E premte, 02.05.2025, 01:06 AM (GMT+1)

Faleminderit

Sami Islami: De Rada - figurë e Madhe

E diele, 19.01.2014, 07:58 PM


Përvjetor

DE RADA -FIGURË E MADHE LETRARE E MATANË DETIT

(Në 200-vjetorin e lindjes së De Radës)

Nga Sami ISLAMI

Sivjet mbushen plot  200 vjet  qëkur lindi  kolosi i letërsisë shqipe De Rada. Ai me veprimtarinë e tij letrare, politike, kulturore, etnografike, poetike e shkencore,   qe dhe mbeti  romantiku ynë  i spikatur në letërsinë shqiptare. Pandaj mund të themi lirisht, se  letërsia e  arbëreshëve të Italisë, por edhe letërsia e romantizmit është e lidhur ngusht me emrin e këtij poeti dhe  patrioti të pakompromis, që me “Këngët e Milosaos” u bë lëvruesi i parë i veprës artistike, me të cilën vepër bëri kthesë të madhe në krijimtarinë tonë letrare  në përgjithësi.

Në kohën kur jetoi dhe veproi shkrimtari ynë në Itali po bëheshin luftime të rrepta kundër burbonëve, në të cilën luftë , aktivisht,  merrnin pjesë edhe arbëreshët. De Rada i përcillte këto ngjarje me mjaft interesim, sa që,  më vonë, edhe vetë i bashkohet kësaj lëvizje. Si fytyrë qendrore në këtë revolucion  qe udhëheqësi  kryengritës dhe strategjik ,  Garibaldi, të cilit  arbërshët, duke ia parë dhe çmuar trimëritë e tij,  i kënduan me admirim:

“Garibaldi  trim  me fletë

Skënderbeut tonë i ngjet.”

***

De Rada lindi më 1814 në një fshat të vogël, të quajtur Maki. I ati ishte prift në atë vend ku De Rada i kreu mësimet e para.  Që në shkollën fillore  ai u  dha shumë leximit. Sa ishte  në kolegj De Rada i lexoi me ëndje shkrimtarët antikë, si Sofokliun , Europidin dhe fiton një kulturë shumë të gjerë.

Më 1833 mbaroi shkollën e mesme, por duke qenë se ishte mjaft  shëndetlig, i ati s’e lejoi t’i vijonte studimet menjëherë, por e la të pushonte një vjet. Ky vjet qe shumë i frytshëm i De Radës, sepse brenda këtij vjeti  filloi t’i mbledhte këngët më të bukura nga goja e popullit duke inicuar kështu traditën  për mbledhjen e letërsisë gojore. Në fshat dashurohet me një vajzë (me të bijen e bariut e të vet) dhe këtu, ndoshta,  i lindi edhe frymëzimi për hartimin e veprës së tij të parë artistike “Këngët e Milosaos”.

Në fund të vjetit 1834 De Rada shkon për të studiuar  drejtësinë në Napoli dhe krahas studimeve  vazhdon të merret  shumë me lexim, duke e lexuar kështu, Shekspirin, Gëten, Shilerin e shkrimtarë të njohur botërorë.

Më 1836 boton “Këngët e Milosaos”, e cila siç thamë,  është vepra e parë artistike në letërsinë shqipe, me të cilën aktualisht filloi edhe romantizmi shqiptar. Kjo vepër bëri jehonë të madhe  kudo në trevat dhe vatrat shqiptare, në veçanti u prit me entuziazëm nga shoqëritë kulturore shqiptare të asaj kohe, si nga shoqëria kulturore e Bukureshtit dhe e  Stambollit. Vlen të përmendet, me këtë rast, momenti, se me çfarë fjalë i drejtohet  De Radës, Sami  Frashëri, njëri nga patriotët më të dalluar të shoqërisë  “Drita”  dhe njëherit edhe themelues i saj: “Burrë i ndritur i mëmëdheut, zot i ndriçuar,  vëlla i dashur! Kemi kënduar qëmoti këngët që i ke mbledhur, punërat që i ka bërë  zotëria jote për gjuhën tonë, për kombin tonë dhe i kemi pëlqyer  shumë.”

Qëkur ishte në Napoli De Rada kishe ra në konflikt me organizatën e fshehtë komplotiste kundër sistemit  burbonas. Fatkeqësisht në këtë komplot De Rada  zihet  dhe burgoset, mirëpo, për fatin e mirë të tij,  e shpëton një gjykatës, admirues i veprës “Këngët e Milosaos”. Në këtë kohë  De Rada  boton poemën “Këngët e  Serafina Topisë”, e më vonë e riboton me titull tjetër : “Pasqyra e një jete njerëzore”, por censura e burbonëve nuk e lejojë që libri të qarkullonte. De Rada në këtë vjet, i mbetur ngusht  ekonomikisht, detyrohet të hyjë si mësues privat (në një familje aristokratësh)  Napoli, ku do të qëndrojë  për më  shumë se  7 vjet. Brenda  këtyre vjetve tubon pak para me të cilat  ripunon “Milosaon”, kurse e riboton “Serafina Topinë”.

Si patriot që ishte veprimtarinë e tij e zgjeroi edhe në pikëpamje të publicistikës. Kështu më 1848 nxori gazetën “L’albaneze d’Italia” (Shqiptari i Italisë), ku i shprehte   dhe i mbronte pikëpamjet e tij mbi ngjarjet politike të kohës.

Një vjet më vonë De Rada, në kolegjin e  Shën Adrianit e fut gjuhën shqipe dhe vetë bëhet mësues. Më vjetin 1850, martohet me arbëreshen Madalena  Maliki, duke  filluar kështu një jetë  të mirë dhe të hareshme familjare. Nga kjo  martesë pati  katër djem. Në këtë kohë  boton në italishte “Parimet e estetikës”, “Vjetërsia e kombit shqiptar”, por edhe poemën “Rapsodi e një poemi arbëresh” në shqip. Vlen të theksohet, poashtu, se një kohë të gjatë shkëmben letra me  patrioten shqiptare nga Rumania Elena Gjikën, e njohur  si  Dora d’Istria. Në letërkëmbimet me  Elena  Gjikën   e rrah shumë çështjen e çlirimit të  Shqipërisë nga zgjedha shekullore otomane, duke mos e lënë anash as  kulturën shqiptare.

Pas dhjetë vjet pune në gjimnazin e Koriliano  Kalabros, më 1878, në kohën e Lidhjes së Prizrenit, kohë kjo e pasur me shumë ngjarje që po ndodhnin kudo në tokën shqiptare (por edhe jashtë saj, aty ku kishte shqiptarë), De Rada mbetet pa punë. Në Maki, në vendlindjen e tij, De Rada i pëcillte me interesim të gjitha ngjarjet që po ndodhnin në atdheun e të parëve të vet. Dhe si për çudi, në këtë vjet,  e godasin një nga një disa fatkeqësi familjare; duke i vdekur kështu të katër djemtë,  e mëpastaj edhe e shoqja, si dhe vëllai i tij i vetëm! Ajo që e tronditi mbi të gjitha qe momenti kur i vdiq Zefi, njëri nga djemtë, të cilit , mendonte t’ia lente trashëgim që të vazhdonte rrugën e babait, pra të merrej me shkrime.

Si një figurë enciklopedike De Rada, famën më të madhe  në gjithë Italinë e Jugut, në Shqipëri dhe në të gjitha vatrat shqiptare  e fitoi pikërisht me botimin e revistës “Fiamuri i Arbërit”, të cilën e nxjerr më 1883. Çështjet  që trajtoheshin  më së shumti në këtë revistë, në rend të parë qenë ato shoqërore e politike, por sigurisht edhe  ato kulturore e shkencore.  Në “Fiamurin i Arbërit” kanë bashkëpunuar shumë patriotë shqiptarë të kohës,  si Gavli  Dara, Thimi Mitkoja, Zef Muzaka, Pren Doçi etj.

Më vitin 1899, në kolegjin e Shën Adrianit çilet katedra e gjuhës shqipe dhe përsëri  De  Rada do të bëhet mësues në këtë kolegj. Mirëpo, duke qenë se duhej të udhëtonte tri herë në javë dhe në moshë shumë të shtyer, me vështirësi të mëdha po i përballonte këto kushte të punës. De Rada udhëtonte  më shumë se një orë  në këmbë në një drejtim, sa që thuhet nga disa baskëvendas (që e kanë njohur mirë) shpesh herë ka ndodhur  që De Radën ta gjenin të rrëzuar  për tokë, duke mos mundur të shkonte  vetë në shtëpi. Mirëpo , si atdhetar i pakompromis që ishte,  ai,  edhe në këto kushte dhe me këtë gjendje shëndetësore,  nuk rreshtte së punuari në të mirë të kombit. Ai në këtë kohë boton “Pellazgë dhe shqiptarë”, “Konferenca mbi gjuhën shqipe”, “Karaktere dhe gramatikë të gjuhës shqipe”, “Skënderbeu i pafanë”, si dhe  poemën “”Pasqyra e jetës njerëzore”.

Pas shumë përpjekjesh që bëri De Rada, për hapjen e katedrës së gjuhës shqipe, më në fund ajo u hap, sigurisht  me meritën e tij, por si për ironi, ai nuk u zgjodh  që ta udhëheqte atë. Politika dekadente burbonase e zgjodhi të riun Zef  Skiroin. Ky akt  e demoralizoi tej mase  De Radën,  duke e thyer shpirtërisht, si asnjëherë më parë.

Ditët e fundit të jetës  De Rada i kaloi në mjerim të madh. Si një plak tetëdhjetë e nëntë vjeçar, pa asnjë ndihmë sociale, punonte ende në kolegj, bile duke mos e marrë  as atë rrogë të vogël nga gjashtë e më shumë muaj. Të shkretit iu desh të vuante edhe për kafshatën e gojës. Dhe ashtu në vetmi, larg  farefisit dhe pa askë të vetin, vdiq më 28 shkurt të vjetit  1903 në një dhomë të shkretë, me emrin e Shipërisë në gojë: “Gjaku shqiptar po shkon, gjaku shqiptar po shkon”.

Vdekja e tij jehoi dhimbshëm tek të gjithë intelektualët përparimtarë të çdo  vendi apo vatre  shqiptare, si në Shqipëri, poashtu edhe jasht saj.

***

Pësa i takon subjektit të  veprave të tij, është me interes të përmendet se në gjithë krijimtarinë e tij  letrare, ngjarjet  De Rada  i hedh në trevat shqiptare të atdheut të matanë detit. Në veprat e tij gjejmë përshkrime të tilla vendesh , aq të sakta, sa ta merr mendja se De rada i kishte shëtitur ato vende  këmba-këmbës, edhe pse dihet se, për së gjalli, kurrë këmba e tij nuk kishte shkelë në Shqipëri. Një përshkrim të tillë mund të vërehet  tek vepra “Skënderbeu i pafanë”. Në anën tjetër, meritë e pamohueshme e tij qe mbledhja e folklorit (1886), për ta botuar pastaj veprën “Rapsodi e një poeme shqiptare”, me të cilën besonte se kishte  bërë një  “Iliadë” shqiptare, duke e hyjnizuar kështu kohën e mesjetës shqiptare, ku tregohet epopeja e shekullit të 15-të.

De Radën , në disa aspekte mund ta quajmë edhe historian, sepse  aty-këtu, duke dashur ta ndriçonte historinë e kaluar të popullit tonë, jo vetëm që nuk e lëshonte nga goja  periudhën e lavdishme të Skënderbeut, pra periudhën e shekullit të XV, por trajtonte  edhe  ngjarje të periudhave të më  hershme, duke pohuar me këmbëngulje se shqiptarët janë me origjinë pellazge. Këtë tezë ai e paraqet në veprën “Pellazgët dhe Helenët”, ku thotë se pellazgët, së pari kanë jetuar në Ballkan, e mëpastaj vijnë Helenët. Në lidhje me këtë albanalogu  Gustav  Majer e shtroi çështjen e prejadhjes së shqiptarëve, në kohën , kur pothuaj se studimet  albanologjike ishin ende në djep. Edhe  albanologu shqiptar  Eqrem Çabej, flet me admirim për  De Radën, duke e çmuar me epitetin   “baba të linguistikës”.  Është interesant të përmendet se  as  Majeri nuk e përjashtoi  tezën e De Radës  të elementit pellazgjik të shqipes, i cili  i kishte përfshirë në pellazgë edhe  fiset ilire, epirote e maqedonase.

Për figurën krijuese të  De Radës, përveç patriotëve shqiptarë,  folën edhe shumë personalitete evropiane. Ndër ta le të përmendim  albanologun gjerman. Majer,  i cili duke e njohur nga afër atë shprehet kështu: “Figura e  De Radës të prek. Ai plak i goditur përfundimisht nga ndarja e njerëzve më të afërt të gjirit  familjar, nuk lodhet së punuari me fjalë e me pendë për kombin e tij që e do aq shumë, e që prej kohësh, për këtë qëllim,  drejton një revistë shqiptare”. Ndërsa  romantiku i mirënjohur  francez  Aleksandër  Dymasi, duke e pasur parasysh figurën universale të De Radës, me të drejtë do ta quante “Dante    Shqipërisë”. Një adhurues tjetër i De Radës, bashkëkohaniku, po ashtu  francez, Lamartini, më mirë se askush tjetër diti që  me pak fjalë të spikasë kontributin e madh  të De Radës  dhënë kulturës, letrësisë, shkencë dhe  publicistikës shqiptare, duke u shprehur:

“Atë që bëri Skënderbeu me shpatë,

E bëre ti me pendë, o i madhi  De Radë!”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx