tra bren; e di Kupi sa bëjnë hasrat; e di kurrizi se sa i rëndë është lisi; e di kush e ka në kurriz; e di lëkura e tij; e di luga se ç’ ka bluda; e di luga se ç' ka poçja (vegshi, vorba); e di mesi se ç' ka thesi; i di Meta punët e veta; e di miza ku end; e di miza ku e lëshon krimbin; e di miza ku lëshon mjaltë; e di mlija çka fut goja; e di Mria ku del fërlia; e di pyka çka është qyka; e di qeni ku fle lepuri ; e di qepa sa lot ka derdhur dkush; e di qepa se qysh qan Zepa; e di skifteri ku gjen mish; e di shpina ime; e di shpirti im; e di trari e carani ; e di zagari ku fle lepuri; e di i zoti (se) ku i pikon çatia;e di vetë i zoti se ç'ka në trastë (në torbë); e di i zoti ku i pikon shtëpia;e dinë eshtrat e tij; e dinë mollaqet se ç’ kanë duqet; është hesapi i Zylalit sa barrë (sa lakra) i vë gomarit (kalit); është punë për Demën (Demushin, Selimin); gjellën e njeh luga që e përzien; kali e di vetë se ku e vret samari; kjo kockë e di; klloçka di si mbulohen zogjtë; myka e di sa e fortë është gozhda; e njeh kukudhi lugatin; e njeh miza pekmezxhinë; sqoka di si rriten zogjtë;vorba e njeh groshën që zien; i zoti e di ku i pikon çatia (shtëpia)
bluaj sa të hash fr. proverb.,aleg.-merr përsipër një punë pas (sipas) mundësive që ke, të kesh masë e kufi në punë, veprime a shpenzime, përmbahu, mos e tepro në një punë a veprim, mos lakmo më shumë nga ç’ të takon, vepro, puno sipas aftësive e mundësive që ke, puno, vepro, përpiqu, mundohu sa i ke (sa të lejojnë) mundësitë, kushtet, rrethanat, mati mirë forcat, fuqitë, mundësitë vetanake, pastaj puno, vepro, shpenzo; puno, vepro aq sa të kesh; shpenzo, vepro, puno aq sa ke mundësi; mos e tepro, mos e kalo masën në shpenzime, në punë, në veprime. (PETZE-FSHFRR f. 26).S.bëje çapin sa (e) ke këmbën; bëje hapin si (e) ke vrapin; bëje vrapin sa (e) ke çapin (hapin); duhet të shtrish këmbët sa ke të mbuluarit; ha me lugën që të merr goja; mos e hap vallen shumë;hap vrimën sa ke kopsën; lëshoje vrapin sa (e) ke çapin (hapin); mate hapin sa e ke vrapin; mate vrapin sa (e) ke çapin (hapin); matu me hijen tënde! mblidh këmbët, o karkalec! mulliri bluan me aq ujë sa ka; ngjat këmbët sa ke shtratin; ngjat këmbët si ke shtratin; qite hapin sa ke takatin; sa çapi, vrapi; sa e ke cergën shtriji këmbët; sa e ke këmbën, bleje opingën; sa (e) ke (sa të kesh) kopsën, hap(e) vrimën; sa të kesh (sa e ke) plafin, shtrij (i) këmbët; si ta (të) kesh hallin bëj Bajramin; si e bën shtratin ashtu zgjati këmbët; shikoje vaun, pa hidhe lumin; shtrije dorën deri ku të mbërrijë; shtrij(i) këmbët sa (e) ke (sa të kesh) jorganin (plafin, shtratin); shtriju sa të jetë çarçafi; thure mëngën sa (e) ke krahun; var(e) këmborën, sa (e) ke qafën; zgjati këmbët sa (e) ke jorganin (hasrën, plafin, shtratin)
2.f r a z a t a l u s i v e
Frazat alusive, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion alusiv, kanë kuptim dhe funksion të alusionit. Pra, frazat alusive në shkrim dhe ligjërim letrar kanë vlerë alusive dhe kryejnë funksion si alusione.
Frazat alusive, si edhe alusionet, shënojnë, tregojnë në mënyrë konkrete veprime, cilësi veprimesh të njerëzve për të cilët flasim përmes rasteve të veçanta, rasteve individuale, figurave të njohura mitologjike a historike, individëve të njohur dikur në jetë me veprimet, cilësitë kartakteristike, specifike vetanake, personazhe të njohura në anekdota, përralla, mitologji të njohura për veprimet, cilësitë karakteristike në jetë. Përmes veprimeve, cilësive të tyre individuale të veçanta, specifike konkretizohen, pasqyrohen veprimet, cilësitë e njerëzve në veçanti në mënyrë fytyrore, figurative. Te këto fraza ruhet emri, emri e mbiemri i figurës mitologjike a historike,emri, emri dhe mbiemri i individit të njohur dikur në jetë, i dalluar nga të tjerët me diçka të veçantë (veprim, cilësi). Te këto fraza, gjymtyrët përbërëse : emrat, emrat e mbiemrat e figurave të njohura mitologjike a historike, individët e njohur, hyjnë në punë, shërbejnë si shembuj ilustrimi a konkretizimi për veprimet, cilësitë e veçanta, karakteristike të njerëzve tjerë përmes raportit fytyror : krahasimor-shëmbëllimor përfytyrimor.
Frazat alusive hyjnë në punë, shërbejnë për të pasqyruar veprime, cilësi konkrete, të qarta, të gjalla, figurative, fytyrore, si bie fjala : shkon e vjen si Adem Peja- endet kot së koti ; bëhet (si)Ajet Mareci- vishet keq, në mënyrë të shëmtuar, shëmtohet shumë (në të veshur) ; pastroj ahuret e Augjiasit-vë rregull aty ku ka rrëmujë të madhe, e përmirësoj me masa rrënjësore e të shpejta një gjendje me të meta të shumta e të grumbulluara prej kohësh ; flet si e ëma e Zeqos majë thanës- flet kot së koti, flet pa e menduar shumë atë që e thotë ; e humb si Xhaferi simiten- hutohet shumë, pa masë, e humb fillin fare, nuk di nga t’ ia mbajë ; del si Bellovi i Sverkës dikush.- del krejt ndryshe nga që mendohet, pandehet (i zoti, i vyer, i vlerë) dikush, nuk del ashtu siç mendohet e pandehet dikush, del i pazoti, i pavlerë, i pavyer dikush; e kërkoj me qirinë e Diogjenit-e kërkoj gjithkund, në çdo vend ; do dhe Muçoja kafe- kërkon diçka që nuk i takon (sepse nuk e meriton ose është ende i vogël, i papjekur) ; fillon nga kënga e Mukës-fillon rishtas, përsërit të njëjtën gjë gjithnjë ; i lan duart si Hasan Karcelli dikush- e pëson shumë keq dikush, mbaron, humb shumë keq, shumë rëndë dikush; nyjë e Gordit- çështje që me vështirësi zgjidhet, çështje shumë e ndërlikuar ; kur të shijë Ajdini urov- kurrë, askurrë, asnjëherë, kurrën e kurrës; e prek thembrën e Akilit dikush- e prek, e ngacmon, e lëndon dikë dikush në pikën më të dobët, në vendin më delikat, më të ndjeshëm, e prek ku i dhemb më së shumti dikë dikush, e godet, e qëllon dikë dikush në pikën më të ndjeshme; shpatë e Damokleut-rrezik që kanoset pareshtur, pandërprerë, përherë ; thembër e Akilit- pikë, anë më e dobët, dobësi, mangësi më e madhe, vend më i ndjeshëm ; punë Sizifi-punë e kotë,e pafryt, e mundimshme shumë, pa masë ; mund i Sizifit- mund i jashtëzakonshëm, mund shumë i madh ; fitore e Pirros-fitore me shumë sakrifica, fitore që nuk e vlen barra qiranë ; shtrat i Prokrustit- situatë, gjendje e vështirë, vend ku dikush gjithnjë pëson, masë dhune me të cilën dikush dëshiron , synon t’ i zgjidhë gjërat, çështjet ; arkë (barkë) e Noes- mjet shpëtimi ; arkë e Pandorës- të gjitha të këqijat e botës etj.
3.f r a z a t a n t i f r a s t i k e
Frazat antifrastike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion antifrastik, kanë kuptim dhe funksion të antifrazës. Pra, frazat antifrastike në shkrim dhe ligjërim letrar kanë vlerë antifrastike dhe kryejnë funksion si antifraza. Frazat antifrastike ashtu si edhe antifrazat janë fraza stilistikore te të cilat më tepër mendohet e kuptohet e më pak thuhet. T e ky tip i frazave stilistikore në vend të shprehjes së mirëfilltë të ndonjë veprimi, cilësie, tipari a vlere cilësore përdoret shprehja fytyrore me mohim, që rëndom është e kundërt me shprehjen e mirëfilltë, si bie fjala : nuk ka të sharë diçka-është e mirë diçka ; nuk është për të sharë diçka- është e mirë diçka ; nuk është për shportë diçka- vlen diçka, është me vlerë diçka ; nuk është për t’ u hedhur diçka-është me vlerë diçka, vlen diçka ; nuk është mall i mirë dikush- është i keq dikush ; nuk është lule dikush- është me të meta dikush etj.
4.f r a z a t a n t i m e t a b o l i k e
Frazat antimetabolike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion të antimetabolave. Pra, frazat antimetabolike në shkrim dhe ligjërim letrar kanë vlerë antimetabolike dhe kryejnë funksion si antimetabola.
Frazat antimetabolike ashtu si edhe antimetabolat janë fraza stilistikore te të cilat kemi përsëritjen e thënies së njëjtë me rend të kundërt, të anasjelltë të gjymtyrëve përbërëse,si bie fjala : skopani mish e dashi hell ; dashi fërlik e delja mish ; mish me presh e presh me mish ; cjapi mish e dhia tavë ; cjapi mish e dhia tavë, dhia mish e cjapi tavë ; dhia mish, (e) cjapi mish ; dhia mish e cjapi tavë ; dhia mish e cjapi tavë, cjapi mish e dhia tavë-po e njëjta gjë, po ajo gjë. Te shembulli i parë i frazës antimetabolike (mish me presh e presh me mish ) kemi anadiplozë të shoqëruar me rrethim. Do të thotë se te kjo frazë antimetabolike kemi përsëritjen e fjalës (gjymtyrës) së fundit (presh) në fillim të pjesës së përsëritur të thënies (që është anadiplozë) dhe kemi përsëritjen e fjalës së njëjtë në fillim e mbarim (mish) , e cila figurë quhet rrethim. Anadiplozë të shoqëruar me rrethim kemi edhe te fraza antimetabolike:Ali Hoxha, hoxhë Aliu-po e njëjta gjë, po ajo gjë. Te shembulli i frazës antimetabolike (dhia mish e cjapi tavë, cjapi mish e dhia tavë) kemi epiforë të shoqëruar me hiazëm. Do të thotë, te kjo frazë antimetabolike, kemi përsëritjen e fjalës së njëjtë (tavë) në fund të pjesës së parë dhe në fund të pjesës së përsëritur (që është epiforë) dhe kemi përsëritjen e kundërt , të anasjelltë të gjymtyrëve (fjalëve) me rend të tyre të kryqëzuar : dhia-cjapi, cjapi-dhia (që është hiazëm).
Me anë të frazave antimetabolike vihet në pah, vihet në spikamë me konkretësi, qartësi të theksuar një ide, një mendim a një e vërtetë në rastet kur mbetet më dysh, mbetet dilemore. Pra, me anë të kësaj fraze hiqet, mënjanohet çdo mëdyshje e luhatje përkitazi me ndonjë thënie.
5.f r a z a t a n t i t e t i k e
Frazat antitetike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion të antitezave. Pra, frazat antitetike në shkrim dhe ligjërim letrar kanë vlerë antitetike dhe kryejnë funksion si antiteza.
Frazat antitetike ashtu si edhe antitezat me gjymtyrët e tyre dyjare kuptimore antitetike, antonimike shënojnë, pasqyrojnë, përcaktojnë kuptime fare të qarta të cilësive e veprimeve të njeriut e të jofrymorëve, përkatësisht gjësendeve të ndryshme. Kuptimet mohimore, kuptimet fare të qarta , janë rrjedhojë, rezultat, përfundim barasvlerësor i kundërtisë, antonimisë, kundërvënësisë dyjare, dyfjalëshe kryesore të frazave antonimike. Pra, te frazat antitetike cilësitë a veprimet mohimore të njeriut a gjësendeve përcaktohen, pasqyrohen, ftillohen qartë e theksuarazi me strukturën dyjare antonimike a kundërtore kuptimore të gjymtyrëve kyçe, të cilat janë njëherazi edhe gjymtyrë kundërvënëse, kundërtore ose mohimore kuptimore.
Kështu, fraza antitetike janë, bie fjala, frazat:
a) as në ballë, as në bisht; as ballë, as bisht; as në bisht, as në krye; as në fund, as në krye; as i madh, as i vogël; as mirë, as keq; as nxehtë, as ftohtë; as nga të parët, as nga të fundit me kuptim: mesatar, në mes;
b) as andej, as andej; as andej, as këndej; as këndej, as andej; as ashtu, as ashtu; as me buaj, as me qe; as me fshesë, as me lopatë me kuptim: i pavendosur;
c) as me burra, as me fëmijë; as te Hapa, as te Hupa; as te Hapi, as te Hupi; as te Hava, as te Huma; as me hoxhën, as me priftin; as me kishë, as me xhami; as te Lushi, as te Alushi; as me Muhamedin, as me Isain; as me ne, as me ata; as me njërin, as me tjetrin; as me shehër, as me Barilevë; as me shehër, as me ne me kuptim: i papërcaktuar (për njeri)
ç) as mish, as peshk; as bisht, as krye; as bardho,as kazil; as verë, as uthull me kuptim: i papërcaktuar (për sende, jo frymorë)
d) nuk është as mish, as peshk dikush; është as mish, as peshk dikush, është as gur, as haliç dikush me kuptim: nuk është i përcaktuar dikush, është i papërcaktuar dikush
dh) s’ është as boçë, as bërboçë diçka; nuk është as thes, as torbë diçka; nuk ka as kokë, as këmbë diçka me kuptim: nuk është e përcaktuar mirë diçka, është e papërcaktuar mirë diçka
e) as bën kuku, as lumi unë dikush; as çon, as përzien dikush; as nuk dhez, as nuk shqim dikush; as kullon, as turbullon dikush; as mbush, as derdh dikush; as ndez, as shuan dikush, as ndreq, as prish dikush; as ngroh, as ftoh dikush; as prish, as ndreq dikush; as qan, as qesh dikush; as qartëson, as turbullon dikush; nuk qet as në duqe, as në strajcë dikush; as shtie, as kërcet dikush; as turbullon, as kthjellon dikush; as zbraz, as mbush dikush; as zvillat, as këlliç dikush me kuptim: nuk bën, nuk mbaron dot gjë dikush, nuk bën, nuk mbaron dot asnjë punë, asnjë veprim, asnjë zgjidhje dikush
ë) as të ftoh, as të ngroh dikush;as të kruan, as të shuan dikush ; as të ngroh, as të ftoh dikush me kuptim: nuk të bën, nuk të mbaron dot punë dikush, nuk të bën dot, nuk të mbaron dot asnjë punë dikush, nuk të bën dot asnjë zgjidhje dikush
f) s’ është as për arë, as për pazar dikush; s’ është për arë e farë dikush; nuk është as i lavrës, as i gavrës dikush me kuptim : nuk është i zoti, i aftë fare dikush, nuk është i zoti, i aftë për asgjë, për asnjë punë dikush
g) nuk është as për çorbë, as për çervish dikush; s' është as për dhjamë, as për lëkurë dikush; s’ është as për prush, as për bujashkë dikush; s’ është për cjap, as për këmborë dikush me kuptim: nuk ka asnjë vlerë dikush, nuk vlen për asgjë , për asnjë punë, për asnjë veprim dikush, nuk vlen fare dikush
Me anën e frazave antitetike ligjërimi i rëndomtë, i mirëfilltë, i drejtpërdrejtë, bëhet i qartë e i theksuar, intensiv e fytyror. Te frazat antitetike cilësia që ftillohet, shpjegohet ka kuptim mohimor ftillimor, sepse, përcaktohet e kushtëzohet nga gjymtyrët kyçe dyjare, nga gjymtyrët antonimike kuptimore, të cilat ndërtohen me lidhëzën e përsëritur mohuese: as, e cila ka karakter përforcues antonimik a mohimor, si bie fjala:
a) as andej, as këndej; as këndej, as andej; as ashtu, as ashtu; as me buaj, as me qe; as me fshesë, as me lopatë me kuptim antonimik: i pavendosur;
b) as me burra, as me fëmijë; as te Hapa, as te Hupa; as te Hapi, as te Hupi; as te Hava, as te Huma; as me hoxhën, as me priftin; as me kishë, as me xhami; as te Lushi, as te Alushi; as me Muhamedin, as me Isain; as me ne, as me ata; as me njërin, as me tjetrin; as me shehër, as me Barilevë; as me shehër, as me ne me kuptim mohimor a antonimik: i papërcaktuar (për njeri)
c) as mish, as peshk; as bisht, as krye; as bardho,as kazil; as verë, as uthull me kuptim antinomik: i papërcaktuar (për gjësende a jofrymorë).
Me anën e disa frazave antitetike përcaktohet 1) kuptimi ftillimor antonimik i rëndomtë, i mirëfilltë, i drejtpërdrejtë, si bie fjala: është as mish, as peshk dikush, është as gur, as haliç dikush me kuptim: është i papërcaktuar dikush; nuk ka as kokë, as këmbë diçka me kuptim: është e papërcaktuar mirë diçka dhe 2) kuptimi mohimor, si bie fjala: nuk është as mish, as peshk dikush, me kuptim: nuk është i përcaktuar dikush; s’ është as boçë, as bërboçë diçka; nuk është as thes, as torbë diçka me kuptim: nuk është e përcaktuar mirë diçka.
Te frazat antitetike veprimi që ftillohet, shpjegohet, ka kuptim mohimor ftillimor, sepse, përcaktohet e kushtëzohet nga gjymtyrët kyçe dyjare, nga gjymtyrët antonimike kuptimore, të cilat, po ashtu ndërtohen me lidhëzën e përsëritur mohuese: as, si bie fjala:
a) as bën kuku, as lumi unë dikush; as çon, as përzien dikush; as nuk dhez, as nuk shqim dikush; as kullon, as turbullon dikush; as mbush, as derdh dikush; as ndez, as shuan dikush, as ndreq, as prish dikush; as ngroh, as ftoh dikush; as prish, as ndreq dikush; as qan, as qesh dikush; as qartëson, as turbullon dikush; nuk qet as në duqe, as në strajcë dikush; as shtie, as kërcet dikush; as turbullon, as kthjellon dikush; as zbraz, as mbush dikush; as zvillat, as këlliç dikush me kuptim mohimor: nuk bën, nuk mbaron dot gjë dikush, nuk bën, nuk mbaron dot asnjë punë, asnjë veprim, asnjë zgjidhje dikush.
b) as të ftoh, as të ngroh dikush;as të kruan, as të shuan dikush ; as të ngroh, as të ftoh dikush me kuptim mohimor: nuk të bën, nuk të mbaron dot punë dikush, nuk të bën dot, nuk të mbaron dot asnjë punë dikush, nuk të bën dot asnjë zgjidhje dikush.
c) s’ është as për arë, as për pazar dikush; s’ është për arë e farë dikush; nuk është as i lavrës, as i gavrës dikush me kuptim mohimor : nuk është i zoti, i aftë fare dikush, nuk është i zoti, i aftë për asgjë, për asnjë punë , për asnjë veprim dikush.
ç) nuk është as për çorbë, as për çervish dikush; s' është as për dhjamë, as për lëkurë dikush; s’ është as për prush, as për bujashkë dikush; s’ është as për cjap as për këmborë dikush me kuptim mohimor : nuk ka asnjë vlerë dikush, nuk vlen për asgjë dikush, nuk vlen fare dikush.
Me fraza antitetike, kryesisht e epërsisht përcaktohet kuptimi antonimik a mohimor e në raste më të rralla edhe kuptimi i rëndomtë, i mirëfilltë, i drejtpërdrejtë, i cili është fare i qartë e i theksuar, intensiv e fytyror, si bie fjala: as në ballë, as në bisht; as ballë, as bisht; as në bisht, as në krye; as në fund, as në krye; as i madh, as i vogël; as mirë, as keq; as nxehtë, as ftohtë; as nga të parët, as nga të fundit me kuptim: mesatar, në mes.
Frazat antitetike, ashtu sikundër edhe antitezat, janë fraza stilistikore, te të cilat në vend të kuptimeve të mirëfillta, të natyrshme, si te pjesa dërrmuese e frazave stilistikore, kemi kuptime antonimike ose mohimore të cilësive a veprimeve, të cilat kushtëzohen e përcaktohen nga gjymtyrët dyjare antonimike kuptimore, nga gjymtyrët përbërëse antonimike a mohimore kuptimore.
Vetëm te një numër i kufizuar i frazave antitetike kemi përcaktim, kushtëzim të kuptimit të natyrshëm, të mirëfilltë në mënyrë fare të qartë e konkrete, si bie fjala: as në ballë, as në bisht; as ballë, as bisht; as në bisht, as në krye; as në fund, as në krye; as i madh, as i vogël; as mirë, as keq; as nxehtë, as ftohtë; as nga të parët, as nga të fundit me kuptim: mesatar, në mes. Vetëm kuptimet e këtyre frazave janë barasvlerëse me kuptimin e mirëfilltë që e përcaktojnë dhe e pasqyrojnë vlerat e tyre antitetike, që janë, njëherazi edhe vlera kuptimore intensive, fytyrore . Kuptimet e cilësive e veprime që i shënojnë këto fraza janë barasvlerëse me përmbajtjen e tyre antitetike fytyrore, figurative kuptimore.
Me anën e frazave antitetike vihet në spikamë, spikatet një cilësi a veprim negativ i njeriut në mënyrë fare konkrete e të qartë, në mënyrë të pandërdymtë e të padyshimtë. Me anën e tyre mënjanohet çdo ndërdymje, çdo dilemë e luhatje përkitazi me ndonjë veprim a cilësi negative, që e cilëson, që e karakterizon njeriun.
6.f r a z a t b a r a z i m o r e (n j ë j t ë s i m o r e)
Frazat barazimore (njëjtësimore), për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion të barazimit (njëjtësimit). Pra, frazat barazimore (njëjtësimore) në shkrim dhe ligjërim letrar, kanë vlerë barazimore (njëjtësimore) dhe kryejnë funksion si barazime (njëjtësime).
Frazat barazimore (njëjtësimore) ashtu si edhe barazimet (njëjtësimet) janë fraza stilistikore te të cilat ajo që thuhet kuptohet fytyrisht, figurativisht në mënyrë konkrete dhe fare të qartë. Te ky tip i frazave stilistikore në vend të shprehjes së mirëfilltë përdoret shprehja fytyrore, figurative, e cila është barasvlerëse a e njëjtë me kuptimin e saj.
Kemi frazë barazimore (njëjtësimore) të ndërtuar me lidhëzën njëjtësuese si : si bukë e kos, si përshesh me kos-po e njëjta gjë, po ajo.
Kemi fraza barazimore (njëjtësimore) të ndërtuara me lidhëzën mohimore (jo) dhe me lidhëzën pohimore (po), si bie fjala : jo Ali hoxha, po hoxhë Aliu (ku kemi edhe antimetabolë) ; jo ve, po koko (kokërr) ve ; jo buka, po kulaçi- po ajo, po e njëjta gjë, po ajo gjë.
Me anë të frazave barazimore (njëjtësimore) vihet në spikamë, spikatet një mendim a e thënë me konkretësi e qartësi të theksuar. Me anë të tyre hiqet, mënjanohet çdo ndërdymje, çdo dilemë e luhatje përkitazi me ndonjë thënie a të vërtetë.
7.f r a z a t e l i p t i k e
Frazat eliptike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion eliptik, kanë kuptim dhe funksion të elipsës. Pra, frazat eliptike, në shkrim dhe ligjërim letrar, kanë vlerë eliptike dhe kryejnë funksion si elipsa-si figura stilistikore.
Frazat eliptike ashti si edhe elipsat janë fraza stilistikore, te të cilat hiqet, lihet jashtë një (ndonjë) gjymtyrë e një fraze tjetër a e një thënieje, e cila, kuptohet, nënkuptohet lehtë. Kështu veprohet me qëllim që kuptimi a mendimi të shprehet më shkurt.Lënia jashtë, lënia mangu, heqja, mangësimi i gjymtyrës nuk ia cenon, nuk ia gjymton fare kuptimin frazës, por atë e bën edhe më fytyror, më figurativ, do të thotë, edhe më të fuqishëm në pikëpamje fytyrore, i cili mbetet i plotë edhe më tej.
Fraza eliptike kemi kur një fraze i lihet mangu, i hiqet, i mangësohet një (ndonjë) folje,emër si gjymtyrë përbërëse.Fraza eliptike kemi kur një fraze foljore i mungon folja ose i mungojnë foljet, si bie fjala : dorën në zemër i lihet mangu folja vë ; unë me bukë e ai me gurë-unë i bëj mirë e ai më bën keq, të mirën time ma shpërblen, ma kthen me të keq. Këtu lihet mangu : ia kthej, ma kthen : unë (ia kthej) me bukë e ai (ma kthen) me gurë ; unë qe lepuri, ti qe tragu (gjurma)-më përgjigjesh krejt tjetër, më thua të kundërtën e asaj që të pyes, që kërkoj, lihet mangu folja : them, thua : unë (them) qe lepuri, ti (thua) qe tragu (gjurma).
Frazë eliptike kemi kur një fraze perifrastike i lihet mangu, i lihet jashtë emri si gjymtyrë përbërëse, si bie fjala : është i gojës, është i fjalës, është i kuvendit-është orator, gojëtar ; është i pendës-është shkrimtar ; është i pushkës (i armës)- është luftëtar, është i dijes-është dijetar.
Te frazat e sipërzëna ngojë, është lënë mangu emri : njeri, që është gjymtyrë përbërëse e frazave eliptike : është (njeri) i gojës, është (njeri) i fjalës, është (njeri) i kuvendit, është (njeri) i pendës, është (njeri) i pushkës (i armës), është (njeri) i dijes.
Te këto fraza eliptike,edhe pse është lënë mangu emri : njeri a burrë kuptimi i frazës mbetet i plotë, i njëjtë me atë të frazave perifrastike të përbëra me gjymtyrën, emrin njeri a burrë.
8.f r a z a t e u f e m i s t i k e
Frazat eufemistike për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor kanë kuptim dhe funksion eufemistik, kanë kuptim dhe funksion të eufemizmit. Pra, frazat eufemistike në shkrim dhe ligjërim letrar kanë vlerë eufemistike dhe kryejnë funksion si eufemizma.
Frazat eufemistike ashtu si edhe eufemizmat janë fraza stilistikore te të cilat diçka e keqe, e shëmtuar, e pahijshme, e trishtueshme, e tmerrshme nuk thuhet, nuk shprehet, n uk emërtohet drejtpërdrejt me shprehjen e vet të mirëfilltë, po fshihet, mbulohet, përkatësisht, emërtohet, thuhet me shprehje të butë, me diç të afërt, herë-herë, edhe të kundërt. Kjo ngjet për hir të kujdesit a ndjenjës skofiare që kemi ndaj dikujt, ndaj të afërmëve, ndaj miqve apo kur duam t’ i kursejmë nga ndonjë shprehje e vrazhdë a e pahijshme apo kur duam që të mos shkaktojmë reagim a kundërshtim të drejtpërdrejtë tek ata që u drejtohemi apo që ua kemi frikën.
Në vend që t’ i themi dikujt drejtpërdrejt : gënjen, rren, i drejtohemi me frazë eufemistike : nuk e flet (nuk e thua) të vërtetën, në vend që të themi për dikë (vdiq) , i përdorim frazat eufemistike : e la këtë botë, ndërroi jetë, u nda prej nesh, u nda nga kjo botë, i la amanetet, u largua kësaj bote.
Për sëmundjen e epilepsisë kemi shumë fraza eufemistike sinonime : ajo e herës, ajo punë, ajo e tokës, puna e herës, puna e hënës, puna e trollit etj.
Me frazë eufemistike një veprim i keq mbulohet me shprehje të butë a me shprehje të mirë, që është me kuptim të kundërt, antinomik, e cila mund të ketë edhe efekt ironik. Kështu, në vend të kuptimit të mirëfilltë të fjalës : vjedhje, kemi frazë eufemistike :dorë e keqe (me shprehje të butë kuptimore fytyrore, figurative) dhe kemi frazën eufemistike : dorë e shenjtë (me shprehje të mirë, me shprehje të kundërt, antinomike, ironike kuptimore fytyrore, figurative). Në vend të kuptimit të mirëfilltë të fjalës, foljes veprore : vjedh, shtihen në punë, përdoren frazat eufemistike : e ka (e merr) dorën e keqe (me kuptim të butë fytyror) dhe : e ka (e merr) dorën e shenjtë (me shprehje të mirë, me shprehje të kundërt, ironike kuptimore fytyrore). Në vend të kuptimit të mirëfilltë të foljes mesore : çmendet shtihet në punë, vihet në përdorim fraza eufemistike : del puplash (me kuptim shumë të butë, me kuptim të kundërt, ironik).
Pra, nga marrja në përqasje e në përimtim e frzave të sipërzëna në gojë, del se, frazat eufemistike zëvendësojnë, zbusin dukshëm kuptimet e mirëfillta, të drejtpërdrejta të vrazhda të fjalëve që shprehin veprime të pahijshme të njerëzve për hir të mirësjelljes a për hir të frikës a pasojave të pakëndshme të ligjëruesit, që mund t’ i ketë nga bashkëbiseduesi a dëgjuesi.
Kemi fraza eufemistike që zënë fill nga shkaqe e motive tjera të veçanta a të përgjithshme. Kështu, kemi fraza eufemistike : ujët e bekuar (në vend : raki, pije alkoolike), orë e shtëpisë (në vend : bollë), ai i hudhrës, kafshë e keqe (në vend : shejtan, djallë, dreq), bëj (derdh) ujë, bëj ujët e hollë, më shpëton ujët e hollë (në vend : përmirrem, përmjerr, shurroj), ujët e hollë, nevojë e vogël (në vend : shurrë), dal jashtë, kryej nevojë të madhe, kryej nevojë të trashë, bëj nevojën (në vend : dhitem, dhihem, dhjes), dalje jashtë, nevojë e trashë, nevojë e madhe (në vend : dhitje, dhirje).
Titulli i vjershës së gjatë të Asdrenit « Hija e keqe » është frazë eufemistike në vend të kuptimit të mirëfilltë : vdekja.
9.f r a z a t f t i l l i m o r e (s h p j e g i m o r e)
Frazat ftillimore, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, , kanë kuptim dhe funksion ftillimor (shpjegimor), kanë kuptim dhe funksion të ftillimit, shpjegimit si figurë stilistikore. Pra, frazat ftillimore në shkrim dhe ligjërim letrar kanë vlerë ftillimore dhe kryejnë funksion si ftillime (shpjegime), si figura stilistikore.
Frazat ftillimore ashtu si edhe ftillimet si figura stilistikore janë fraza stilistikore te të cilat zgjerohet, përkatësisht, intensifikohet, bëhet intensiv kuptimi i fjalëve gjymtyrë përbërëse fillimtare. Në të vërtetë, fjalët gjymtyrë përbërëse fillimtare ftillohen, shpjegohen me anë të një e më tepër fjalësh (gjymtyrësh pëbërëse), të cilat e bëjnë intensiv, të lartë, të fuqishëm, fytyror kuptimin e tyre.
Te frazat ftillimore gjymtyrët përbërëse fillimtare ftillohen, shpjegohen me një a më shumë fjalë (gjymtyrë përbërëse), të cilat ua shtojnë, ua zgjerojnë kuptimin e parë, kryesor, themelor, do të thotë, u japin, u përcaktojnë kuptim intensiv, kuptim të shkallës më të lartë, kuptim të shkallës intensive, që shprehet me ndajfoljet e sasisë : shumë, së tepërmi, pa masë, fort, tepër, fare, jashtëzakonisht etj.
Te frazat ftillimore dallojmë dy pjesë kryesore të gjymtyrëve përbërëse : pjesa e parë është gjymtyra fillimtare, gjymtyra që ftillohet, që shpjegohet dhe pjesa e dytë e gjymtyrëve është pjesa që zgjeron, shton, fuqizon, lartëson, intensifikon kuptimin e pjesës së parë, pjesës (gjymtyrës) fillimtare. Pra, pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse hyn në punë, shërben për të ftilluar, shpjeguar kuptimin intensiv, për ta zgjeruar, shtuar, intensifikuar kuptimin e parë, themelor, fjalësor të pjesës së parë (gjymtyrës përbërëse fillimtare, gjymtyrës së ftilluar, të shpjeguar, e cila e fytyrëzuar, e zgjeruar, e intensifikuar fytyrisht, figurativisht gjithë frazës i jep kuptim dhe vlerë kuptimore intensive.
Pjesa e parë e frazës ftillimore (shpjegimore, interpretative) përbëhet vetëm prej një gjymtyre, gjymtyrës fillimtare, gjymtyrës që ftillohet, shpjegohet. Ndërkaq, pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse, pjesa intensive, është pjesa që ia fytyrëzon, ia zgjeron, ia shton, ia bën intensiv kuptimin, vlerën kuptimore pjesës së parë. Pjesa e dytë përbëhet prej një e më tepër gjymtyrësh. Tipat më kryesorë, më të përhapur të frazave ftillimore sipas strukturës përbërëse, ndërtimore janë :
gjymtyrë fillimtare+ pjesa njëgjymtyrëshe : e di ujë-e di shumë mirë, e di përmendësh ; i veshur akull- i veshur mirë e bukur, i veshur me rroba fare të reja ; i ftohtë akull- i ftohtë shumë, së tepërmi ; e re akull- fare e re ; i ëmbël mjaltë- shumë i ëmbël ; vishem pikë- vishem për bukuri, vishem shumë bukur ; i rëndë plumb- i rëndë së tepërmi, pa masë ; fluturon plumb-fluturon shumë shpejt ; i errët pus- i errët së tepërmi, pa masë ; i vrenjtur pus-i vrenjtur së tepërmi, pa masë ; i nxirë pus- i nxirë së tepërmi, pa masë ; i verdhë dyllë- i verdhë shumë, pa masë ; i gjatë tërkuzë- i gjatë tepër, pa masë ; e kuqe flakë-e kuqe tepër, pa masë ; skuqet flakë- skuqet tepër, pa masë, sarrakuqet, mbërdhezet ; i zi korb (katran, sterrë)- i zi tepër, së tepërmi, pa masë ; i fryrë daulle (kacek)- i fryrë së tepërmi, pa masë, i fryrë shumë, tepër ; i tharë trok- i tharë shumë, tepër ; i nxirë pis-i nxirë shumë, tepër, pa masë; i bardhë borë-fare i bardhë ; i pastër qehlibar- i pastër fare ; i zverdhur dyllë- i zverdhur shumë, pa masë ; skuqet gjak-skuqet shumë, së tepërmi, sarrakuqet, mbëdhezet ; i verdhë limon-i verdhë shumë, pa masë ; i rëndë pleh- shumë i rëndë ; e thatë kërckë- shumë e thatë etj.
gjymtyrë fillimtare+ pjesa dy e më shumëgjymtyrëshe : është arkë e mbyllur dikush- e mban të fshehtën e nuk ua tregon të tjerëve, nuk u hapet të tjerëve dikush ; jap me grushte-jap shumë, pa masë, jap me shumicë ; fitoj me grushte- fitoj shumë, së tepërmi (para etj.) ; e fitoj me gjak-e fitoj me mund të madh ; e dua me shpirt (me zemër)e dua shumë, së tepërmi ; ia di dhëmbë e dhëmballë-ia di krejt, të gjitha ; shpëtoj për qime-shpëtoj për pakëz ; i dhimbet gurit e drurit- i dhimbet çdokujt ; ikën pa gjurmë-ikën pa u hetuar fare, ikën shumë shpejt ; fle gjumin e shqerrave- fle shumë mirë ; ikën me të katra-ikën shumë shpejt ; e lus aman e duman- e lus shumë, pa masë ; e di grurë të kuq- e di fare mirë ; dëgjohet në anë të dheut-dëgjohet shumë larg ; i lutem me aman e derman-i lutem shumë, së tepërmi ; nuk shkon as andej, as këndej- nuk ecën, nuk lëviz fare ; përhapet andej këndej (këtej)- përhapet në shumë drejtime, anë a vende ; i mbërthyer anë e cepavet-i mbërthyer tërësisht, plotësisht ; i lutem me gjak të zemrës-i lutem shumë, së tepërmi ; e njoh me rrënjë-e njoh shumë mirë,e njoh fare mirë ; mik me kokë- mik intim ; trim me fletë-trim i madh ; skuqet gjer te veshi- skuqet së tepërmi, pa masë ; turpërohet shumë, pa masë ; bëhet flakë e kuqe (piper i kuq), bëhet all i kuq- skuqet shumë, pa masë, sarrakuqet, mbërdhezet ; bëhet dyllë i verdhë-zverdhet shumë, pa masë ; bëhet borë e bardhë, bëhet flakë e borës-zbardhet shumë, pa masë,së tepërmi ; bëhet korb (cung, katran, sterrë, pisë, pus) i zi (e zezë)- nxihet shumë, së tepërmi etj.
gjymtyrë fillimtare+ pjesa tri e më tepër gjymtyrëshe : e njoh me degë e me rrënjë-e njoh shumë mirë, e njoh fare mirë ; bie me grykë të stomnës (shiu)- bie (shi) shumë, së tepërmi ; i ngjan me asht e me rrasht-i ngjan shumë, së tepërmi ; e shes për një copë bukë-e shes fare lirë ; mundohem me këmbë e me duar-mundohem shumë, së tepërmi ; i lidhur me mish e me shpirt- i lidhur shumë ngushtë, i lidhur intimisht ; e blej për pesë para- e blej fare lirë ; e kërkoj në qiell e në dhe-e kërkoj kudo, gjithkund, nuk lë vend pa e kërkuar ; shkoj në fund të botës-shkoj shumë larg ; nuk ndryshon në asnjë presje- nuk ndryshon fare, aspak etj.
Pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse, nuk hyn në punë, nuk shërben vetëm për t’ i dhënë kuptim intensiv, kuptim të shkallës më të lartë pjesës së parë, gjymtyrës fillimtare, por edhe për ta ftilluar, shpjeguar këtë, për t’ i dhënë kësaj kuptim sa më konkret, sa më të qartë e sa më bindës, për t’ i dhënë vlerë përmbajtësore kuptimore konkrete e të qartë.
Pjesa e dytë e frazës ftillimore (shpjegimore, interpretative) me gjymtyrët shtuese, zgjeruese, plotësuese përbërëse hyn në punë, shërben për t’ i dhënë frazës përmbajtje kuptimore sa më konkrete, sa më të qartë, sa më bindëse, sa më të kthjellët, sa më të pandërdymtë e sa më kumtimore (komunikative), si bie fjala : tërheq andej-këndej (këtej)- tërheq me vështirësi, me zor ; shpërndahen andej-këndej ( këtej)- shpërndahen gjithkah, nga të gjitha anët a drejtimet ; më flet me anë-më flet tërthorazi, jo drejtpërdrejt ; ka anë e udhë- ka masë, kufi ; ta them nga del shpirti- ta them çiltërisht ; kërkon halë në përpeq, kërkon qimen në vezë (në përpeq, në bar, në kashtë, në mullar)-kërkon diçka të pamundur, merret me gjëra fare të vogla, fare pa rëndësi etj.
Nga sa u mor në hetim e vëzhgim, del se, frazat ftillimore hyjnë në punë, shërbejnë për t’ u dhënë veprimeve dhe cilësive, tipareve të veprimeve të frymorëve e jofrymorëve (njerëzve e sendeve etj) shkallë të lartë, shkallë intensive kuptimore, nga njëra anë, dhe, shkallë të veçantë e të theksuar konkrete, të qartë e bindëse kuptimore përmbajtësore, nga ana tjetër.
10.f r a z a t h i p e r b o l i k e
Frazat hiperbolike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion të hiperbolës. Pra, frazat hiperbolike në ligjërim dhe shkrim letrar, kanë vlerë hiperbolike dhe kryejnë funksion si hiberbola.
Frazat hiperbolike ashtu si edhe hiperbolat janë fraza stilistikore te të cilat zmadhohet ose zvogëlohet me tepri, tej mase përmbajtja kuptimore e veprimeve, cilësive e rrethanave të veprimit të frymorëve e jofrymorëve (njerëzve, sendeve etj.).
Me qëllim që veprimet, cilësitë, rrethanat e veprimeve të njerëzve, sendeve etj. të bien në sy sa më fuqishëm e sa më theksuarazi , me qëllim që të bëjnë përshtypje sa më të madhe te lexuesi a dëgjuesi te hiperbolat ideja, shkalla e shumësisë, madhësisë, intensitetit, fuqisë, lartësisë mbetet e pakufizuar. Te hiperbolat shprehen, shënohen veprime, cilësi e rrethana veprimi të shkallës absolute intensive, të shkallës më të lartë, më të fuqishme.
Fraza hiperbolike janë këto fraza stilistikore : nuk i lë as asht , as lëkurë të ngjitur dikujt –e rrah shumë, së tepërmi, e zhdëp,e shqep dikë ; e bën mizën buall (ka, mal ); e bën pleshtin buall (ka) ; e bën qimen tra –e zmadhon shumë, së tepërmi, e tejzmadhon ; një mal- shumë ; më bëhet zemra mal (bjeshkë, kodër)-gëzohem shumë, së tepërmi ; me qindra e mijëra, qindra e mijëra, qindra e qindra, mijëra e (dhe, edhe) mijëra- shumë, së tepërmi etj.
Nga shembujt që i morëm në ftillëzim e përimtim, del se, frazat hiperbolike shënojnë veprime, vlera cilësore e rrethana veprimi jashtëzakonisht të mëdha, shumë intensive të frymorëve e jofrymorëve.
11.f r a z a t i d i o m a t i k e
Frazat idiomatike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion të idiomës, kanë kuptim dhe funksion idiomatik. Pra, frazat idiomatike në shkrim dhe ligjërim letrar, kanë vlerë idiomatike dhe kryejnë funksion si idioma.
Frazat idiomatike ashtu si edhe idiomat kanë karakter të pavarur e të pakushtëzuar kuptimor.. Kuptimi i frazave idiomatike del, shprehet nga tërësia e gjymtyrëve përbërëse. Frazat idiomatike janë fraza që pothuajse e kanë humbur plotësisht e tërësisht kuptimin fjalësor. Kuptimi i tyre është i çkuptimësuar, i desemantizuar nga gjymtyrët përbërëse. Do të thotë se frazat idiomatike nuk e ruajnë fare kuptimin e tyre fjalësor, kuptimin e tyre të parë, themelor, kryesor të gjymtyrëve përbërëse. Te këto fraza nuk kemi gjymtyrë kryesore, gjymtyrë kuptimbartëse si te frazat fjalësore.
Te frazat idiomatike mbizotëron kuptimi stilistikor, funksional, fytyror, dytësor, kuptimi përmbajtësor përfytyrimor njësor fytyror, figurativ.
Mund të themi plot gojën se te frazat idiomatike kuptimi stilistikor, kuptimi fytyror është kuptim më i pavarur e më i pakushtëzuar nga gjymtyrët përbërëse, ndërtimore se te të gjitha frazat tjera stilistikore.
Ja disa shembuj të frazave idiomatike : i bëhet si abe dikujt dikush fr.fol.,id.- e ndjek dikush dikë vazhdimisht, fare nuk i ndahet dikujt dikush ; ia vë acar dikush a diçka dikujt (të niset a të bëjë një punë) fr.fol.,id.- e ngut me të madhe dikë dikush (që të niset a të bëjë një punë etj.).; s’ka aks fr.fol.,id.-1.(diçka) s' pritet të ndodhë diçka. 2. (dikush) nuk synon të bëjë diçka dikush, nuk ka (për) qëllim të bëjë diçka dikush; e lë ari dikë dikush fr.fol.,id.- nuk i mbaron punë dikujt dikush, e lë duke pritur, nuk ia zgjidh një çështje dikujt dikush duke e lënë në pritje tê vazhdueshme, nuk i jep përgjigje dikujt dikush duke e lënë të presë ; ia merr avullin dikush fr.fol. ,id.-1.diçkaje (një pune etj.) e njeh, e zotëron fare mirë dikush diçka (një punë etj.), fiton njohuri, shkathtësi a shprehi të mbëhishme për të bërë, përdorur diçka dikush, bëhet i aftë, i zoti për diçka (një punë etj.) dikush pasi e ushtron ca kohë.2.(dikujt) e mundon shumë dikush dikë, e sfilit dikush dikë ; ia nxjerr bishtin dkush fr.fol.id.- e tepron, bëhet i mërzitshëm me punë a sjellje të keqe, të pahijshme dikush, e tepron (për të keq) me sjellje e veprime të papëlqyeshme dikush, e prish keq a krejt një punë a diçka tjetër dikush, nuk durohet më dikush, vepron, punon, sillet në mënyrë të pahijshme dikush; bëhet bukë dikush fr.fol.,id.- bëhet i urtë, i bindur, i butë dikush ; e bën fushë dikë dikush fr.fol.,id.- ia merr, ia rrëmben të gjitha gjërat dikujt dikush, e vjedh krejt dikë dikush ;e vret mendjen dikush fr.fol.,id.-1. mendon dikush.2. përsiat dikush, mendohet a mendon thellë dikush.3. (për diçka) e përsiat diçka dikush, e përpunon në mendje diçka dikush, e mendon mirë e mirë diçka dikush, e mendon thellë diçka dikush, mendon fort, shumë për diçka dikush, mendohet mirë, thellë, shumë për diçka dikush, mendohet mirë e mirë për diçka dikush ; (e) merr më (në) qafë dikë dikush fr.fol.,id.-1. ia bën, ia sjell, ia shkakton ndonjë të keqe, ndonjë dëm , ndonjë fatkeqësi dikujt dikush, është shkaktar ose fajtor dikush për ndonjë të keqe, ndonjë dëm a ndonjë fatkeqësi që e pëson dikush a që i ndodh dikujt , i (ia) bën një dëm të madh, një të keqe të madhe dikujt dikush,ia punon keq dikujt dikush, e dëmton keq, rëndë dikë dikush (me një veprim, me një qëndrim a me një udhëzim të gabuar). 2. e fut në një gjendje, në një rrugë etj.)shumë të keqe dikë dikush ;i vihet acar dikujt dikush fr. fol., id.- e ngut, e shtrëngon,e detyron, e ngushton shumë, pa masë,së tepërmi dikë dikush për të bërë diçka, i bën shtrëngesë, presion, trysni të madhe dikujt dikush për të bërë diçka, nuk i ndahet fare dikujt dikush pa ia kryer punën a pa ia zgjidhur çështjen, e zorit dikë dikush ; bëhet pleh dikush fr.fol.,id.-irnoset, nxihet në një vend në trup dikush (nga të shtypurit, të ndrydhurit, të rënët, të lënduarit a të vrarët me ndonjë mjet të fortë a të qupluar) ; ia bën dërrasë dikujt dikush fr.fol., id.-ia dërrason dikujt dikush, ia thotë haptazi, botërisht të metat, dobësitë, cenet, veset dikujt dikush, ia thotë në sy të keqen dikujt dikush; bën pallë dikush fr.fol.,id.- rri pa punë e pa bërë asgjë dikush, e kalon kohën pa u lodhur e pa e vrarë mendjen për asgjë dikush, kalon çaste të bukura të jetës dikush, jeton mirë e shkujdesur dikush, rron, jeton pa halle, pa e çarë kokën për asgjë dikush, nuk e prish gjakun kurrë për asgjë dikush, kënaqet, zbavitet, dëfrehet, argëtohet në jetë dikush etj. etj.
Nga shembujt, që u morën në syzim e vështrim, del se, frazat idiomatike për nga kuptimi dhe për nga struktura përbërëse, ndërtimore fjalësore, janë specifike për çdo gjuhë. Struktura e tyre përbërëse, ndërtimore fjalësore është strukturë klishetike, ngurtësore. Pra, te secila gjuhë, frazat idiomatike, kanë karakter të veçantë dhe specifik përbërës, ndërtimor. Edhe kuptimi i tyre është specifik, klishetik, ngurtësor, i veçantë për çdo gjuhë përkatëse.
12.f r a z a t i n v e r s i v e
Frazat inversive për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor kanë kuptim dhe funksion inversiv, kanë kuptim dhe funksion të inversionit. Pra, frazat inversive, në shkrim dhe ligjërim letrar, kanë vlerë inversive dhe kryejnë funksion si inversione.
Frazat inversive ashtu si edhe inversionet janë fraza stilistikore te të cilat kemi rend të anasjelltë të gjymtyrëve përbërëse nga rendi i rëndomtë i gjymtyrëve përbërëse të frazave ftillimore (shpjegimore, interpretative).
Frazat inversive janë fraza stilistikore me rend të kundërt të gjymtyrëve përbërëse të frazave ftillimore, e sidomos të frazave përbërëse dygjymtyrëshe mbiemërore, te të cilat kuptimi mbetet i njëjtë, mbetet po ai si te frazat ftillimore.
Më poshtë krahas frazave ftillimore po i japim, po i shënojmë frazat inversive përkatëse.
Frazat ftillimore frazat inversive
i zi korb korb i zi
e zezë futë futë e zezë
i ftohtë akull akull i ftohtë
i bardhë borë borë i bardhë
i lehtë pendël pendël i lehtë
i ëmbël mjaltë mjaltë i ëmbël
i verdhë dyllë dyllë i verdhë
i zi pus pus i zi
i zi katran katran i zi
e kuqe flakë flakë e kuqe
i hidhur helm helm i hidhur
i zi pisë pis i zi
i zi pleh pleh i zi
i rëndë pleh pleh i rëndë
i zi cung cung i zi
i kuq prush prush i kuq
i nxehtë prush prush i nxehtë
Se cila frazë stilistikore do të ketë epërsi përdorimi në ligjërim e shkrim letrar, varet nga ligjëruesi se cilën gjymtyrë përbërëse dëshiron ta theksojë me fuqi e veçanti.
Nga vënia në syzim e pasqyrim si dhe nga marrja në krahasim më sipër e këtyre dy tipave stilistikore të frazave, del, shihet qartë karakteri i kundërt, antinomik strukturor, ndërtimor i gjymtyrëve të tyre përbërëse, të cilat kanë kuptim të njëjtë semantik.