E marte, 06.05.2025, 01:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Sokrat Habilaj: Eja edhe si dhimbje

E marte, 10.12.2013, 08:50 PM


SOKRAT HABILAJ

EJA EDHE SI DHIMBJE

-Cikël poetik-

 

ZEMRA IME

 

Kujtuat se ma hëngrët zemrën, e qeshët ju,

Kur e shihnit se si po vdiste, pak nga pak

Por unë po ju them se prapë rron diku

Edhe pse i thithët asaj çdo pikë gjak.

 

Në çdo grimcë gjaku që thithët, veç e veç,

Brenda jush tani e ndarë, më rron zemra

E do rebelohet nervi i saj kryeneç,

Sa t’ju shkatërrojë ju, aty nga brenda!

 

Herë do t’ju shfaqet, duke ju mbjellë ankth,

Si ëndërr që s’donit ta shihnit asnjëherë,

Herë egërsisht, përdhe do t’ju përplasë,

Ju do rendni të ndaheni prej saj me tmerr.

 

Jam unë që do të qesh me ju, pas kësaj,

Tek shoh zemrën që më vjen si dallëndyshe.

Vërtet në kthetrat tuaja, la gjakun e saj,

Por pse jo, aty mori dhe inat prej bishe...!

 

 

EJA EDHE SI DHIMBJE!

 

Ti mos u trishto që unë jam kështu,

S’mund të jem ndryshe dhe po të dua.

Kur dhimbjet e mia, i harroj diku,

Dhimbjet e botës strehohen tek mua.

 

Ti mos u trishto, kur të shikosh lot,

A nëse dhimbjet më kanë lodhur mjaft.

Mos më merr inat që nuk i ndala dot,

Kur me dhimbjen më hodhën dhe baltë.

 

Ti mos u trishto për buzëqeshjen tënde,

Se ndoshta mes lotëve, gjendet në pusi.

Po në shpirt për ty, i ruaj ca vende,

Ku askush troket, as nuk hynë njeri.

 

Ti mos u trishto, eja dhe si dhimbje,

Si do që të vish, unë të pres tek dera.

Nëse nuk sjellë gaz në zemrën time,

Eja zbukurom gjithë dhimbjet e tjera.

 

 

DY VËLLEZËRIT

 

Të vegjël, laheshin në të njëjtin lumë,

Madje dorë më dorë, zhyteshin ata.

Dhe rrugën e bënin në të njëjtën urë,

Duke e mbajtur njëri-tjetrin në krahë.

 

Por kohët ndryshuan e vitet ikën shpejt,

Duke ndryshuar edhe vet pak nga pak.

S'i tërhiqte më shushurima e lehtë

Dhe ura e vogël, varur mbi lumë si hark.

 

Gratë erdhën nga vende të largëta diku,

Nga të tjerë lumenj, ura e rrëke.

E s'dinin ç'lidhte veç bregut, ura këtu,

S'mund të dinin dhe këtë lumë për ta ç'qe!

 

-Eh i dashur,- gugiste e para në shtrat,

Të bënim një urë, ta kishim ne vetëm!

Tjetra, mendjehollë,i lutej çdo natë:

-Ah, ta ndërronim këtë lumë me një tjetër!

 

Vinin nga të tjera vende të ëmblat gra,

E çuçurisnin sertë, a butësisht.

Dhe të shkelnin në urë, trembeshin ata,

Ndërsa uji i lumit u ngjethte mishtë.

 

Ja kështu, sa qenë vëllezërit të vegjël,

Një urë e vetme për ta ishte shumë.

Po kur u rritën e erdhi kohë tjetër,

S'u mjaftonte jo një urë, po as një lumë...

 

 

KUR TË IKËSH NGA UNË

 

Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,

Që unë të mësohem me ikjen tënde.

A thjesht të mendoj se do kthehesh prapë,

Muzgjeve të vjeshtës si vegim hëne.

 

Ti do të ikësh, por mos ikë e gjitha,

Që unë mos ta ndjej se të kam humbur.

A thjesht të më lesh pas ikjes si grimca,

Çdo pore të lëkurës që të kam puthur.

 

Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,

Që të besoj se pendohet dhe vdekja.

A thjesht të gjej shpesh vetëm një shkak,

Për të të thënë sa shumë të desha...!

 

 

RELIEV I THYER

 

Gjithçka e sheshtë të duket si mjegull,

Me rregullsinë e saj të mërzitshme.

Në të tilla pamje, vështrimi rri pezull,

Kur s’sheh reliev me ulje e ngritje.

 

Dhe foshnja, a dhe burri që u thinjë,

Në pamje të sheshtë s'rehatohen dot.

Kokën e mbështesin ata mbi dy gjinj,

Thjesht që të çlodhen, mbase ashtu kot.

 

Gjithçka e sheshtë, trishtim pikon,

Me rregullsinë e saj të mërzitshme.

Ç’më frymon e dashur, sikur dallgëzon,

Vetëm që për mua, të krijosh brigje!

 

 

PER  ATE  QE  SE  MERR GJUMI

 

Kur thash lamtumirë, se dija natyrisht,

Se unë do të rrija larg jush kaq pak.

Njeriu ka arsye, botës t’i bëjë bisht,

Por për t’u kthyer, nuk gjen asnjë shkak.

 

Nuk gënjeva kur ju fola fare hapur,

As u tremba të ndjek ata që s’kthehen më.

Ai që kthehet, është vërtet i çartur,

Kush ikën tek të shumtët, nuk bënë asgjë.

 

Si të tjerët, lash pas dashuri e lutje,

Lash lot që më përgjëroheshin, ktheu!

Po si të kthehesha, qoftë për një puthje,

Kur buzët e mia kishin grimca dheu!?

 

S’vija, as për ty që lexon këto rreshta,

Ndërsa belbëzon, shihni, erdhi për mua!

Mos m’u mërzitë se nuk të pyet vdekja,

Dhe kur i lutesh se të pretë një grua.

 

Nga kjo udhë nuk më kthente as plumbi,

Dhe asnjë dashuri, s’më tundonte në faj.

Erdha se thjesht dikë, netëve se zë gjumi,

Pa ndjerë frymën time në flokët e saj.

 

 

TË LUTEM MOS SHKRUAJ VARGJE DASHURIE PËR MUA!

 

Se mund të mendosh që kur bien netët,

Më këndon si fllad, apo thjesht si hënë.

Pastaj, hutaq si të gjithë poetët,

Buzën time e lë krejt të pa ngrënë.

 

Se mund të mendosh që ti nëpër rreshta,

Krijon edhe jetë, nën strehë reje.

Dhe harron pa dashje, gjëra të thjeshta,

Që bota krijohet veç brenda meje.

 

Se mund të mendosh që çdo pëshpërimë,

Ti nis e ma kthen në vargje me ngutje.

Dhe harron, i dehur, se asnjë rimë,

As gjithë vargjet s’vlejnë sa një puthje.

 

Se mund të mendosh që fjalë mrekullish,

Shkruhen në libra, a letër së paku.

Dhe harron se dua gërvishtje në mish,

Sikur pas çdo germe, të shpërthejë gjaku.

 

Se mund të mendosh që me yjet fletë,

Dhe s’kupton asgjë çfarë do një grua.

Që ta mësoj unë, ashtu si di vet,

Mos shkruaj të lutem vargje për mua!

 

 

FALJE

 

Unë ty të fal dhe pse shpirti më dhemb,

Boll mbajta mëri, tani s’ka më kuptim.

Faljen unë e mat veçse me inatin tënd,

Vuajtjen!? Ah, atë e mat me lotin tim!

 

 

TEK VARRI I BABAIT

 

Mbi fijet e barit, njomur me vesë,

Ndjej në çast të më djegin lotët në sy.

Hapat nis i hedh një nga një me kujdes,

Nga ndrojtja se mos të zgjoj, padashur ty.

 

Dhe skuqem atje, skuqem si miturak,

Ndërsa dua të pëshpërit me lutje.

Paskam prit' dyzetë e ca vjet, jo pak,

Që të mësoj se të kam ec' mbi supe.

 

Kur në dhé të huaj, humbas në harrim,

Më mblidhet lëmsh në fyt, ja si kjo kodër.

Vallë, malli i heshtur për dheun tim,

Për dyzetë e ca vjet qe një lodër?

 

Tani në shpirt më është përmbys' gjithçka.

Edhe vargjet e dikurshme i kam gris'.

Kur më linde, ku ma vure zemrën pra,

Më thuaj, këtu në gjoks, a nën një plis?!

 

E kur trembem se mos mbetem në vetmi,

Dhe s'ka kush më qetëson mua plagët,

Ku ti hedh sytë të gjej pak ngrohtësi,

(Se ndodh që të lenë vetëm të gjallët?)

 

Ti, i njeh këto hile, e nga meraku,

Do të rrish i drithëruar në pritje.

Dhe do gëzohesh kur të shfaqem s'largu,

Se ti për mua, u ngute e ike...!

 

 

PAKT

 

Më thonë s'e telefonin tim e ke marrë inat,

Dhe letrat ti tej i flak, pa i hapur, me mllef.

Mirë atëherë, le të bëjmë bashkë një pakt,

Duke prerë urat që na lidhin në jetë!

 

Ashtu të ndarë le të presim botën tjetër,

Ku bezdisja ime do të tretet diku thellë.

Atje askush s'dërgon telegram, as letër

E askush s'të bënë më telefon, a imell.

 

Po ta dish, mua dhe atje s'më mban varri,

Sa herë të kujtoj fytyrën, a emrin tënd.

Rrasën do ta shpërthej, të ngrihem së gjalli,

Të të bëjë një telefon, a të t'dërgojnjë zënkë...



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx