E enjte, 24.07.2025, 09:44 PM (GMT+1)

Editorial

Ahmet Selmani: Shqipfolësi kinez, idhull i Edi Ramës

E merkure, 20.11.2013, 09:09 PM


Në shënjestër

SHQIPFOLËSI KINEZ, KY IDHULL I EDI RAMËS

Shkruan: Ahmet Selmani

Këndej shqiptarëve s’u mbetet gjë tjetër, përveçse t’i thonë: Kujdes, kujdes zoti kryeministër, se s’të kanë faj shqiptarët që nuk “dinë” ta flasin e ta shkruajnë drejt gjuhën shqipe, ashtu siç nuk ke “faj” as ti që bën plot gabime drejtshqiptimore e drejtshkrimore, që përdor aq shumë fjalë të huaja në vend të fjalëve shqipe etj. Sigurisht edhe ti je pjesë e asaj mendësie prej së cilës vuajnë shumica e këtij populli të përvuajtur. Qëllimi është si të ndihmosh që edhe gjuhën shqipe ta fusësh në projektin tënd që e ke quajtur “rilindje”. Për hir të shqipfolësit kinez që ti e bën idhull sa çel e mbyll sytë, nuk mund t’i hedhim në pleh të gjithë shqiptarët që s’e bëkan shqipen sipas “modelit kinez”

Nuk është hera e parë që në mesin e shqiptarëve gjen njerëz me prirje vetëpërbuzëse. Për t’ua bërë qejfin të huajve, ata e nënçmojnë veten deri në marrëzi. Ndoshta kjo nuk është për t’u habitur aq shumë kur e shohim tek e bëjnë njerëzit pa dinjitet, por e keqja më e madhe është kur këtë po e bën edhe njeriu i parë i qeverisë shqiptare. Për fat të keq, këtë paradoks e pamë edhe në ceremoninë e përurimit të Institutit “Konfuçi” në Tiranë, ku mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Me këtë rast solemn, krahas përfaqësuesve të ambasadës kineze, aty foli edhe vetë kryeministri, duke theksuar se ky institut do t’i ndihmojë studentët shqiptarë që ta njohin kulturën kineze. Natyrisht, kjo është shumë normale dhe e hijshme të thuhet në rastet e tilla, sidomos për hir të kurtoazisë diplomatike.

Megjithatë, ai nuk u mjaftua vetëm me kaq. Për ta ngritur sa më lart rolin e Kinës dhe të kinezëve në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët, ai zgjodhi një veprim ironizues për t’i prekur drejtpërdrejt shqiptarët dhe gjuhën e tyre. Si shembull ai e mori një dokument zyrtar të shkruar në gjuhën shqipe, të cilin ia paska dorëzuar në zyrën e tij një kinez. Dhe, sakaq, qenka mahnitur me shqipen e tij, sepse, siç u shpreh ai, kinezi e paska shkruar pa asnjë gabim ortografik. Kjo nuk është kurrfarë çudie me shumë të huaj që kujdesen ndaj gjuhës shqipe. Gjithsesi, një gjë të këtillë e kanë bërë në të kaluarën, e bëjnë tani dhe do ta bëjnë edhe në të ardhmen. Sigurisht këtë dashuri dhe respekt të madh ua kanë mbjellë vetë shqiptarët që kanë patur kontakte me ta, ndryshe s’ka si të ndodhë. Mjafton të kujtojmë Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare që mbahet në Prishtinë tani e disa dhjetëvjetësha me radhë, i cili tanimë ka arritur që me dhjetëra e qindra të huaj t’i bëjë që ta duan gjuhën shqipe deri në çmenduri.

Megjithatë, gjatë kësaj ceremonie, Edi Rama nuk mendoi shumë gjatë për këtë punë fisnike, ai thjesht i hyri një aventure krejtësisht të panevojshme dhe shumë të ulët, duke ironizuar së tepërmi me shqiptarët që e shkruajnë gjuhën e tyre me plot gabime.

Në këtë kontekst, ai as që e vrau mendjen fare se ku do të godiste, ndaj papritur i tha edhe këto fjalë: “Ky është një eveniment i veçantë që lidhet me gjuhën dhe kulturën kineze, por unë dua ta filloj nga gjuha shqipe, duke rimarrë diçka nga fjala e rektorit që tha se në Kinë është një fakultet i gjuhës shqipe i cilësisë së parë dhe duke iu treguar një episod të vogël të marrëdhënieve me ambasadorin, i cili erdhi një ditë në zyrën time dhe solli një dokument shqip, në emër të qeverisë kineze”.

Pikërisht ky dokument e paska mahnitur atë. Prandaj, zgjodhi rrugën për t’i tallur shqiptarët. Me sa duket, ende i irituar që ia refuzuan armët kimike siriane për t’i shkatërruar në Shqipëri, ai e mori guximin që t’ua thotë një gjë që ata nuk e meritojnë: “Sot për sot, kush dëshiron të studiojë gjuhën shqipe gjerësisht dhe thellësisht dhe ta shkruajë atë në mënyrë tërësisht korrekte, duhet të shkojë në Pekin”.

Ja pra, ky është veprimi më i ri i këtij kryeministri të posaardhur në pushtet. Kështu E. Rama e shfrytëzoi këtë ceremoni solemne për të krijuar edhe një “margaritar”. Duke e lavdëruar kinezin që e shkruan shqipen pa gabime, me dashje ose pa dashje, ai i mohoi të gjithë shqiptarët që e flasin dhe e shkruajnë gjuhën amtare. Sipas logjikës së tij, prej sot e tutje, të gjithë ata që dëshirojnë ta studiojnë gjuhën shqipe, nuk duhet të humbin më kohë as në Tiranë, as në Prishtinë, as në Shkup, e askund tjetër, përveçse t’ia mësyjnë drejt Pekinit. Kjo do të thotë se pedagogët dhe studiuesit shqiptarë në përgjithësi janë krejt të paaftë, të paditur, të kotë dhe, si të tillë, edhe të panevojshëm. Ndaj, po sipas të njëjtës logjikë, mund të vetëkuptohet qartë se ata duhet të zëvendësohen me shqipfolës kinezë, në mënyrë që studentët tanë ta mësojnë shqipen ashtu siç i pëlqeu Edi Ramës.

S’do mend, kjo është diplomacia vetëpërbuzëse e kryeministrit shqiptar; në njërën anë përulet e poshtërohet para të huajve dhe, në anën tjetër, nxjerr brirë e tërbohet para shqiptarëve duke i fyer pa mëshirë. Në të vërtetë, ky vetëposhtërim nuk i shkon asnjë shqiptari, e aq më pak një kryeministri që mëton t’i “rilindë” gjërat nga e para. Ose, ndoshta këtë e bën me qëllim që ta fillojë nga pika zero edhe gjuhën shqipe, kuptohet për ta “rilindur” medoemos.

Megjithatë, kësaj radhe ai zgjodhi një veprim të turpshëm, që Kinës së madhe t’ia bëjë qejfin, ndërsa Shqipërisë së vogël, t’ia bëjë gropën. Dhe cilin ta fusë aty? Natyrisht, të gjithë mësuesit, pedagogët, studiuesit, gjuhëtarët që japin ndihmesë të vazhdueshme për gjuhën shqipe. Mbase ky duket si një komoditet i çoroditur! Duke e marrë parasysh këtë gjë, këndej shqiptarëve s’u mbetet asgjë tjetër, përveçse t’i thonë: Kujdes, kujdes zoti kryeministër, se s’të kanë faj shqiptarët që nuk “dinë” ta flasin e ta shkruajnë drejt gjuhën shqipe, ashtu siç nuk ke “faj” as ti që bën plot gabime drejtshqiptimore e drejtshkrimore, që përdor aq shumë fjalë të huaja në vend të fjalëve shqipe etj. Sigurisht edhe ti je pjesë e asaj mendësie prej së cilës vuajnë shumica e këtij populli të përvuajtur. Qëllimi është si të ndihmosh që edhe gjuhën shqipe ta fusësh në projektin tënd që e ke quajtur “rilindje”. Për hir të shqipfolësit kinez që ti e bën idhull sa çel e mbyll sytë, nuk mund t’i hedhim në pleh të gjithë shqiptarët që s’e bëkan shqipen sipas “modelit kinez”.



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx