Faleminderit
Azgan Haklaj: Hajdari e Jashari - Binjakë të Lirisë
E diele, 09.03.2014, 07:44 PM
AZEM HAJDARI E ADEM JASHARI,
BINJAKË TË LIRISË
Nga Azgan HAKLAJ - Anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSH
Nuk kam ndërmend me këtë shkrim simbolik të heq paralele komperative kohore dhe as kronologjike historike mes dy personaliteteve të shndërruar në idhuj dhe heronj të të njëjtit gjak, të së njëjtes tokë dhe epokë: Azem Hajdari dhe Adem Jashari. Do të ndihesha prapë i vogël po të komplementoja mbi veprën e tyre. Sepse ata janë dhe do të ngelen të dalluar në vet memorien e kombit. Dhe kjo memorie është e shenjtë, është perëndia i të ardhmes sonë.
Azemi dhe Ademi, dy emra të thjeshtë linguistikisht që rimojnë në çdo aspekt.
Ashtu siç ndodh rrallë me njerëzit ndonëse fizikisht nuk jetojnë i përkasin të ardhmes sonë. Ata ranë jo si okazion ngjarjesh dhe luftërash të mëdha. Ata nuk janë produkt rastësish në situata të turbullta.
Të dy ju
simbole: Azem dhe Adem dhatë jetën me ndërgjegje. Ju kishit njëmijë mënyra t’i
dredhonit vdekjes.
Nëse ju nuk do të zgjidhnit këtë udhë të shenjtë hyjnish, ura e çartur kahmot që lidhte brigjet e dheut dhe kombit nuk do të rindërtohej kaq shpejt.
Ju edhe të vdekur arritët të vendosni urën e re në vend të urës së shkatërruar, që ruhej nga të dy anët me roja të zeza të fashizmit modern.
16 vjet kombi i bën sot pa burrat e mëdhenj fizikisht, janë 16 vite të zhytura me nostalgji e kujtime, me lot njerëzor të legjitimuar, por edhe 16 vite krenarie për ta dhe për ne të gjithë, vite fuqie dhe entuziazmi që ne si komb të kapim avenirin. Dhe pa Azemin, Ademin, Agim Ramadanin, Fehmi Lladrovcin, Tahir Sinanin, Bilbil Breçanin, Fatmir Doçin, Bekim Berishën, Bedri Shalën, Indrit Carën, Ahmet Krasniqin, Luan dhe Shkëlzen Haradinajn, etj. ne mund të ishim ndryshe në kohë dhe fat. Ata nuk janë sot, që në vend të tyre të vinte pavarësia e Kosovës.
E ardhmja jonë e hapërdarë pa gjakun e tyre zor të mblidhej e të materializohej. Ndryshe prapë do ishte ideale, e etërshme, e paarritshme, e mistershme.
Është ky moment i sotëm, ky realitet me ngjyrë kuqezi dhe gjaku na e fokuson kujtimin te baca Adem e baca Azem. E këtu mes dy burrave të mëdhenj ka vetëm një paralele krahasuese për t’u hequr: ajo e idealizmit shqiptar.
Kosova qe ideali i madh, i padytë i Azemit dhe Ademit.
Kosova nuk qe për ta interesi i ditës dhe politikës.
Qe vërtet një ideal i ngulur gjenetikisht.
Prandaj hasmit e dheut të kombit tonë jo më kot morën vendimin fatal: ti eleminonin. Urdhri “fashist”, jo pa kolaboratorë, i eleminoi ata fizikisht. Por e sotmja tregoi se prapë gabuan shekullorët hasëm, sepse nuk llogaritën se edhe lapidarët dhe monumentet e Azemit dhe Ademit do të ishin afruesit e Ditëve të Mëdha.
Azemi dhe Ademi ikën për ti përzënë ditët e këqija dhe për t’u shfaqur shenjtërisht si heronj të Festës së Madhe, ndaj dhe në ditëlindjen dhe përvjetorët e tyre nuk ka lot dhe mallëngjim, por entuziazëm, krenari dhe reflektim. Pikërisht këtë na ka mësuar edhe poeti i kombit, Ali Podrimja: Mos qajmë / na duhen lotët / për ditë gëzimi /.
E pra, le të mos qajmë e përlotemi, se sublimën e zgjodhën vetë burrat e mëdhenj. Edhe miku i tyre, vllai i idealeve komandanti trim Agim Ramadani e kishtë parashikuar këtë që më 1996, prandaj dhe shkroi fjalët poetike lapidar: Nëse nuk shihemi / dhe na ndan vdekja / jetoje jetën. Nënë / patjetër do të vij / dhe do të bëhem gjumi yt/.
Ja pra, si parashikojnë ata që sublimën zgjedhin si fat fatal të tyre, që fati ynë të marrë udhë të mbarë.
Lum ata që jo vetëm në përkujtimore e përvjetorë kanë kurajën të ndeshin shikimin me Azemin dhe Ademin.