Mendime
Alma Lama: Gjykata speciale, jo në dorë OKB-së
E enjte, 17.04.2014, 07:29 PM
Disa argumente pse gjykata
speciale nuk duhet t’i lihet në dorë OKB-së
Nga Alma Lama
Tani nuk ka më asnjë dilemë se Kosovës i duhet të përballet seriozisht me akuzat e senatorit Dik Marti. Zgjedhjet nuk janë të larmishme. Ose do ta votojë Kuvendi i Kosovës gjykatën speciale që do të ngrihet, pasi më parë presidentja e Kosovës t’i ketë dërguar një letër-kërkesë përfaqësueses së BE-së, ose ta lëmë këtë proces të realizohet përmes OKB-së. Ne si deputete jemi plotësisht në mjegull në lidhje me këtë çështje. Por ajo çfarë është më keq është se as kryeministri, e as i caktuari prej tij për t’u marrë me këtë punë nuk ka informata mbi këtë proces.
Prokurori Williamson dhe zyrtarët e BE-së kanë refuzuar plotësisht palën kosovare, për të negociuar ne lidhje me juridiksionin e tribunalit apo të gjykatës.
Nga ana tjetër, Tribunali apo gjykata speciale duket e pashmangshme dhe sipas një burimi, Kosova ka kohë deri në maj për të vendosur. Në të kundërt çështja shkon në OKB, drejt e në Këshillin e Sigurimit me propozimin e mundshëm nga ana e Rusisë. SHBA-ja nuk është e gatshme të përdorë veton në lidhje me këtë çështje, si duket për interesa më të gjëra të saj ne botë. Të mos harrojmë tani krimet e luftës që po ndodhin në Siri, një shtet që ka mbështetjen e Rusisë dhe një veto për Kosovën do të thoshte edhe një veto të mundshme ndaj Sirisë. Por edhe probleme si ai i Irakut, mund te jenë faktor për ta shmangur një votim të tillë në OKB.
Unë do të përpiqem të bëj një analizë se pse votimi në Këshillin e Sigurimit do të ishte shumë I dëmshëm.
Së pari një votim i tillë, pra një rezolutë e Këshillit të Sigurimit për hapjen e tribunalit patjetër që do të kërkonte një bazë ligjore, kur t’i referohej Kosovës si entitet. Kjo do të ringjallte rezolutën 1244 gjë që do të rikthente prapa procesin e avancimit subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kjo rezolutë, siç e dimë asnjëherë nuk është shfuqizuar në Këshillin e Sigurimit për shkak të Rusisë dhe të Kinës, mirëpo përmes akteve të tjera të ndërmarra rëndësia e saj është tentuar të relativizohet. Që kjo rezolutë të vazhdojë të jetë e vlefshme, ka qenë edhe kërkesë e vazhdueshme e Serbisë, në bisedimet me Kosovën, e fatkeqësisht ka zënë vend edhe në fusnotën e famshme, që nuk doli aspak të jetë fjollë bore.
Nuk e shoh të pamundur edhe riaktivizimin e shtyllës së dikurshme të UNMIK-ut për Polici dhe Drejtësi, sepse UNMIK është i pranishëm në Kosovë, edhe pse në numër të vogël.
Së dyti, një votim i mundshëm në OKB, do të thotë mungesë pronësie në proces nga ana e shteteve që e mbështesin Kosovën. Që të jemi të qartë, Kosova, kështu si kanë ardhur punët, në asnjë rast nuk do të ketë pronësi mbi këtë proces, por në rast se do të mbetet në pronësi të OKB-së ky mund të kthehet në një makth për shtetin e Kosovës. Kjo do të thotë se mund të zgjasë pa fund për shkak të dallimeve të mëdha që kanë qëndrimet ndaj shtetësisë së Kosovës. Realisht do të ishte rrënim i sovranitetin në aspektin legal.
Së treti
hapja e tribunaleve apo gjykatave speciale duket se është një praktikë e OKB-së
pasi pothuaj për të gjitha vendet që ka pasur ndonjë lloj administrimi nga OKB.
Si pasojë e krimeve të përgjakshme, janë hapur gjykata të tilla speciale për
krime lufte apo gjenocid. Fatkeqësisht Kosova do t’i bashkohet listës së
vendeve për të cilat është hapur gjykatë kriminale ndërkombëtare , krahas
Ruandës, ish-Jugosllavisë,
Shmangja e votimit në OKB nuk do ta përjashtonte Kosovën nga lista e vendeve me gjykata speciale për krimet e luftës, por së paku do ta shmangeshin komplikimet për shkak të statusit, pasi të gjitha vendet e përmendura më sipër kanë subjektivitet të njohur ndërkombëtarisht.
Rasti i Kamboxhias, ku gjykata speciale u hap pas 5 vitesh negocimi me autoritetet vendase dhe 24 vjet pas kryerjes së krimeve nga Kmerët e Kuq, dhe dështimi i këtij procesi duket se është nga ato eksperienca që mund të jetë marrë parasysh nga zyrtarët e SHBA-se dhe BE-së edhe në rastin e Kosovës. Tashmë hapur e kanë shprehur mungesën e besimit tek autoritetet vendore dhe te mundësia e zhvillimit të një procesi të paanshëm.
Mirëpo Kosova megjithatë është një rast i ndryshëm sepse gjykimi i krimeve të luftës ka qenë prej pas luftës kompetencë e gjykatësve ndërkombëtarë, një herë të OKB-së dhe tani të EULEX-it, dhe nuk duket fort e logjikshme që të hapet një gjykata ndërkombëtare e posaçme. Mbetet i çuditshëm edhe fakti se pse nuk i zgjatet mandati Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë për të vazhduar edhe këtë rast, duke qenë se hetimet janë bërë pikërisht nga ata në vitin 2003. Pra ekziston një agjendë politike kundër Kosovës, sido që ta shohim.
Së katërti, siç e thamë më lart, hapja e një tribunali nga ana e Këshillit të Sigurimit do të kërkonte miratimin e një rezolute. Kjo rezolutë do të mund të përfshinte periudhën e gjykatës, por edhe mund të mos e përfshinte. Por edhe mbyllja e një gjykate të tillë, do të kërkonte një rezolutë. Vullneti i Rusisë që të përmbyllej pas 5 vjetësh ta zëmë, është vështirë të besohet se do të ndryshojë, por edhe pas dhjetë vjetësh nuk pritet qasje me konstruktive prej saj.
Së pesti, dëmi në imazhin e Kosovës do të ishte shumë më i madh, nëse procesi kalon nëpërmjet OKB-së. Nëse çështje e trafikimit të organeve të diskutohet në forumin më të lartë ndërkombëtar, jehona e kësaj do të ishte shumë më e madhe.
Por jo vetëm imazhi i Kosovës. Një gjë që nuk duhet ta anashkalojmë është edhe implikimi i Shqipërisë në këtë proces. Akuzat e Dik Martit flasin për nxjerrje organesh dhe trafikim brenda territorit të Shqipërisë.
Përfundimisht pra Kosova mund të zgjedhë mes: a) ta votojë vetë tribunalin apo gjykatën speciale; b) t’ia lë në do të OKB-së dhe të bashkëpunojë me të, ose c) të zgjedhë të mos bashkëpunojë më OKB-në siç ka bërë Serbia apo Kroacia për shumë vite dhe në fund sërish të dorëzohet përpara kushtëzimit të institucioneve ndërkombëtare.
Gjithsesi as akuzat e as gjykata nuk janë për të mirë. Në fakt janë një re e zezë që po rëndon shumë mbi qiellin e shqiptarëve. Asnjëri prej nesh nuk do të donte që këto akuza të provoheshin, e që këto krime për të cilat akuzohen pjesëtarë të UÇK-së të kenë ndodhur.