Mendime
Ilir Yzeiri: Me fytyrë nga Europa e krishterë
E marte, 15.04.2014, 06:32 PM
E SHKUARA
NGA ILIR YZEIRI
Brenda një jave ndodhin shumë pak ngjarje që mund të kenë ndikim të
vërtetë mbi jetën publike të këtij vendi. Nëse vështron ligjërimin politik,
shpesh ai nuk vërtitet rreth problematikave të reformës që po ndërmerr qeveria.
Opozita në Shqipëri e përfill veten si pronarja e vetme e kritikës dhe e
kundërshtimit apo refuzimit të punëve që bën qeveria. Mirëpo opozita jonë vijon
të veprojë me strategjinë komuniste të konspiracionit. Ish-ministri i Mbrojtjes
deklaron në Kuvendin e Shqipërisë, se Forcat e Armatosura të Shqipërisë merren
me trafik droge. Është një akuzë tepër e rëndë që përsëritet një ditë më pas
edhe nga ish-kryetari i KQZ-së që zgjodhi Lulzim Bashën kryetar bashkie.
Paralelisht me këtë, një tjetër zyrtar i lartë i opozitës, ish-ministër i
Brendshëm i PD-së, zbulon një tjetër scoop. Ai tregon një sms që Kryeministri
Edi Rama ia paska çuar ministrit të Brendshëm, Tahiri. Të duket sikur jetojmë
në një vend që është ende në gjendje lufte dhe institucionet e pavarura të
drejtësisë nuk ekzistojnë ende. Në vend të tyre qarkullojnë traktet dhe
pamfletet politike që janë të tejmbushura me sulme konspiracioniste. Në një
vend normal, e para, nuk do të hidheshin akuza të tilla në Kuvend, por do të denoncoheshin
në organet e drejtësisë, e dyta, ai që do të artikulonte një akuzë të tillë, do
të duhej të thërritej menjëherë që të depononte ose do të merrej i pandehur për
shpifje dhe ndotje të mjedisit publik. Mirëpo këtu asgjë nuk ndodh dhe kësaj
klime të rëndë i shtohen herë pas here edhe rilexime që i bëhen historisë së
Shqipërisë, duke përdorur edhe në këtë rast konspiracionin intelektual. Një
profesor nga Prishtina, që ashtu si shumë shqiptarë andej e këtej kufirit
identifikohen më parë si turq ose si islamikë e pastaj si shqiptarë, thotë se
vargjet e Çajupit: “Kur bëre dërr’ e arinë/ ç’deshe që bëre Turqinë?” janë
vargje idiote. Pastaj arsyetimi se Perandoria Osmane ishte e ligjshme, se
ardhja e saj në Ballkan ishte një shpëtim për Ballkanin dhe për ne shqiptarët,
këto janë teza që nuk thuhen nga një idiot, por nga një profesor universiteti
që ka gjithë të drejtën ta lexojë historinë si një tekst të shkruar prej tij.
Gjithkush është i lirë të zgjedhë identitetin e tij, por askush nuk mund ta
zhbëjë një tekst për të ndërtuar një opinion. Problemi i identitetit të
shqiptarëve është një çështje kyç, që mesa duket jo vetëm që nuk është
zgjidhur, por që do të fillojë të rëndohet gjithnjë e më shumë në rrymë të
kohës. Më në fund ne po shohim se nuk kemi institucione të besimit që të jenë
të qëndrueshme dhe t’i arsyetojnë shqiptarët si komb. Kur lexon këtë koment të
profesorit nga Prishtina, që i quan idiote vargjet e Çajupit për Turqinë, gjëja
e parë që të vjen në mendje është konteksti dhe Rilindja Kombëtare. Ka dy
mendime për Perandorinë Otomane, njëra që e shpall atë shpëtimtare për kombin
tonë dhe tjetra që e quan katastrofike shkatërrimin e vendit tonë nga kjo
perandori e së keqes. Historia na tregon se shqiptarët në fillim luftuan për të
ruajtur fenë e tyre të krishterë dhe Skënderbeu u bë kampion i ruajtjes së
këtij identiteti.