E diele, 27.07.2025, 02:32 PM (GMT+1)

Kerko: a

Hyqmet Hasko: Absurdi si sindromë ekzistenciale

E marte, 25.02.2014, 08:09 PM


Absurdi si sindromë ekzistenciale dhe risi letrare

Rreth krijimtarisë letrare të poetit dhe shkrimtarit të njohur Petraq Risto

Nga Hyqmet HASKO

Me emrin e Petraq Ristos lidhet një pjesë e rëndësishme e letrave tona kombëtare, pas clirimit të tyre nga dogmatizmi kanunor i socrealizmit dhe veçmas, poezia, të cilën ai e ka shndërruar në një mënyrë origjinale të perceptimit të realitetit, përtej çdo shkolle e drejtimi letrar, duke i dhënë asaj ndjeshmërinë dhe sugjestionin e një ëndrre të kulluar. Risto e ka tejkaluar çdo vektor orientues rreth konceptit të shkrimit të poezisë, pasi kur ai shkruan poezi, duket se i fshinë të gjitha kujtesat dhe leximet, mbresat e çastit dhe përjetimet e rastit, duke u shkrirë uni i tij në njësh me “shqisën e gjashtë” të perceptimit të botës, e cila është shqisa specifike e poetëve dhe profetëve.

Duket se kjo “shqisë” është dhuntia e tij e hollë për të rrokur përtej asaj që

shohin njerëzit e zakonshëm, por dhe poetët e zakonshëm, përtej asaj që duket dhe perceptohet me shqisat e njeriut normal. Ajo që e bën të veçantë dhe të papërsëritshme poezinë e tij, e cila ka një audiencë të gjërë brenda kufijve të botës shqiptare dhe jashtë saj, duket se është ndjeshmëria e hollë dhe alegroria e thellë, përpunuar këto me teknika të zhdërvjellëta poetike, të cilat vijnë duke u pasuruar dhe përsosur nga poezia në poezi, nga libri në

libër.jo më pak rrezatim e rrezosnacë sjell Risto dhe në prozë, në tregimet dhe romanet e tij, të cilat janë pritur me shumë interes nga lexuesi dhe janë

përcjellë me shënimeve dhe shqyrtime të kritikëve më të njohur. Petraq Risto ka lindur në Durrës, më 9 qershor 1952. Ka kryer studimet e larta për Gazetari dhe një vit pasuniversitar për kritik teatri. Ka punuar si gazetar dhe libretist.

Pas viteve ’90 shtëpia e tij botuese “Globus R”, ka publikuar me qindra libra e autorë seriozë. Është autor i shumë vëllimeve me poezi, romane, tregime etj.

Librat e tij më të spikatur janë në poezi: “Zgjohu, princesha ime”, “Mollë

zhvirgjëruar nga rrufetë”, “Lojë shahu në shekullin XXI”, “Engjëlli me virus

H5N1”, “Hallelulja”, “Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja!”; “Apo-ka-lypsi”, “Miq të

dyshimit”, “Udhëtar me pluhur ferri”; romanet “Avioni ‘Madam Baterflaj 9/11’”, “Bukuroshja fantazmë dhe unë zoti Prek Vdek”; “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, vëllimet me tregime: “Vdekja e palaços”, “Ndalohet vrasja e ujqërve”, etj.

Librat e tij poetikë janë përkthyer në vende të ndryshme të botës si në Francë “Amer est le miel des tombes” (“I hidhur mjalti i varreve”), përkthyer nga Solange d’Angely dhe Luan Rama, botuar nga “L’Harmattan”, Paris 2009; në Meksikë “El guardian de las golondrinas (“Kujdestar i dallëndysheve”), botuar në dy gjuhë, spanjisht dhe shqip, përkthyer nga Xhevdet Bajraj dhe Ricardo Romero Vallejo, botuar nga Géiser & Toshka, Meksiko, 2008; në Rumani “Vânatul câlu?ilor de mare” (“Gjuetia e kuajve të detit”), përkthyer nga Kopi Kyçyku, botuar nga Librarium Haemus, Bukuresht, 2008, si dhe “Lojë shahu në shekullin XXI” në ShBA publikuar në sistemin e librit elektronik Kindle, shpërndarë nëpërmjet amazon.com, 2011. Gjithashtu, poezia e Ristos është

publikuar në revista dhe në antologji të ndryshme në ShBA, Spanjë, Itali,

Angli, Meksikë, Maqedoni, Rumani, etj. Poezia e tij bie në sy për figuracionin xixëllues, ndjesitë e holla, zhgënjimin, dhimbjen dhe rebelimin qytetar, për antikonformizmin e thellë, për magjijimin e tablove, akureleve, mesazheve, poleseminë e figurave dhe trajtave të imazhit poetik, kontrapuntin dhe befasimin, si elementë të rëndësishem të mozaikut poetik. Risto e përdor fabulën poetike për të depërtuar në mitologji, në histori, në përditshmëri,

duke depërtuar përtej çdo sipërfaqeje të lëmuar, deri thellë në lëkurë, në

poret e kohës dhe ankthin sindromik të bashkëkoësve. Në poezinë “Kënga e

këngëve 1: Ktheje pengun” Risto shkruan: “Jo, nuk gaboj: atje tej në muzg zotat merren fshehtas me shkrirje floriri të veshin me to perëndeshat dhe prostitutat dhe kur tepron diçka u shkon mendja për detet dhe malet. Zotat e muzgut i bëjnë lulëkuqet të fërkohen paturpësisht me kallëzat e grurit dhe hedhin pakëz ar e pakëz argjend në trupin tënd në buzët e prushta, në hundën tënde: kodër që ndan dy liqene drite”… Një imazh i tillë në formën e mozaikut, pjesë e strukturave konceptuale të krijimtarisë së tij poetike, e bëjnë poezinë e Ristos jo vetëm fine dhe emocionuese, por dhe me një shumësi nëkuptimesh që burojnë nga nënteksti. Risto e rivlerëson objektin poetik, duke e thërmuar për ta rindërtuar mbresën dhe imazhin më të fortë dhe më të drithshëm, duke ruajtur gjithmonë kontekstin lirik dhe alegorik të tekstit. Poeti ndërthur brezat dhe kohët, kahjet dhe linjat e mesazheve, me anë të një rrëfimi të ngrohtë e sponatn lirik, që aq bukur na sjell valët e qeta dhe të trazuara të botës njerëzore, pasionet, zhgënjimet, luftën për të mbetur njeri. Poezia e Ristos është unike, e thellë, e ngrohtë, e vrullshme, vertikale, kompleksive, me varg të shtruar e të “shthurur” njëherësh, me një nerv të brendshëm plot nëntekste.

Poeti fokuson në vargun e tij përditshmërinë, botën globale, projeksionin e

gjërave në dukje të vogla e të zakonshme si shtrati ku ai vendos vektorin e tij poetik, por që e bëjnë poezinë e këtij poeti të ndjerë e të freskët, me një

lexim që të zgjon afeskion. Jo më pak poet është Risto në prozën e tij. Nëse

marrim bie fjala në anlaizë romaninin e tij “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, mund të themi pamëdyshje se është një nga krijimet më mbresëlënëse në prozën bashkëkohore shqiptare. Me të mbaruar leximin, kupton se raportet e shkrimtarit me përrallën dhe historinë, me mitin dhe përditshmërinë, janë pjesë e kredos së tij kruijuese. Me romanin “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, nisur nga kontekstet e realitetit të përditshëm, autori ndërthur ndërthurjen e elementët përrallorë me të vërtetat e trishta dhe dramatike të një kohe të sëmurë, reflektuar në ankthe, strese, makthe, sindroma e trauma personazhesh, duke i sugjeruar lexuesit, që, nisur prej këtij përfytyrimi gati përrallor të jetës, të kthehet në jetë, të kuptojë shkaqet dhe domethënien e atyre fakteve që përmenden çdo ditë në ekrane e në gazeta dhe të mendojë nëse duhet pranuar kjo gjendje si fatalitet, apo duhet bërë çmos për t’i dhënë fund. Autori i bën një autposi poetike dhe narrative shoqërisë së tranzicionit shqiptar, këtij njëzetvjeçari kaotik e të pështjelluar, gati apokaliptik, që ka zhvendosur rendin e gjërave

dhe e ka kthyer kohën me kokë poshtë, në një karusel gjigand e të çmendur.

Hymini dhe saga e xhunglës, janë pjesë e përjetimit mesazhor të Ristos në këtë roman dhe në romane të tjera, ku “lënda e parë” është absurdi ekzistencial allaKamy, por një Kamy shqiptar, që vështron me sy të thellë e të ftohtë përtej dukjeve, duke depërtuiar në skutat e errëta të pasioneve të sëmura njerëzore.

“Ujku për ujkun është njeri”, kjo mund t’i shkonte si postulat i përmbysur fabulës narrative të këtij romani, ku ashtu si dhe në prozat e tjera të gjata e të shkurtëra të tij, Risto derdh një llavë absurdi, që alegoriksht ngrihet në

kufijtë e një akatakuze të nëkuptuar ndaj gjithçkaje që stimulohet nga vesi dhe makutëria. Në një klimë të tillë depresioni politik e shoqërore, ndërsa

trumbetohet deheroizimi, nis të reklamohet në emisione televizive e në gazeta kulti i gruas – burrë, jo në kuptimin e burrneshës, që lufton e vdes për atdhe e nder, dhe në mungesë të burrit, i vë shpatullat shtëpisë, por më tepër një mohuese të veçanësive gjinore për të marrë gjak përkundër natyrës e misionit të gruas – përtëritëse e jetës. Është edhe kjo dukuri një prej anëve të realitetit të sotëm shqiptar, që Petraq Risto e ka sjellë pa vonesë nga jeta në letërsi përmes një trajtimi origjinal artistik dhe nën një interpretim që i tejkalon kufijtë e rastit dhe, ka lejuar të depërtojnë në xhungël rreze njerëzie, dashurie e shprese përtëritëse. Kohët historike dhe përditshmëria shkrihen në prozën e Ristos si një përcjellje dehëse e sharmit të botës shqiptare, të cilat në rrethanat e reja të kohës globale lypset të rivlerësohen, së pari e mbi të gjitha nga vetë shqiptarët. Personazhet e tij janë mbartës të kauzës së lirisë dhe qytetërimit, nga njëra anë, por janë deheronj, përfaqësues të absurdit dhe kriticizmit të sëmurë, nga ana tjetër. Proza e Ristos është një kontribut në letrat tona, ku puna si gazetar, talenti dhe përkushtimi në fushën e shkrimeve i ka dhënë dorë për të sjellë në penën e tij rrëfime që të mbeten në kujtesë për një kohë të gjatë. Autori priret në rrëfimet e tij të zbulojë skutat ku fle dhimbja, trishtimi, pamundësia, atje ku flenë “plagët” që i shkaktojnë njeriut shqiptar dhe shoqërisë sonë jo vetëm dhimbje fizike, por mbi të gjitha dhimbje shpirtërore, trauma individuale e kolektive. Fabulat e tregimeve të Ristos janë tepër interesante, siç janë interesante zhvillimet e rrëfimeve, por ende më interesante dhe mbresëlënëse janë përfundimet e papritura, shpesh të befta, të këtyre krijimeve. Me një stil të zhdërvjellët, plot kolorit gjuhësor, me figura të gjalla dhe detaje të holla, prozatori vizaton portrete protagonistësh, tablo emocionale të realitetit shumëngjyrësh që bën objekt të shqyrtimit të tij narrativ. Pena e hollë dhe zhbiruese e Ristos depërton në skutat më të errëta të shoqërisë, iu jep udhë e drejtim dilemave të karaktereve në çaste kthesash jetësore, duke evidentuar pasurinë shpirtëore dhe rezistencën e shpirtërave të lirë, të panështruar nga e keqja, mbi të cilën dalin triumfues. Në analizë të fundit, kemi të bëjmë me një shkrimtar dhe poet të mirënjohur, që ka krijuar një rrugë të re në letrat tona, duke na ofruar me talnetin dhe përkushtimin e tij një mundësi për ta parë ndrsyhe njeriun shqiptar dhe shoqërinë shqiptare, të cilat nga absurdi ristian nuk dalin të njollosur me damkën e të keqes, por me një dëshirë të beftë, të ngushtme, gati klithëse, për të vështruar në horizonte të tjera…



(Vota: 2 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx