E shtune, 18.05.2024, 04:09 PM (GMT+1)

Mendime

Dukagjin Hata: Ali Ahmeti dhe “Toka e Premtuar”

E diele, 13.04.2014, 06:18 PM


Ali Ahmeti dhe “Toka e Premtuar” e shqiptarëve në Maqedoni

Nga Dukagjin HATA

Zhvillimet politike në Maqedoni, një ditë para zgjedhjeve presidenciale dhe pak kohë para atyre parlamentare, po nxjerrin gjithnjë e më në pah një ridemensionim të faktorit shqiptar, me anë të BDI-së dhe liderit të saj, zotit Ali Ahmeti.

Lëvizja e Ahmetit për legjitimimin e dy shumicave shtetformuese në Maqedoni, me anë të formulës së presidentit konsenual, është një ide e mirëfilltë politike, e bërë në kohën e duhur.

Pas shqiptimit të fortë të kësaj kërkese, lypsej që faktori politik dhe jo politik shqiptar të ishte në unison, çfarë do ta detyronte pjesën fanatike të Shkupit zyrtar të reagonte politikisht dhe jo me kryeneçësinë e tij të papërpëligjur. Por, për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur.

Inercia e vjetër e mllefeve të vogla, hatërmbetjeve dhe etjes për karrige, janë shfaqur rishtas, duke bërë që faktori politik dhe jo politik shqiptar në Maqedoni të ndahet më dysh.

Megjithë këtë, tentativa serioze e BDI-së dhe liderit Ahmeti mbetet një ogur i mbarë për botën shqiptare në Maqedoni. Pas kësaj, në kandarin e të drejtës së një shteti të ngritur mbi artifice dhe konjuktura të rastit, shqiptarët s’mund të jenë më të humburit e përjetshëm.

Lëvizja politike e Ahmetit është një hap i ri në agjendën kombëtare të shqiptarëve, për t’u riformatuar e ridimensionuar si faktor kryesor shtetformues në Maqedoni.

Lideri i BDI-së z. Ahmeti ka argmentuar dhe lobuar politikisht me vendosmëri dhe pa u lëkundur për asnjë çast, se ideja që kreu i shtetit të zgjidhet nga vullneti i dalë nga dy shumica është ide fisnike, më se njerëzore, pasi dy shumica që kanë legjitimitet bëjnë zgjidhjen më të mirë, sepse ne të gjithë jemi dëshmitarë që për 20 vite me radhë është kontestuar gjithmonë për qëllime politike, për qëllime të paarsyeshme, dhe kjo duhet të merr fund. Ne bëjmë ofertë shumë të sinqertë, legale dhe përparimtare, të ulemi të bisedojmë, të diskutojmë, të gjejmë zgjidhje. Ne ua bëjmë me dije që të gjithëve, se do punojmë deri në realizimin e plotë të kësaj platforme që kemi vendosur për zgjidhje dhe nuk do bëjmë asnjë hap pas, sepse vlerësojmë dhe jemi të bindur që çdo zgjidhje konsensuale është zgjidhje përparimtare, shumë më demokratike, më me vlerë që afron dhe bashkon qytetarët.

Zoti Ali Ahmeti ka më se dy dekada që projekton ide dhe lëviz në mënyrë të matur, por me këmbëngulje dhe siguri për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni, në një Maqedoni pa komplekse historike dhe paranoja, ku shqiptarët të kenë atë peshë dhe rol që iu takon, si pjesë kryesore shtetformuese. Ai është njeriu që ka staturën dhe dinjitetin e duhur, jo vetëm politik por dhe njerëzor, jo vetëm për shkak të kontributeve atdhetare por dhe sociale, për të mbajtur peshën e një aksioni të tillë kombëtar.

Vërtet shqiptarët në Maqedoni përballen me një problematikë të ngjeshur, që lidhet me gjuhën, shkollimin, një soj diskriminimi të  shqiptarëve në shkolla e vendet e punës, dhunën ndaj të rinjve dhe grupeve të tjera shoqërore, kontrollin dhe shantazhimin policor të shqiptarëve vetëm për shkak të etnitetit etj. Por gjatë këtyre dy dekadave e sidomos këtë dekadën e fundit, pas inicimit të Marrëveshjes së Ohrit, është bërë shumë në përafrimin e standardeve integruese të shqiptarëve në Maqedoni, për kthimin e identitetit dhe simboleve kombëtare, e meritë kryesore për këtë kurs të pakthyeshëm ka sigurisht dhe lideri i BDI-së e njëri nga protagonistët më aktivë të çështjes shqiptare në Ballkan, zoti Ali Ahmeti.

Pasi ka fituar të gjitha betejat ushtarake, Ahmeti ka hyrë në politikë me ide të qarta dhe vizionare, ku misioni i pambaruar i çështjes kombëtare ka qenë dhe mbetet kryedeviza e tij.

Megjithëse Maqedonia e ka humbur me kohë argumentin e delirit historik dhe aktual, për shkak se, përveç të tjerave, siç parasheh ish kryeministri maqedonas Lubco Georgievski, pas 7-8 vitesh Maqedonia do të jetë shtet mysliman, kurse pas 15 vitesh shtet shqiptar, inercia e delirit vazhdon t’i krijojë konfuzion dhe kokëfortësi.

Por a nuk ka ardhur koha që më në fund shqiptarët të mund t’i kthjellojnë kokat e nxehta maqedonase?

Ali Ahmeti nuk është hera e parë që tenton drejt këtij “kthjellimi”, duke qenë njeriu i duhur, në kohën dhe vendin e duhur, për një mision të tillë.

Njeriu që çoi shtatoren e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës në Shkup, që me përpjekje sizifiane ia doli më në fund të zyrtarizojë flamurin shqiptar dhe gjuhën shqipe nëpër institucione, Ali Ahmeti është ai që po luan fort në fushën e kundërshtarit, duke e detyruar Shkupin zyrtar të bëjë “autogol”. Në fund të fundit, lëvizja e BDI dhe e liderit të saj z. Ahmeti është lëvizja e duhur jo vetëm për të zyrtarizuar shqiptarizmin si element shtetformues në Maqedoni, por për të parandaluar dhe vetë shkërmoqjen e Maqedonisë.

Sot e gjithë ditën Maqedonia vazhdon të mbetet “Thembra e Akilit” të një Ballkani tjetër, pa komplekse dhe derivate të së shkuarës agresive; çuarja në vendin që i takon i faktorit shtetformues shqiptar, i jep Maqedonisë, të paktën për një farë kohe, argumentin e mbijetsesës. Edhe pse krijuar si shtet artificial në kohën e Jugosllavisë Federative dhe pa elementët thelbësorë për të qenë republikë e Federates Jugosllave e më vonë, pas viti ‘90 shtet i pavarur, ridimenisionimi i shqiptarëve si njëra nga dy shumicat etnike me të cilat është krijuar ky shtet i “arrnuar” keq, do ta ruante Maqedoninë për një farë kohe nga shpërbërja.

Por kjo sigurisht nuk është një problem i shqiptarëve. Problem i tyre imediat është të këmbëngulin fort, që tani kur janë pjekur kushtet politike, të jenë në një zë me Ali Ahmetin dhe BDi-në për t’i vnë Maqedonisë me mjete politike, krejtësisht legjitime, integruese dhe legale, “kufirin tek thana”.

BDI është shprehur në të gjitha rastet se Maqedonisë, si vend me demokraci në zhvillim, i lypset vendimmarrje me konsultime më të gjëra dhe gjithëpërfshirëse, dialog më thelbësor për temat me rëndësi të veçantë, por edhe konsensus politik dhe etnik.

Nëse këto detyrime, që kanë qenë dhe mbeten edhe pjesë e Marrëveshjes së Ohrit nuk janë përmbushur në shkallën e duhur, kjo nuk do të thotë se ky deformim mund të vazhdojë në përjetësi. Prandaj konsideroimi i zotit Ahmeti se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare dhe një president konsensual do të krijonin hapësirë për marrëveshje të re për bashkëqeverisje në të cilën do të hapeshin tema në interes të qytetarëve dhe vendit, duhet të kthehej në një konsiderim mbarëshqiptar në Maqedoni e më gjërë.

Thirrja e  BDI-a dhe z. Ahmeti ndaj shqiptarëve për një plebishit bojkotimi në Maqedoni, ishte një thirrje për të penguar triumfin pansllav në një republikë të keqarrnuar, ku pushteti personal dhe lobingjet janë ngritur mbi çdo kauzë, dinjitet e partneritet, ku faktorizimi  i shqiptarëve ende është një realitet i minuar, që kompromentohet nga dhuna dhe përjashtimi institucional.

Pas kësaj, nuk ka kthim prapa dhe shqiptarët nuk mund t’ia nisin nga fillimi duke luajtur në një fushë të minuar, për hir të integrimit dhe kushtëzimeve të sipërfaqshme euroatlantike.

Pas kësaj lëvizja e të gjithë shqiptarëve në Maqedoni duhet e do të jetë një lëvizje që të mund të garantojë një parneritet të plotë politik në një shtet ku kosensusi i shumicave është e vetmja mënyrë që politika e bunkerizuar të dalë nga llogoret e e vetëizolimit dhe të dëshmojë se retorika intergruese e podiumeve të rastit nuk është një retorikë demagogjike, se sindromi pansllav është tejkaluar dhe se në këtë vis të Ballkanit po fryn një erë e re, ku shqiptarët kanë gjetur më në fund vetveten dhe “Tokën e Premtuar”…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora