Kulturë
Poezi nga Armela Hysi
E hene, 09.12.2013, 07:57 PM
Armela Hysi
rrethi cirkuit
ti je po aq unë
sa je gjithë ç'urren më tepër.
unë jamë po aq ti
sa ç'jamë dhe rrethi cirkuit i vdekjes.
sa ç'jam premtim i shkruar mbi
brymën e ngrirë agsholit.
kristalet formojnë emrin tim
çdo molekulë e imja është e njëjtë
me atë të lirisë dhe qiellit
nga ku jam bërë shëmbëllim.
shumë e hutuar për ta kuptuar
jam një me gjithë ç'luftoj dhe gjithë ç'i fshihem
jam një me ty që të fitoj dhe të humb
në një poker klasik deliresh
sipas tekave të thëllimit tim
dhe oreksit seksual të gjymtytës tënde gjinore.
mendimi im
jam mendimi im shtazarak
pa digën e huajtur të grisë së veshur
jam mendimi im që hesht dhe toksikon
qelizat e miaa të poshtëruara.
ti je unë
po aq sa unë s'dua të jem ti.
sillesh me mua
ekzaktësisht siç sillem unë me veten time
në emër të dënimit të madh hyjnor
dhe flijimeve për mëritë që i mbaj vetes
porosisë gjëmat që më sjell kaq papritshëm
në një manual të pashkruar që të dëftoj çdo ditë
faqe më faqe.
dhe do të isha mësuar
për at'Zot do të isha mësuar të më dashuroja
pa neuronin përgjatë palcës së qullët të vetëdijes
dhe pa sytë do të qe çdo gjë më e lehtë
pa gjuhën shijuese
në nofullat bluese që më shtyn drejt
patosit tënd të çmendur.
tetor 2010 nga libri “Ujdhesës së përrallës tënde” (Armela Hysi 2013-Milosao)
metamorfoza përrallore
u zgjua pa e puthur princi – flinte
në anën tjetër të krevatit.
kishte sërisht përshtypjen
se gjumi letargjik kaq vjeçar
s'qe thithja e aromës lules së harresës.
zhyteje e vullnetëshme
në lëngun e errët
ku nuk e ndiqnin jehonat prej
pëshpërima stoikësh
e klithjet preverse mallkimesh gjysmake
tëmthave.
gardhi trëndafil rozë me gjembat çjerrës
e ndjente – tashmë e dinte
vinte prej mendjes së saj
të trembur – histori të vjedhura nga bibla
vishnin personazhe fytyrëhije
të pa emër
endur me kulpra padijeje dhe urrejtjeje.
të përgatiste qumështin e ngrohtë
për të vegjëlit u zgjua
e lodhur
pa e puthur princi që flinte
në anën tjetër të krevatit.
gardhi gjemba-mprehtë me petalet e kadifenjta
tani rrethon vetëm atë pjesë të mendjes
ku nuk duhet të shkeli
që të mund të shtyjë edhe një
ditë tjetër.
28 janar 2013 nga libri “ Ujdhesës së përrallës tënde” (Armela Hysi 2013-Milosao)