E marte, 06.05.2025, 11:04 AM (GMT+1)

Speciale

Marjan Sebaj – Sopi: Vdekja dhe ngjallja e Jezusit - Pashkët

E shtune, 19.04.2014, 09:00 AM


Konflikti mes Botës së Vjetër dhe Botës së Re – Vdekja dhe ngjallja e Jezusit – PASHKËT!

Ekskluzive nga Marjan Sebaj – Sopi

Në besimin e krishterë (katolik) ditët para festës më të madhe të saj janë Krezhmet apo 40 ditë të pendesës, të sakrificës, të vetmohimit, të vetflijimit, ditë kur përkujtojmë jetën dhe veprimtarinë e Jezu Krishtit, ditë gjatë së cilave përgaditemi për një ngjarje të madhe që është ngjallja e Jezu Krishtit, ditë këto kur më së miri lidhemi me jetën, veçmas duke përkujtuar gjithë rrugën e Tij, rrugën e sakrificës dhe të dashurisë për vëllaun e motrën njeri, dashurinë ndaj botës, e kjo dashuri shkon aq larg saqë për të mirën e njeriut, për shëlbimin dhe shpëtimin e tij Ai jep jetën e vet, kalon këtë rrugë të cilën e njohim apo quajmë; Rrugë e Kalvarit – rrugën e kryqit, rrugë e cila në moment të parë dukej rrugë e pësimit por që në fakt u bë rrugë e ngadhënjimit, fitorës. Pra, kjo është parahyrje, parapërgaditje në festën e Madhe të Pashkës – të jetës dhe ngadhënjimit, të fitorës mbi të keqën, mbi mëkatin, mbi errësirën…

Duke analizuar, duke studijuar pak jetën dhe veprimtarinë e Jezusit, shohim  nga ungjilltarët sinoptik ( Matej, Marku, Luka, nxënësit e Jezusit) se Jezusi veproi publikisht rreth një vit (këta cekin vetëm një Pashë – Pashkë!), gjersa sipas ungjilltarit Gjonit veprimtaria publike e Jezusit zgjati për tre vite radhazi (shën Gjoni cek tre Pashkë), sot duket më i vërtetë ky pohim i Gjonit. Mirëpo, ajo që është më e rëndësishme këtu e që shtrohet pyetja është; pse Jezusi veproi aq shkurtë por çka është ajo që shkaktoi vdekjen e tij aq të shpejtë?

Jezusi u shfaq si Njeri i Ri në këtë botë të vjetër, të tjetërsuar, të ftohtë, në këtë botë të robëruar nga mëkati. Atë që Jezusi e kishte përherë parasysh ishte; të jetosh gjithnjë me atë që është e Atit qiellor, të dëgjosh Atin gjithmonë dhe deri në fund, pamvarësisht se sa do të duhej të flijohesh, po edhe vet jetën tënde. Mos të harrojmë se Jezusi ishte i vetdijshëm faktit se gjithnjë e më tepër shkonte në konflikt me rrethin e tij. Kjo ishte e pashmangshme nëse dëshironte të jetonte atë që ishte e Atit për amshim, pra të kryej (zbatoj) dëshirën e Tij e që nuk dëshiroi të ngjasoj botës së vjetër, apo të bëjë kompromis (rreth së cilës shën Pjetëri dëshiroi ta bind!) Dhe kjo botë e vjetër shumë shpejt e dënoi, mirëpo tjetër rrugë nuk kishte. Të analizojmë më për së afërmi shkaktarët e konfliktit të Jezusit me rrethin e tij.

Pas burgosjes së shën Gjon Pagëzuesit, Jezusi fillon me veprimtarinë e tij publike. Ai vepron si predikatar popullor, i cili duke udhëtuar nga vendi në vend shpallë ardhjen e Mbretërisë Hyjnore. Kuptohet se si predikues popullor tubon edhe nxënës rreth vetës. Kjo pra në atë kohë nuk ishte asgjë e pazakontë. Mirëpo, ajo që ishte e pazakontë ishte se Jezusi është i ndryshëm nga të tjerët – Tjetër, fliste më ndryshe se të tjetër mbi Atin qiellor – Hyjun. Ai fliste për Hyjin si ai që e njeh atë, e të cilin e ka dërguar vet Zoti. Dhe pikërisht për këtë edhe Mateu cek; ‚vërtet i mësonte si njeriu që ka autoritet’ (Mt 7, 29). Më pas fliste mbi Atin (Hyjin) si Atë të mëshirshëm i cili don dhe falë, i cili nuk gjykon askend, përkundrazi i gëzohet kthimit të çdokujt (krhs. Lk 15). Pra, ky nuk ishte Hyji siç e shpallnin dhe për të cilin mësonin dhe shpjegonin farizenjët e skribët si dhe mësuesit e ligjit. Nga fjalët e Jezusit, nga mësimet e tij mbi Atin (Hyjin) rrjedhte shpresa për gjithë ata që ndienin mungesat e tyre, të cilët ndienin vetjen e tyre të robëruar nga mëkatet, të kqijat, nga sëmundjet e ndryshme, të ngarkuar me pikëllim, varfëri… Ai vepron si predikues popullorë, i cili duke udhëtuar gjithandej tubon rreth vetës tagramledhës dhe mëkatar, të sëmuar dhe ata që vuanin nga sëmundjet më të ndryshme. Dhe Jezusi të gjithë i shëronte dhe lironte! Njerëzit në te shihnin dhe ndienin afër vet prezencën e Hyjit, kështuqë sikur ndonjë maknet tërhiqtëte masën.

Mirëpo, ka patur njerëz që iu kanë afruar Jezusit jo për atë se kishin nevoj për Te, për Jezusin dhe mësimet e Tij, apo që dëshironin të dëgjonin nga Ai të vërtetën mbi Hyjin. Ata ishin vetja, të vetdijshëm dhe bindur se janë të drejtë (meqë në përpikëri zbatonin Ligjin e Moisiut) dhe nga Hyji (të cilin e mendonin vet se farë dukej) pritnin për këtë edhe shpërblimin. Në përgjithësi këta ishin farizenjët, skribët (që mirreshin me mësimin dhe shpjegimin e shkrimit të Shenjt) dhe saducenjët. Këta tuboheshin rreth Jezusit për ta „zënë ngusht“, për ta zënë për fjale, që t’ia hudhin kurthën e në të cilat pyetje nuk do të dinte të përgjigjej, të kritikojnë fjalët e Tij, dhe të gjejnë ‚material’ për akuza, për gjykim.

Jezusi pranë të gjithave publikisht iu kundërshton. i kondërshton sigurisë së tyre apsolute, bindjeve, mësimet mbi shëlbimin dhe justifikimin e njeriut, i kundërshton idesë të cilën ata kishin për Hyjin. i fajson për atë se kishin ‚qelsin e dijës’ mbi Mretërinë e Hyjit meqë mësonin Shkrimin, mirëpo as që kishin hyrë fare në te, e as që iu ndihmonin të tjerëve (krhs. Lk 11, 52). Dhe pikërisht Jezusi derisa iu drejtohej atyre që e kërkonin dhe kishin nevoj për Hyjin me fjalët ‚të lumtë Ju’, gjersa farizenjëve iu drejtohet ‚vaj për ju!’ Jezusi i kritikonte ata (si mësues të popullit) edhe për atë se njerëzit i ngarkonin me qindra rregullore e ligje të ndryshme (shembull rreth festimit-kremtës të së shtunës) të cilët as vet nuk mund t’i përmbaheshin, dhe gjitha këto i bënin në emër të Zotit. Kjo e gjitha i shpinte deri tek dyftyrësia, kishin kujdes për gjëra të jashtme (pashme), kështuqë për këtë Jezusi i quan ‚varrezave të zbardhuara’ (Lk 23, 27). Përzgjedhjen e vet e ndërtuan në faktin e pasardhësëve material të Abrahamit, për këtë Jezusi iu tha kjartë: „As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: ‘Kemi atë Abrahamin!’ sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve! Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr“. (Mt 3, 9 – 10).

Kështu veprat e Jezusit shpeshherë ishin shkak i ankesës dhe konflikteve mes farizenjëve e të ngjajshmëvet. Shembull Jezusi shëron të shtunën dhe në këtë mënyrë ‚thenë ligjin’ dhe mësimet e farizenjëve. Dhe asgjë nuk mund t’i bindëte ata në logjikën e shëndosh dhe vlerësimin e drejtë (edhe pse shembull nëse ndonjërit nga ta do i binte gomari në humnerë, do e nxjerrnin edhe të shtunën, të shtunën farizenjët kryenin rrethprerjen – dmth punonin). Por, nëse nxënësit e Jezusit do të korrnin të shtunën ose do të ndërpritnin agjërimin atëherë ja shkaku për diskutim dhe akuza ndaj tyre, mirëpo Jezusi gjithnjë do i mbrojë nxënësit e vet. (Mk 2, 18 – 28). Mirëpo, ajo që më së shumti iu binte në sy farizenjëve, e që më së shumti iu pengonte ishte ajo që Jezusi rrinte dhe u shoqëronte me tagramledhës dhe mëkatarë. Qëndronte me ta pranë tavolinës së njejtë (të ngrënësh me dike është shenjë e bashkimit, miqësisë), lejonte që ta prekin (Shimuni farize i cili e ftoi Jezusin në drekë, duke parë se si i lejoi Jezusi një mëkatare që ta prekë, kështu mendon: „Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: “Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që po e përket: se është mëkatare.” (Krhs. Lk 7, 39).

Nuk duhet harruar këtu edhe shkaktarët tjerë, apo ti quajmë ashtu shkaktarët e fshehtë të konfliktit mes Jezusit dhe botës së vjetër e për të cilët shkaktar flitët shumë pak por që gjithësesi këtu mund të numërojmë këta shkaktar të konfliktit të përhershëm mes kundërshtarëve të tij. Kjo është lufta për prestigj, popullaritet, gjelozia shkaku i suksesit të tjetërit. Nuk kanë mund ta durojnë atë që populli në atë mas të madhe vrapon pas tij kudo paraqitej ai. Iu pengonte mahnitja e popullit e të cilët mahniteshin dhe kënaqeshin me predikimet e mësimet e Tij. Kështuqë ky krimbë gjithnjë e më tepër gërvishte në shpirtërat e tyre dhe shumë shpejt kjo solli edhe inatin, urrejtjen.

Dhe tani nëse kihen parasysh të gjitha këto gjëra që i cekëm deri tanimë, atëherë është më se e kjartë pse pra qysh nga fillimet e veprimtarisë publike të Jezusit, apo që nga fillimet e para, menjëherë, është sjellë vendimi që ta vrasin Jezusin. Të shiqojmë këtu një pjesë nga Ungjilli i Markut, ku Jezusi shëron njeriun me dorë të thatë: ‚ Jezusi hyri përsëri në sinagogë. Aty ndodhej një njeri me dorë të thatë. Ata e ruanin pale a do ta shërojë të shtunën, që të mund ta paditnin. Ai i tha njeriut me dorë të thatë: “Çohu e dil para të gjithëve!”Kurse ata i pyeti: “Çka lejon Ligji? Të bësh të shtunën mirë apo keq? T’ia shpëtosh njeriut jetën apo t’ia marrësh?” Por ata heshtnin. Atëherë Jezusi, i pikëlluar për shkak të ngurtësisë së zemrës së tyre, i shikoi rreth e rrotull me hidhërim e i tha njeriut: “Shtrije dorën!” Ai e shtriu dorën dhe ajo iu shërua. Farisenjtë dolën jashtë dhe menjëherë u tubuan në këshillim me herodianët kundër tij si ta gjejnë mënyrën për ta vrarë.’ (Mk 3, 1 – 6­).

Krijohet vendimi për ta vrarë. Kajfa propozon vdekjen e Jezusit!

Raste e ‚arsye’ të këtilla për akuza mesiguri se ka pasur shumë. Inati, urrejtja, gjelozia rritej gjithnjë e më tepër, kurse vendimi për ta vrarë ishte gjithnjë e më konkret. Shën Gjoni (5, 18) si motiv për ta vrarë Jezusin sjellë se ai thyente të shtunën, pastaj se e quante Hyjin Atë. Kështuqë ai cek se Jezusin hebrenjët gjithnjë e kishin nën vështrim dhe e përcillnin por edhe planifikonin se si ta kapin dhe arrestojnë, si ta vrasin por me këtë shën Gjoni ungjilltar dëshiron të theksoj edhe më tepër gadishmërinë dhe vullnetin e lirë (dëshirën) me të cilën Jezusi e pranon dhe nisët për të vdekur. Kjo do të ndodhë ‚kur të vij koha’ (Gjn 7, 30), e jo kur dëshirojnë vet ata! Vendimin përfundimtar  do ta merrë, do ta formoj vet Kryeprifti atë vit, Kajfa! Këtë e bëri në Këshillin e lartë të priftërinjëve dhe farizenjëve. Ja teksti: ‘Atëherë kryepriftërinjtë dhe farisenjtë thirrën Këshillin në kuvend. Thoshin: “Çka të bëjmë? Ky njeri po bën shumë mrekulli! Nëse e lëmë kështu, të gjithë do të besojnë në të, atëherë do të vijnë romakët e do të na e rrënojnë Vendin e shenjtë dhe .” Njëri prej tyre, Kajfa ? kryeprifti i atij viti ? u tha: “Ju s’po dini asgjë! Nuk mendoni se është më mirë për ju të vdesë vetëm një njeri për, se të mbarojë krejt populli!” Nuk i tha këto fjalë prej vetvetes, por, pse ishte kryeprifti i atij viti ? profetizoi se Jezusi do të vdiste për popull. Madje, jo vetëm për popull, por edhe që bijtë e Hyjit të shpërndarë t’i bashkojë në një. Po atë ditë vendosën ta vrasin.’ (Gjn 11, 47 – 53).

Shën Gjoni ungjilltar lidhje me gjithë këto shenja të jashtme e të cilat e sjellin deri te vdekja Jezusin dëshiron të cekë një dimenzion më të lartë, ky është karakteri shëlbues, shpëtimtar si dhe kuptimi i vdekjës. Duke folur mbi shkaqet e jashtme të vdekjës së Jezusit asesi nuk dëshirojmë të shmangim apo të anashkalojmë atë shiqimin tjetër. Pranë gjithë inateve apo të kqijave e urrejtjeve njerëzore, pranë gjitha elementeve njerëzore të cilat këtu janë prezente, Jezusi është i vetdijshëm se dëshiron në përpikëri të kryej veprën e vullnetit të Atit të tij, që vdekja e tij është vepër e pajtimit mes Hyjit dhe njerëzimit, dhe se kjo është profetizuar qysh moti kohë.

I zënë (kapur) në tradhti të Judës, akuzat ndaj Jezusit dhe vdekja e Tij!

Kështu rrethi për kapjen e Jezusit gjithnjë e më tepër shtrëngohej dhe bëhej më i ngusht. Pas vendimit për ta vrarë Jezusin tanimë është vetëm çështje e kohës. Shiqohet e vrejtohet çdo moment, para kësaj kuptohet duke pas parasysh shmangjen e kapjës së tij jashtë syve të popullit i cili pandërpre vraponte pas tij. Pra, duhej të gjindët momenti kur ai është vetëm me nxënës të tij. Ndoshta këtë e rëndonte edhe fakti se thuajse Jezusi ishte tërhequr në ‘ilegalitet’. Nuk dihej ku gjindët, ku banon, kurse ai paraqitej vetëm në masë të popullit. Kështuqë është dashur të gjindët tradhtari edhe atë nga rrethi i tij i ngushtë. Ai do i sjellë ata në ‘vendqëndrimin e fshehur’ të Jezusit. Dhe e gjetën! Ai që e tradhtoi fatkeqësisht ishte Juda Ishkarioti, njëri nga dymbëdhjetë apostujt (nxënësit) e tij. Lakmia për parat që i premtuan atij, atë e bërën nga apostulli besnik në tradhtar. Nuk është dashur shumë të bëjë Juda, pra vetëm të jap shenjë kush është, dhe ta kapin! Këtë e bëri! Gjersa Jezusi festonte me nxënësit e tij Pashkën (hebreje) e fundit, Juda del përjashta dhe i sjellë shërbëtorët (ushtarët). Ishte natë. E gjitha ndodhi në kopshtin e Gjetsemanit. Erdhi momenti i tij! Jezusi dorëzohet vullnetarisht, sakrifikon, jep jetën e tij!

Për çfarë akuzohet? Fliste e mësonte kundër të shtunës të cilën e thente, do të gjykohet për blasfemi sepse fliste se Hyji është Atë i tij, fliste se mund ta rrënoj tempullin dhe atë ta rindërtoi për tre ditë (këtu dmth duke aluduar në trupin e vet i cili do të vdes dhe pas tre ditëve të ringjallet). Për këso gjëra sipas ligjeve hebreje parashihet dënimi me vdekje! Nëse ka dëshmitarë lidhje me këto (e dëshmitarë nuk është vështirë të gjindën) nuk ka farë pengese lidhje me dënimin me vdekje! Mirëpo, problemi qëndron diku tjetër, shembull se si të paraqitën me këso akuza, këso gjëra, para drejtuesit romak, para Ponc Pilatit, pa miratimin e të cilit nuk është guxuar të sillët asnjë vendim apo të kryhet ndonjë dënim me vdekje? Para tij hebrenjët vijnë me akuza politike! E akuzojnë Jezusin se po e ngritë popullin në kryengritje, që ndalon popullit t’i paguaj perendorit tatime, se deklaron që ai është mbret (pra punon kundër regjimit egzistues) e gjitha këto që mund të sjellin dhe prodhojnë vendimin me vdekje!

Vdekja në Kryq!

Procesi ishte i ‘montuar’ dhe pikërisht për këtë Jezusi në përgjithësi vetëm heshtë. Ka folur vetëm nëse është pyetur në mënyrë direkte. As nuk u mbrojtë as nuk pohoi dëshmitë e rrejshme. Ai u thirrë lidhje me atë që foli gjithnjë dhe publikisht, që mësoi dhe mbajti qëndrueshmërinë dhe besnikërinë ndaj të vërtetës… Mirëpo, këtu ngadhnjeu urrejtja dhe inati, dobësia karieriste e Pilatit.

Jezusi qe dënuar – me vdekje, edhe atë vdekje të turpshme që do të thot; të kryqëzohet në kryq.

Pashkët tona (Shqiptare)

Nëse me vëmendje analizojmë e gjithë këtë rrugë të Kalvarit, gjithë jetën e Jezusit, atëherë vërtetë mund të konkludojmë se e gjithë jeta e jonë, jeta e popullit tonë edhe i ngjason jetës dhe rrugës së Jezusit, rrugës Kalvarit, rrugës së kryqit.

Hebrenjët popull i lashtë, popull monoteist që vuajti e pësoi shumë gjatë historisë, por që është krenar me të qenurit e tij na duket sikur të ka diç me gjenet, sikur të ka diç të përbashkët me vet popullin shqiptar dhe historinë e tij. Jezusi si Zot dhe Njeri u lind në mesin e këtij populli, jetoi në mesin e tyre, mësoi, shëroi, bëri mrekulli… Jetoi në gjithçka i ngjajshëm sikur çdo hebre (çdo njeri tjetër) përveq mëkatit, për të dëshmuar mbi Atin krijues, për Hyjin e të gjithëve që është Hyj i mëshirës  dhe Babë i Mirë, i faljës dhe pajtimit, shëblimit dhe shpëtimit të njerëzimit, Hyj i gjithësisë, paqës dhe dashurisë…

Hebrenjët gjithnjë e për çdo vit kremtonin festën e Pashës (apo Pashkët) që në hebreishte Pasha do të thot – Dalje, Kalim, pra kremtonin e përkujtonin kalimin apo daljen e tyre, nga robëria mbi 400 vjeçare egjiptiane. Kjo dalje-kalim ishte e ndërmjetësuar me vet ndihmën e Hyjit. Mirëpo, me jetën e Jezusit, me veprën e tij të shëlbimit dhe që nga vdekja dhe ngjallja e Jezusit pashkët marrin një domethënie, një dimenzion krejt tjetër. Pra, Hebrenjët , ne dhe gjithë bota tanimë ngadhnjejmë ndaj robërisë, ndaj robërisë fizike e më tepër shpirtërore, me Jezusin dhe vdekjen, ngjalljen e Tij ngadhnjejmë mbi vdekjen (robëria e vdekjës) të gjithë ringjallemi, ngjallemi për një jetë të re, për një jetë me Zotin. Kështuqë me Jezusin shihet se vdekja nuk është më e fortë se jeta, se vdekja nuk e ka fjalën e fundit (këtë që kohëve të fundit e thonë edhe shkenctarët të ndryshëm cilët mirrën me këtë çështje) por jeta.

Ne të gjithë lirohemi nga robëria, por tani me ndërmjetësimin e vuajtjeve, vdekjës në kryq dhe ngjalljes së Jezusit, lirohemi nga robëria e mëkatit, nga robëria e të keqës, nga robëria e errësirës, vdekjës për të jetuar tani e për amshim…, nga qysh tani jemi të liruar dhe të dalur (Pasha) në dritë, në dritë të së vërtetës, në dritë të mirës, të paqës dhe dashurisë gjithëpërfshirëse… Nuk ka më urretje, zili, smirë, inati, shpifje, tradhëti, sepse të gjitha ato në një mënyrë i mori mbi vete Qengji i butë, Bariu i mirë, mësuesi ynë, i mori dhe varrosi njëherë e përgjithmonë. Gjitha këto të kqija i futi në varrë, i zhduki njëherë e përgjithmonë për të mbretëruar në botë, paqa e pajtimi, dashuria mes të gjithëve pa dallime (për të cilat gjëra duhet dhe jemi të ftuar të punojmë edhe ne, meqë tanimë e kemi rrugën e ngadhënjimit të trasuar – të njohur)…

Jeta ngadhnjeu njëherë e përgjithmonë, vdekja më nuk ka fuqinë, nuk ka fjalën e fundit – por jeta, jeta në Zotin dhe mes vete…

Edhe neve populli shqiptarë si popull i lashtë, me kulturë e traditë të krishtere gjithnjë kemi përkujtuar Daljen, Kalimin – Pasha (Pashkët) pra Pashkët tona, apo mund lirisht t’i quaj pashkët shqiptare. Cilat janë ato? Ishim 500 e më tepër vite nën robëri turko- otomane dhe me mund të madh, me ndërmjetësimin e Hyjit (e miqëve por më tepër të bashkuar) shpëtuam nga asimilimi, u liruam, kaluam apo dolëm nga errësira në dritë… (po me pasoja të mëdha por të fortë dhe vetdijshëm se duhet të jemi gjithnjë të bashkuar).

Ishim nën robëri sllavo-komuniste si shqiptarët në Kosovë ashtu edhe nën vuajtje të tmershme sikur ato të Jezusit vëllezërit tanë ata në Shqipëri e gjetiu, dhe prapë pranë të gjithave ngadhënjyem, ia dolëm të ngadhnjejmë, të kalojmë ‘Detin e Kuq’.

Në mesin e kësaj historie, apo gjatë gjithë kësaj historie sa dramatike aq edhe të lavdishme gjithësesi se patëm trashtar, patëm bashkëpunëtorë të okupuesëve të ndryshëm, njerëz që na urrenin, njerëz që nuk na dëshironin të  mirën, nga ata që na kritikuan, nga ata që na urrejtën e sollën shumë vuatje, nga ata që lakmuan ndaj pushtetit dhe paras… por si popull nuk u dorëzuam. Dijtëm të jemi të qëndrueshëm, stoik, të jemi të bashkuar sepse besonim në të vërtetën, besonim në ardhmërinë, besonim në ngadhjim, në jetë…

Me forcën e Pashkës, me mësimet dhe me forcën të cilën na dha Jezusi gjithësesi që jemi të përgaditur të festojmë Pashkët, duke përkujtuar të gjitha Pashkët tona, rrugëtimet, rrugën e kalvarit dhe rrugën e kryqit me këtë duke përkujtuar të gjithë vëllezërit e motra tona të cilët gjatë shumë shekujve si në Kosovë eshtu edhe në Shqipëri dhanë jetën për të pasur jetë neve, në rend të parë duke përkujtuar Jezusin që flijoi jetën për të gjithë ne, poashtu edhe vëllazërit e motrat tona sakrifikuan jetën që të kemi neve jetë, që të kemi neve dritë dhe ardhmëri, të kemi perspektivë dhe paqe, dashuri...

Prandaj, të përkujtojmë këtë ditë historinë tonë, pashkët tona gjatë shekujve dhe ato t’i krahasojmë, apo më mirë të themi ti bashkojmë dhe përjetojmë me rrugën e kryqit të Jezusit dhe sikur Jezusi  të marrim forcë ti falim të gjithë bëkqinjët, të gjithë ata që na urrjenë, të gjithë ata që na salvojnë e mundojnë, të gjithë ata që na sollën mundime e vuajtje, pra të gjitha këto të na kujtojnë e bashkojnë edhe më tepër që Pashkët tona vërtetë të kanë kuptimin e jetës e kjo është NGJALLJA E JONË DHE JETA ME ZOTIN DHE VËLLAUN E MOTRËN NJERI, jeta me të gjithë në paqe e dashuri. Të vdesim njëherë e përgjithmonë për kah mëkati për të jetuar të lirë e në dritë!

Me këto mendime, pra urime të gjithëve Pashkët, shëndet të mirë, paqe e bekime nga i ringjalluri Jezu Krisht!

Marjan Sebaj – Sopi

Rostock

Pashkët’2014



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx