Faleminderit
Ndue Lazri: Gjokë Beci, Bardi i bjeshkëve
E marte, 18.02.2014, 07:46 PM
Iku Gjokë Beci, Bardi i bjeshkëve
-Kur ikën një poet, muzat e ulin flamurin në gjysmështizë-
Nga Ndue LAZRI
Vërejta
që edhe miq e kolegë të tjerë përpara meje, duke folur për ikjen e dhimbshme të
poetit Gjok Beci, e kanë bërë natyrshëm lidhjen edhe me dy emra të tjerë të
mëdhenj të artit e muzikës shqiptare, Vaçe Zelën dhe Feim Ibrahimin. I mbajmë
mend të bashkuar në këngën “Rrjedh në këngë e ligjërime”, interpretuar në
Festivalin e 19-të të Këngës në Radiotelevizion, e cila ishte një himn i
vërtetë lirik kushtuar Shqipërisë, ku rridhnin aq bukur e shkriheshin në një
gurgullimë të vetme fjala e poetit Gjokë Beci, muzika e kompozitorit Feim
Ibrahimi dhe zëri i këngëtares Vaçe Zela.Dhe ja, pas kaq vitesh, ata tani janë
sërish të tre bashkë, por tashmë në botën e pavdekësisë. I pari iku para disa
vitesh Feim Ibrahimi, duke lënë një boshllëk të madh në skenën e muzikës
shqiptare, por edhe një trashëgimi të madhe artistike në muzikën e lehtë e
sinfonike shqiptare.
Gjokë
Beci ishte më shumë se poet. Ishte bardi i bjeshkëve, sepse fjala e tij ishte
edhe muzikë, rapsodi epike. Isha nxënës në gjimnazin e Rrëshenit kur morëm në
dorë librin e tij të parë me poezi “Kur zgjohen bjeshkët”. Ishte kuptimplotë ai
titull, sepse ai kishte lindur në Zajs të Selitës, pikërisht aty ku dielli ngre
vetullën mbi Malin e Kunorës dhe e hedh vështrimin ledhatues mbi tërë
territorin gjeografik të Mirditës, duke përshëndetur drejtpërdrejt Cukalin dhe Taraboshin
e Shkodrës në perëndim. Këtyre bjeshkëve ai do u kushtonte dashurinë e tij më
të madhe dhe vargjet e tij brilante, që, si në kohën e eposit, do kalonin gojë
më gojë e do këndoheshin mal më mal.
Gjokë Beci i lë artit shqiptar mbi 10 vëllime me poezi e qindra këngë. Ai ishte i madh në artin e tij e po aq i madh në thjeshtësinë e tij. Kam patur fatin, si shumë krijues të tjerë mirditorë, të rritem pranë tij e krijimet e para të hedhura në fletore të ledhatohen pikërisht nga sytë e tij. Breza të tërë krijuesish të nxjerrë nga dora e tij. Që sot përkulemi me dhimbje e me mirënjohje të pakufishme përpara kujtimit të tij.
Trashëgimia
e tij artistike është e barazvlershshme me qytete të tëra, madje me vargmale.
E, megjithatë, poeti brilant jetoi në një varfëri të skajshme. Nuk u gjend dot
një shtëpi e denjë për të. Një varg i tij vlente më shumë se një shtëpi.
-Per ZSh-ne , marrë nga Dielli, USA, nga Z. Lushaj-