E premte, 01.11.2024, 12:32 AM (GMT)

Kulturë

Bajram Qerimi: Funksioni Stilistikor (I)

E enjte, 22.05.2014, 07:06 PM


TIPOLOGJIA E FRAZAVE SIPAS FUNKSIONIT STILISTIKOR (I)

NGA BAJRAM QERIMI

Çështja e klasifikimit  të frazave sipas funksionit stilistikor, nuk ka gjetur ende zgjidhje të plotë në frazeologjinë shqipe e edhe në frazeologjinë e përgjithshme si dijesi,  si dhe në frazeologjinë evropiane. Arsyen kryesore për këtë do kërkuar në vetë mungesën  e studimeve të kësaj fushe të rëndësishme dijesore.Pra, zgjidhjen e kësaj  çështjeje e ka vështirësuar edhe mungesa  e punimeve teorike e praktike dijesore.

                 Për klasifikimin e frazave sipas funksionit stilistikor, do të mundohemi, do të marrim mundimin, për herë të parë,  në këtë  punim  hulumtimor,  në këtë  punim  përkushtimor studimor.

Pothuaj se  kësaj çështjeje të rëndësishme gjuhësore e stilistikore duket se i është bërë dredhë, pa të drejtë e pa arsye, qoftë në frazeologjinë shqipe, qoftë në frazeologjinë e përgjithshme, botërore. Marrja në shtjellim e trajtim e kësaj çështjeje, nga njëra anë,  dhe, moslënia në heshtje edhe më tej, pas sa e sa kohësh,  e kësaj çështjeje të veçantë studimore, do t’ u japë shtysë frazeologëve e stilistëve shqiptarë e të huaj  për  çuarjen më tej e  çuarjen përpara  të njohurive frazeologjike e stilistikore në këtë fushë të veçantë  studimore, në këtë fushë studimore frazeologjike.

Derisa frazat fjalësore mund të klasifikohen vetëm sipas funksionit morfologjik, sipas funksionit gramatikor, frazat stilistikore klasifikohen sipas funksionit të tyre dyjar: sipas  funksionit morfologjik (gramatikor) sikundër edhe frazat fjalësore dhe sipas funksionit stilistikor.

Tipologjia e frazave stilistikore lidhet me çështjen se çfarë mjetesh të shprehjes letrare paraqesin  me tiparet, veçoritë e tyre dalluese, të veçanta kryesore e qenësore funksionale. Këto fraza shprehin , shënojnë  tipare, veçori të veçanta, të rëndësishme stilistikore. Këto  fraza,  sipas funksionit stilistikor, bëjnë pjesë në shumë tipa, lloje të veçanta, përkatëse stilistikore. Tipat më të përhapur, më kryesor të frazave stilistikore, frazat  që dallohen  me denduri më të madhe përdorimore në ligjërimin letrar, në të gjitha stilet,  për të cilat  do të bëjmë fjalë radhazi sipas rendit alfabetik e jo sipas rëndësisë  e  dendurisë së tyre, janë: frazat alegorike, aluzive, antifrastike, antimetabolike, antitetike, barazmiore (njëjtësimore), eliptike, eufemistike, ftillimore, hiperbolike, idiomatike, inversive, ironike, krahasimore, lakonike, mallkimore, metaforike, metonimike, onomatopeike, perifrastike, proverbiale,  topotetike  dhe  urimore.  Këto lloje  frazash, pra, i përkasin tipologjisë së veçantë të klasifikimit, klasifikimit sipas funksionit stilistikor, klasifikimit stikistikor  të frazave të gjuhës shqipe.

1.f r a z a t   a l e g o r i k e

Frazat alegorike  për nga kuptimi dhe funksioni  stilistikor kanë kuptim dhe funksion alegorik, kanë kuptim dhe funksion të alegorive. Pra, frazat alegorike në ligjërim dhe shkrim kanë vlerë alegorike dhe kryejnë funksion si alegori.

Frazat alegorike ashtu si edhe alegoritë e thonë njërën dhe e shënojnë, e pasqyrojnë, e paraqesin, e nënkuptojnë  tjetrën, që e fshehin, që nuk e thonë, por  që nënkuptohet, kuptohet nga lexuesi a dëgjuesi. Pra, në frazat alegorike ajo që thuhet  ka domethënie, kuptim të fshehur, por të nënkuptuar. Kështu, fraza alegorike janë, bie fjala, frazat me karakter proverbial: arë pa stom e fjalë pa bishta nuk ka  fr.proverb.,aleg.-bashkë me të mira gjendet edhe ndonjë e keqe, midis të mirave gjendet edhe ndonjë e keqe, ndonjë e metë, nuk ka të mirë absolute, s’ ka gjë, s’ ka punë a s’ ka njeri  pa  ndonjë (një) të metë a mangësi, qoftë kjo  edhe fare e vogël, nuk ka gjë, punë a njeri fare pa të meta, fare të përkryer, fare të përsosur, s’ ka njeri pa gabime, nuk ka gjë ideale,  nuk ka gjë  pa  firë. (PETZE-FSHFRR f.7). S.çdo derë ka një lesë; dru pa nyjë nuk ka; edhe bora është e bardhë, por është e ftohtë; edhe  dielli ka njolla;  s' ka bukë pa thërrime; s’ ka çufër pa hardhucë; s’ ka drithë pa harç; s' ka dru pa krunde; nuk ka eshtra pa mish; s’ ka fushë pa breshkë (pa hardhucë); s’ ka gardh pa ferra; s’ ka grurë pa egjër;  s ka kashtë pa byk; s’ ka krye pa bisht; s’ ka lerë njeri me yll në ballë; s’ ka mal pa thi (pa ujk);  s’ ka mish pa asht (pa koc, pa kockë, pa kocka); s’ ka njeri të pikur nga qielli; s’ ka oriz pa gurë;nuk ka peshk pa hala;  s’ ka peshk pa halë as det pa njala; s’ ka peshk pa halë as shtëpi pa fjalë; nuk ka pyll pa derra; mal pa ujk nuk ka; më sa ka dru pa gdhe, aq ka njeri pa huq; mish pa asht (pa koc, pa kockë) nuk ka;  trëndafil pa gjemba s’ ka;

secili at lidhet për kunjin e vet fr.proverb.,aleg.- 1.secili përgjigjet për punën e vet, secili i del zot vetes.2.çdo njeri duhet trajtuar dhe vlerësuar sipas veçorive që ka, duhet parë më vete pa e futur në një thes me të gjithë të tjerët.- E di, je si puna e ferrës së lugatit në trup të gështenjës së butë, po de! Secili at lidhet për kunjin e vet, por ç’ punë pa kripë, për djall! (MI-SHT f. 205). .S. shih sin: çdo berr varet nga këmbët e veta (nga këmbët e tij), çdo berr varet për këmbën e vet, çdo berr varet për këmbësh të veta

s’ i tregohen kufijtë babës fr.proverb.,aleg.- nuk duhet mësuar dikë  për diçka që e di vetë më mirë  nga përvoja  vetanake, nuk duhet mësuar atë që ka  përvojë shumë të madhe në jetë. (VODE-THD f. 47).

do (duhet) të piqet  bakllava , mandej do (duhet)  qitur shërbeti fr. proverb., aleg.- punët duhet kryer, bërë me radhë, punët, veprimet vijnë sipas radhës. (FUSH f.759). S. shih  sin:  një herë bluan, pastaj gatuan

s 'luan bari po nuk fryu era fr. proverb.,aleg.- asgjë nuk ndodh pa pasur një shkak. (PETZE-FSHFRR f. 15). S. nuk ka tym pa zjarr

përskaj barit të thatë digjet edhe i njomi  fr.proverb.,aleg..- 1a. nganjëherë për fajin e dikujt e pëson  edhe i pafajshmi, njeriu i pafajshëm e pëson pranë fajtorit, njeriu i mirë e pëson pranë të keqit.1b.puna e vështirë mund të përballohet pasi të kryhet, të mbarohet puna e lehtë. (BQ-DSH). S.shih sin: digjet bari i njomë nëpër të thatët

barku e bën e shpina e ha fr.proverb.,aleg.- njëri e bën një faj dhe dikush tjetër e pëson pa qenë fare fajtor vetë drejtpërdrejt, dënohet, ndëshkohet dikush pa qenë fare fajtor, dënohet, ndëshkohet dikush i pafajshëm. (PETZE-FSHFRR f. 16).S. shih sin: unë mbaj barrën, ti djersën

rri mbi dengun e barutit dikush fr.fol.,aleg.-merret me punë, çështje shumë të rrezikshme dikush, e rrezikon shumë vetveten dikush, i shtrohet rrezikut të madh dikush.(FUSH f. 530).S.shih sin: luan me barut dikush

barra në shpinë të huaj është më e lehtë   fr.proverb.,aleg.-çdo punë, detyrë e rëndë është më e lehtë kur e kryen dikush tjetër. (HB-FPD f.25).

s'bëhet baxho me një dele fr.proverb.,aleg.- nuk arrihet a nuk sendërtohet diçka e madhe me  një njeri të vetëm a me diçka të vetme,  nuk bëhet punë e madhe me diçka të vetme, me një njeri të vetëm, puna e madhe  nuk mund të bëhet vetëm nga një njeri , por kërkon bashkimin e shumë njerëzve a shumë forcave, nuk mjafton vetëm  një njeri a një send për të bërë diçka (një punë etj.) të madhe. (NMUS-SHPK f. 15). S. s' bëhet dasma me një fyell (me një këngë ,me një valle); s’ bëhet muri me një gur; s’ del pranvera me një lule; dorë e vetme s’ ka çka bën; nuk mbahet gardhi me një hu; nuk mbahet shtëpia me një shtyllë; nuk mbahet shtëpia me një tra; me një bung nuk bëhet bungajë; me një dallëndyshe s’ vjen behari (pranvera); me një direk  s’ bëhet (s’ mbahet, s’ mbarohet) shtëpia; me një dru s’ bëhet mendër; me një furkëz nuk mbahet çatia; me një gur s’ bëhet mur; me një gjel nuk gdhin; me një hu nuk thuret gardhi; me një ka nuk lërohet; me një kokërr vezë, s’ qitet përpeq; me një lule s’ kënaqet dynjaja; me një lule s' çel (s’ del, s' vjen)  behari (pranvera); me një myshteri s’ mbahet dyqani; me një qyqe nuk del vera; me një sëpatë nuk pritet lisi; një burrë s’ bën (një) mur; një dallëndyshe nuk e bie (nuk e sjell)  pranverën; një dorë e vetme s’ ka ç’ bën;  një gur s’ bën  mur; një vijë  nuk e kthen lumin prapa; s' pritet lisi me një sëpatë; s’ vjen pranvera me një lule; nuk vjen vera me një qyqe.Ant. ku pështyjnë shumë, bëhet lumë

nuk bën çdo (secila) bletë mjaltë fr.proverb.,aleg.-të gjithë njerëzit nuk mund të jenë njësoj për nga vlera, dobia, rëndësia. (HK f. 146). S. çdo lule nuk lidh fryt; çdo mizë nuk bën mjaltë; nuk lidhin të gjitha lulet; sa thana janë, kokrra s’ bëjnë

bleta di si bëhet mjaltë  (mjalti) fr. proverb.,aleg.-1. secli ekspert, njeri profesionalist e di më së miri mbarëvajtjen e punës, profesionit të vet. S. ai që ka bërë çirak, e di  ç’ është çirakllëku;  bleta e n,jeh lulen ku gjen brumë për mjaltë; e di bleta si e mbledh nektarin; e di vetë si ta vërë dinamitin dikush. 2.secili i di vetë më së miri punët a hallet vetanake (nga përvoja), gjithkush e di, e njeh më së miri, fare mirë punën, gjendjen e vet vetanake, çdo njeri i di më mirë vetë  punët a hallet e veta. (BQ-DSH). S.bretku di të gjejë llogaçen; çdo mal e di barrën e vet; çfarë ka vorba që zien, e di luga që e përzien; e di ai që e ka në kurriz; e di ashti çka heq lëkura;e di vetëm belbuqi se ç’ heq thuthuqi; e di çakalli ku ka pre; e di dallëndyshja ku e ka folenë; e di Dema vetë diçka; i di djalli përrenjtë; e di dredha çka heq zgjedha; e di dhelpra ku është gjuetari;e di vetë ku i dhemb dhëmbi (dhëmballa) dikush; e di dhia se ku del vërria; e di dhia si hahen lendet;  e di gomari ku e vret samari; e di luga  (se) ç’ (çfarë, çka) ka poçja (vegshi, vorba);  e di gjalmi  se ç' ka torba; e di Gjoni  çfarë ka në trastë (në thes); e di Gjoni ç' (çfarë) ka trasta; i di Heta  punët e veta; e di këmba ku e vret këpuca; e di krimbi se ç' tra bren; e di Kupi sa bëjnë hasrat; e di kurrizi se sa i rëndë është lisi; e di kush e ka në kurriz; e di lëkura e tij; e di luga se ç’ ka bluda; e di luga se ç' ka poçja (vegshi, vorba); e di mesi  se ç' ka thesi; i  di Meta  punët e veta; e di miza ku end; e di miza ku e lëshon krimbin;  e di miza ku lëshon mjaltë; e di mlija çka fut goja; e di Mria ku del fërlia; e di pyka çka është qyka; e di qeni ku fle lepuri ; e di qepa sa lot ka derdhur dkush; e di qepa se qysh qan Zepa; e di skifteri ku gjen mish; e di shpina ime;  e di shpirti im; e di trari e carani ; e di zagari ku fle lepuri; e di  i zoti (se) ku i pikon çatia;e di vetë i zoti se ç'ka në trastë (në torbë); e di i zoti ku i pikon shtëpia;e dinë eshtrat e tij; e dinë mollaqet se ç’ kanë duqet; është hesapi i Zylalit sa barrë (sa lakra)  i vë gomarit (kalit); është punë për Demën (Demushin, Selimin); gjellën e njeh luga që e përzien; kali e di vetë se ku e vret samari; kjo kockë e di; klloçka di si mbulohen zogjtë; myka e di sa e fortë është gozhda; e njeh kukudhi lugatin; e njeh miza pekmezxhinë; sqoka di si rriten zogjtë;vorba e njeh groshën që zien;  i zoti e di ku i pikon  çatia (shtëpia)

bluaj sa të hash fr. proverb.,aleg.-merr përsipër një punë pas (sipas) mundësive që ke, të kesh masë e kufi në  punë, veprime a shpenzime, përmbahu,   mos e tepro në  një punë a veprim,  mos lakmo më shumë nga ç’ të takon,  vepro, puno sipas aftësive e mundësive që ke, puno, vepro, përpiqu, mundohu sa i ke (sa të lejojnë) mundësitë, kushtet, rrethanat, mati mirë forcat, fuqitë, mundësitë vetanake, pastaj  puno, vepro, shpenzo; puno, vepro aq sa të kesh; shpenzo, vepro, puno aq sa ke mundësi; mos e tepro, mos e kalo masën  në shpenzime, në punë, në veprime. (PETZE-FSHFRR f. 26).S.bëje çapin  sa (e) ke këmbën; bëje hapin si (e) ke vrapin;  bëje vrapin sa (e) ke çapin (hapin); duhet të shtrish këmbët sa ke të mbuluarit; ha me lugën që të merr goja; mos e hap vallen shumë;hap vrimën sa ke kopsën; lëshoje vrapin sa (e) ke çapin (hapin); mate hapin sa e ke vrapin; mate vrapin sa (e) ke çapin (hapin); matu me hijen tënde! mblidh këmbët, o karkalec! mulliri bluan me aq ujë sa ka; ngjat këmbët sa ke shtratin; ngjat këmbët si ke shtratin; qite hapin sa ke takatin; sa çapi, vrapi; sa e ke cergën shtriji këmbët; sa e ke këmbën, bleje opingën; sa (e) ke (sa të kesh) kopsën, hap(e) vrimën; sa të kesh (sa e ke) plafin, shtrij (i) këmbët; si ta (të) kesh hallin bëj Bajramin; si e bën shtratin ashtu zgjati këmbët; shikoje vaun, pa hidhe lumin; shtrije dorën deri ku të mbërrijë; shtrij(i)  këmbët sa (e) ke (sa të kesh) jorganin (plafin, shtratin); shtriju sa të jetë çarçafi; thure mëngën sa (e) ke krahun;  var(e) këmborën, sa (e) ke qafën; zgjati këmbët sa (e) ke jorganin (hasrën, plafin, shtratin)

2.f r a z a t  a l u s i v e

Frazat alusive, për nga  kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion  alusiv, kanë kuptim dhe funksion  të alusionit. Pra,  frazat alusive në shkrim dhe ligjërim letrar kanë vlerë alusive dhe kryejnë funksion si alusione.

Frazat alusive, si edhe alusionet, shënojnë, tregojnë në mënyrë konkrete  veprime, cilësi veprimesh të njerëzve për të cilët flasim përmes rasteve të veçanta, rasteve individuale, figurave të njohura mitologjike a historike, individëve të njohur dikur në jetë me veprimet, cilësitë kartakteristike, specifike  vetanake, personazhe  të njohura në anekdota,  përralla, mitologji të njohura  për veprimet, cilësitë karakteristike  në jetë. Përmes  veprimeve, cilësive të tyre individuale të veçanta, specifike konkretizohen, pasqyrohen  veprimet, cilësitë e njerëzve në veçanti në mënyrë fytyrore, figurative. Te këto fraza  ruhet emri, emri e mbiemri i figurës mitologjike a historike,emri, emri dhe mbiemri i individit të njohur dikur në jetë, i dalluar nga të tjerët me diçka të veçantë  (veprim, cilësi). Te këto fraza, gjymtyrët përbërëse : emrat, emrat e mbiemrat e figurave të njohura mitologjike a historike, individët e njohur, hyjnë në punë, shërbejnë si shembuj ilustrimi a konkretizimi për veprimet, cilësitë e veçanta, karakteristike të njerëzve tjerë përmes raportit fytyror :  krahasimor-shëmbëllimor  përfytyrimor.

Frazat alusive hyjnë në punë, shërbejnë për të pasqyruar veprime, cilësi konkrete, të qarta, të gjalla, figurative, fytyrore, si  bie fjala : shkon e vjen si Adem Peja- endet  kot së koti ; bëhet (si)Ajet Mareci- vishet keq, në mënyrë të shëmtuar, shëmtohet shumë (në të veshur) ; pastroj ahuret e Augjiasit-vë rregull aty ku ka rrëmujë të madhe, e përmirësoj me masa rrënjësore e të shpejta një gjendje me të meta të shumta e të grumbulluara prej kohësh ; flet si e ëma e Zeqos majë thanës- flet kot së koti, flet pa e menduar shumë atë që e thotë ; e humb si Xhaferi simiten- hutohet shumë, pa masë,  e humb fillin fare, nuk di nga t’ ia mbajë ;  del si Bellovi i Sverkës dikush.- del  krejt ndryshe nga që  mendohet, pandehet (i zoti, i vyer, i vlerë)  dikush, nuk del ashtu siç mendohet e pandehet dikush,  del i pazoti, i pavlerë, i pavyer dikush; e kërkoj me qirinë e Diogjenit-e kërkoj gjithkund, në çdo vend ; do dhe Muçoja kafe- kërkon diçka që nuk i takon (sepse nuk e meriton ose është ende i vogël, i papjekur) ; fillon nga kënga e Mukës-fillon rishtas, përsërit të njëjtën gjë gjithnjë ; i lan  duart si Hasan  Karcelli dikush- e pëson shumë keq dikush, mbaron, humb shumë keq, shumë rëndë dikush;  nyjë e Gordit- çështje që me vështirësi zgjidhet,  çështje shumë e ndërlikuar ; kur të shijë Ajdini urov- kurrë, askurrë, asnjëherë, kurrën e kurrës; e prek  thembrën e Akilit dikush- e prek, e ngacmon, e lëndon  dikë dikush në pikën më të dobët, në vendin më delikat, më të ndjeshëm, e prek ku i dhemb më së shumti  dikë dikush, e godet, e qëllon dikë dikush në pikën më të ndjeshme;  shpatë e Damokleut-rrezik  që kanoset  pareshtur, pandërprerë, përherë ; thembër e Akilit- pikë, anë më e dobët, dobësi, mangësi më e madhe,  vend më i ndjeshëm ; punë Sizifi-punë e kotë,e pafryt, e mundimshme shumë, pa masë ; mund i Sizifit- mund i jashtëzakonshëm, mund shumë i madh ; fitore e Pirros-fitore me shumë sakrifica, fitore që nuk e vlen barra qiranë ; shtrat i Prokrustit- situatë, gjendje e vështirë, vend ku dikush gjithnjë pëson, masë dhune me të cilën dikush dëshiron , synon t’ i zgjidhë gjërat, çështjet ; arkë (barkë) e Noes- mjet shpëtimi ; arkë e Pandorës- të gjitha të këqijat e botës  etj.

3.f r a z a t   a n t i f r a s t i k e

Frazat  antifrastike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor,  kanë kuptim dhe funksion  antifrastik, kanë kuptim dhe funksion të antifrazës. Pra, frazat antifrastike në shkrim dhe ligjërim letrar kanë vlerë antifrastike  dhe kryejnë funksion si antifraza. Frazat antifrastike ashtu si edhe antifrazat janë fraza stilistikore te të cilat më tepër mendohet e kuptohet e më pak thuhet. T e ky tip i frazave stilistikore në vend të shprehjes së mirëfilltë të ndonjë veprimi, cilësie, tipari a vlere cilësore përdoret shprehja fytyrore me mohim, që rëndom është e kundërt me shprehjen e mirëfilltë, si bie fjala : nuk ka të sharë diçka-është e mirë diçka ; nuk është për të sharë diçka- është e mirë diçka ; nuk është për shportë diçka- vlen diçka, është me vlerë diçka ; nuk është për t’ u hedhur diçka-është me vlerë diçka, vlen diçka ; nuk është mall i mirë dikush- është i keq dikush ; nuk është lule dikush- është me të meta dikush etj. 

4.f r a z a t   a n t i m e t a b o l i k e

Frazat antimetabolike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion  të antimetabolave. Pra, frazat antimetabolike në shkrim dhe ligjërim letrar kanë vlerë antimetabolike dhe kryejnë funksion  si antimetabola.

Frazat antimetabolike ashtu si edhe antimetabolat janë fraza stilistikore te të cilat  kemi përsëritjen e thënies së njëjtë me rend të kundërt, të anasjelltë të gjymtyrëve përbërëse,si bie fjala : skopani mish e dashi hell ; dashi fërlik e delja mish ; mish me presh e presh me mish ; cjapi mish e dhia tavë ; cjapi mish e dhia tavë,  dhia mish e cjapi tavë ; dhia mish, (e) cjapi mish ; dhia mish e cjapi tavë ;  dhia mish e cjapi tavë, cjapi mish e dhia tavë-po e njëjta gjë, po ajo gjë.  Te shembulli i parë i frazës antimetabolike (mish me presh e presh me mish ) kemi anadiplozë të shoqëruar me rrethim. Do të thotë se te kjo frazë  antimetabolike kemi përsëritjen e fjalës (gjymtyrës) së fundit (presh)  në fillim të pjesës së përsëritur të thënies (që është anadiplozë) dhe kemi përsëritjen  e fjalës së njëjtë  në fillim e mbarim (mish) , e cila figurë  quhet rrethim.  Anadiplozë të shoqëruar me rrethim kemi edhe te fraza antimetabolike:Ali Hoxha, hoxhë Aliu-po e njëjta gjë, po ajo gjë. Te shembulli  i frazës antimetabolike (dhia mish e cjapi tavë, cjapi mish e dhia tavë) kemi epiforë të shoqëruar me hiazëm. Do të thotë, te kjo frazë antimetabolike, kemi përsëritjen e fjalës së njëjtë (tavë) në fund të pjesës së parë dhe në fund të pjesës së përsëritur (që është epiforë) dhe kemi përsëritjen e kundërt , të anasjelltë të gjymtyrëve (fjalëve) me rend të tyre të kryqëzuar : dhia-cjapi, cjapi-dhia (që është hiazëm).

Me anë të frazave antimetabolike vihet në pah, vihet në spikamë me konkretësi, qartësi të theksuar një ide, një mendim a një e vërtetë në rastet kur mbetet më dysh, mbetet dilemore. Pra, me anë të kësaj fraze hiqet, mënjanohet çdo mëdyshje e luhatje përkitazi me ndonjë thënie.

5.f r a z a t   a n t i t e t i k e

Frazat antitetike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe  funksion  të antitezave. Pra, frazat antitetike në shkrim dhe ligjërim letrar kanë vlerë antitetike dhe kryejnë funksion  si antiteza.

Frazat antitetike  ashtu si edhe antitezat   me gjymtyrët e tyre dyjare kuptimore antitetike, antonimike  shënojnë, pasqyrojnë, përcaktojnë kuptime   fare të qarta të  cilësive  e veprimeve të  njeriut  e    jofrymorëve, përkatësisht  gjësendeve të ndryshme. Kuptimet mohimore, kuptimet   fare të qarta ,  janë  rrjedhojë, rezultat, përfundim barasvlerësor i  kundërtisë, antonimisë, kundërvënësisë dyjare, dyfjalëshe kryesore të frazave  antonimike. Pra, te frazat antitetike   cilësitë a veprimet  mohimore  të njeriut a gjësendeve  përcaktohen, pasqyrohen, ftillohen qartë  e theksuarazi me strukturën  dyjare  antonimike a kundërtore  kuptimore të gjymtyrëve  kyçe, të cilat janë njëherazi edhe gjymtyrë  kundërvënëse, kundërtore ose mohimore  kuptimore.

Kështu, fraza antitetike janë, bie fjala, frazat:

a) as në ballë, as në bisht; as ballë, as bisht;  as në bisht, as në krye; as në fund, as në krye; as i madh, as i vogël;  as mirë, as keq; as nxehtë, as ftohtë; as nga të parët, as nga të fundit me kuptim: mesatar, në mes;

b) as andej, as andej; as andej, as këndej; as këndej, as andej; as ashtu, as ashtu; as me buaj, as   me qe; as me fshesë, as me lopatë  me kuptim: i pavendosur;

c) as me burra, as me fëmijë; as te Hapa, as te Hupa; as te Hapi, as te Hupi; as te Hava, as te Huma; as me hoxhën, as me priftin; as me kishë, as me xhami; as te Lushi, as te Alushi; as me Muhamedin, as me Isain;  as me ne, as me ata; as me njërin, as me tjetrin; as me shehër, as me Barilevë; as me shehër, as me ne  me kuptim: i papërcaktuar (për njeri)

ç) as mish, as peshk; as bisht, as krye; as bardho,as kazil; as verë, as uthull  me kuptim:  i papërcaktuar (për sende, jo frymorë)

d) nuk është as mish, as peshk dikush; është  as mish, as peshk dikush, është as gur, as haliç dikush  me kuptim: nuk është i përcaktuar dikush, është i papërcaktuar dikush

dh) s’ është as boçë, as bërboçë  diçka; nuk është as thes, as torbë diçka; nuk ka as kokë, as këmbë diçka   me kuptim: nuk është e përcaktuar   mirë  diçka, është e papërcaktuar mirë diçka

e) as  bën kuku, as lumi unë dikush; as çon, as  përzien dikush; as nuk dhez, as nuk shqim dikush; as kullon, as turbullon dikush;  as mbush, as derdh dikush; as ndez, as shuan dikush, as ndreq, as prish dikush; as  ngroh, as ftoh dikush; as prish, as ndreq dikush; as qan, as qesh dikush; as qartëson, as turbullon dikush; nuk qet as në duqe, as në strajcë dikush; as shtie, as kërcet dikush; as turbullon, as kthjellon dikush; as zbraz, as mbush dikush; as zvillat, as  këlliç dikush me kuptim: nuk bën, nuk mbaron dot gjë dikush, nuk bën, nuk mbaron dot asnjë punë, asnjë veprim, asnjë  zgjidhje dikush

ë) as të ftoh, as të ngroh dikush;as të kruan, as të shuan dikush ; as të ngroh, as të ftoh dikush  me kuptim: nuk të bën, nuk  të mbaron dot punë dikush, nuk  të bën dot, nuk të mbaron dot  asnjë punë dikush, nuk të bën dot asnjë zgjidhje dikush

f) s’ është as për arë, as për pazar dikush; s’ është  për arë e farë dikush; nuk është as i lavrës, as i  gavrës   dikush  me kuptim : nuk është i zoti, i aftë fare dikush,  nuk është i zoti, i aftë për asgjë, për asnjë punë dikush

g) nuk është as për çorbë, as për çervish dikush; s' është as për dhjamë,  as për lëkurë dikush; s’ është as për prush, as për bujashkë dikush; s’ është për cjap, as për këmborë dikush me kuptim: nuk ka asnjë vlerë dikush, nuk vlen për asgjë , për asnjë punë, për asnjë veprim dikush, nuk vlen fare dikush

Me anën e frazave  antitetike  ligjërimi i rëndomtë, i mirëfilltë, i drejtpërdrejtë, bëhet  i qartë e i theksuar, intensiv e fytyror. Te  frazat  antitetike  cilësia që  ftillohet, shpjegohet  ka  kuptim  mohimor  ftillimor, sepse, përcaktohet e kushtëzohet  nga  gjymtyrët kyçe dyjare,  nga gjymtyrët antonimike  kuptimore, të cilat ndërtohen me lidhëzën e përsëritur mohuese: as, e cila ka karakter përforcues  antonimik a mohimor, si  bie fjala:

a) as andej, as këndej; as këndej, as andej; as ashtu, as ashtu; as me buaj, as   me qe; as me fshesë, as me lopatë  me kuptim  antonimik: i pavendosur;

b)  as me burra, as me fëmijë; as te Hapa, as te Hupa; as te Hapi, as te Hupi; as te Hava, as te Huma; as me hoxhën, as me priftin; as me kishë, as me xhami; as te Lushi, as te Alushi; as me Muhamedin, as me Isain;  as me ne, as me ata; as me njërin, as me tjetrin; as me shehër, as me Barilevë; as me shehër, as me ne me kuptim mohimor a antonimik: i  papërcaktuar (për njeri)

c) as mish, as peshk; as bisht, as krye; as bardho,as kazil; as verë, as uthull   me   kuptim    antinomik: i papërcaktuar (për  gjësende a jofrymorë).

Me anën e  disa  frazave  antitetike  përcaktohet 1)  kuptimi  ftillimor antonimik i rëndomtë, i mirëfilltë, i drejtpërdrejtë, si bie fjala: është  as mish, as peshk dikush, është as gur, as haliç dikush  me kuptim: është i papërcaktuar dikush; nuk ka as kokë, as këmbë diçka  me kuptim: është e papërcaktuar mirë diçka dhe 2) kuptimi mohimor, si bie fjala: nuk është as mish, as peshk dikush,  me kuptim: nuk është i përcaktuar dikush; s’ është as boçë, as bërboçë  diçka; nuk është as thes, as torbë diçka me kuptim: nuk është e përcaktuar   mirë  diçka.

Te  frazat  antitetike  veprimi që  ftillohet, shpjegohet, ka  kuptim  mohimor  ftillimor, sepse,  përcaktohet e kushtëzohet nga gjymtyrët  kyçe dyjare, nga gjymtyrët antonimike kuptimore, të cilat, po ashtu ndërtohen me lidhëzën e përsëritur mohuese: as, si bie fjala:

a) as  bën kuku, as lumi unë dikush; as çon, as  përzien dikush; as nuk dhez, as nuk shqim dikush; as kullon, as turbullon dikush; as mbush, as derdh dikush; as ndez, as shuan dikush, as ndreq, as prish dikush; as  ngroh, as ftoh dikush; as prish, as ndreq dikush; as qan, as qesh dikush; as qartëson, as turbullon dikush; nuk qet as në duqe, as në strajcë dikush; as shtie, as kërcet dikush; as turbullon, as kthjellon dikush; as zbraz, as mbush dikush; as zvillat, as  këlliç dikush  me kuptim mohimor: nuk bën, nuk mbaron dot gjë dikush, nuk bën, nuk mbaron dot asnjë punë, asnjë veprim, asnjë  zgjidhje dikush.

b)                                                  as të ftoh, as të ngroh dikush;as të kruan, as të shuan dikush ; as të ngroh, as të ftoh dikush   me kuptim mohimor: nuk të bën, nuk  të mbaron dot punë dikush, nuk  të bën dot, nuk të mbaron dot  asnjë punë dikush, nuk të bën dot asnjë zgjidhje dikush.

c)  s’ është as për arë, as për pazar dikush; s’ është  për arë e farë dikush; nuk është as i lavrës, as i  gavrës   dikush me kuptim mohimor : nuk është i zoti, i aftë fare dikush,  nuk është i zoti, i aftë për asgjë, për asnjë punë , për asnjë  veprim dikush.

ç) nuk është as për çorbë, as për çervish dikush; s' është as për dhjamë,  as për lëkurë dikush; s’ është as për prush, as për bujashkë dikush; s’ është  as për cjap as për këmborë dikush me kuptim mohimor : nuk ka asnjë vlerë dikush, nuk vlen për asgjë dikush, nuk vlen fare dikush.

Me  fraza antitetike, kryesisht e epërsisht  përcaktohet  kuptimi antonimik a mohimor e në raste  më të rralla  edhe kuptimi i rëndomtë, i mirëfilltë, i drejtpërdrejtë, i cili është  fare i qartë e i theksuar, intensiv e fytyror, si bie fjala: as në ballë, as në bisht; as ballë, as bisht;  as në bisht, as në krye; as në fund, as në krye; as i madh, as i vogël;  as mirë, as keq; as nxehtë, as ftohtë; as nga të parët, as nga të fundit me kuptim: mesatar, në mes.

Frazat antitetike, ashtu sikundër  edhe  antitezat, janë fraza stilistikore, te të cilat  në vend  të kuptimeve të mirëfillta, të natyrshme, si te pjesa dërrmuese e frazave stilistikore, kemi kuptime antonimike ose  mohimore  të cilësive a veprimeve, të cilat kushtëzohen e përcaktohen  nga gjymtyrët  dyjare antonimike kuptimore, nga gjymtyrët përbërëse  antonimike a mohimore kuptimore.

Vetëm te një numër i kufizuar i frazave antitetike  kemi përcaktim, kushtëzim të kuptimit të  natyrshëm, të mirëfilltë në mënyrë fare të qartë e  konkrete, si bie fjala: as në ballë, as në bisht; as ballë, as bisht;  as në bisht, as në krye; as në fund, as në krye; as i madh, as i vogël;  as mirë, as keq; as nxehtë, as ftohtë; as nga të parët, as nga të fundit me kuptim: mesatar, në mes. Vetëm  kuptimet e këtyre frazave janë barasvlerëse me kuptimin e mirëfilltë që  e përcaktojnë  dhe  e pasqyrojnë  vlerat e tyre antitetike, që janë, njëherazi edhe vlera kuptimore intensive, fytyrore . Kuptimet  e cilësive e veprime që i shënojnë këto  fraza janë barasvlerëse me përmbajtjen e tyre antitetike fytyrore, figurative kuptimore.

Me anën e frazave antitetike vihet në spikamë, spikatet  një cilësi a veprim negativ i njeriut në mënyrë   fare konkrete e të  qartë, në mënyrë të pandërdymtë e të padyshimtë. Me anën e tyre  mënjanohet  çdo ndërdymje, çdo dilemë e luhatje përkitazi me ndonjë veprim a  cilësi  negative, që e cilëson, që e karakterizon njeriun.

6.f r a z a t   b a r a z i m o r e  (n j ë j t ë s i m o r e)

Frazat  barazimore (njëjtësimore), për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor,  kanë kuptim dhe funksion  të barazimit (njëjtësimit). Pra, frazat  barazimore (njëjtësimore) në shkrim dhe ligjërim letrar,  kanë vlerë barazimore (njëjtësimore) dhe kryejnë funksion  si barazime (njëjtësime).

Frazat barazimore (njëjtësimore)  ashtu si edhe barazimet (njëjtësimet) janë fraza stilistikore te të cilat  ajo që thuhet kuptohet fytyrisht, figurativisht në mënyrë konkrete dhe fare të qartë. Te ky tip i frazave stilistikore në vend të shprehjes së mirëfilltë përdoret shprehja fytyrore, figurative, e cila është barasvlerëse a e njëjtë  me kuptimin e saj.

Kemi frazë barazimore (njëjtësimore) të ndërtuar me lidhëzën njëjtësuese si : si bukë e kos, si përshesh me kos-po e njëjta gjë,  po ajo.

Kemi fraza barazimore (njëjtësimore) të ndërtuara me lidhëzën mohimore (jo)  dhe me lidhëzën pohimore (po), si bie fjala : jo Ali hoxha, po hoxhë Aliu (ku kemi edhe antimetabolë) ; jo ve, po koko (kokërr) ve ; jo buka, po kulaçi- po ajo, po e njëjta gjë, po ajo gjë.

Me anë të  frazave barazimore  (njëjtësimore) vihet në spikamë, spikatet një mendim a e thënë me konkretësi e qartësi të theksuar. Me anë të tyre hiqet, mënjanohet çdo ndërdymje, çdo dilemë e luhatje përkitazi me ndonjë thënie a të vërtetë.

7.f  r a z a t   e l i p t i k e

Frazat eliptike, për nga kuptimi dhe funksioni  stilistikor, kanë kuptim dhe funksion eliptik, kanë kuptim dhe funksion të elipsës. Pra, frazat eliptike, në shkrim dhe ligjërim letrar, kanë vlerë eliptike dhe kryejnë funksion si elipsa-si figura stilistikore.

Frazat eliptike ashti si edhe elipsat janë fraza stilistikore, te të cilat hiqet, lihet jashtë një (ndonjë) gjymtyrë e një fraze tjetër a e një thënieje, e cila, kuptohet, nënkuptohet lehtë. Kështu veprohet me qëllim që kuptimi a mendimi të shprehet më shkurt.Lënia jashtë, lënia mangu, heqja, mangësimi i gjymtyrës nuk ia cenon, nuk ia gjymton fare kuptimin frazës, por atë e bën edhe më fytyror, më figurativ, do të thotë,  edhe më të fuqishëm në pikëpamje fytyrore, i cili mbetet i plotë edhe më tej.

Fraza eliptike kemi kur një fraze i lihet mangu, i hiqet, i mangësohet një (ndonjë)  folje,emër si gjymtyrë përbërëse.Fraza eliptike kemi  kur një fraze foljore i mungon folja ose i mungojnë foljet, si bie fjala : dorën në zemër i lihet mangu folja vë ; unë me bukë e ai me gurë-unë i bëj mirë e ai më bën keq, të mirën time ma shpërblen, ma kthen me të keq. Këtu lihet mangu :  ia kthej, ma kthen : unë (ia kthej) me bukë e ai (ma kthen) me gurë ; unë qe lepuri, ti qe tragu (gjurma)-më përgjigjesh krejt tjetër, më thua të kundërtën e asaj që të pyes, që kërkoj, lihet mangu folja : them, thua : unë (them) qe lepuri,  ti (thua) qe tragu (gjurma).

Frazë eliptike  kemi kur një fraze perifrastike i lihet mangu, i lihet jashtë emri si gjymtyrë  përbërëse, si bie fjala : është i gojës, është i fjalës, është i kuvendit-është orator, gojëtar ; është i pendës-është shkrimtar ; është i pushkës (i armës)- është luftëtar, është i dijes-është dijetar.

Te  frazat e sipërzëna ngojë, është lënë mangu emri : njeri, që është gjymtyrë përbërëse e frazave eliptike : është (njeri) i gojës, është (njeri)  i fjalës, është (njeri) i kuvendit, është (njeri) i pendës, është (njeri) i pushkës (i armës), është (njeri) i dijes.

Te këto fraza eliptike,edhe pse është lënë mangu emri : njeri a burrë kuptimi i frazës mbetet i plotë, i njëjtë me atë të frazave perifrastike të përbëra me gjymtyrën, emrin njeri a burrë.

8.f r a z a t   e u f e m i s t i k e

Frazat eufemistike për nga kuptimi dhe funksioni  stilistikor kanë kuptim dhe funksion eufemistik, kanë kuptim dhe funksion të eufemizmit. Pra, frazat eufemistike në shkrim dhe ligjërim letrar kanë vlerë eufemistike dhe kryejnë funksion si eufemizma.

Frazat eufemistike ashtu si edhe eufemizmat janë fraza stilistikore  te të cilat  diçka e keqe, e shëmtuar, e pahijshme, e trishtueshme, e tmerrshme nuk thuhet, nuk shprehet, n uk emërtohet drejtpërdrejt me shprehjen e vet të mirëfilltë, po fshihet, mbulohet, përkatësisht, emërtohet, thuhet me shprehje të butë, me diç të afërt, herë-herë, edhe të kundërt. Kjo ngjet për hir të kujdesit a ndjenjës skofiare që kemi ndaj dikujt, ndaj të afërmëve, ndaj miqve apo kur duam t’ i kursejmë nga ndonjë shprehje e vrazhdë a e pahijshme apo kur duam që të mos shkaktojmë reagim a kundërshtim të drejtpërdrejtë tek ata që u drejtohemi apo që ua kemi frikën.

Në vend që t’ i themi dikujt drejtpërdrejt : gënjen, rren, i drejtohemi me frazë eufemistike : nuk e flet (nuk e thua) të vërtetën, në vend që të themi për dikë (vdiq)  , i përdorim frazat eufemistike : e la këtë botë, ndërroi jetë, u nda prej nesh, u nda nga kjo botë, i la amanetet, u largua kësaj bote.

Për sëmundjen e epilepsisë kemi shumë fraza eufemistike  sinonime : ajo e herës, ajo punë, ajo e tokës,  puna e herës,  puna e hënës,  puna e trollit etj.

Me frazë eufemistike një veprim i keq mbulohet me shprehje të butë a me shprehje të mirë, që është me kuptim të kundërt, antinomik, e cila mund të ketë edhe efekt ironik. Kështu, në vend të kuptimit të mirëfilltë të fjalës : vjedhje,  kemi frazë eufemistike :dorë e keqe (me shprehje të butë kuptimore fytyrore, figurative) dhe kemi frazën eufemistike : dorë e shenjtë (me shprehje të mirë, me shprehje të kundërt, antinomike, ironike kuptimore fytyrore, figurative). Në vend të kuptimit të mirëfilltë të fjalës, foljes veprore : vjedh, shtihen në punë, përdoren frazat eufemistike :  e ka (e merr) dorën e keqe (me kuptim të butë fytyror) dhe : e ka (e merr) dorën e shenjtë  (me shprehje të mirë, me shprehje të kundërt, ironike kuptimore fytyrore). Në vend të kuptimit të mirëfilltë të  foljes mesore : çmendet shtihet në punë, vihet në përdorim fraza eufemistike : del puplash (me kuptim shumë të butë, me kuptim të kundërt, ironik).

Pra, nga marrja në përqasje e në përimtim e frzave të sipërzëna në gojë, del se, frazat eufemistike zëvendësojnë, zbusin dukshëm kuptimet e mirëfillta, të drejtpërdrejta të vrazhda të fjalëve që shprehin veprime të pahijshme të njerëzve për hir të mirësjelljes a për hir të frikës a pasojave të pakëndshme të ligjëruesit, që mund t’ i ketë nga bashkëbiseduesi a dëgjuesi.

Kemi fraza eufemistike që zënë fill nga shkaqe e motive tjera të veçanta a të përgjithshme. Kështu, kemi fraza eufemistike : ujët e bekuar (në vend : raki, pije alkoolike), orë e shtëpisë (në vend : bollë), ai i hudhrës,   kafshë e keqe (në vend : shejtan, djallë, dreq), bëj (derdh) ujë, bëj ujët e hollë, më shpëton ujët e hollë (në vend : përmirrem, përmjerr, shurroj), ujët e hollë, nevojë e vogël (në vend : shurrë), dal jashtë, kryej nevojë të madhe, kryej nevojë të trashë, bëj nevojën (në vend : dhitem, dhihem, dhjes), dalje jashtë, nevojë e trashë, nevojë e madhe (në vend : dhitje, dhirje).

Titulli i vjershës së gjatë të Asdrenit « Hija e keqe » është frazë eufemistike në vend të kuptimit të mirëfilltë : vdekja.

9.f r a z a t   f t i l l i m o r e  (s h p j e g i m o r e)

Frazat ftillimore, për nga  kuptimi dhe funksioni stilistikor, , kanë kuptim dhe funksion  ftillimor (shpjegimor), kanë kuptim dhe funksion të ftillimit, shpjegimit si figurë stilistikore. Pra, frazat ftillimore në shkrim dhe ligjërim letrar kanë vlerë ftillimore dhe kryejnë funksion si ftillime (shpjegime), si figura stilistikore.

Frazat ftillimore  ashtu si edhe ftillimet si figura stilistikore janë fraza  stilistikore te të cilat zgjerohet, përkatësisht, intensifikohet, bëhet intensiv kuptimi i fjalëve gjymtyrë përbërëse fillimtare. Në të vërtetë, fjalët gjymtyrë  përbërëse fillimtare ftillohen, shpjegohen me anë të një e më tepër fjalësh (gjymtyrësh pëbërëse), të cilat e bëjnë intensiv, të lartë, të fuqishëm, fytyror kuptimin e tyre.

Te  frazat ftillimore gjymtyrët përbërëse fillimtare ftillohen, shpjegohen me një a më shumë fjalë (gjymtyrë përbërëse), të cilat ua shtojnë, ua zgjerojnë kuptimin e parë, kryesor, themelor, do të thotë,  u japin, u përcaktojnë kuptim intensiv, kuptim të shkallës më të lartë, kuptim të shkallës intensive, që shprehet  me ndajfoljet e sasisë : shumë, së tepërmi, pa masë, fort, tepër, fare, jashtëzakonisht etj.

Te frazat ftillimore dallojmë dy pjesë kryesore të gjymtyrëve përbërëse : pjesa e parë është gjymtyra fillimtare, gjymtyra që ftillohet, që shpjegohet dhe pjesa e dytë e gjymtyrëve është pjesa që zgjeron, shton, fuqizon, lartëson, intensifikon kuptimin e pjesës së parë, pjesës (gjymtyrës)  fillimtare. Pra, pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse hyn në punë, shërben për të ftilluar, shpjeguar kuptimin intensiv, për ta zgjeruar, shtuar, intensifikuar kuptimin e parë, themelor, fjalësor të pjesës së parë (gjymtyrës përbërëse  fillimtare, gjymtyrës së ftilluar, të shpjeguar, e cila e fytyrëzuar, e zgjeruar, e intensifikuar fytyrisht, figurativisht gjithë frazës i jep kuptim dhe vlerë kuptimore intensive.

Pjesa e parë  e frazës ftillimore (shpjegimore, interpretative) përbëhet vetëm prej një gjymtyre, gjymtyrës fillimtare, gjymtyrës që ftillohet, shpjegohet. Ndërkaq, pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse, pjesa  intensive, është pjesa që ia fytyrëzon, ia zgjeron, ia shton, ia bën intensiv kuptimin, vlerën kuptimore pjesës së parë. Pjesa e dytë përbëhet prej një e më tepër gjymtyrësh. Tipat më kryesorë, më të përhapur të frazave ftillimore sipas strukturës përbërëse, ndërtimore janë :

gjymtyrë fillimtare+ pjesa njëgjymtyrëshe : e di ujë-e di shumë mirë, e di përmendësh ; i veshur akull- i veshur mirë e bukur, i veshur me rroba fare të reja ; i ftohtë akull- i ftohtë shumë, së tepërmi ; e re akull- fare e re ; i ëmbël mjaltë- shumë i ëmbël ; vishem pikë- vishem për bukuri, vishem shumë bukur ; i rëndë plumb- i rëndë së tepërmi, pa masë ; fluturon plumb-fluturon shumë shpejt ; i errët pus- i errët së tepërmi, pa masë ; i vrenjtur pus-i vrenjtur së tepërmi, pa masë ; i nxirë pus-  i nxirë së tepërmi, pa masë ; i verdhë dyllë- i verdhë shumë, pa masë ; i gjatë tërkuzë- i gjatë tepër, pa masë ; e kuqe flakë-e kuqe tepër, pa masë ; skuqet flakë- skuqet tepër, pa masë, sarrakuqet, mbërdhezet ; i zi  korb (katran, sterrë)- i zi tepër, së tepërmi, pa masë ; i fryrë daulle (kacek)- i fryrë së tepërmi, pa masë, i fryrë shumë, tepër ; i  tharë trok- i tharë shumë, tepër ; i nxirë pis-i nxirë  shumë, tepër, pa masë; i bardhë borë-fare i bardhë ; i pastër qehlibar- i pastër fare ; i zverdhur dyllë- i zverdhur shumë, pa masë ; skuqet gjak-skuqet shumë, së tepërmi, sarrakuqet, mbëdhezet ; i verdhë limon-i verdhë  shumë, pa masë ; i rëndë pleh- shumë i rëndë ; e thatë kërckë- shumë e thatë etj.

gjymtyrë fillimtare+ pjesa dy e më shumëgjymtyrëshe : është arkë e mbyllur dikush- e mban të fshehtën e nuk ua tregon  të tjerëve, nuk u hapet të tjerëve dikush ;  jap me grushte-jap shumë, pa masë, jap me shumicë ;  fitoj me grushte- fitoj shumë, së tepërmi (para etj.) ; e fitoj me gjak-e fitoj me mund të madh ; e dua me shpirt (me zemër)e dua shumë, së tepërmi ; ia di dhëmbë e dhëmballë-ia di krejt, të gjitha ; shpëtoj për qime-shpëtoj për pakëz ; i dhimbet gurit e drurit- i dhimbet çdokujt ; ikën pa gjurmë-ikën pa u hetuar fare, ikën shumë shpejt ; fle gjumin e shqerrave- fle shumë mirë ; ikën me të katra-ikën shumë shpejt ; e lus aman e duman- e lus shumë, pa masë ; e di grurë të kuq- e di fare mirë ; dëgjohet në anë të dheut-dëgjohet shumë larg ; i lutem me aman e derman-i lutem shumë, së tepërmi ; nuk shkon as andej, as këndej- nuk ecën, nuk lëviz fare ; përhapet andej këndej (këtej)- përhapet në shumë drejtime, anë a vende ; i mbërthyer anë e cepavet-i mbërthyer tërësisht, plotësisht ; i lutem me gjak të zemrës-i lutem shumë, së tepërmi ; e njoh me rrënjë-e njoh shumë mirë,e njoh fare mirë ; mik me kokë- mik intim ; trim me fletë-trim i madh ; skuqet gjer te veshi- skuqet së tepërmi, pa masë ; turpërohet shumë, pa masë ; bëhet flakë e kuqe (piper i kuq), bëhet all i kuq- skuqet shumë, pa masë, sarrakuqet, mbërdhezet ; bëhet dyllë i verdhë-zverdhet shumë, pa masë ; bëhet borë e bardhë, bëhet flakë e borës-zbardhet shumë, pa masë,së tepërmi ; bëhet korb (cung, katran, sterrë, pisë, pus) i zi  (e zezë)- nxihet shumë, së tepërmi  etj.

gjymtyrë fillimtare+ pjesa tri e më tepër gjymtyrëshe : e njoh me degë e me rrënjë-e njoh shumë mirë, e njoh fare mirë ; bie me grykë të stomnës (shiu)- bie (shi) shumë, së tepërmi ; i ngjan me asht e me rrasht-i ngjan shumë, së tepërmi ; e shes për një copë bukë-e shes fare lirë ; mundohem me këmbë e me duar-mundohem shumë, së tepërmi ; i lidhur me mish e me shpirt- i lidhur shumë ngushtë, i lidhur intimisht ; e blej për pesë para- e blej fare lirë ; e kërkoj në qiell e në dhe-e kërkoj kudo, gjithkund, nuk lë vend pa e kërkuar ; shkoj në fund të botës-shkoj shumë larg ; nuk ndryshon në asnjë presje- nuk ndryshon fare, aspak  etj.

Pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse, nuk hyn në punë, nuk shërben vetëm  për t’ i dhënë kuptim intensiv, kuptim të shkallës më të lartë pjesës së parë, gjymtyrës fillimtare, por edhe për ta ftilluar, shpjeguar këtë, për t’ i dhënë kësaj kuptim sa më konkret, sa më të qartë e sa më bindës, për t’ i dhënë vlerë përmbajtësore kuptimore konkrete e të qartë.

Pjesa e dytë e frazës ftillimore  (shpjegimore, interpretative) me gjymtyrët shtuese, zgjeruese, plotësuese përbërëse hyn në punë, shërben për t’ i dhënë frazës përmbajtje kuptimore sa më konkrete, sa më të qartë, sa më bindëse, sa më të kthjellët, sa më të pandërdymtë e sa më kumtimore (komunikative), si bie fjala : tërheq andej-këndej (këtej)- tërheq me vështirësi, me zor ; shpërndahen andej-këndej ( këtej)- shpërndahen gjithkah, nga të gjitha anët  a drejtimet ; më flet me anë-më flet tërthorazi, jo drejtpërdrejt ; ka anë e udhë- ka masë, kufi ; ta them nga del shpirti- ta them çiltërisht ; kërkon halë në përpeq, kërkon qimen në vezë (në përpeq, në bar, në kashtë, në mullar)-kërkon diçka të pamundur, merret me gjëra fare të vogla, fare pa rëndësi etj.

Nga sa u mor në hetim e vëzhgim, del se,  frazat ftillimore hyjnë në punë, shërbejnë për t’ u dhënë  veprimeve  dhe cilësive, tipareve të veprimeve të frymorëve e jofrymorëve (njerëzve e sendeve etj) shkallë të lartë, shkallë intensive kuptimore, nga njëra anë, dhe, shkallë të veçantë e të theksuar konkrete, të qartë e bindëse kuptimore përmbajtësore, nga ana tjetër.

10.f r a z a t   h i p e r b o l i k e

Frazat hiperbolike, për nga kuptimi  dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion të hiperbolës. Pra, frazat hiperbolike në ligjërim dhe shkrim letrar, kanë vlerë hiperbolike dhe kryejnë funksion si hiberbola.

Frazat hiperbolike ashtu si edhe hiperbolat janë fraza stilistikore te të cilat zmadhohet ose zvogëlohet me tepri, tej mase  përmbajtja kuptimore e veprimeve, cilësive e rrethanave të veprimit të frymorëve e jofrymorëve (njerëzve, sendeve etj.).

Me qëllim  që veprimet, cilësitë, rrethanat  e veprimeve të njerëzve, sendeve etj. të bien në sy sa më fuqishëm  e sa më theksuarazi , me qëllim që të bëjnë përshtypje sa më të madhe  te  lexuesi a dëgjuesi te hiperbolat  ideja, shkalla e shumësisë, madhësisë, intensitetit, fuqisë, lartësisë mbetet e pakufizuar.  Te hiperbolat shprehen, shënohen veprime, cilësi e rrethana veprimi të shkallës absolute intensive, të shkallës më të lartë, më të fuqishme.

Fraza hiperbolike janë këto fraza stilistikore : nuk i lë as asht , as lëkurë të ngjitur dikujt –e rrah shumë, së tepërmi, e zhdëp,e shqep dikë ; e bën mizën buall (ka, mal );  e bën pleshtin  buall (ka) ; e bën qimen tra –e zmadhon shumë, së tepërmi, e tejzmadhon ; një mal- shumë ; më bëhet  zemra mal (bjeshkë, kodër)-gëzohem shumë, së tepërmi ; me qindra e mijëra, qindra e mijëra,  qindra e qindra, mijëra e (dhe, edhe) mijëra- shumë, së tepërmi etj.

Nga shembujt  që i morëm në ftillëzim e përimtim, del se, frazat hiperbolike shënojnë veprime, vlera cilësore e rrethana veprimi jashtëzakonisht të mëdha, shumë intensive të  frymorëve e jofrymorëve.

11.f r a z a t   i d i o m a t i k e

Frazat idiomatike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë  kuptim dhe funksion  të idiomës, kanë kuptim dhe funksion  idiomatik. Pra, frazat  idiomatike  në shkrim dhe ligjërim letrar, kanë vlerë idiomatike dhe kryejnë funksion  si idioma.

Frazat idiomatike ashtu si edhe idiomat  kanë karakter të pavarur e të pakushtëzuar kuptimor.. Kuptimi i frazave idiomatike del, shprehet nga tërësia e gjymtyrëve përbërëse. Frazat  idiomatike janë fraza që pothuajse e  kanë humbur plotësisht e tërësisht kuptimin fjalësor. Kuptimi i tyre  është i  çkuptimësuar, i desemantizuar nga gjymtyrët   përbërëse. Do të thotë se frazat idiomatike nuk e ruajnë fare kuptimin  e tyre  fjalësor, kuptimin e tyre të parë, themelor, kryesor të gjymtyrëve përbërëse. Te këto fraza nuk kemi gjymtyrë kryesore, gjymtyrë kuptimbartëse si te frazat fjalësore.

Te  frazat idiomatike mbizotëron kuptimi stilistikor, funksional, fytyror, dytësor, kuptimi përmbajtësor përfytyrimor njësor fytyror, figurativ.

Mund të themi plot gojën se te frazat idiomatike kuptimi stilistikor, kuptimi fytyror është kuptim më i pavarur e më i pakushtëzuar nga gjymtyrët përbërëse, ndërtimore se te të gjitha frazat tjera stilistikore.

Ja disa  shembuj të frazave idiomatike : i bëhet si abe dikujt dikush fr.fol.,id.- e ndjek  dikush  dikë  vazhdimisht,  fare nuk i  ndahet dikujt dikush ; ia vë acar dikush a diçka dikujt (të niset a të bëjë një punë) fr.fol.,id.- e ngut me të madhe  dikë  dikush (që të niset a të bëjë një punë etj.).; s’ka aks   fr.fol.,id.-1.(diçka) s' pritet të ndodhë diçka. 2. (dikush)  nuk synon të bëjë diçka dikush,  nuk ka (për) qëllim të bëjë diçka dikush; e lë ari  dikë dikush fr.fol.,id.- nuk i mbaron punë dikujt dikush, e  lë duke pritur, nuk ia zgjidh një çështje dikujt dikush duke e lënë në pritje tê vazhdueshme, nuk i jep përgjigje dikujt dikush duke e lënë të presë ; ia merr avullin dikush fr.fol. ,id.-1.diçkaje (një pune etj.) e njeh, e zotëron fare mirë dikush diçka (një punë etj.), fiton njohuri, shkathtësi a shprehi të mbëhishme për të bërë, përdorur diçka dikush, bëhet i aftë, i zoti për diçka (një punë etj.) dikush pasi e ushtron ca kohë.2.(dikujt) e mundon shumë dikush dikë, e sfilit dikush dikë ; ia nxjerr  bishtin dkush fr.fol.id.- e tepron, bëhet i mërzitshëm me punë a sjellje të keqe, të pahijshme dikush, e tepron (për të keq) me sjellje e veprime të papëlqyeshme dikush, e prish keq a krejt  një punë  a diçka tjetër dikush, nuk durohet më dikush, vepron, punon, sillet    mënyrë  të pahijshme  dikush; bëhet bukë dikush fr.fol.,id.- bëhet i urtë, i bindur, i butë  dikush ; e bën  fushë dikë dikush  fr.fol.,id.- ia merr, ia rrëmben të gjitha gjërat dikujt dikush, e vjedh krejt dikë dikush ;e vret mendjen dikush  fr.fol.,id.-1. mendon  dikush.2. përsiat dikush, mendohet a mendon thellë dikush.3. (për diçka) e përsiat diçka dikush, e përpunon në mendje diçka dikush, e mendon mirë e mirë diçka dikush, e mendon thellë diçka dikush, mendon fort, shumë për diçka dikush, mendohet mirë, thellë, shumë për diçka dikush, mendohet mirë e mirë për diçka dikush ; (e)  merr më (në) qafë dikë dikush fr.fol.,id.-1. ia bën, ia sjell, ia shkakton ndonjë  të keqe, ndonjë  dëm , ndonjë fatkeqësi  dikujt dikush, është shkaktar ose fajtor  dikush për ndonjë  të keqe, ndonjë  dëm a ndonjë  fatkeqësi që e pëson  dikush a që i ndodh dikujt , i (ia) bën një  dëm të madh, një të keqe të madhe dikujt dikush,ia punon keq dikujt dikush,  e dëmton  keq, rëndë  dikë  dikush  (me një veprim, me një qëndrim a me një udhëzim të gabuar). 2. e fut në një gjendje, në një rrugë etj.)shumë të keqe dikë dikush ;i vihet   acar  dikujt dikush fr. fol., id.- e  ngut, e shtrëngon,e detyron, e ngushton   shumë,  pa  masë,së tepërmi  dikë dikush  për  të bërë diçka, i  bën  shtrëngesë, presion, trysni të madhe  dikujt dikush  për  të bërë diçka,  nuk  i  ndahet  fare dikujt dikush pa  ia  kryer  punën a pa ia   zgjidhur çështjen, e zorit dikë dikush ; bëhet pleh dikush  fr.fol.,id.-irnoset, nxihet në një vend në trup dikush (nga të shtypurit, të ndrydhurit, të rënët, të lënduarit a të vrarët me ndonjë mjet të fortë a të qupluar) ; ia bën dërrasë dikujt dikush fr.fol., id.-ia dërrason dikujt dikush, ia thotë haptazi, botërisht të metat, dobësitë, cenet, veset dikujt dikush, ia thotë në sy të keqen dikujt dikush; bën pallë  dikush  fr.fol.,id.- rri pa punë e pa bërë asgjë dikush, e kalon kohën pa u lodhur e pa e vrarë mendjen për asgjë dikush,   kalon çaste  të bukura të jetës dikush, jeton mirë e shkujdesur dikush, rron, jeton pa halle,  pa e çarë kokën për asgjë dikush, nuk e prish gjakun kurrë për asgjë dikush, kënaqet, zbavitet, dëfrehet, argëtohet në jetë dikush   etj. etj.

Nga  shembujt, që u morën në syzim e vështrim, del se, frazat  idiomatike për nga kuptimi dhe për nga struktura përbërëse, ndërtimore fjalësore, janë specifike për çdo gjuhë. Struktura e tyre përbërëse, ndërtimore fjalësore është strukturë klishetike, ngurtësore. Pra, te secila gjuhë, frazat idiomatike, kanë  karakter të veçantë dhe specifik përbërës, ndërtimor. Edhe kuptimi i tyre është specifik, klishetik, ngurtësor, i veçantë për çdo gjuhë përkatëse.

12.f r a z a t   i n v e r s i v e

Frazat inversive për nga kuptimi dhe funksioni  stilistikor kanë kuptim dhe funksion inversiv, kanë kuptim  dhe funksion të inversionit. Pra, frazat inversive, në shkrim dhe   ligjërim letrar,  kanë vlerë inversive dhe kryejnë funksion si inversione.

Frazat  inversive ashtu si edhe inversionet janë fraza  stilistikore  te të cilat kemi rend të anasjelltë të gjymtyrëve përbërëse nga rendi i rëndomtë i gjymtyrëve përbërëse të frazave  ftillimore (shpjegimore, interpretative).

Frazat inversive janë fraza stilistikore me rend të kundërt të gjymtyrëve përbërëse të frazave ftillimore, e sidomos të frazave përbërëse dygjymtyrëshe mbiemërore, te të cilat kuptimi mbetet i njëjtë, mbetet  po ai si te frazat ftillimore.

Më poshtë  krahas frazave ftillimore po i japim, po i shënojmë frazat inversive përkatëse.

Frazat  ftillimore                                             frazat  inversive

i   zi  korb                                                         korb i zi

e zezë  futë                                                        futë e zezë

i ftohtë akull                                                    akull  i ftohtë

i bardhë borë                                                   borë i bardhë

i lehtë pendël                                                    pendël i lehtë

i ëmbël mjaltë                                                  mjaltë i ëmbël

i verdhë dyllë                                                    dyllë i verdhë

i zi  pus                                                              pus i zi

i zi katran                                                          katran i zi

e kuqe flakë                                                       flakë e kuqe

i hidhur helm                                                    helm i hidhur

i zi pisë                                                               pis i zi

i zi pleh                                                               pleh i zi

i rëndë pleh                                                        pleh i rëndë

i zi cung                                                              cung i zi

i kuq prush                                                        prush i kuq

i nxehtë prush                                                    prush i nxehtë

Se cila frazë stilistikore do të ketë epërsi përdorimi  në ligjërim e shkrim letrar, varet  nga ligjëruesi se cilën  gjymtyrë përbërëse dëshiron ta theksojë me fuqi e veçanti.

Nga vënia në syzim e pasqyrim si dhe nga marrja në krahasim më sipër e këtyre dy tipave stilistikore të frazave, del, shihet qartë karakteri i kundërt, antinomik strukturor, ndërtimor i gjymtyrëve të tyre përbërëse, të cilat kanë kuptim të njëjtë semantik.



(Vota: 26 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora