E premte, 02.05.2025, 12:51 AM (GMT+1)

Faleminderit

Kadri Tarelli: Ku prehet Vaçe Zela?

E hene, 17.02.2014, 08:57 PM


KU PREHET VAÇE ZELA, “MBRETËRESHA E KËNGËS” DHE “NDERI I KOMBIT”?

Nga Kadri Tarelli

Këto dit shkurti, të gjitha mediat vizive dhe të shkruara në krye të fjalës kishin, Vaçe Zela “Ikonë e këngës shqiptare”, apo siç e quan poeti Agim Shehu “Diamanti Vaçe Zela”, e cila u nda nga jeta për t`u ngjitur e ndritur në mes të yjeve të muzikës dhe kulturës shqiptare. Më erdhi mirë që të gjithë ata që e kanë njohur, adhuruar, dëgjuar e shijuar këngën e saj, shprehën dhimbjen me fjalë shpirti e mall zemre, që shpesh u shoqëruan edhe me pika loti. E ka merituar këtë dashuri dhe përkujdesje deri në madhështi, aq sa populli pa dekret e ferman e pagëzoi me titullin “Mbretëresha e këngës shqiptare”. Nuk e di, a është mjaft!? Nuk besoj, por gjykoj: vallë cili artist apo njeri i muzikës, nuk do ta lakmonte këtë nder, pasi ta meritonte? Mbase këtu e kanë vendin dhe marrin kuptim, fjalët e arta të thëna aq bukur nga i madhi Viktor Hygo: “Njerëzit e mëdhenj e ngrenë vetë piedestalin. E ardhmja u ngre statujën”.

Nuk e kam njohur personalisht këngëtaren e adhuruar. Nuk është për t`u mburrur, po rasti nuk e solli. Veç në kujtesë më ka mbetur një çast nga rinia ime, të cilën e kujtoj sa herë dëgjoj këngët e Vaçes dhe e përmend shpesh në biseda kur bie fjala për të.

Ishte viti 1961. Porsa kisha marrë maturën. Arrësye familjare më detyruan të shkoja nga Durrësi në Lushnjë. Ishte mbrëmje. Rrugës, nga qendra për në lagjen Saravë, dëgjoj këngë dhe tinguj kitare. Ndalova hapat. Magji e vërtetë. Mendova dhe kështu m`u duk, sikur më zbutën mërzitjen time. Veç tingujt e kitarës dhe zëri i vajzës që këndonte qetësisht, nuk mu ndanë. Nuk e njihja Vaçen e as kisha dëgjuar gjë për të. Të nesërmen, nuk m`u ndejt pa e përmendur në bisedë me një mikun tim orëndreqës nga Durrësi, por që aso kohe punonte në Lushnjë, i cili më thotë: “Është Vaçe Zela, këngëtare shumë e mirë. Lushnjarët e quajnë “bilbili” i këngës së tyre”.

Pak muaj më vonë në Festivalin e këngës në radio, ajo u nderua më çmimin e parë, dhe emir i Vaçes u bë i njohur në gjithë vendin. Ajo ishte dhe mbeti, vërtet bilbili i këngës. Vitet shkuan. Shumë kush mendoi se ishte një meteor, që u çfaq papritur në zymtësinë e qiellit shqiptar të atyre viteve. Për fatin e të gjithë admiruesve të këngës, nuk ndodhi kështu. Vaçja u shndërua në yll e ndriti mes yjeve. Ajo u rrit dhe u ngrit bashkë me këngën, duke kënduar për të gjithë. Ajo u bë pjesë dhe ka hyrë në jetën tonë, si në çaste të lumtura dhe në të vështira. Kënga e “gjyshes” ledhaton e përkëdhel voglushët, “Lemza” drithëron zemrat e gjimnazistëve dhe studentëve, “Fëmija i parë” ngazëllen nënat e reja, “Valsi i lumturisë” lumturon të dashuruarit që s`u shuhet dashuria, “Nëno moj do pers gërshetin” përlot luftëtaret e reja që rrokën armët për liri, “Për ty atdhe” na magjeps, na krenon e trimëron të gjithëve pa dallim moshe, sepse zëri i saj prek e ngacmon nervin e kombit. E kështu mund të vazhdohet gjatë, sepse këngët e saj s`kanë të mbaruar.

Duke shkruar këto rradhë, nuk po bëj gjë tjetër veç po sjell pak nga kujtimet e mia të herëshme, por edhe pakëz nostalgji për moshën që kaloi, ku kënga e Vaçes na shoqëronte kudo, edhe kur s`këndohej, ajo mërmëritej apo vërshëllehej në buzët tona. Se ç`kishte një ngrohtësi që të lehtësonte brengat e hallet e shpirtit.

Këto dit u fol e u shkrua shumë për artisten e madhe. Cilit do nga ne i vjen mirë, që e gjithë shoqëria shqiptare, kudo që ndodhet e kujton dhe e nderon me fjalët më të mira e më të gjetuar. Po unë kam dhe dua të shpreh një merak që s`më le të qetë prej disa ditësh.

Shumë tituj e çmime i`u dhanë artistes sonë sa ishte gjallë. S`ka më bukur. Populli e pagëzoi “Mbretëresha e këngës”, ndërsa organet shtetërore e titulluan “Nderi i kombit”. Të dy janë vlerësime që i takojnë. Njëri më i bukur se tjetri. Nuk ka rëndësi se kush është më i lartë, se po qe për mua pagëzimi i popullit është referendum. Deri këtu nuk shtoj gjë, sepse s`ka asgjë të re në gjykimin tim, por duke i parë pak më shtruar, se ç`më japin një ndjesi që më bezdis e nuk më ngroh. E kam fjalën për shtetarët dhe pushtetarët tanë të ndritur, që “s`i ze gjumi” për art e kulturë. Si nuk u kujtuan, që jeta nuk mbahet e nuk shtyhet vetëm me dekorata e lavdërime. Lidhin e rrisin rrogat e tyre në parlament, madje edhe pensione të majme për kohën kur bien nga fiku, paçka se asnjëherë s`u  kemi dëgjuar zërin, e as parë fytyrën. Veç një pyetje më gris në shpirt: Ç`vlerë ka titulli “Nderi i kombit”, kur nuk shoqërohet edhe me disa “shtojca” të tjera, që do ta bënin jetën më të lehtë e më të fisme?

Është një temë që dikujt edhe mund të mos i pëlqejë dhe përgjigja e ka fytin e lidhur. Ndaj shumë fjalë të bukura, të thëna nga ata që kanë në dorë vendimmarrjen e vendimbërjen, më duken si të shtirura e të stisura sikur ju dogj shpirti. Megjthatë po vazhdoj me një tjetër pyetje: Titulli, a jepet për ta dalluar nga të tjerët? Bukuri! Mirë për paratë që u dhimbsen, megjithse nuk i nxjerrin nga xhepi, po një vend të veçantë ku të prehen ata që e nderojnë kombin nuk mund të gjendet e të caktohet? Përvoja e botës nuk mungon. Sepse rastis, ashtu siç edhe do të ndodhë, që qoftë pas një jave, le më pastaj pas disa vitesh, kur dikush do të verë një tufë me lule në varrin e saj, a ka bir nëne ta gjejë pa patur një shoqërues me vete. Qoftë larg, për të mos ndjellur të keqen, sepse edhe prapësi bëhen si pa dashje, e s`u del njeri për zot.

Nga marazi, zgjidhet gryka e thesit të pyetjeve: Kështu nderohen e mbahen gjallë figurat që përfaqësojnë e ndriçojnë kombin? A kanë dhe duhet të ken një status të veçantë këta njerëz? Apo vetëm me letra? Dikush edhe mund të mos ndajë një mendje me mua, duke u justifikuar me barazitizmin e çuditshëm, që ka brenda shumë djallëzi: “Nga populli, me popullin”. Një thënie nga mençuria popullore e ardhur nga lashtësia thotë: “Lindim të barabartë, dallohemi në jetë, por vdesim të ndryshëm”.

Në fund, duke gjykuar për madhështinë, Vaçe Zela me këngën e saj, hapi portat e përjetësisë për t’u ngjitur aty ku rrinë perënditë. Ndaj po citoj disa fjalë që vijnë nga latinët e vjetër:

“O kombe! Ruani njerëzit e mëdhenj, se përmes tyre do t`ju njohë bota!”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx