E premte, 03.05.2024, 05:44 AM (GMT+1)

Faleminderit

Klajd Kapinova: Të rindertojmë Fishtën

E merkure, 02.04.2014, 08:15 PM


Të rindertojmë Fishtën e gjithshqiptarëve

(Pse diktatori Enver Hoxha e urrente Fishtën dhe kryeveprën “Lahuta e Malcisë”!?)

Nga Klajd Kapinova

Çdo ditë e më shumë, po zgjohet ndërgjegja kombëtare e gjeneratës së re, në trojet shqiptare dhe diasporë. Ata natyrshëm, po kërkojnë të shkundin qeveritë e papërgjeshme, për indiferentizmin, që kanë manifestuar gjithnjë tash 24 vjet, ndaj figurës së madhe të shpirtit shqiptar At Gjergj Fishtës.

Duhen përgëzuar Nismëtarët në rrjetin social Facebook (1 Milion Shqiptarë Që Shtepia e At Gjergj Fishtës Të Rikonstruktohet), për idenë qëllimmirë, të Rilindjes me Zemër të Poetit të Madh Kombëtar.

Ne s’kemi pse të presim deri sa të behemi një milion vete, për të Ngritur një Qendër të Madhe Kulturore, kushtuar Pader Gjergj Fishtës!?

Kësisoj, secili nga ne, që jeton në diasporë, mund të kontribuojmë me $100 apo më shumë Euro, sipas mundësisë së xhepit secili, për të realizuar një vepër fisnike, nderimi dhe respekti, për identitetin e vetes tonë. Fishta, nuk ka nevoj për asgjë, ne kemi nevoj për atdhedashurinë e poetit të gjithë shqiptarëve.

Të presim pambarim, sipas shprehjes: “prit gomar, sa t’dalin bari”, apo sa të bëhen 1 milion shqiptarë (që kanë mendje të ndryshme), ne nuk bëjmë asgjë, veçse vrima në ujë apo mbesim me fjalë të bukura moralizuese si papagalli: "M'ka que nana me la gojën!".

Nuk është tashme fjala të rindërtohet shtëpia e tij (pse është jashtë kohës), por duhet të rikonceptohet Një Qendër e Re e Madhe Kulturore Mbarëkombëtare; të blehet tokë me hapësirë të mjaftueshme apo mbi tabanin e kësaj kulle përdhese dhe perreth ndertesës autoktone, mund të Ringrihet Identiteti Ynë Arbëror, ku, për fat të keq, sot streheza e tij fëminore, është braktisur deri në përdhunim...

Arkitektet e "huaj", që jetojnë dhe punojnë nëpër botë dhe kanë përvoj, sëbashku me ekspertët e urbanistikës në vendlindje, kanë mundësi të hapin një konkurs profesional bashkëpunimi, për një projekt serioz dhe ambicioz cilësorë, plot vlera funksionale, duke respektuar traditën.

Aty mund të pranifikohet të ndërtohen disa dhoma apo salla e komode funksionale, të departamentit të albanologjise, auditore bashkëkohore kumtesash, muzeume moderne, me relike të ndryshme dhe pavione në dy gjuhe shqip-anglisht, një restorant të vetëadministruar nga stafi etj.

Gjithashtu mendoj, se duhet të ketë mirëmbajtës vendas dhe disa cicerone shumë të mirë, të traditës, që të dinë shumë gjuhë të huaja; të ketë numër llogarie bankare të përhershem në vendlindje, për dhurime fondmbledhëse, fotoarkiv, libra të larmishëm dhe dokumente të kontributit të madh të shkollave me ëmër të shquar të Kuvendeve Franceskane dhe Jezuite të Shkodrës, në ndihme të cështjes shqiptare.

Ne, duhet të jemi krenar, për këtë nismë mbarëshqiptare në trojet etnike dhe diasporë, sepse në çdo hap është e gdhendur dukshëm në histori vlera e ndihmës së madhe, për çështjen e mirëfilltë kombëtare të vetë fratit të përvuajtur dhe modest të Shën Françeskut, që ishte dhe mbeti deri sa kaloi në amshim Pader Gjergj Fishta.

Ky mendoj, se është një investim i së ardhmes sonë, per të na treguar ne dhe brezave vijimësinë shqiptare dhe një Falënderim nga zemra, për të gjithë eterit e shquar shpirtëror ndër shekuj, të atdhedashurisë për Fe-Atdhe-Përparim.

Të ngrihet me keto fondmbledhje Biblioteka e librave dhe të gjithë kolana të ndryshme të botimeve shqiptare, për dhe rreth veprës së pavdekshme të Fishtës.

Mendoj, se çdo autor shqiptar apo albanolog i huaj, pa problem, mund të dërgoi 5 kopje librash të poetit kombëtar, (sikurse i dërgohen rregullisht çdo botim i ri Bibliotekës Kombëtare në Tiranë dhe Prishtinë, që kthehen automatikisht në pasuri mbarëkombëtare), të cilat në vite e kohë të ndryshme, i janë përkushtuar At Gjergj Fishtës.

Atë e ka dashur dhe e do sërisht (edhe mbas 74 vjetëve të kalimit në amëshim) çdo brez, që ka jetuar dhe jeton në trojet etnike shqiptare.

Shikoni rastin pozitiv të luftëtarit martir trimit Adem Jashari, sa investime dhe kontribut i madh po jepet nga diaspora, për të rindërtuar (me të drejtë) përkujtimin e veprës se tij  heroike dhe përmes kësaj natyrshëm përkujtohen trimat liridashës deshmor të Dardanisë, të renë për liri e pavarësi ndër shekuj...

Kompleksi i Ri Shumëfunksional, i Qendrës Kulturore Kushtuar Pader Gjergj Fishtës, natyrshëm mund të shërbej si vend peligranazhi atdhedashurie, për ne, që jetojme larg vendlindjes në Perëndim dhe Amerikë.

Kudo në botën e civilizuar qendrat kulturore atdhetare, janë muze origjinale të gjalle ose pasaportat e identitetit tonë arbëror ndër shekuj...

Aty mund të hapen disa panaire libri të përvitshëm, komplekse dyqanesh me suvenire apo produkte kombëtare të markës ‘Made in Albania nga çdo zonë dhe krahinë të trojeve etnike shqiptare.

Fishta ynë i papërsëritshëm në histori dhe letërsi, është sot për sot shkrimtari më i përfolur me gojë, por dhe më i lënë në harrese me apo paqëllim, sa askush tjetër. Kështu kolana e veprave të tij, tash 24 vjet asnjëherë nuk është rishtypur, nga kujdesi i qeverive, sikurse disa shkrimtarëve të tjerë. Shtëpia e tij dhe banorët e katundit Fishtë, janë lënë mbas dore, sikurse të ishin nga një planet tjetër. Varfëria dhe prapambetja, janë ulur këmbkryq atje.

Fishta shumëdimensional, ka një të veçantë brilante, se vetëflasin veprat e tij të madhe, dhe s'ka nevoj të flas Fishta, sikurse ndodh rendom sot në media, ku, shkrimtarët vetëintervistohen dhe flasin ‘non stop’, për veten e tyre dhe jo të tjerët për librat e tyre.

E pra, për fat të mirë të historisë së djeshme dhe sotme Fishta respektohet nga të gjithë. Ai  adhurohet, dhe mbahet me krenari identitetit shqiptar fotot e shumta dhe kryevepra “Lahuta e Malcisë”, recitohet me mall nostalgjik poezia e tij atdhetare permendesh, permenden me respekt si shembull brilant fjalimet e tij të zjarrta, me nota shpirti të thekshme patritotizmi, në Konferencën e Paqes në Paris, për çeshtjen thellësisht shqiptare.

Kësisoj, Fishta, është tjetër esencialisht si personalitet i kompletuar një njeri me virtyte positive dhe shembull patriotizmi, meshtarë i përvuajtur, që iu gjend pranë grigjës së vet edhe në momentet më të vështira historike dhe shkrimtarë, i një vlerë dhe cilësie shumë të lartë, mbasi ka hyrë natyrshëm në zemrat dhe familjet e çdo shqiptari, pa dallim feje, krahine e ideje.

Ai, është simboli i shqiptarisë së kulluar, modeli i një njeriu të thjeshtë, të përvuajtur deri në madhështi....

Në Amerikë, bëhen shumë gjëra te bukura positive jo nga Qeveria apo Presidenti Obama, por nga vetë inisiativa e lirë e njerzve të lirë, në një botë të lirë demokratike.

Sot, përmes internetit dhe rrjeteve sociale si Facebook etj., ne mund të komunikojmë dhe bëjme misione atdhedashurie të vlefshme, për vendlindjen, pa pasur nevoj të bëjmë mbledhje rutine të lodhshme dhe stergjata me burokracinë e korruptuar shqiptare.

Këto rrjete po ndryshojnë sot botën dhe po e bejnë atë dhe njerëzimin me transparente, para ngjarjeve dhe fakteve, të cilat shpesh media elektronike e “pavarur”, i ka fshehur dhe ka abuzuar me qëllime kompromentimi me qeveritë dhe sistemet e ndryshme.

Eshtë koha për veprim! Të ngrihet grupi i punës, me përfaqsues nga gjithë trojet etnike shqiptare dhe diaspora dhe hapet llogaria bankare dhe ne i kalojmë atje ndihmat apo kontributet tona.

Komisioni, duhet të jetë transparent, pa futur hundët apo duart qeveritarët parazitë të babëzitur apo sikurse thotë poeti kombetar:

“Ju rrugaça sallahana

vagabonda shakllabana,

rriçna t'ndyet, mikrobe të kqi

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

Bre coftina, kalbe mbi dhè

der kur ju, tu tallë npër ne,

do t'na qelbi fis e atdhè…”

Fishta, ishte dhe mbeti Poeti Mbarëkombëtar dhe projekti, duhet të ketë këtë ide, vizion dhe dimension, me qëllimin fisnik mbarëkombëtarë, për brezat që do të vijnë.

Pamja e zymtë e medaljes shfaqet para nesh. Eshtë fjala për një shkrimtar tjetër shqiptar gegë, por që nga vëllezërit shqiptarë është lënë në harresë me ose paqëllim.

Shtëpitë e Gurakuqit dhe Fishtës, gradualisht po shemben, për t’ia zhdukur qytetit kultudashës Shkodërlocës gjurmët e identitetit dhe historinë e lavdishme ndër shekuj...

Kështu, poeti i ndjenjave shqiptare At Gjergj Fishta O.F.M. (1870-1940), nuk ka varr, ku, mund t’a përkujtojmë me lule dhe lutje, sepse për eshtrat e tij, nuk u kujdesen asnjë nga qeveritë "demokratike", duke filluar me komunistët, që i vodhen e hodhën në lum me fanatizëm anadollak mbetjet relike dhe deri tek ato të erës “demokratike”, që drejtojne sot me fjalë të bukura përmes “rilindjes”...

Komunistët dhe postkomunistët, me kostume perëndimore sot, si s’mirëzi ia shkatërruan me heshtje varri shtëpinë, u muduan t'i tjetërsonin historinë, gjurmë të pashlyeshme të lavdisë së perkushtimit ndaj Atdheut, Kuvendin shpirtëror dhe kombëtar, arkivat, antikuaret e rralla me një fond të pasur origjinal, muzeun e parë kombëtar, sepse aty françeskanët e Fishtës strehuan liberatorin e madh Luigj Gurakuqin, për të mos e vrarë kundërshqiptarët, ruajten flamurin e Deciqit dhe eshtrat e Dedë Gjon Lulit, duke i varrosur me respekt, në zemër të Kuvendit; ngritën me mund dhe djersë stacionin e parë meterologjik, muzeun filatelik, bandën e parë muzikore të qytetit, sollën në Shkodër topin e parë dhe hapën sportin popullor të futbollit etj.

Në këtë Kuvend shqiptaresh të kulluar, brez mbas brezi françeskanët nder shekuj realizuan me sukses misionin pranë popullit shqiptar nën moton: "Lutu dhe Puno", duke bërë që Shqipëria (si vijim i Arbërisë krenare të Gjergj Kastriotit) të mos jetë një lagje e vjetër e Turqisë anadollake...

Pse u masakrua Fishta?

 

‘’Kontributi i çmueshëm që dha Fishta në laminë e letrave dhe në edukimin e kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë, se Shqipnija pa Fishtën, kishte për të qenë e mangët, ashtu si letrat tona pa penden fishtjane kishin për të paraqitë nji golle (boshllëk) të paplotsueshme. Këndej del e qartë, se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik, terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin, që ai xen në panteonin e Kombit.’’

Prof. Namik Resuli

Universiteti i Napolit, Itali

 

Pa koment, po ofrojmë pjesë të fjalës së diktatorit të egër komunist dhe ateist Enver Hoxhës, para një grupi të rinjsh, që morën pjesë në Pleniumin e IV të Rinisë Popullore Komuniste.

"... Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshallit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe.

Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugoallavia....

Po të studjojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë të shkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë.

Kurdoherë, që krerët feudalë të Shqipërisë si Ballshët (Balshajt ? shënim) e të tjerë, kanë qenë në aleancë të mirë me sllavët e jugut që kanë pasur përkrahjen e malësorëve...

Çdo gjë e lidhte popullin tonë me sllavët e jugut, jeta zakoni, burrëria, lufta për indipendencën kundër të njejtëve armiq...

Miqësia ka ekzistuar përgjatë shekujve e rrebeshesh në mes të popujve tanë dhe atyre malazezë.

Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta, me "Lahutën e Malësisë", ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t'i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur...

Fishta dhe Vlladan Gjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorë të një ideje skllavëruese. Populli shqiptar dhe sllavët e jugut, me malazezët e serbët në krye, nuk mendojnë dhe nuk ndiejnë si as si Gjergj Fishta dhe as si Vladan Gjeorgjeviçi.

Poetët popullorë malazezë e serbë kanë shkuar me entuziazëm për trimërinë dhe bujarinë e shqiptarëve. Këngët autentike të malësorëve të Shqipërisë së Veriut, këndojnë anasjelltas trimërinë dhe besnikërinë e malazezëve. Si mund të këndonte populli kësisoj kur ekzistonte një armiqësi siç kërkon ta përshkruajë At Gjergj Fishta e agjentët e tjerë të imperializmit.

Populli shqiptar, ka luftuar së bashku me popujt sllavë të Jugut, kundër Turqisë në Kosovë e gjetkë. Në kohën e Gjon Kastriotit dhe Skënderbeut, ne kemi pasur marrëdhënie të ngushta me këta popuj, ne kemi pasur krushqira dhe aleanca."

Sulmi dhe lufta, kundër klerit katolik në Shqipëri prej 1944-1990, ka qenë e mirëorganizuar nga sistemi komunist dhe veglat e propagandës, që më pas në vitin e zi 1976, shpalli Shqipërinë si shteti i vetëm ateist në botë.

Në ndihmë të kësaj lufte katastrofike vdekjeprurëse dhe shkatërruese të vlerave kombëtare, një rol të madh kanë luajtur shkrimtarët dhe artistët e numeklaturës komuniste, që për të fituar poste dhe privilegje apo foto me buzëqeshje para apo në krah të diktatorit Hoxha, shkruan dhe përbaltën sistematikisht patriotin dhe shkrimtarin e shquar françeskan At Gjergj Fishtën O.F.M.

Për të parë poetin fisnik, po ofrojmë një shkrim të shkurtër esencial nga dora e tij, që paralajmëron dhe fton lexuesin, përmes rubrikës së botimit të librave të rinj, daljen në dritë të poezive brilante me titull: “Juvenilia”, të shkruar me dashuri dhe përkujdesje ndaj veprës letrare, të kolegut poet dhe patriotin e madh të papërsëritshëm Dom Ndre Mjedën.

Literaturë shqype

Si e kemi lajmue edhe nji herë tjetër, fort i Nderti Zotni Dom Ndre Mjedja në këto kohët e mbrame, tue herrë lulishtën e Zanave, ka mbledhë e ba tubë do lule të bukura poezie plot njomësi e hijeshi e i quejti “Juvenilia”, nën të cillin emën kuptohen vjershat e kangët e tija të shkrueme në moshë të re.

Prej emnit të përvujtë të të mbledhunit të këtyne kangëve, njeriu s’kishte me pritë se gjenë aty mbrendë nji poezi të naltueshme e vjersha të punueme me zeje. Por puna âsht krejt ndryshe.

Në atë libër ke nji poezi plot ndiesi, nji zeje të pashoqe e nji gjuhë fort hijshme. Kur ti këndon ato vjersha, të ngjallet menjiherë uzdaja se me gjuhë shqype ka me mujtë dikur me u mëkambë nji literaturë e zgjedhme e e hijshme.

Kur këndon ato kangë, as nëpërmend nuk të kalon me thanë: Jo, kjo âsht gjuha e Shkodrës, ase e Korçës, ase e Elbasanit, por thue: Kjo âsht gjuha shqype.

Në ato kangë, nuk janë shartue mollat me morriza, as lilat me hitha, si me thanë se ajo gjuhë nuk âsht e perbame me fjalë të trillueme mbas qejfit e me hamendje; por âsht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, që âsht goja e popullit, prej visarit të kombit që âsht literatura e perbame me mund e me kohë.

Prej këtij libri, shifet kjarisht sesa arsye kanë ata që thonë, se gjuhën letrare e ban pupla e letrarve e jo pallavrat e thata. Prandaj na po jau porosisim këte libër gjithë dashamirësve të literaturës kombtare e, sidomos mësueasve e nxanësave të shkollave si fillestare, si të mesme.

E shpresojmë, se shqyptarët, kanë me iu pergjegjë kësaj porosie tonën, psekujtojmë që ata e dijnë, se, kur na flasim mbi Shqypnì a lavdojmë ndonji vepër shqyptare në fletore tonë, atëherë e kemi përnjimend e jo per me shkarravitë leter.

Libri “Juvenilia”, në këto ditë âsht qitë me u shitë e kush don me e ble, t’i sillet Shtypshkrojës Françeskane në Shkoder, tue dërgue çmimin e tij, që âsht tri koronash, si edhe shpenzimet e postës, kush e porositë me postë.” (At Gjergj Fishta, “Posta e Shqypnís”, nr.54, f.3, Shkoder, 22 qershuer 1918).

Ai na paraqitet në harresë të qëllimshme, pra, në një formë të re të vijimit të persekutimit të ri ndaj poetit tonë të madh Fishta, i cili, kësisoj dretjpërdrejtë del i huaj në tokën shqiptare, sepse nuk ka varr dhe shtepi...

Ndërsa Fishta i pagojë, që nuk është ankuar dhe nuk ankohet, s'ka asgjë, përvec veprave, që populli dhe në vecanti malësorët kreshnikë dhe fisnike, pa ditur shkrim dhe këndim, i dinin permendesh dhe këndonin me lahutë e cifteli plot dashuri në odat e burrave me mijëra vargje të ‘Lahutës së Malcis’.

Kujtoj, se aktori i famshëm malësori dukagjinas Ndrek Luca, tronditi të gjithë shqiptarët, në Kuvendin e Motrave Stigmatine në Gjuhadol në Shkodër (në vitin 1991), kur recitoi permendesh për 1 orë pjesë brilante nga “Lahuta e Malcisë”, që ishte dhe mbeti kryevepër mbarëkombëtare e Poetit Kombëtar Fishta...

Homeri shqiptar Pader Gjergj Fishta, është monument kulture dhe atdhedashurie mbarëshqiptare.

Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtje për tagre të veta, mësimit komtar mbi mbshtetjen e gjuhës komtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar - ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme. Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vëgjelë; këndon sa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh.”, vlerëson albanologu i shquar italian At Fulvio Cordignano, (Shih ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925).

Ne, jemi krenar gjithnjë, se kemi një Pader Gjergj me shpirt brilant, një atdhetar të kulluar dhe të vlerësuar shumë nga zemrat e shumë breznive shqiptare…



(Vota: 67 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora