Kulturë
Lulzim Logu: Kurthet e ëndrrës
E marte, 10.12.2013, 07:55 PM
KURTHET E ËNDRRËS…
-Në vënd të pasthënies për librin e Hasan Selimit “ ANTOLOGJIA E ENDRRES”-
…Në fund të fundit, të gjithë kemi të drejtë të rrëfehemi shpirtërisht, të dialogojmë më mirë përmes shkrimit, sesa nga biseda të gjata dhe monotone, ku shpesh nuk e kuptojmë njëri -tjetrin, ose së përfillim trendin apo gjetjen e tij jetësore, të mbërthyer nga egoizmi provincial dhe gjykimi i mangët, mbështetur në biografi dhe histori të dala boje të së kaluarës…
Nga
Lulzim Logu, Tropojë
Kur mora në duar dorëshkrimin e këtij libri, të them të drejtën, isha skeptik dhe i pavëndosur, jo thjesht për arsye tematike, por ndoshta për shkak të idesë time të fiksuar prej kohësh, që të mos shprehem për libra të shkruar kryesisht nga persona të besimit, ndihesha objektivisht i paaftë të jap konsideratën e duhur.
Librin nuk mund ta refuzoja, kisha një histori të gjatë njohje dhe respekti me autorin, bile që në fillim nuk e quajta libër, mendoja të ishte thjesht një përsiatje filozofike, një traktat i mendimeve duale, mes besimit dhe të panjohurës, një prirje e dukshme e kohëve të fundit, që të shkruajmë shumëçka rreth vetes dhe fenomeneve njerëzore të ditëve jo fort’ të zakonshme që kalojmë.
Kur e fillova leximin, kisha ndjesinë se po lexoja kujtime të trishta, faqet e një ditari të vjetër, të harruar qëllimisht në kohë, të pacensuruar në gjykime, spontan dhe të guximshëm, ku zbuloja çast pas çasti dhëmbjen e mbijetesës njerëzore dhe intelektuale, kah triumfi i të qënit dhe sfidës së fatit, ngërthyer me nota të thella dhe të rënda nostalgjie dhe krenarie, fshehur pas një rrëfimi magjepsës, që ndonjë moment më ngatërronte me stilin e një shkrimtari të njohur të realizmit magjik.
Libri nis me ëndrrën, me funksionin e saj jo thjesht estetik te njeriu, por si provë e mënyrës sesi jeton dhe vlerësohet ai, në ç’farë stadi qëndron raporti i realitetit me mendimin, ecja me fluturimin,qënia me thelbin dhe formën, e shkuara me të ardhmen, subkoshienca jonë me natyrën dhe ritmin e saj të pandalshëm të ndryshimit…
Vetë autori e shpall kredon e kësaj lidhje apo të këtij raporti, kur shprehet:
”Edhe i vogël me kanë munduar andrrat, bile edhe sonte kam pa andrra nga ato me sy hapur. Andrra është burim i jetëgjatësisë së popullit tim”.
E lidh pastaj ëndrrën aq natyrshëm me familjen, me brezat, përshkruan ngjarjet e jetës së vet me një fill të padukshëm si prej ëndrre dhe pret ta kuptojnë, më mirë të them ta mirëkuptojnë udhëtimin e tij stacioneve të ndryshme të jetës.
Dhe bash këtu zhytem ritmit të tij të rrëfimit dhe në mënyrë figurative mbes’ në kurthin e kësaj ëndrre të gjatë, që si filozofi ndërton hap pas hapi kuptimin dhe motivimin e ngritjes së librit, përmbi theqafjet individuale filozofike dhe dyshimet tona të përjetimit shpirtëror, që jo pak na kaplojnë ditënetëve tona.
Më intrigon sidomos kushtimi i librit, si një gjurmë krenarie dhe amaneti ndaj prindërve të vet, që kurrë nuk arritën të njohin, shohin dhe provojnë fatin e të birit, identitetin e tij kulturor, formimin intelektual dhe ç’ka është më kryesorja respektin dhe përkushtimin ndaj veprës së tyre si prindër, pavarësisht varfërisë dhe kufizimeve të tjera të kohës.
Dhe i shkoj deri në fund leximit, modestisht ndikoj në konturimin tematik dhe letrar, duke besuar se duke e lexuar këtë libër përjetojmë fatin e një njeriu, përpjekjen e tij aspak të lehtë të realizimit të vetvetes, të një karakteri të fortë, të sundimit të parimeve të besimit shpirtëror mbi devijancat dhe prapaskenat, të paraqitjes së qartë të nismës së prirjes individuale si identitet përcaktues në mesin e shoqërisë.
Në fund të fundit, të gjithë kemi të drejtë të rrëfehemi shpirtërisht, të dialogojmë më mirë përmes shkrimit, sesa nga biseda të gjata dhe monotone, ku shpesh nuk e kuptojmë njëri -tjetrin, ose së përfillim trendin apo gjetjen e tij jetësore, të mbërthyer nga egoizmi provincial dhe gjykimi i mangët, mbështetur në biografi dhe histori të dala boje të së kaluarës…
Njeriu si qënie ndryshon çdo çast dhe s’mund të jetë kurrësesi si çaku i fiksuar i një shiriti filmi, pamja dhe thelbi i brëndshëm të afrojnë gjykime të ndryshme në kohë, ateisti i thekshëm, befas është shndrruar në njeriun ekzigjent të lutjeve, besimtari papritur i zhgënjyer skajohet diku dhe s’shprehet si dikur, ai njeriu i zakonshëm që ke njohur dikur, ndoshta tash është një filozof apo shkrimtar…
Kjo është më e veçanta e qënies njerëzore, asaj aktive, të shkëputur nga apatia, dhimbja e kahershme e një sëmundje, nga fati i trishtë, të hedhur kah përpjekja për ti kërkuar gjithçka të mundshme e të mirë jetës në çdo moment. Duke besuar, duke kërkuar modestisht brenda fjalës, besimit dhe mendimit të ditës, duke dashur të dialogojnë ndryshe me të tjerët. Sikurse në këtë rast, Hasan Selimi…
Botoi: Shtepia Botuese “ FIORENTIA” Shkoder 2013