E hene, 29.04.2024, 12:48 PM (GMT+1)

Faleminderit

Don Lush Gjergji: Papa Gjon Pali II dhe shqiptarët

E diele, 27.04.2014, 08:22 PM


PAPA GJON PALI II DHE SHQIPTARËT

Nga Don Lush GJERGJI

Papa Gjon Pali II kishte  njohuri, nderim, mbi të gjitha dashuri dhe mirëkuptim për popullin shqiptar duke i falënderuar para së gjithash Nënës Tereze.

Ja dëshmia konkrete: Më 2 shkurt 1981 ishim në audiencë private te Papa Gjon Pali II së bashku me Imzot Nikë PRELEN (1918-1996), ipeshkvin e Kosovës. Në mbarim të takimit Papa na tha: “UNË PAS POPULLIT TIM POLAK MË SË TEPËRMI E DUA POPULLIN SHQIPTAR, SEPSE, SË PARI, KENI VUAJTUR TEPËR GJATË E TEPËR SHUMË DHE PADREJTËSISHT, DHE SË DYTI, SEPSE NA KENI DHURUAR NËNËN TEREZE”.

Imzot Nikë PRELA pas këtij takimi me Papën Gjon Pali II tha: “Papa më priti përzemërsisht… Gjatë bisedës ai tregoi ndaj nesh një mirëkuptim të madh… Ai interesohet fare mirë për popullin tonë, gjë që tregoi shumë herë edhe botërisht në raste të ndryshme.”[1]

Kjo nuk ishte vetëm fjalë apo emocion i përkohshëm, por qëndrim dhe vlerësim, të cilin Papa e ka dëshmuar gjithnjë.

T’i përkujtojmë vetëm disa hapa dhe veprime konkrete: Në vitin 1980 Gjon Pali II në Otranto të Italisë, pjesa më e afërt bregdetare me Shqipërinë, mbajti një fjalim të përmallshëm për Shqipërinë dhe Shqiptarët, duke nënvizuar vlerat dhe cilësitë e lashta dhe të larta dhe duke uruar ditë më të mira, paqe, liri dhe demokraci.

Në vitin 1984 Papa e vizitoi Barin e Italisë dhe ndër të tjera pati thenë: “Prej këtij qyteti mendimi im është drejtuar poashtu kah VËLLAZËRIT dhe MOTRAT TË SHQIPËRISË, të cilët s’kanë mundësi që botërisht ta tregojnë fenë e tyre, që është e drejta themelore e njeriut. Ndërsa u porosis të luteni për ta, DËSHIROJ T’IU THEM SE ATA JANË POSAÇËRISHT TË PRANISHËM NË ZEMRËN TIME…” [2]

Më 27 prill 1986 Papa Gjon Pali II u takua me një grup besimtarësh shqiptarë katolikë që jetojnë në Romë. Me atë rast Papa iu drejtua atyre me një fjalim të prekshëm dhe plot shpresë. Ja, fjala e Papës: “KY TAKIM, I PARI NË ROMË ME BASHKËSINË E SHQIPTARËVE, MË PREK THELLË NË ZEMËR. S’ËSHTË FJALA PËR NJË NGASHËRIM RASTI: THEM SE FJALA ËSHTË PËR NJË PËRMALLIM TË VAZHDUESHËM. PËR ÇDO DITË, SIDOMOS GJATË MESHËS SHENJTE, KËRKOJ TË JETOJ MARTIRIZIMIN E POPULLIT TUAJ, TË BESIMTARËVE TUAJ, TË VËLLAZËRVE DHE MOTRAVE TUAJA SHQIPTARE, DHE LUTËM PËR ÇDO DITË PËR ATDHEUN TUAJ, PËR TË GJITHË BESIMTARËT E FEVE TË NDRYSHME, SI EDHE PËR KISHËN NË SHQIPËRI, E CILA ËSHTË ZHDUKUR SA I PËRKET DUKJES SË JASHTME. POR E DINI MIRË SE KISHA S’MUND TË ZHDUKET NGA ZEMRAT, sepse është ndërtuar prej Shpirtit Shenjt, prej Fjalës së Krishtit, prej premtimit të Krishtit i cili gjallëron në zemrat e fetarëve. UNË BASHKË ME JU BESOJ THELLË SE KRISHTI JETON, se jeton këtu në Romë, në bashkësinë shqiptare romake, JETON EDHE NË VËLLAZËRIT TONË TË MARTIRIZUAR TË ATDHEUT TUAJ…

S’MUND TË MBYTET NJERIU QË E KA FENË E GJALLË…KJO ËSHTË SHPRESA JONË…NËSE NË JETËN E NJERIUT MBYTET ZOTI, MBYTET EDHE NJERIU… FJALËT E MIA JANË TË PAPËRSHKRUARA, POR PËRMALLIMI IM ËSHTË SHUMË MË I THELLË, SEPSE PËRJETOJ DHE I NDAJ PËRZEMËRSISHT DHE THELLËSISHT KËTO VUAJTJE TEJET TË MËDHA ME VËLLAZËRIT DHE MOTRAT SHQIPTARE… MË KËTË LUTJE DËSHIROJMË T’U JAPIM PAK NGUSHËLLIM SHPIRTËROR”. [3]

Më 6 maj 1988 Papa Gjon Pali II pati në audiencë një grup besimtarësh katolikë shqiptarë nga SHBA-ja dhe prej disa vendeve të Evropës. Ai në këtë rast ndër të tjera tha: “Të dashur vëllazër dhe motra, me gëzim ju përshendes, TË DASHUR BIJ E BIJA SHQIPTARE, që keni ardhur këtu nga shumë vende të Evropës e nga Amerika, me rastin e Vitit të Marisë. Gjatë shtektimit tuaj në Shenjtëroren e Gjenacanit, ku sipas traditës nderohet figurja e Zonjës së Shkodrës, pajtores së Shqipërisë…Vërtet, mirë se vini! KY TAKIM I MBUSH ZEMRAT TONA ME MALLËNGJIM. SHOH NË FYTYRAT TUAJA KRENARINË E LASHTË SHQIPTARE, por shoh edhe mallin për atdheun tuaj, tokën shqiptare, POPULL KY SHUMË BUJAR DHE ME KUJTIME TË LASHTA HISTORIKE, TRADITË TË LAVDISHME E LUFTË TË  GJATË PËR LIRI. KËTË VEND, GJEOGRAFIKISHT KAQ AFËR, E KAM POSAÇËRISHT NË ZEMËR. E, si mos të jetë kështu, PASI ATJE RUHET KUJTIMI I PRANISË SË APOSTUJVE NDREUT DHE PALIT, QYSH NGA FILLIMI I APOSTULLIMIT NË DURRËS, SELIA E PARË IPESHKVORE, MARTIRIZIMI I SHËN ASTITIT, E PASTAJ GJATË SHEKUJVE, NJË VARG MARTIRËSH E MARTIRESH?

SI MOS TA KEMI DASHURINË E VEÇANTË NDAJ NJË POPULLI, bashkësia katolike e të cilit i ka  mbetur besnike Selisë Apostolike dhe në rrethana më të vështira e të dhunshme?

E NJOH HISTORINË TUAJ, SHPESHHERË TË SHKRUAR ME GJAK. E DI SE ME ARSYE MBAHENI KRENARË PËR LIGJET E TRADITAT TUAJA BUJARE…ME ZEMËR PLOT SHPRESË, SË BASHKU ME JU, SE KISHA DYMIJËVJEÇARE, E RRËNJOSUR NË TOKËN SHQIPTARE, DO TË KETË LIRI TË PLOTË PËR TË VIJUAR TË JETË ELEMNT AFRIMI KOMBËTAR, BASHKIMI E PAQEJE NË ZEMËR TË POPULLIT TUAJ”. [4]

Më 29 mars 1989, pas ngjarjeve të përgjakshme në Kosovë, Papa Gjon Pali II në audiencën e rëndomtë të së mërkures, foli ndër të tjera edhe për gjendjen në Kosovë dhe tha: “U thërras të gjithë të pranishmit që në uratat tuaja ta kujtoni edhe një vend kaq të afërt,/ që është vendi i dashur jugosllav, (mendohet për Kosovën, vr. e redaksis)/, prej nga këto ditë na vijnë lajmet mbi konfliket që shkaktuan pikëllim dhe vuajtje shumë familjeve”.[5]

Prej vitit 1981, sidomos pas vitit 1989 e deri në luftë (1999), Papa Gjon Pali II personalish, si dhe Shteti i Vatikanit, ka përcjellë, përkrah dhe ndikuar te të gjitha institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Nëpërmjet Sekretarisë së Shetit të Vatikanit të gjitha Nunciaturat Apostolike të Seslisë së Shenjtë (ambasadat e Vatikanit nëpër botë), kanë qenë në shërbim të çështjes tonë.

Ja vetëm disa intervenime të përzemërta, të vendosura  dhe personale të Papës Gjon Pali II lidhur me Kosovën: “Gjatë kësaj kohe jemi të brengosur thellë lidhur me situatën kritike që është zhvilluar në Kosovë, ku shpërthimet e dhunës edhe një herë kërcnojnë përpjekjet për dialog dhe paqe…”[6]

“Jo larg nesh, në Kosovë, vendimet e dhunshme, represionet dhe arratisjet e komuniteteve nuk mund të lënë joaktiv komunitetin ndërkombëtar. Këto episode rikujtojnë historinë tragjike të Ballkanit…”[7]

“Jam duke menduar veçanarisht në banorët e Kosovës që kanë rënë viktimë e dhunës së armatosur dhe gjendja e të cilëve është duke u bërë shumë më dramatike…” [8]

“Jam duke menduar për Kosovën, jo larg nga këtu, ku për një kohë të gjatë popullata të tëra pësuan mizori dhe tortura në emër të rivaliteteve të pakuptimta etnike…”. [9]

“Tragjedia e Kosovës, ku amiqësitë shpërthyen në Natën e Kërshëndellave, është gjithnjë e pranishme në zemrën time…” [10]

“I pikëlluar thellësisht nga situata e keqësuar në regjionin e Kosovës, unë dua të shpreh afërsinë time atërore për të gjithë ata që janë sprovuar nga ngjarjet e fundit tragjike…” [11]

“Tani do të dëshiroja që t’i ofrojmë një lutje të veçantë Atit të Mëshirës që të dhurojë dhuntinë e paqes, për të cilën Kosova dhe Evropa, në veçanti kanë aq shumë nevojë sot”.[12]

Këtu do të kisha dashur të përmend luftën që është duke u zhvilluar para dyerve tona, në Kosovë, e cila është duke lënduar Evropën si tërësi…”[13]

“Krishti është “përbuzur dhe refuzuar” në ata të sharë dhe të vrarë në luftën e Kosvës…”.[14]

“Nga Zoti i ringjallur unë lutem për dhuratën e çmuar të lirisë, mbi të gjitha për tokën e shkatërruar të Kosovës, ku lotët dhe gjaku vazhdojnë të përzihen në shfaqjen tragjike të urrejtjes dhe dhunës. Unë mendoj për ata që janë të vrarë, për ata që janë të pastrehë, për ata që janë ndarë nga familjet e tyre, për ata që janë detyruar të largohen…” [15]

Imzot Nikë PRELA  po ashtu prej vitit 1981 e deri në kalim në amshim e ka informuar Papën Gjon Pali II mbi gjendjen në Kosovë, si dhe të gjitha institucionet fetare dhe shtetërore botërore. Po e përkujtoj me shumë mall takimin e tyre të fundit më 17 tetor 1995, në Vatkina, kur Papa i kishte ftuar të gjithë ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë, për të shqyrtuar çështjet e rëndësishme fetare, kulturore, shpirtërore, politike, ekonomike dhe shoqërore.

Imzot Nikë Prela ishte në karrocë dhe pa këmbë, pa shëndet, por me shumë vullnet dhe zemër të madhe. Papa Gjon Pali II ishte dukshëm i emocionuar. U ndal, e përqafoi vëllazërisht, i lartësoi duart kah qielli dhe para të gjithëve tha: “KOSOVA – PLAGA  DHE SHPRESA JONË”.

Edhe gjatë drekës kremtore me më se dhjetë kardinaj, ndër të cilët ishin edhe Kardinal Franjo KUHARIQI, arqipeshkvi i Zagrebit, Kardinal Vinko PULJIQI, arqipeshvi i Sarajevës, Papa tha para të gjithëve:

“Sot kemi një rast të veçantë që të dëgjojmë drejtpërdrejt për Kosovën. Pra, lusim Imzot Nikë Prelën dhe bashkëpunëtorin e tij që të na tregojnë më hollësisht  çka ngjan tani në Kosovë”.

Me atë rast Ipeshkvi ynë me pak fjalë të zgjedhura e paraqiti gjendjen tonë duke thenë : “KOSOVA ËSHTË NDËRGJEGJJA E NJERËZIMIT, SEPSE ATY SHKELEN TË GJITHA TË DREJTAT THEMELORE TË NJERIUT, POR EDHE ATO KOMBËTARE DHE FETARE…”.

Pastaj gjatë tërë drekë se punës vazhdova paraqitjen e gjendjes sonë, me shumë pyetje, interesime dhe përkrahje të të gjithë të pranishmëve. Papa Gjon Pali II ishte aq mirë i informuar për të gjitha, sa që shumë ipeshkvij, ndër të cilët edhe ata të diplomacisë  së Vatikanit, në krye me Kardinal Angelo Sodano, mbeten të habitur.

Papa në mbarim ndër të tjera tha: “Shkëlqesi, të keni zemër dhe guxim, vetëm vazhdoni strategjinë tuaj të mirëfillët.  ZOTI ËSHTË ME JU…NE JEMI ME JU dhe me popullin tuaj…KOSOVA ESHTË VARRI DHE SHPRESA JONË” (duke menduar në vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit, vr. ime; shënimi nga ditari im).

Nëna Tereze gjithnjë i thoshte Papës, por edhe të tjerëve, sidomos Bill Clintonit, Kofi Ananit… që të bëjnë gjithçka për shpëtimin e Kosovës, për Popullin Shqiptar. Këtë e vërtetoi edhe Bill Klintoni, gjatë vizitës së varrit të Nënës Tereze në Kalkutë, duke thenë:

Unë e kam kryer  amanetin, premtimin dhënë Nënës Tereze për Kosovën. Tani Ju luta që të ndërmjetësojë te Zoti për mua, për familjen time, për Amerikën dhe botën mbarë”.

Këtë e dëshmoi edhe Bernard Kushneri, ishk-kryeadministratori i Kosovës, i cili publikisht pati thënë kështu:

Sa isha funksioner i OKB-së, themelues dhe organizator i “Mjekëve pa kufi” me Nënën Tereze jam takuar disa herë. Ajo më tha: “Ju duhet të bëni diçka për popullin tim Shqiptar, për Kosovën. Atje ndodhin gjëra të tmerrshme…”. Kush ka menduar që një ditë unë do të bëhem Kryeadministrator i Kosovës?” (Nga fjala e rastit në vitin 2000 për Akademinë e SHHB “Nëna Tereze”, Prishtinë, 10 maj 2000).

Këtë e ka vërtetuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi ANANI duke përkujtuar këto ditë Papën Gjon Pali II:

“Kujtoj me dashuri takimet e mia me të, në veçanti në residencën e tij private, duke diskutuar rreth çështjeve të luftës dhe të paqes, në veçanti atëherë kur mendonim se si duhej vepruar në Kosovë”.                                                                                 [16]

Papa Gjon Pali II e vizitoi Shqipërinë më 25 prill 1993, shtetin e parë ballkanik, dhe me atë rast  shuguroi katër ipeshkvinj, përtriri hirearkinë kishtare në Shqipëri. Ai në të gjitha fjalimet e lartësoi para Evropës dhe botës historinë, traditën, kulturën, tolerancën dhe vëllazërinë gjithëshqiptare, si shembull për tolerancë fetare, për ekumenizëm, për dialog ndërfetar  dhe bashkëjetesë paqësore dhe jodhunore për të gjithë.

Imzot Ivan DIAS, Nunci Apostolik i atëhershëm në Shqipëri, tani cardinal, për këtë vizitë shkruan kështu: “E bekuar, sepse takoi Kombin fisnik që i ka dhuruar botës “GRUAN SA TË VOGËL ME SHTAT, AQ TË MADHE ME VEPRA”, Nënë Terezën e Kalkutës. E së fundi, kjo ditë ishte e bekuar, sepse nxori në pah pasurinë e ndjenjave e të traditave të vjetra të popullit shqiptar si : mikpritja, burrëria  e besa” [17]

Ja si e ka komentuar këtë pasi baritore Don David XHUXHA, drejtori i Seksionit Shqip të Radio Vatikanit:  Në fillim dhe në mbarim të katër fjalimeve të tij, të përgatitur me urtësi, Ati i Shenjtë foli shqip: shqip përshëndeti popullin, shqip iu lut Zotit, shqip kërkoi ndërmjetësimin e Zojës së Këshillit të Mirë /Pajtores së mbarë popullit shqiptar/ për përparimin e vendit dhe në gjuhën shqipe e bekoi popullin e martirizuar, por fisnik shqiptar në tokën e vet të lavdishme” [18]

Në vitin 1994 Gjon Pali II e emroi Dom Mikel Koliqin kardinal të Kishës Katolike, simbolin e të gjitha martirizimeve të lashta dhe të afërta të Kishës dhe të popullit shqiptar, “për dëshmi të guximshme besnikërie ndaj Krishtit, duke përballuar vuajtjet e tmerrshme të shkaktuara nga persekutimi i ashpër që shpërtheu prej regjimit totalitar… Pas dimrit të ashpër të kundërshtimit të dhunshëm, Kisha  shqiptare, së bashku me Ju mund të shohë sot  me shpresë të ardhmen…”[19]

Nëpërmjet Nënës Tereze dhe Papës Gjon Pali II çështja e Kosovës, si dhe ajo e shqiptarëve në përgjithësi, është ndërkombëtarizuar dhe sensibilizuar dukshëm, sidomos të  Bill Clintoni, por edhe te Kofi Anani, Bleri, Dalema, Shiraku, Shroderi dhe shumë të tjerë, dhe kështu ajo u bë “pyetje e ndërgjegjes së njerëzimit”.

Dhe ndodhi mrekullia, ndërhyri bota për shpëtimin tonë. Kjo do t’ishte e pakuptueshme, e pashpjegueshme dhe e pamundshme pa ndikimin vendimtar të Nënës Tereze dhe të Papës Gjon Pali II. [20]

Mos ta harrojmë edhe lumturimin e Nënës Terese (19 tetor 2003), nderin e Kishës dhe të popullit Shqiptar, bijën dhe motrën tonë, Nënën e mbarë njerëzimit, ku delegacioni dhe shtegtarët nga Kosova ishin më së afërmi Papës Gjon Palit II me dëshirë dhe kërkesë të tij.

Me një fjalë, po të kishte qenë Gjon Pali II shqiptar, s’di çka do të kishte bërë më tepër për ne. Këtë duhet ta dijmë të gjithë e mos ta harrojmë, sepse ia kemi  borxh,  së pari të madhit Zot, Papës Gjon Palit II, së Lumes Nënës Tereze, botës, si dhe gjakut të bijëve dhe të bijave tona.

 

2.  PAPA GJON PALI II DHE E LUMJA NËNA TEREZE

 

Njerëzit e mëdhenj të Zotit fill njihen dhe bashkëpunojnë me njëri - tjetrin, sepse janë të Zotit dhe të Popullit, kanë një burim dhe frymëzim të përbashkët, ZOTIN DASHURI dhe VËLLAUN NJERI.

Ja vetëm disa pika të përbashkëta dhe bashkëpunimi mes Papës Gjon Pali II dhe Nënës Tereze.

Nëna Tereze para se ta pranonte Shpërblimin Nobel për Paqe, ndër të tjera u këshillua  edhe me Papën Gjon Pali II, i cili i pati thënë kështu: “Pranoje këtë Shpërblim dhe nderim të madh në emër të Zotit dhe të varfërve të mbarë botës, të cilëve Ti kaq shumë iu ndihmon dhe u shërben” (nga rrëfimi gojor i Nënës Tereze, shënuar në ditarin tim).

Fjala e parë e Nënës Tereze në aeroportin e Osllos ishte:“E pranoj këtë Shpërblim në emër të Zotit dhe të varfërve të botës…”[21]

Pas pranimit të Çmimit Nobel për Paqe (Osllo 10 dhjetor 1979), Nëna Tereze e vizitoi në Romë Papën Gjon Pali II. Pas urimit dhe bisedimit të përzemërt me të, Nëna Tereze i tha Papës:“Kam vendosur të tërhiqem nga jeta botore (publike). Do t’ju kthehem të varfërve dhe të gërbulurve…”.

Papa, pasi e dëgjoi me vëmendje dhe me dashuri, i tha :”Kurrsesi, sepse Ti je dëshmitarja më bindëse e Ungjillit dhe e Dashurisë së Zotit për çdo njeri. Të lutëm që të shkosh kudo që të thërrasin nëpër botë…”.

Dhe Nëna Tereze  aty për aty e ndërroi mendimin, qëndrimin dhe vendimin e saj. Duke komentuar këtë më tha: “Nuk pata tjetër zgjidhje. Fjala e Papës për mua është urdhër, është vullneti i Zotit” (nga ditari im).

Së bashku me Papën Gjon Pali II  Nëna Tereze ishte shtegtarja e paqes dhe e dashurisë në mbarë botën, duke tejkaluar të gjithë kufinjët, ndarjet, përçartjet, dallimet, për ta dëshmuar fuqinë e së vërtetës dhe të dashurisë.

Në vitin 1980 Papa Gjon Pali II e  ftoi Nënën Tereze në Romë dhe ia dhuroi çelësin e shtëpisë për fëmijë dhe nëna të braktisura. [22]

Papa Gjon Pali II nuk u ndal me kaq, sepse dëshironte ta kishte Nënën Tereze sa më afër, në Vatikan. Mu për këtë vendosi t’ia dhurojë një shtëpi strehimore në Vatikan, pranë Sallës së Audiencave “Pali VI”, si mirënjohje dhe përkrahje personale. Kjo shtëpi quhet “Dono di Maria” (Dhurata e Marisë), dhe është një ndër qendrat e rëndësishme të “Misionareve të Dashurisë” në botë.  [23]

Gjatë vizitës së Papës Gjon Pali II në Indi, ishin së bashku si “dueti” i fesë dhe i dashurisë së krishterë. Gjatë kthimit në Vatikan gazetari italian Renato FARINA ndër të tjera e pyeti Papën:“Si keni qëndruar kaq shumë gjatë këtyre ditëve të vizitës në Indi? Ne si gazetarë ishim të lodhur duke përcjellur vizitën Tuaj. Ku është burimi i gjithë kësaj fuqie?”.

Papa u përgjigj me buzëqeshje kështu: “Kjo nuk është vepra ime, por e Zotit… Kjo vizitë baritore ishte më e lehta, sepse afër meje, me mua ishte Nëna Tereze e Kalkutës. Mjaftonte që me gisht ta tregoja atë, dhe të gjithë e kuptonin shumë mirë dhe me pak fjalë porosinë e Krishtit, të Kishës Katolike, të krishtërimit. Ajo është dëshmitarja burimore e jetës dhe e fesë së krishterë” [24]

Më 13 janar 1989, së bashku me Imzot Nikë Prelën dhe me shumë ipeshkvij nga ish-Jugosllavia, bashkëmeshuam me Papën Gjon Palin II. Pas meshës vijoi takimi dhe biseda me të.

Unë  me atë rast ia dhurova dy libra të mia në gjuhën italiane kushtuar Nënës Tereze:

Madre Teresa, prima biografia completa, Jaca Book, Milano, 1983;

Madre Teresa e le sue radici, EMI-PIEMME, 1987, me këtë përkushtim:

“Papës Gjon Palit II, Mikut të madh të Nënës Tereze dhe të Popullit Shqiptar:

SHENJTËRI, këtë monografi e kemi botuar me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Nënës Tereze, ku janë të pranishëm më se 175 autorë shqiptarë: poezi, prozë, pikturë, skulpturë dhe muzikë (katolikë, ortodoksë dhe myslimanë)”.

Papa më tha: “Mirë, tejet mirë, sepse ajo është  shqiptare. Keni bërë shumë mirë që e keni botuar një libër kaq të pasur dhe tejet të bukur. Ajo ka lindur në Shkup. Por me prejardhje ishte nga Prizreni, shqiptare, ZEMRA E POPULLIT TUAJ, E MBARË KISHËS. KËSHTU KULTIVOHET DIALOGU, BASHKËPUNIMI DHE BASHKËJETESA MES POPUJVE DHE FEVE. URIME DHE VETËM PËRPARA!”. [25]

Gjatë vizitës së papës Gjon Pali II Shqipërisë, në Shkodër, ai tha për Nënën Tereze kështu:

Të dashur, nuk mund mos ta përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Të gjithë e dini nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nënës Tereze Shqipëria është nderuar gjithmonë. Është ky misioni i saj dhe i të gjithë atyre që, porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të dashurisë e të dhembshurisë.

Ju falënderoj sot në emër të Kishës Katolike, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…” [26]

Papa në Tiranë për Nënën Tereze tha: “E si mos ta kujtojmë tani, një bijë të zgjedhur të popullit shqiptar, Motrën Tereza të Kalkutës, nënë e shumë të varfërve ndër më të varfërit në botë? Me zjarrin e fesë në kraharor, kjo grua e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruan brenda vetes hovin e bujarisë së papërmbajtur dhe të pamposhtur të zemrës shqiptare”. [27]

Me rastin e “kthimit në Shtëpinë e Atit” – vdekjes së Nënës Tereze, (7 shtator 1997), Papa Gjon Pali II tha: “Në këtë moment të lutjes më rri në zemër, që të kujtoj motrën tonë nga Kalkuta, Nënë Terezën, e cila para dy ditësh i dha fund jetës së vet të gjatë në tokë. Unë pata rastin ta takoj shpesh, dhe në kujtesën time rri figura saj e vogël plot jetë në shërbim të më të varfërve ndër të varfër, e cila ishte e përmbushur nga një forcë e brendshme e pashterrshme: forca e dashurisë së Krishtit…Duke e gjurmuar Ungjillin, u bë për çdo njeri “samaritani i mirë”…Përderisa po ia besojmë Hyjit shpirtin e ngritur të kësaj rregulltarje të përshpirtshme dhe besimtare, e lusim Virgjërën Mari që t’u jape ngushëllim bashkëmotrave të saj dhe të gjithëve që e njohën dhe e deshën”.   [28]

Papa Gjon Pali II lejoi përjashtimin kanonik dhe përshpejtimin e procesit të lumturimit të Nënës Tereze, dhe atë e lidhi me dy ngjarje tejet të rendësishme: 25 vjetorin e Pontifikatit të tij në Selinë e Shën Pjetrit dhe Ditën Botërore të Misioneve. Në meshën e lumturimit të saj, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan (19 tetor 2003), ai ndër të tjera tha:“Jam personalisht i falënderueshëm ndaj kësaj Gruaje të guximshme, të cilën gjithmonë e kam pasur afër vetes. Ikona e samaritanit të mirë, ajo shkonte gjithkund për ta shërbyer Krishtin ndër të varfër ndër më të varfër. As  konfliket dhe lufrat nuk e kanë ndalur atë. Herë pas here vinte tek unë dhe më fliste për përvojën e saj në shërbim të vlerave ungjillore… Me ndjenja të thella jemi këtu për ta përkujtuar sot Nënën Tereze, sherbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës dhe të mbarë botës… Jeta e saj ishte e thadraur në dashuri si shpallje e guximshme e Ungjillit…” [29]

Duhet përmendur që sipas dëshirës dhe kërkesës së Papës Gjon Pali II janë përkthyer dhe botuar tre libra të Don Lush Gjergjit në polakishte, me tirazh milionash:

Madre della carita’(Matka Teresa), 1994;

Vivere, Amare, Testimoniare, (Zyc’, Kochac’, Swiadczuc’), 1999;

dhe  për lumturimin e Nënës Tereze L’amore in azione (Matka Teresz, Milosc w czynach), 2003.

Këto vepra autori ia ka paraqitur dhe dhuruar Papës personalisht, së bashku me botuesin italian VELAR nga Bergamo,  dhe botuesin polak Etërit Pallotinë nga Varsava.

Kulminacioni ishte ky: Papa i  kërkoi këto botime në gjuhën polake dhe në gjuhët tjera: italisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, shpanisht…për t’ua dhuruar delegacioneve më të larta kishtare dhe shtetërore gjatë vitit Jubilar 2000.

Më këtë dëshmoi edhe një herë nderimin dhe dashurinë ndaj së Lumes Nënës Tereze, si dhe ndaj Kishës dhe popullit tonë.

Dhe në fund ta përmendi edhe këtë: Papa Gjon Pali II, ishte Miku i madh i Nënës Tereze, nëpërmjet saj edhe i Popullit Shqiptar. Qysh prej fillimit të Pontifikatit  në Selinë e Shën Pjetrittë (16 tetor 1978),  deri të ndërrimi i jetës (2 prill 2005), për festa të mëdha si Kërshëndellat dhe Pashkët, Shën Pjetri, kur jipet  Bekimi Apostolik “Urbi et Orbi” (Qytetit dhe Botës), gjithmonë ka folur dhe uruar edhe në gjuhën shqipe, bile ndër gjuhët më të para.

Edhe kjo, si dhe  e tërë jeta dhe veprat e tija, dëshmojnë se na kishte në zemër.

 


[1] Drita, Ferizaj, 1-2/1981, fq. 1.

[2] L’Osservattore Romano, 27-28. II. 1984, fq. 1,

[3] Drita, Ferizaj, 5-6/1986, fq. 1.

[4] Drita, Ferizaj, 7-8/1988, fq..1.

[5] Drita, Ferizaj, 3-4/5-6/1989, fq. 1.

[6] Selia e Shenjtë dhe kriza në Kosovë, Prizren, 2003, fq. 52 (8 mars 1998).

 

7-8 Po aty, fq. 54 (9 gusht 1998).

9 Po aty, fq. 54 (26 gusht 1998).

[10] Po aty, fq. 55(3 janar 1999).

[11] Po aty, fq. 56 (21 janar 1999).

[12]  Po aty, fq. 57, (24 mars 1999).

[13]  Po aty, fq. 58, (29 mars 1999).

[14]  Po aty, fq. 58, (2 prill 1999).

[15]  Po aty, fq. 59, (4 prill 1999).

[16]  Zëri, gazetë e përditshme, 4 prill 2005, fq. 5.

[17] David Xhuxha, Papa në Shqipëri, Radio Vatikani – Drita, 1995, fq. 7.

[18] David Xhuxha, vep. e cit. fq. 9.

[19] Po aty, fq. 120.

[20]  Më gjerësisht lexo: Selia e Shenjtë dhe kriza në Kosovë, vep. e cit. fq. 1-148.

[21] Mbi këtë lexo: Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, Drita, 1990, fq. 196-209.

[22] Lexo: Lush Gjergji, Nëna e Dashurisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2000, fq. 218.

[23] Po aty, fq. 187.

[24] Nga dëshmia e gazetarit të njohur Italian Renato Farina dhënë Don Lush Gjergjit në Milano në vitin 1987.

[25] Më gjerësisht lexo: Drita, Ferizaj, 1-2/1989, fq. 1.

[26] David Xhuxha, Papa në Shqipëri, vep. e cit. fq. 36.

[27] Po aty, fq. 49-50.

[28] Don Pren Kola, Nënë Tereza, dëshmi, kujtime, meditime, mbresa, Fjala Hyjnore, Prishtinë, 2004, fq. 9-10.

[29] Lush Gjergji, Madre della carita’, Velar, 2004, fq. 229-230.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora