E enjte, 01.05.2025, 09:09 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Martiri i Krishterimit Gjergji Thimio

E merkure, 14.05.2014, 07:55 PM


Martiri i Krishterimit Ortodoks Shqiptar Gjergji Thimio

Nga Kastriot Myftaraj

Në raport me numrin e popullsisë, asnjë bashkësi religjioze në Shqipëri nuk ka dhënë aq shumë dëshmorë të çështjes kombëtare shqiptare, sa bashkësia e krishterë ortodokse. Krahasimisht me numrin e popullsisë të kësaj bashkësie, ajo ka pasur numrin më të lartë të veprimtarëve për liri dhe pavarësi kombëtare. Ata kanë luftuar për të drejta kombëtare dhe religjioze, për të pasur shtetin nacional shqiptar dhe Kishën e Pavarur (Autoqefale) Ortodokse të Shqipërisë.

Në kohën e Rilindjes Kombëtare ata kanë luftuar me armik të dyfishtë, me shtetin otoman dhe me Kishën dhe shtetin grek. Më pas kanë luftuar me Kishën Greke, dhe me ato lobe shtetërore në Shqipëri që i kanë goditur atdhetarët e krishterë ortodoksë për llogari të Greqisë, nën ndikimin e së cilës kanë qenë. Bashkësia e krishterë ortodokse shqiptare ka qenë ajo bashkësi që ka pasur martirë që ranë për kauzën e dyfishtë kombëtare-religjioze, duke qenë se ata kanë dhënë edhe jetën e tyre për të pasur një Kishë Ortodokse Shqiptare. Fjala “martir” që përdoret fjalorin religjioz për ata që sakrifikojnë jetën në emër të fesë së tyre, do të thotë “dëshmor”. Dhaskal Todri, Naum Bredhi (Veqilharxhi), Papa Kristo Negovani, Themistokli Gërmenji, Aristidh Kola, janë disa nga dëshmorët dhe martirët më të shquar që ka dhënë kjo bashkësi në luftën për të drejta kombëtare dhe religjioze.

Kur do të shpallej Pavarësia Kombëtare në 1912, u bënë shumë përpjekje nga Greqia që në Kuvendin e Vlorës të mos shkonte asnjë i krishterë ortodoks dhe Akti i Pavarësisë të mbetej pa firmën e të krishterëve ortodoksë shqiptarë. Në atë kohë, falë privilegjeve që i kishin bërë Sulltanët otomanë në shekuj Patriarkanës së Konstantinopolit (Stambollit), të gjithë drejtuesit e Kishës Ortodokse në trojet ku kishte popullsi ortodokse shqiptare qenë grekë. Dhe peshkopët grekë u përpoqën ta ndalojnë popullsinë e krishterë ortodokse që të dërgonte përfaqësues në Kuvendin e Vlorës. Kështu Greqia, Serbia, por edhe Rusia në tryezat e fuqive të mëdha, dotë kishin mundësi që të thoshin se pavarësinë e Shqipërisë e kanë shpallur arnautët (muslimanët) të lidhur me katolikët që janë ndikuar nga Austro-Hungaria, dhe se të krishterët ortodoksë nuk e pranojnë shtetin që kërkojnë të ndërtojnë ata. Në këtë rrethanë nuk do të kishte qenë në gjendje Austro-Hungaria që të bënte presion në tryezat e fuqive të mëdha për krijimin e shtetit shqiptar. Dhe shteti shqiptar nuk do të mund të ishte krijuar.

Por kjo përpjekje djallëzore nuk funksionoi se në Vlorë jo vetëm që shkuan atdhetarë ortodoksë si përfaqësues të popullsisë së tyre, por madje shkuan në një numër më të madh se ç’ duhet të ishin në përpjestim me masën që zinte popullsia e krishterë ortodokse në krejt popullsinë e trojeve shqiptare. Dhe u bë mirë. Në Vlorë shkuan si delegatë Jorgji Karbunara, Dhimitër Tutulani, Lefter Nosi, Dhimitër Berati, Petro Poga, Jani Papadhopulli, Pandeli Cale, Thanas Floqi dhe Spiro Ilo, Dhimitër Ilo, Jani Minga dhe Aristidh Ruçi, Kristo Meksi, Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja. Në Vlorë shkuan përfaqësues nga të gjitha krahinat që kishin popullsi ortodokse shqiptare. Vetëm nga një qytet i Shqipërisë që kishte popullsi ortodokse shqiptare, Durrësi nuk shkoi asnjë përfaqësues. Ky qytet, për turpin e popullsisë së tij ortodokse, nuk dërgoi asnjë përfaqësues të krishterë ortodoks në Kuvendin e Vlorës. Ismail Qemal Vlora, kur zbriti nga anija në Durrës, bëri përpjekje të mëdha që të merrte me vete edhe një përfaqësues të krishterë ortodoks me delegatët e Durrësit. Por nuk ia arriti për shkak të ndikimit të Peshkopit grek të Durrësit, kriminelit të luftës dhe mikut të mëpasëm të Haxhi Qamilit, Jakovis. Nga Durrësi shkuan katër delegatë, tre muslimanë dhe një katolik. Krahu i djathtë i Peshkop Jakovisit ishte Kristaq Rama, stërgjyshi i Edi Ramës, Kryeministrit të sotëm të Shqipërisë. Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, një gazetë botoi dokumente të rreme që tregonin se stërgjyshi i Edi Ramës kishte qenë veprimtar që kishte marrë pjesë në ngritjen e flamurit kombëtar në Durrës, në nëntor 1912. Nuk është e vërtetë. Nëse stërgjyshi i Edi Ramës do të kishte pasur ide të tilla, ai do të kishte shkuar me Ismail Qemalin në Vlorë. Stërgjyshi i Edi Ramës ishte tregtar i pasur dhe kishte kuaj të mirë, me të cilët mburrej, kështu që mund të shkonte fare lehtë me karvanin e Ismail Qemalit, nëse dëshironte.

Që nga krijimi i shtetit shqiptar dhe deri më sot, Greqia ka bërë përpjekje konstante për të përdorur ndikimin që arrinte të siguronte në Shqipëri, që me anë të zyrtarëve të shtetit shqiptar, të dhunonte të krishterët ortodoksë shqiptarë me sjellje prej atdhetari shqiptar, të cilët kanë punuar edhe për promovimin dhe fuqizimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri si kishë e pavarur kombëtare shqiptare. Episodin më domethënës dhe spektakolar që ilustron mënyrën se si punon Greqia në Shqipëri, e pamë në 7 maj 2014. Pikërisht në këtë ditë, z. Gjergji Thimio, një koleksionist privat i licencuar sipas ligjeve në fuqi, i krishterë ortodoks shqiptar, me origjinë nga një familje atdhetare korçare, e cila iu ka dhënë luftëtarë forcave të armatosura të Rilindjes Kombëtare të asaj zone të komanduara nga Spiro Bellkameni, Themistokli Gërmenji etj., bëri një deklaratë të bujshem në procesin gjyqësor ku ka dalë si i pandehur, i arrestuar prej disa muajsh, i akuzuar për vjedhje të veprave të artit. Gjergji Thimio ka si pasion dhe traditë familjare mbledhjen e ikonave, pikturave dhe veprave të artit në përgjithësi. Ai është një person i ngjashëm me Z. Pons, të romanit të Balzakut “Kushëriri Pons”. Dhe ashtu si Ponsin, e vunë në shënjestër për ta vjedhur, edhe Thimion. Por ata që vunë në shënjestër Thimion nuk qenë vjedhës të rëndomtë, por vetë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Të dy kishin arsye të ndryshme në fakt. Edi Rama donte të përvetësonte koleksionin e Thimios. Janullatosi donte që të zhdukte, të asgjësonte ato ikona të koleksionit të Thimios që i përkasin një shkolle autentike të ikonografisë shqiptare, të ndryshme nga ajo greke dhe sllave.

Fatos Nano është njeriu i cili e inicioi karrierën politike të Edi Ramës, duke e bërë Ministër të Kulturës, në kohën që ishte kryetar i PS-së dhe Kryeministër, në 1998. Vite më pas Fatos Nano ka thënë në një intervistë televizive se e pati gjetur Edi Ramën në Paris ku jetonte si trafikant ikonash të vjedhura me thonj të paprerë. Nano nuk e tha qartë se me udhëzimin e kujt e thirri Edi Ramën, por këtë gjë e tha tërthorazi, kur e quajti “masoni i pasuruar Edi Rama”. Njeriu i cili e katapultoi Ramën në politikë, me siguri që di shumë për të shkuarën e Ramës. Kështu që kjo akuzë e Nanos ndaj Ramës dukej e besueshme, ndonëse kishte një dyshim se mos Nano e thoshte këtë për shkak se tashmë mes tij dhe Ramës kishte nisur një grindje politike. Pikërisht për arsye të akuzave që i qenë bërë Ramës dhe duke konsideruar se cili ishte njeriu që i kishte bërë, askush nuk priste që Edi Rama, me t’ u bërë Kryeministër, do të rifillonte të ushtronte profesionin e vjetër të vjedhësit të ikonave. Se kështu do t’ i konfirmonte akuzat e Nanos. Por Rama me sa duket është kleptoman sa u përket ikonave dhe veprave të artit.

Kështu që, pak javë pas ardhjes së Ramës në pushtet u arrestua koleksionisti i njohur Gjergji Thimio. Që prej arrestimit të tij, koleksioni i tij privat është konfiskuar me urdhër të Prokurorisë. Unë e di se ata që lexojnë këtë shkrim do të thonë se përse të duhet ty që nuk je i krishterë ortodoks të përzihesh në çështje që kanë të bëjnë me Kishën Ortodokse. Por unë e bëj këtë gjë kur shikoj se çdonjëri prej institucioneve fetare në Shqipëri vihet në varësi të forcave të huaja që kërcënojnë ekzistencën shtetërore të Shqipërisë. E kam bërë këtë kritikë gjerësisht edhe ndaj Islamit dhe kam të drejtë ta bëj edhe ndaj institucioneve të tjera religjioze në vend. Dhe gjej rastin ta bëj kur një vëlla bashkëkombas denoncon publikisht ata që kanë uzurpuar një institucion religjioz shqiptar dhe e përdorin si armë në luftën e Helenizmit kundër Shqipërisë.

Gjergji Thimio (në foto), me kurajën e besimtarit dhe shqiptarit të ndershëm deklaroi para Gjykatës, para opinionit publik shqiptar dhe përpara botës:

“Akuzat ndaj meje janë trillium, trillim. Refuzova të jepja një pikturë origjinale të Onufrit. Pikturën, që kushtonte 1 milionë euro, ma kërkuan deputeti Koço Kokëdhima, Artan Lame dhe kryeministri Edi Rama. Pikturën donin t’ja jepnin dhuratë ish-kryeministrit të Britanisë Toni Blair. Pas refuzimit tim për t’u dhënë pikturën që e kisha trashëgimi personale, u ngritën akuzat ndaj meje. Kërkoj drejtësi. Nuk jam trafikant, 2300 objekte mungojnë nga muzeu personal. Arrestimi im ka bekimin edhe të kryepeshkopit Anastas Janullatos. Ishte një operacion famëkeq, tipik banditesk, fashist, i cili u ideua në zyrat më të errëta anti-shqiptare, në zyrat sllavo-greke-ortodokse. Operacioni u drejtua nga Rama e Kokëdhima, u zbatua nga Ministri i Brendshëm Tahiri dhe pati bekimin e uzurpatorit të kishave, Janullatos. Vetë Rama kur ishte Ministër Kulture hapi ekspozitë me veprat e mia”.

Kur fliste z. Thimio në sytë e tij kishte një ndriçim si të martirëve të vjetër të Kishës. 7 maji është një ditë e veçantë në kalendarin e Kishës. Në këtë ditë, në vitin 351, në qiellin mbi qytetin e shenjtë të Jerusalemit u shfaq shenja e kryqit të shenjtë. Përkujtim më të bukur nuk mund t’ i kishte bërë Thimio si besimtar kësaj mrekullie të shenjtë, se me fjalimin e tij para Gjykatës.

Gjergji Thimio foli si besimtar i krishterë ortodoks, por ama si i krishterë ortodoks shqiptar. Ai guxoi të denoncojë Janullatosin dhe ky është denoncimi më i rëndë që i bëhet Gjeneralit të Shërbimit të Fshehtë Grek, EYP, i ardhur në Shqipëri si Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale, Anastasios Janullatos. Duke qenë se në Greqi Kisha nuk është e ndarë nga shteti, Ushtria, Policia dhe Shërbimi i Fshehtë kanë një hierarki priftërinjsh të atashuar ndaj hierarkisë ushtarako-policore, dhe këta priftërinj janë si “komisarët politikë” në ushtritë komuniste. Janullatos ka qenë kryeprifti i EYP deri në 1991, ndonëse mbante dhe detyra të tjera dekorative. Me fjalimin e tij z. Thimio iu tha të gjithë të krishterëve ortodoksë shqiptarë se për të qenë i krishterë ortodoks i mirë nuk është nevoja që të jesh janullatist. Zoti njeh si Birin e tij, pa të cilin Kisha nuk mund të ekzistojë vetëm Krishtin dhe nuk thotë asgjë për Janullatosin.

Janullatosi ka ngritur kisha të mëdha prej betoni, i ka pajisur shumë mirë ato me gjithçka që duhet të ketë një kishë, por Zoti mungon në to, Shpirti i Shenjtë mungon në to. Se në ato Kisha shkohet për të puthur sende prej druri e për të ndezur qirinj, që njerëzit të përfitojnë pensione e privilegje të tjera, bursa për fëmijët, e dikur edhe viza e leje qëndrimi në Greqi për të punuar. Zoti dhe Shpirti i Shenjtë ishte dje me Gjergji Thimion në sallën e gjyqit. Shenjtorët dhe Martirët e vjetër të Kishës që sot janë përjetësuar në ikona dhe nderohen e adhurohen në ritualet fetare nuk i kanë thënë fjalët e tyre në Kisha të mëdha e të pajisura në mënyrë luksoze, por kur kanë qenë me duar të lidhura me hekura e pas kafazëve me hekura ku i patën futur idhujtarët. Edhe Gjergji Thimio foli pas hekurave si Martirët e vjetër të Kishës.

Fjala “martir” do të thotë “dëshmitar”. Martirët e vjetër të Kishës dëshmonin me qëndrimin e tyre besimin e tyre te Zoti, te Krishti. Gjergji Thimio është një martir se ai dëshmoi në emër të besimit të tij, se është i krishterë ortodoks, por jo grek, është shqiptar i krishterë ortodoks.

Gjergji Thimio ka të drejtë në gjithçka tha me përjashtim të një gjëje. Operacioni kundër tij nuk ishte fashist, se fashizmi nuk ka të bëjë këtu. Operacioni ishte një kombinim i llojit sorosiano-bizantin, ndryshe mafiozo-ikonoklast, ku pjesën sorosiane e përfaqësonte Kryeministri Edi Rama, ndërsa pjesën ikonoklaste Kryepeshkopi grek i Kishës Ortodokse të Uzurpuar të Shqipërisë, Janullatos. Janullatos kishte interes që nga koleksioni i Thimios të zhdukeshin ikonat që përfaqësojnë një shkollë ikonografike autentike shqiptarë, që nisi të profilizohet pak nga pak në shekuj. Edi Rama përfaqëson pjesën mafioze se ai donte t’ i grabiste Thimios tablonë e çmuar të Onufrit, për t’ ia bërë dhuratë Tonny Blair, me imazhin e të cilit kërkon të luajë me shqiptarët atë që bënte dikur Berisha me Tom Ridge, duke e paraqitur si këshilltar, gjë për të cilën Rama e ka tallur paraardhësin e vet.

Rama fare mirë mund t’ i kishte dhuruar Blair-it një tablo të piktorit të madh europian Fate von Velaj, këshilltarit të tij për diplomacinë kulturore, ose fundi i fundit një tablo të vetën, si piktor që është, ose të dy tablotë bashkë. Por Rama nuk e bën këtë gjë, se Blair do ta marrë si tallje.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë Prokuroria e ngre dhe e përfaqëson akuzën në emër të shtetit. Ajo që nuk duhet harruar është se këtu është fjala për shtetin shqiptar, jo për ndonjë shtet tjetër. Se në rastin e z. Thimio akuza, qartësisht është ngritur dhe përfaqësohet jo në emër të shtetit shqiptar. Ajo që ka ndodhur në rastin e z. Thimio është që Kisha e Greqisë po i përdor institucionet e shtetit shqiptar, në këtë rasti Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë, për të bërë atë gjë që kanë bërë grekët me anë të vrasësve të paguar ndaj Papa Kristo Negovanit, një e shekull e ca më parë. Kujt i shërben një “Papa Kristo Negovan” i ri në 2014? Vetëm Greqisë. Z. Thimio e kanë kërcënuar me vdekje pas deklaratës së tij në gjyq. E kanë kërcënuar brenda në burgun e shtetit. Asnjë hetim nuk është bërë këtë cështje.

Ata që po e shkelin me këmbë z. Thimio mendojnë se ai është njeri pa mbështetje dhe me të mund të abuzosh si të duash. Gabohen se pas z. Thimio qëndron Shqiptarizmi, Nacionalizmi Shqiptar. Dhe Nacionalizmi Shqiptar di edhe të jetë i përgjegjshëm, i vetëprmbajtur, por kur shikon se, në kohën që në regjionin e Ballkanit i jepet licencë deri edhe Gruevskit të promovojë fuqishëm nacionalizmin fiktiv maqedon, në Shqipëri jepen licenca që aleanca sorosiano-bizantine të godasë Shqiptarizmin në një pikë historikisht shumë delikate siç janë atdhetarët me përkatësi religjioze të krishterë ortodokse, këtu pastaj prishet pakti i heshtur mes Nacionalizmit Shqiptar dhe qendrave ndërkombëtare relevante për përgjeshmëri në të mirë të stabilitetit. Ata që duan të bëjnë një “Papa Kristo Negovan” të ri duket se paskan harruar se kush e pagoi gjakun e Papa Kristo Negovanit, apo mendojnë se është kohë tjetër sot. Por nuk është kohë tjetër, meqënëse sot po shohim të përsëritet historia e priftit martir nga Negovani.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx