E marte, 06.05.2025, 01:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Rikujtesë...

E marte, 10.12.2013, 08:56 PM


Rikujtesë...

Njeriu është i lirë vetëm atëherë

kur i shërben së vërtetës.

(Sami Frashëri)

Tregim nga Bedri TAHIRI

Që kur kishte mbaruar lufta  dhe vendi ynë gëzonte lirinë, katërmbëdhjetë e ca vjet më parë, rrallë i kishte rastisur të kalonte atyre shtigjeve, të cilat i njihte  pëllëmbë për pëllëmbë dhe mund t’i kalonte edhe symbyllas. Asajde kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë. Sa qe kalama fare, tufën e deleve dhe dy lopë të zaifta i sillte atypari, edhe pse nuk kishte kullota të mira. Atyre bokërrinave gurore, me ca shkurre që rriteshin për gazep dhe kurrë nuk arrinin të bëheshin as dru për zjarr, mbinin ca barishte të ëmbla, të përziera me lule çaji e me një lloj fshese çufërrake, vegjetacioni i të cilave asnjëherë nuk dihej kur fillonte as kur mbaronte. Verë e dimër thujase ishin të njëjta. Madje, shkemëza, shkurre me zemër të kuqe që shfrytëzohej edhe për çaj, dhe dëllinja, gati përherë ishin të pandryshueshme.

Konfiguracioni i tyre gjasonte në samar breshke, të ndara  me lugje të thella që vështirë kapërceheshin. Me rëndësi ishte që ruajtja e bagëtisë ishte e lehtë, nuk kishte ara me bereqet përreth, andaj nuk kishin çka të dëmtonin. Në Lëndinën e vockël midis kodrash, që gjasonte në sofër kreshnikësh, kënaqëshin duke lozur vënojsash e rrasash.

Ah, gati harrova, ore ua marrsha te keqen! Në Lug  të Behramit, të parët tanë dikur i patëm çelur disa ara, të cilat i soste hëna, siç thoshin me qesendi burrat e mençur. I kishin prerë drunjtë, i kishin nxjerrë cungat me rrënjë dhe i kishin lavruar me buaj e me qe. Hajde mendjekrisur, hajde! Për t’i punuar ishin të lehta fare, por në to nuk bëhej gjë, përveç tërsherës. Edhe atë të bekuar nuk e lënin të rritej lepujt e breshkat që ishin me bollëk. Disa herë patën provuar ta kultivonin edhe misrin, por ku të lënin derrat e egër, të cilët e lavronin edhe tokën. Aty pati edhe ai një arë dhe kurrë s’do të  harrojë sa hiqte kur u dërgonte bukën prashtarëve.  Kështu, dalëngadalë ato edhe mbetën djerrina...

Toponimet disi i pëlqenin shumë dhe edhe sot i ngjallin admirim. Kërshi i Lepurit, Lluburet, Lugu i Behramit, Roga e Blinit, Sordovi, Logjja, Shpatet, Kroni i Drumit, Vorret e Hysen Berishës, Gojfilja, Kërpnaja, Gurra, Shtojtë, Guri i Bardhë...

Edhe  kur u burrërua nuk ua ktheu shpinën këtyre vendeve  frymëzuese. Sillej e mbështillej dhe tek to gjente prehje shpirtërore e qetësim nervash. Me një fjalë, u qëndroj besnik, ashtu siç edhe ato kurrë nuk e shikuan vëngër. Kur lodhej nga mësimet dhe nga puna mendore, ua mësynte këtyre bregoreve gjysmë të zhveshura, me kokën tej e tej në qiell dhe mushkëritë i mbusheshin ajër të pastër e tiktaket e zemrës ritmonin më mirë.

Dhe, sot, fundjavën e parë të dhjetorit 2013, luftëtari i lirisë, Dardan Kuçi, tek po rrinte në shtëpi dhe natyra kishte veshur vellon e bardhë të nusërisë, e kaploi një dallgi e tillë. I la të gjitha menjanë, u shtrëngua si për front, mori pushkën e gjuetisë e gjerdanin me njëzet fishekë dhe kaptoi andej si me krahë dragoi. Gripi cfilitës, që për dy ditë rresht sa  s’e kishte plandosur për toke, zuri të lëshonte pe posa mori atë rrugë. Eh, kështu e paskësh kjo punë, ore lum vëllai, virgjëria e natyrës mëmë nuk lejonte sëmundje as flamosje brenda  gjirit të vet.

Thënë të drejtën, kësaj here nuk doli për gjah. Jo, ore jo. Kështu, kur një tufë thëllëzash iu trembën para këmbëve, as që i shkoi mendja të qëllonte.  Madje, në një shteg, edhe një dhelpër me një pulë në gojë, grabitur në kotecin e ndonjë shtëpie bri malit, ia preu rrugën qetë- qetë, ky nuk u trazua fare. Thejshtë, kësaj radhe kishte dalë veç për të ecur e për t’u çmallur nëpër ato shtigje të luftës së fundit çlirimtare e për të rikujtuar çaste nga ato beteja...

Te Kërshi i Lepurit bëri pushimin e parë. Mu në maje të tij, tek një çarr i vjetër xhuxh, i cili prej se mbahej mend i tillë kishte qenë. As nuk rritej, as nuk zhvillohej, veçse trashej tepër ngadalë e pahetueshëm. I shkreti, nuk di si përballonte, kur mbi atë shkëmb nuk rrinte një pikë uji. U ul fare pranë tij. Sa ishte lodhur! Mezi ngopej frymë. Pas pak i hodhi sytë andej nga dhiarja që të shpiente  në Qafëmalin, ku ndodhet Vorri i Hysen Berishës. Sipas rrëfimeve të më të moshuarve, të cilat kalonin kufijtë e reales dhe merrnin trajtën e legjendave, aty, kush e di se kur, kishte ngjarë një hata çmendëse...

- Nëjse, kësaj radhe nuk po lëshohem më tej, tek e largëta, po ndalem tek e afërta, - mërmëriti me vete, duke u dhenë fre mendimeve...

...Edhe atë ditë kishte zënë pozicion në këtë vend. Po, po, mu në të njëtin vend. I kujtohej saktë. Ishte java e parë e prillit 1999. Binte një shi i imtë dhe bënte ca ftohtë. Një fillimpranvere, përplot me beteja të përgjkashme. Sapo kishin dalë në pikat që po i mbanin suksesshëm tash e tre muaj. Sa e sa herë cerberët e përtej Tunës kishin provuar të depërtonin Vargmalit të Qyqavicës që ndan Galicën e Ashlanin. Forcat e hasmit tonë shekullor, të pozicionuara e të përqendruara me arsenalin më modern ushtarak në Taraxhë, tek Pishat, siç dukej, kishin planifikuar që kësaj here të depërtonin gjithsesi midis kësaj zone të lirë, e cila e kishte trazuar edhe vetë kryesatanain.

Dielli kishte bërë tre hostenë rrugë kur tre tanksa zinxhirorë uturinin me një fuqi mahnitëse dhe si somnabulë nuk i priste gjë e gjallë. Me lehtësi shtypnin gurë e drunj që u dilnin përpara. Para dhe pas tyre këmbësoria piromane. Sypërdalë e gjaketur nxitonin si hijenat tinëzare për të shfryrë mllefin e tyre mbi farën e lirisë që po bulëronte hareshëm. Me hanxharë e una në duar, zbatonin planin e tokës së djegur.

Trimat tanë, gjakftohtë e sypatembur, nuk loznin dot nga istikamet. Ishin në tokën e vet dhe nuk kishin ku të shkonin, ore u plaçin sytë qafirëve trutharë. Dhe, qëndronin e qëndronin. Gjakatarët sojzinj me javë e muaj ishin përpëlitur për ta marrë Sukën e Madhe të Galicës, por kot. Ajo sikur kishte diçka profetike. Ishte e pamposhtur. Edhe në kohën e Azem Galicës kështu kishte qenë, e lirë dhe e panënshtruar. Kryetrimi njëherë aty ishte sulmuar beftë, por ia kishte dalë faqebardhë. Madje, një plumb i armikut i kishte ngelur në sumbullat e xhamadanit të tij dhe paskëtaj qe përhapur fjala se Azem Galicës nuk ia lë as plumbi...

Sakaq uturima u dëgjua fare afër. Rrugës se Bregut, të cilin e kishin hapur austriakët më 1917, po vinte një kolonë e gjatë gjakpirësish. Në ballë të saj ca paramilitarë e mercenarë trupmëdhenj, me koka të rruara tas e të lidhura me shami të kuqe, me gjoksore përplot bomba e kama të mëdha, me armatim të llojllojshëm e me nga një vodkë, gëllënkat e të cilave ua ngrohnin gjakërat e ua largonin tremën. Marshimi i tyre përcillej edhe me britma e zhurmë mbytëse...

-Zjarr!- oshëtiu në të dy anët e kurrizit bjeshkor.

Dhe, grykëhollat liridashëse ia krisën gurgullimë këngës së tyre. Lugjet përreth mbajtën iso dhe përcollën kushtrimin: O sot, o kurrë! Trupmadhi nuk po ipej edhe pse trupi iu bë shoshë. Karikatori i tij u zbraz kuturu dhe pa efekt. Pasi u hepua pakëz e zbrazi shishen e rakisë me fund dhe i dha zor ta hidhte një bombë me bisht drejt trimave tanë. Por, jo. Fuqia e lëshoi dhe u kalamend majtas e djadhtas. Para se të binte në tokë, ulëriu si bishë mali: Unë jam rus!...Unë jam rus! Tek këmbët e tij u përplas  edhe tjetri që ishte larë në gjak...Pak më tutje edhe dy të tjerë zhgërryheshin në baltën e skuqur e të qullur. Gjaku i pistë karpatian  përlyeu tokën e pastër të Arbërisë së Vogël...Edhe ca të plagosur po përpëliteshin me vdekjen. Të tjerët zunë të zvarriteshin se prapthi si gaforrja...

Pas një ferre murrizi dëgjohej një gjysmëzëri i mekur e si i përvajshëm. Nga radiolidhja e tij dilte një zë kukuvajke që kërkonte përforcime e ndihmë për tërheqje...

Derisa këto kujtime po i rëndonin si gurë mulliri në kokën e tij, këmbët e kishin shpjerë në vendin e ngjarjes. Shtresa e hollë e borës nuk e lejonte ta përcaktonte saktë vendin, ku deri vonë kishin ngelur pellgje gjaku të atyre që kishin guxuar të shkelnin tokën tonë stërgjyshore...

Pasi qëndroi edhe pak në atë udhëkryq, me histori të mistershme e enigmatike, mori në të mëngjer. Hiç më shumë se pesëqind metra më tutje, në të rrëzuar nga Ashlani, kishte qenë Shtabi i tyre. Oda e Lah Ramës nga Luboveci qe bërë Shtab i luftëtarëve galicas. Aty hanin, aty pinin, aty pushonin, aty flinin, prej aty shpërndaheshin nëpër pikat e vrojtimit e po prej aty niseshin edhe nëpër frontet e luftimeve.

Eci deri afër saj, por për të shkuar brenda nuk shkoi dot. Nga aty bartte shumë kujtime, të mira e të hidhura. Aty qe mjekuar edhe vetë, kur mori plagën në këmbën e majtë nga cifla e një granate, hedhur nga kodra e Kutllofcit. Çudi, atë ditë as që e kishte menduar rrezikun. Më në rrezik kishte qenë kur nga  Prekazi e kishte qëlluar me rafale një pragë vdektare, edhe pse me të gjitha konventat ndërkombëtare kjo armë ishte e ndaluar të përdorej kundër njerëzimit. Por, ja, u plagos kur nuk e priste. Ishin në pushim dhe po bënin shaka me kuzhinierin, një mesoburrë humorist që të bënte të qeshje edhe në prag të vdekjes...Granata pati prekur majën e lisit të madh, aty pranë shtëpisë, dhe kishte plasur, duke shpërndarë ciflat vdektare në formë rrethi...

Eci e eci. Shikonte e rikujtonte. Ja edhe gropa ku kishin vendosur një minë antitanksë dhe ku qe dëmtuar një kamion serb përplot ushtarë. Ashtu, ende e pambuluar plotësisht, si një gojë e shqyer kuçedre, të shtinte tmerrin. Edhe lisat e mëdhenj, ende lëngonin nga plagët e granatave.

Deri te Roga e Blinit nuk ndaloi asgjëkundi. Aty u ndal dhe i hodhi një sy Drenicës. Moti i kthjelltë i mundësonte të kapte gjithë vendbanimet deri tek Rezalla, Likoci e Abria. Aty ku qe ndalur ishte pika më e lartë e këtij Vargmali që lidhte Qyqavicën me Zmiqin, Gërmovën e tutje me Kolashinin. Nuk ishin stacionuar kot mu këtu tankset serbe, në marsin e vitit 1999, duke bombarduar gjithandej dhe Shtabin e UÇK-së në Likoc. Këtu, fill pas çlirimit të Kosovës, kishte gjetur qindra gëzhoja të topit të quajtur Haubica. Një të tillë edhe sot e ruan si relikt të asaj që nuk duhet harruar...Ah, zuzarët e djallit! Sa i përcjellin amanetet e të parëve. Në këtë vend qe vendsour edhe topi kryesor i Zhupanit, i cili kishte ardhur më njëmijë e pesëqind ushtarë për ta rrethuar Azem Galicën, më 15 korrik 1924...

Në cepin e poshtëm të Logjeve ende kishte gjurmë betejash të përgjakshme. Aty ishin edhe istikamet tona. Ca kanale dredharake, me shikim nga Pishat e Taraxhës, ku kishin  zënë vend zuzarët shpirtkatranosur. Skeleti i një veture, që me mund e patën vendosur aty ku bënim roje, i përkujtoi shumçka. Dorën në zemër, në roje dilnin të gjithë, edhe ata që nuk kishin veshur uniformën e UÇK-së. Madje, edhe të moshuarit.  Luftëtarët duhej të pushonin e të merrnin forcë përtëritëse. Në fillim, në atë veturë, kishin vendosur edhe listën e orarin e rojtarëve, gjë që shpejt u menjanua, ngaqë kishte rrezik për ata që ende lëviznin pak më lirshëm...

Kur dielli fundosej pas Bjeshkëve të Nemuna dhe një erë e ftohtë zuri të përcëllonte si brisk rroje,  Dardan Kuçi u kujtua të merrte tatëpjetën drejt katundit, i cili po zhytej në zymtësinë e një nate të ftohtë dhjetori. Shëtitja shtigjeve të luftës sikur ia kishte lehtësuar shpirtin dhe trupin.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx