E hene, 29.04.2024, 09:00 AM (GMT+1)

Faleminderit

Gani Mehmeti: Avdush Hasani- Kolosi i Teatrit

E hene, 05.05.2014, 07:05 PM


Të gjallët u kanë borxh të vdekurve

AVDUSH HASANI

Kolosi i Teatrit Popullor    Prishtinës

Ekskluzive nga Gani I. Mehmeti

Të shkruash për njerëzit e mëdhenj është shumë vështirë, sepse, sa është një privilegj në shikim të parë, edhe më shumë është një përgjegjësi, për shkakun se  është zor të shkruhet për aq sa e meriton ai. Prandaj, ne nuk guxojmë të themi se kemi shkruar mjaft, absolutisht, ne vetëm kemi dashur ta përkujtojmë, sot, në datëlindjen e tij të 64-të, që ka më shumë se 17 vite nga shuarja e jetës së tij.  Avdushi ka pasur një jetë, një frymë, një dalldi, një vizion, një synim, një dëshirë, që nuk e ka lënë vetëm në fatin e dëshirës, por që ka punuar në atë drejtim, një kërkesë haptas me kolegët e punës, me shokët e ndejës për një Shqipëri  Etnike, malli i së cilës e ka djegur gjatë tërë jetës ngado që shkonte, me këdo që ishte, pra edhe në punën e tij prej një aktori shumë-shumë të shquar. Aktor të madh e bënë kodrat, malet dhe bjeshkët e larta të ngritura të vendlindjes së tij – Pakashticës, që e benë një aktor në jetë dhe në aktrim, duke i dhënë cilësi e veti autoriale, sepse ai i ndjente brenda në shpirtin e tij.

Në lojërat e tij dramatike e të filmit, natyrisht se ndikuan shumë Rilindasit dhe burrat e shquar për luftën e Lirisë, jo vetëm nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, por këtu dëgjohej, flitej e përflitej dhe komentohej edhe tragjedia e familjes së Demë Ahmetit në Mavriqin e afërt me Pakashticën. Dhe, nuk ishin e as ishte rrëfimi për këtë ngjarje mbjellja e urrejtjes së popullit shqiptar kundër një populli barbar serb, por ishin vetë barbaritë serbe që me masakrat e bëra dhe me përpjekjet e tyre që të na qesin deri edhe përtej detit Adriatik, ishte ajo që vërtet kishin mbjellë urrejtjen ndaj tyre, nga që edhe janë të urryer. Pikërisht kjo bëri të vetën që, Avdush Hasani të ketë për role në filmat e luajtur prej tij, burra e luftëtarë të shquar e të paepur të popullit shqiptar.

Eh, Avdush Hasani!  Po kush do të mund ta luante cilindo rol të cilit do shqiptar më mirë se ti? Askush! Ai ishte i nivelit më të lartë aktorial. Ai, edhe kur luante rolin e fshatarit, pasqyronte fshatarin tipik me të gjitha vuajtjet, punën, sjelljen  dhe gëzimet e tija. Kur ai luante rolet e cilitdo luftëtar, tregonte vërtet se si ka mundur të ishte një luftëtar. Avdushi kishte sens të luante të gjitha llojet e roleve dhe të të gjitha kohërave, sepse një gjë të tillë i kishte falur edhe natyra – trupin e gjerë dhe  mjaft të lartë për të mos lënë asgjë mangut. Ishte i kompletuar për aktor, duke përfshirë të gjitha elementet fizike e psikike dhe me vetë artin dramatik e filmor që u jepte shpirt burrave të mëdhenj të kohës. Ia kemi edhe për lakmi!

Po, ditën kur u varros i pavdekshmi, një bashkëfshatar i Avdushit, natyrisht, nga dhembja tha:

-    Eh, vdiq...!

-    Nuk e di, në jemi ne më të vdekur se ky, sa do që numërohemi se jemi gjallë! – ia ktheva, natyrisht, duke menduar në veprën e tij që ka lënë Avdush Hasani dhe në atë tonën që nuk kemi bërë, pothuaj asgjë. Dhe, se, ky Avdushi, do të mbetet i paharruar, duke u bërë gjithherë e më i madh, ndërsa neve... nuk na dihet...

Avdush Hasani u lind më 6 maj 1950 në fshatin Pakashticë nga babai Halim dhe nëna Nole, babai i të cilës ishte Mulla Bekteshi i Pakashticës, me teologjinë e kryer atë kohë në Stamboll. Nëna e Avdushit ishte lindur pas vdekjes së babait të saj. Avdushi  shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme, tri klasë i kreu në Mitrovicë, ndërsa klasën e katërt në Gjimnazin e    Podujevës.    Pas  shkollimit    mesëm,  ai regjistroi Artin Dramatik pranë SHLP në Prishtinë, ku e kreu me sukses.

Avdushi kishte për shokë burrat e trimat, njerëzit e njohur të Atdheut e të artit letrar e muzikor, siç ishin Jusuf Gërvalla me nënën e tij - Ajshen, pastaj me këngëtarin e shquar Ismet Bogujevcin, me të cilët kalonte net të tëra pa fjetur në odën e ngrohtë, me të cilët nuk dinte të ngopej së llafosuri e së kënduari, po duke planifikuar se si të shpëtonte Kosova e populli shqiptar nga kthetrat serbe, nën të cilat ishte futur ajo. Avdushin e kanë   karakteizuar të gjitha tiparet e një njeriu të madh: modestia, thjeshtësia, bujaria. Me çështjen kombëtare ka nisur të merret qysh i ri, të cilën  ka pasur në plan të parë. Ka qenë shumë shpirtmirë, i dashur, human e shumë-shumë i dhembshëm për të paaftët dhe të varfërit. Qe përplot virtyte.

Më 1971[1] u inkuadrua në punë në Teatrin Popullor të Kosovës, bashkë me një brez të suksesshëm të artistëve të skenës shqipe, ku punoi deri në vitin 1990, ku pas dhunës së okupatorit serb detyrohet të bëjë jetë egzili në Gjermani. Ndër rolet e para të realizuara, ishte roli i Halilit në shfaqjen "Halili e Hajria" në Podujevë më 1973. Në teatër dhe në film, Avdush Hasani realizoi role shumë të suksesshme në shfaqjet "Dasma e Përgjakur"," Verbërimi i Samsonit", "Gjërat që s'preken", "Zogu i diellit", "Hamleti", "Konfiteori", "Vdekja më vjen prej syve të tillë" e tjerë. Avdush Hasani intepretoi role në teledramat "E shtëna në ajër" dhe "E kafshoja terrin", si edhe në dramatizimin televiziv të tregimit "Nën çarr po rrinte vasha". Rolet në teatër e televizion i hapën rrugën për role në filmat artistikë të Kosovës, si në "Gjurmë të bardha", "Proka", "Pikniku", "Njeriu prej dheu", "Prroi vërshues", "Era dhe lisi" etj.

Avdush Hasani ishte një aktor i lindur. Ai shquhej për fizikusin e tij, zërin e thellë dhe kulturën e gjerë. Falë Avdush Hsanit ne pamë të gjallë Beselamin e Qosjes, Samsonin e Nolit, Akilin e Euridipit, Mujë Klecin e Rr. Dedajt dhe F. Hysajt, Shpend Sokolin e Y. Shkrelit, Danjollin e Sherkës të Rexhep Qosjes, Pjetër Bogdanin e T. Dervishit etj. Avdushi foli në skenë, atje i tha të gjitha. Foli shqip, vetëm shqip, sepse ishte artist i etnosit, artist me profil total shqiptar. Bëri jetë të pagabuar skenike. Në heshtje ujiti dhe kultivoi edukacionin e vetëdijes kombëtare. Ai kishte orë një hije, një shpirt dhe një format aktori iliro shqiptar. Ishte jokomformist, aktor me vokacion të lindur dhe habitus të rrallë. Artist për Tempullin e Zotit si i tillë ai ndërtoi shpirtin e kombit. Avdush Hasani ishte pasardhës i denjë i Aleksandër Mojsiut, i shkëlqyer në Teatrin Kombëtar Shqiptar të Prishtinës.

Pas shkllazimit të dhunës së okupatorit serb në Kosovë dhe instalimit të sistemit të segregacionit serb në Teatrin e Kosovës, Avdush Hasani u largua nga puna dhe jetoi në egzil në Gjermani. Me 2 janar 1997 në Gjermani vdiq aktori Avdush Hasani.

Dibran Tahiri, në marrjen e kumtit të rëndë për vdekjen e aktorit të madh dhe kolegut nga Teatri Popullor i Kosovës, shprehet: "Do të arrijmë në majë", - thoshte Avdushi në dramën e Anton Pashkut "Gof" diku në fillim të karierës së tij aktoreske. E tani kaloi në "matanje", siç do të thoshte Gjeçovi. Në kohën kur shpresonim se do të kthehet nga mërgimi për t'i vënë krahun Dramës Shqiptare, ta ngjallte dhe ta forconte si dikur. Në kohën kur e pritnim të kthehej në familjen e gjerë të aktorëve ku Avdushi duhej dhe respektohej. Për të mbramen herë në skenën tonë shkëlqeu në rolin e Pjetër Bogdanit në dramën "Zhvarrimi i Bogdanit" të Teki Dervishit në regji të Fadil Hysajt. Dhe shkoi kur në Tempullin e Talias tani më dhuna kishte lëshuar rrënjë. Mbase atëherë fillon edhe lëngata e tij. Disa "vjet më parë" ishte sovran në inskenimin e parë të dramës së Nolit "Verbimi i Samsonit" në regji të Agim Sopit. Kishte pamje impozante në skenë prandaj edhe i "flenin" role të tilla. Për një repertor të tillë të zgjedhur u imponua në hapat e parë në skenë në dramën e Lorkës "Dasma e përgjakur" në regji të A. Gashit. Të kënaqte veshin orkestrina e baritonit të tij - ndërsa në ekran kamera i miklonte fytyrën e tij fisnike. Ende e mbaj mend shtërngimin e dorës në ndarje dhe shkëlqimin e syve blu, thekson në fund aktori Dibran Tahiri.

Në rolet që luajti në disa filma kosovarë, ai u shqua si aktor dhe shpejt u bë i popullarizuar. Në role ishte i kompletuar sepse dinte t`u binte instrumenteve muzikore, kishte një zë burri madhështor për këngë historike që u këndohej trimave dhe luftëtarëve e heronjve nga më të lashtit e deri tek heronjtë  më të rinj, pra të të gjitha kohërave, e veçoheshin ato kundër armikut të deridjeshëm, kundër serbëve. Avdushi dinte shumë këngë përmendësh. Ai vetë i këndontre dhe i përcillte me çifteli.Me një afsh të madh i binte aq shkelqyeshëm çiftelisë, instrumentit të vjetër shqiptar, me të cilën ai përcillte këngët që i këndonte. Avdushi ka qenë i lindur aktor. Ai përveç talentit në aktrim kishte edhe trupin e pamjen fizike. Nëse e sheh në rolin e fshatarit, është tipik një fshatar, nëse e sheh  në rolin e druvarit, duket sikur nuk është në rol duke luajtur, por sikur tamam është vetë druvari. Kështu ngjet edhe kur e sheh ne rolin e ushtarit, komandantit a kujtdo qoftë. Ai dinte aq bukur të interpretonte rolet sa shikuesit i duket se po e sheh një ngjarje sikur po zhvillohej aty për aty, e jo që kishte mundur të ndodhte dikur e dikund. Prandaj nuk thuhet më kot se ai ishte një emblemë e Kosovës.

Ai ishte i mllefosur, i revoltuar e i armiqësuar dy herë në armikun: Një herë pse të parët e tij i kishte lënë pa vendin e tyre, duke i ndjekur nga Toplica (fshati Sollovë), dhe herën e dytë, pse serbët kishin okupuar edhe Kosovën, vendin ku ishin ngulitur pas  përndjekjes në vitet 1877/78.

Avdush Hasani vdiq i ri, në moshën para se t`i mbushte 47 vjet. në Gjermani, ku kishte emigruar mbasi Serbia i kishte larguar nga puna të gjithë punëtorët e trupës së Teatrit Popullor të Prishtinës, me mallin e pashuar dhe brengën e madhe se çdo të ndodhë me Kosovën dhe shqiptarët. Vdiq në kohën më të mirë për t`i dhënë kinematografisë kosovare vepra tjera të mëdha, por vepra e tij madhore e bën të pavdekshëm, duke e bërë gjithherë e më të madh me kalimin e kohës.

Dashamir i artit ka qenë qysh  kur ishte nxënës. Ka marrë pjesë në aktivitete të lira dramatike e letrare në shkollë, në të cilat edhe shquhej.

Me vdekjen e tij të hershme teatri dhe kultura shqiptare humbën një artist të madh.

Për Avdush Hasanin kanë thenë[2]:

Emin Halili, regjisor, e quan Avdush Hasanin “Emblemë kosovar” në aktrim. Ai lexonte shumë. Ishte punëtor i madh. Në filmin “Pikniku” ai arriti shumë. Ka luajtur edhe në filmin “Njeriu prej dheu”[3]. Ka luajtur edhe në filmin “Kur pranvera vonohet”. Avdushin e ka çmuar shumë lart vazhdimisht kritika letrare dramaturgjike.

Për Avdush Hasanin flisnin edhe regjisorë e aktorë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe aktori i njohur, Enver Petrovci.

Ismail Hasani, i vëllai i tij: Avdushi ka qenë një fëmijë i urtë dhe i sjellshëm. Askush nuk mban mend një fjalë të keqe prej tij.

Shkollën Fillore e ka krye në Krypimeh, ka vazhduar pastaj në Gjimnazin “8 Nëntori” në Podujevë, por e ka mbaruar në Trepçë, ku aso kohe e kishte atje të atin me punë dhe me banim – në Trepçë.

Si nxënës ka qenë dashamir i artit dhe ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme letrare e kulturore në shkollë, si nxënës. E ka dashur më së shumti artin dramatik, të cilin e kreu me sukses.

Ka qenë fëmija i gjashtë i prindërve tanë, ka lindur më 6. V. 1950

Ka kaluar një kohë të punës në Teatrin Popullor të Prishtinës, ku ka marrë pjesë si aktor në shumë shfaqje, duke interpretuar role të ndryshme me shumë sukses.

Ismet Bogujevci:

Shkonim në odën  etij në familje dhe luanim gjithë natën me të, me Skënder Tafën. Nuk e harroj kurrë.

Rrahman Hasani, kushëri i Avdushit:

Kemi shumëçka të flasim për të, por do të flas vetëm  nga afër për të. Kam çka të zbulojë shumë për të që opinioni i gjërë ndoshta edhe opinioni llapjan nuk e kanë ditur se Avdushi, përveç aktrimit ka qenë edhe një këngëtar  jashtëzakonisht i mirë. Ka interpretuar dhe i kanë pëlqyer më së shumti këngët e trimërisë.

…kemi qenë miq të mëdhenj. Kemi kaluar një kohë mjaft të gjatë bashkë. Avdushin e kanë karakterizuar  të gjitha tiparet e një njeriu të madh, modestia, thjeshtësia, bujaria.

Bajram Hasani, vëllai tjetër i Avdushit:

Ka qenë fëmija më i pjekur, ka qenë shok. Ka qenë jashtëzakonisht i sjellshëm. Në shtëpinë tonë vinin shokë të tij të ndryshëm, si Jusuf Gërvalla, Nëna Ajshe, kanë qenë bashkëpunëtorë të shumtë të tij – aktorë e këngëtarë. I ri ka filluar të merret me çështjen kombëtare. I linte anash tjerat, kur vinte çështja kombëtare. Kështu që, kjo ndoshta u bë edhe shkas i sëmundjes së tij.

Flitnin për kombin, bënte për kombin, jepte për kombin. Avdushi, pas shpërbërjes së Teatrit Popullor të Prishtinës shkoi në Gjermani, ku sëmuret dhe vdes atje.

Kjo është një humbje shumë e madhe për familjen, për shoqërinë,  për kombin, për rrethin, sepse ka qenë një njeri shumë i afërt, sidomos për të varfërit. Çdoherë i ka munduar kjo.

Një koleg i tij, kërkoj falje, pse nuk munda t’ia marrë emrin:

Kishte pikëpamjet më të mira të aktorit, ishte një aktor tipik i maleve të Bjeshkëve të Alpeve, aktori më shpirtëror, më i madh, më i pasur, aktor popullor. Ishte shumë komunikativ.

Avdush Hasani ishte  aktorti tipik   i viseve shqiptare, i malësorëve shqiptarë i cilësdo anë.

Fehmi Berisha, marrë nga interneti nga një intervistë:

Në këtë kohë përmes Ramadan Dibranit u njoha edhe me aktorin Avdush Hasani që  ishte një djalë i sinqertë dhe shok i mirë. Ai i donte fort shokët, bashkëmendimtarët,  në veçanti kishte respekt për Xhelën (Xheladin Rekaliun, G. M.). Në një rast, në kafenetë e Krypimehit, Dushi dhe Dani kishin ngritur dolli për festën e Flamurit. Mirëpo, aty në mur , e varur ishte fotografia e Titos. E kishin marrë nga muri vendosur në dysheme kokëposhtë dhe herë pas here e kishin qerasur me ndonjë kikirik ose gotë të zbrazur. Policia e Krypimehit pasi ua kishte tërhequr vërejtjen ca herë dhe ata s’ kishin dëgjuar që të disiplinoheshin, i kishte arrestuar. Mirëpo, Avdushi si aktor ishte i dashur edhe për një numër policësh shqiptarë, kështu që, pas ca orësh i kishin liruar. Pra, rrinim me ta, sepse ata për ne ishin idol, i çmonim e respektonim fort, por edhe pse në atë kohë , jo shumë veta, guxonin të rrinin e shoqëroheshin me ta, sepse ata ishin  “me shenjë”.

Avdushi lexonte shumë, ishte për bashkimin kombëtar.

Gani Mehmetui, bashkëfshatar:

Prej tij , në vitet e 80-ta të shekullit XX e pata marrë për lexim veprëne Ismail Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”. E di se shpejt e shpejt, pa mundur të marrë as shënimet e duhura, e pata lexuar dhe ia pata kthyer, sepse duhej lexuar edhe të tjerët, po edhe , nga që ishte e ndaluar, nuk ishte mire ta mbanim gjatë, sepse nuk I dihej ndonjë kontrolli. Nuk ishte problem se të gjindej, por ishte problemi se duhej treguar nga kush e ke marrë. Ky ishte problemi më i madh, se sa vetëm për vete nuk bëhej aq e madhe.

Pra, kam një element vërtetësie se ai lexonte dhe lexonte vepra të ndaluara të kohës dhe se e mundonte çështja kombëtare shqiptare.

Ne të gjallët u kemi borxh të vdekurve. Nuk duhet të heshtim, duhet të shkruajmë për vetitë e cilësitë dhe veprën e secilit që meriton. Ndryshe nuk e kemi kryer borxhin ndaj tyre që kanë dhënë krejt çka kanë pasur nga vetja për familjen, vendin dhe kombin e shoqërinë. E Avdushi kishte zemër të madhe, të dëlirë, të pastër, të dashur . Ai ishte aktor, këngëtar tipik tradicional shqiptar i të gjitha viseve shqiptare, pa dallim. Ai ka paur aftësinë të aktrojë ng secila anë e trojeve shqiptare, po karakteri i tij ishte më shumë popullor, përmes të cilit paraqitej shqiptari autentik, ashtu siç ishte ai.

Na vjen mirë që, Kuvendi Komunal në Podujevë i është kthyer kulturës dhe vlerave kulturore, i cili, më 17 dhjetor 2012 themelon teatrin e Qytetit në Podujevë me emrin e aktorit shumë të mirënjohur e të talentuar  “Avdush Hasani”, në seancën 34 dhe të fundit për vitin 2012. Me këtë rast, urojmë edhe teatrin për punë sa më të mirë e më ta mëdha, ashtu siç ishte vetë Avdush Hasani.


[1] Marrë nga Sh. Cakiqi:Podujeva.com

[2]  Marrë nga TV Dukagjini, me rastin e dhjetë vjetorit të vdekjes së aktorit, i cili vdiq më 2 janar 1997 në Gjermani.

[3] Nga fjala e Emin Halilit, regjisor, me rastin e shtatëvjetorit të vdekjes  të Avdush Hasanit, dhënë në RTV-21, më 24.IV.2004.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora