Kulturë
Angjelina Krasniqi: Derën kam lënë hapur
E shtune, 23.11.2013, 07:01 PM
LIRIKA NGA ANGJELINA KRASNIQI
DERËN KAM LËNË HAPUR
Në avullin e gjumit prej yllit dëgjoj lutje:
“Do vi këtë mbrëmje,Ti derën lëre hapur!”
Kam frikë, nuk do njohësh sytë në vuajtje,
Në pasqyrëzat e thyera që janë përhapur .
Me skeletin tim në krah unë notoj në heshtje,
Zjarrflaka e festës lëpihet qiellit të kromuar,
Qërpikdredhur e këmishbardhë pres me ëndje,
Notat fëshfërisin melodinë e shpirtit tejholluar.
Derëhapur të pres, këtë natë i dashur ,TI eja,
Dorë përdore të ikim, si mjalti të derdhemi,
Me mollëzat e gishtërinjëve të lozim si era,
Nën ritëm të krahëve të erës të ledhatohemi.
Derën kam lënë hapur, të pres dhe nëse tretem,
Të pish qumështin e shpirtit, e ta shuash etjen.
LUNDROJ NË DET GËZIMESH
Në det gëzimesh ka vite që unë lundroj,
Me vela ëndërrash hapur skaj më skaj,
As brigje, as port nuk dua që të kërkoj,
Valëzim-lundrimin në det dua ta mbaj.
Le të jem anije në detin tonë të hapur,
Të luaj me erën që ti nga larg e dërgon,
Hapësirat e lumturisë tej e tej pa matur,
Mes valës së bukur, që hidhet e këndon.
Dua veç aromë, flladembël dhe të lehtë,
Në detin pa brigje të lundrojmë në jetë...
ORËT PAS MESANTE
Hëna mbrëmë në orët e mesnatës zbriti mbi timin ballë,
U var në qafë, si të ishte më e madhja, e bukura ujvarë!...
Zbriti tatpjetë gëzimeve të mia tek prekte afshe-ndezur
Zëri i ujvarës u bë ninulë e shpirtin ma hodhi pezull.
Ti hyre nën flladin flokëlagur e të larë nga dritëhëna,
Nën këngën e buzëve, fëshfërimën që lëshonte ndjenja.
Hyre në pranverën e lulzimtrupi, more aromën që bart,
Puthe petaltrëndafilin, shpirtrat fluturuan si zogj lart.
U derdhën të pastërta frymëra,shpirtra mes përjetimesh
Vello e bardhë puhishëm, gjurmëve të lara lotgëzimesh.
Sot në letrën e bardhë të shpirtit,në ritem kënge e lapsi,
Me ngjyrën e zemrës,shkruaj ndjenjën që shpërtheu,plasi.
Ndjenjë, përmes tokës e qiellit,mes hapave të një vallsi!...
TINGËLLIMË E FILDISHTË
Ti erdhe në degën që lëkundej nga fortuna,
Kujdesshëm me majën e gishtërinjëve çukite,
Shpërveshe ndërgjegjën time jashtë e mbrënda,
Shkunde shtresat mbrenda shpirtit, nuk prite.
Më gjete të papërgatitur si lule qumështi,
Të djersitur nën dritën e bardhë si në ëndërr,
Rrënqethje të rrezikshme më rrëmbyen,
Nga gota e mbushur me zërin tënd të ëmbël.
Tingëllite me delikates’ përkedheljet e fildishta
Me kujdes hape librin e frymarrjes së lehtë:
“Eja të shfletojmë ëndrrën tone fletë për fletë”!...
NJË DRITË PARAJSE
S'dua të mbetëm pjesë e pasqyrës së thyer,
Me qelqin e njollosur që koha e gërryen,
Dua xhama të fiksuar, të bronzta korniza,
Dhe pjesë të thesarit të psalmuar si shtiza.
S'dua çelës para portës së madhe të shpirtit,
Thirrja e saj është më e fort’ se loja e prillit,
E cytur nga besimi në formulen e shenjtë,
Dashurinë e entimemuar e kërkoj të denjë.
Si t'i gjejmë ngjyrat vezulluese të shpirt
Sidomos atë blunë e kthjellët si ndritë,
Q; dielli të shikojë nga lart pa bërë naze,
T'u hedhë trupave tanë një dritë parajse?
DASHURIA NUK ËSHTË GARË VRAPIMI
Dashuria nuk është predikim pa cak e skaj,
Është e pashqiptueshmja, e pamësueshmja,
Ajo, që përjetohet në orën e ndiçimit të saj.
Përmes syve rrëshqasin ëmbël dritë dhe hije,
Përmes zemres vrapojnë lehtë hënë edhe yje.
Nuk është garë vrapimi për të arritur në zenith,
Është ndjenjë, lumturinë që shpirtin e zgjidh.
Është thellësia e parrënueshme që secili e bart,
Është mish e trup,mendim e ide që ngrihet lart?!...
Jo!...Jo!...Dashuria është ndjenjë që nuk mësohet,
Është koncert,nga shpirti i dashuruar dirigjohet!...
AROMË JETE
Dua të të shtërngoj dhe puth,
Duart i zgjas në këtë mbrëmje,
Por Ti je larg - larg, me ngut,
Shpirti im të kërkon me ëndje.
A thua e ndjen buzën e ngrohtë,
Era që lodron e zemra më djeg?
I shtrenjëti im,eja se kam të ftohtë,
Eja, eja, buzën kam var në një degë.
Nuk jam vetëm, të kam të tërin në shpirt,
Aroma jote m'ndjek, m'prek, me jep dritë...
PAFAJËSI
Toka mban lagështi, nga degët shiu shkundet,
Valëngrohtat trupin mbështjellin ëmbël, ëmbël.
Në djepin e përkëdheljeve ëndrra përkundet,
Të pafajshmit sy,flasin me ndjenjë të ëndërrt.
Tingëllima e puthjes rrjedh mbi shpinën e lirë,
Ngjaso tingullit që lëshon pika e shiut mbi lule.
Çdo prejkje ndjehet,rrëshqet bulëzë vese e mirë,
Shkëndija derdhen,ngrihen lirë lartë qiellit pa ulje.
Thellë ndjehet vrulli i frymarrjes - puhizë mbi lëkurë, lutje!
ZEMRA NUK ËSHTË GUR
Mendon se hyre në të butën mbreteri,
Në të ndjeshmin, shpirtin e një femre,
Do të ta quaj dobesi, dhe tejet dobesi,
Të shkarravitesh xhepat e një zemre.
Zemra nuk është gur, për t’u hedhur tutje,
Është bartëse e bukur,e ndjenjës së shenjtë,
Në lumënjtë e mbrëndshëm të një trupi.
Ta kesh kujdes, ta përdorësh me mënçuri,
Nuk ka kështjellë të forte, pa zëmrën njeri!...
FLLADFRESKU MË PREKU
Shpërndahen pa fund nota muzikore,
Vibrojnë në ajër thirrjet kohërente.
Hija ime e zhytur në ngjyrë engjëllore,
Përhidhet me valle-lëvizje violente.
Ndjesi si e një këmishe të re në lëkurë,
Flakët si dritë vere ringjallen si puhizera.
Dritë-dielli e fllad-fresku prekin timin nur,
Në extremin e pastër të jetës u ngërtheva.
Portëzat të hapura përballë portës kryesore,
Zgjohen gjethet e reja nga puhiza pranverore.
NËNKRESË KAM ËNDRRAT
Jam një femër,njeri si gjithë të tjerët,
Kam ndjenja, shpirt, kam edhe zëmër,
Bie von në gjumë, dhe ngrihem herët,
Shkronjat kam nënkrese për ëndërr.
Pastaj marr laps, bllok dhe thur këngë,
Derdh ndjenjën e manushaqtë në letra.
Herë tingull-ëmbël, herë tingull-rëndë,
Gufallë e ngrohtë të jehoj nëpër vepra...
Vitet rrjedhin, shkojnë nëpër shtigje,
Nëpër gjelbërime mbushur nga blerimi.
Kënga ime futet në lugina dhe brigje,
Nota këngëzimi dhe prej mallëngjimi.
Me penë sa të jetë gjallë,lufton poeti,
Të hedhi në kartë mbresa e kërkesa,
Vargjet ngjyen nga shpresa që i mbeti
Mëngjeseve trendafil,mbuluar nga vesa...
Me vargje u flas mes ëndrrave të zhveshura,
Pres në jetë t’i bëjë realitet,t’i lexoni në vepra.