Shtesë » Lajme
Djalin ma manipuluan, nuk është terrorist
E merkure, 13.11.2013, 08:36 PM
Nga Selvije Bajrami
(E plotësuar)E
mban mjekrën e gjatë e pantallonat e shkurtër, mirëpo Genc Selimi nga Bresalci
i Gjilanit nuk ka qenë asnjëherë në Siri dhe si i tillë nuk ka marrë pjesë në luftën
e atjeshme.
Të vetmen
rrugë jashtëKosovës, Genc Selimi e ka bërë deri në Stamboll ngase përmes një organizate
arabe po synonte të studionte në Egjipt.
Kështu së
paku thotë për gazetën “Zëri” babai i tij, Hysriu. Djali i tij i vetëm është arrestuar
të martën e javës së kaluar në Prishtinë nën dyshimin se bashkë me pesë persona
të tjerë, të cilët po ashtu janë arrestuar, po përgatisnin një sulm terrorist,
duke kryer kështu veprën penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Republikën
e Kosovës.
Djali 19
vjeç nga Bresalci, për babanë e tij, nuk është terrorist, ani pse ditën e
arrestimit në Prishtinë ai ishte zënë me armë në dorë, përkatësisht me snajper
dhe fishekë.
Ai dhe
shokët e tij ishin arrestuar pas nëntë muajsh përgjime nga policia, të cilët për
të vërtetuar dyshimin e kishin simuluar një rast, ku kishin rënë në kontakt me
të dyshuarit të cilëve edhe iu kanë shitur e falur armë.
Babai i
Gencit shtron pyetjen se ku i mori paratë djali i tij për të blerë armët, kur e
di se djali i tij ka punuar argat në ndërtim dhe si i tillë është paguar dhjetë
euro në ditë.
Me tërë mohimet
që i bën, Hysri Selimi një ditë pasi që është publikuar arsyeja e arrestimit të
djalit të tij, thotë se nuk dëshiron që ta shfajësojë të birin, pasi është zënë
me armë. Këtë rast thotë se ia ka montuar Policia, siç thotë ai, për interesa të
caktuara.
Për
interesa të caktuara edhe grupet ekstremiste, sipas babait, e kanë futur në mesin
e tyre edhe djalin e tij. Selimi thotë se djalin ia kanë manipuluar, ndonëse e
kishte paralajmëruar për këtë.
“I kemi
thanë, kujdes se po manipulohesh. I kam thanë ti je në kurth, i kam thanë ty po
të përgjojnë, ty kanë me të shti në lojë, por ai me ka thënë se nuk jam duke bërë
asgjë”, thotë Selimi.
“Të jesh
e bindur se këta janë manipuluar. Janë manipuluar nga dy shërbime. Unë i quaj
shërbime të huaja, por që i kanë njerëzit në Kosovë. Unë i cilësoj si ekstrem,
që i kanë njerëzit këtu për qëllime të caktuara të ekstremizmit dhe futjen e
urrejtjes ndaj komuniteteve të ndryshme fetare dhe në anën tjetër shërbimet
policore të Kosovës”, thotë ai.
Genci u
zu me armë në dorë
Hysriu është
i shqetësuar me arrestimin e të birit. Nuk e shfajëson por synon që djali të largohet
nga ekstremistët, me të cilët është lidhur tash e katër vite.
Ai tregon
se Genci ka qenë nxënës në shkollën e mesme të Medresesë “Alaudin” në Gjilan. Në
vitin e tretë, Genci i lindur më 1994, e kishte ndërprerë shkollimin aty. Në kërkim
të një jete më të mirë. Hysriu thotë se si prind ka punuar tërë kohën dhe
viteve të fundit thotë të ketë punuar në qytetin e Ulqinit. Gjatë dimrit Hysriu
thotë se ka qëndruar kryesisht në Kosovë, por jo aq edhe gjatë verës. Megjithatë,
së paku një herë në muaj, ai kishte ardhur në Kosovë.
“Si fëmijë,
rrethi e shokët e tij kanë shumë fjalë të mira, është i drejtpërdrejtë, është eksploziv,
nuk duron dhe si fëmijë nuk ka durue. Një arsimtar i tiji më pat thënë që është
tip tepër revolucionar, një tip që u beson fjalëve të njerëzve. Është naiv, se
mos me qenë naiv nuk kish ra qysh u ra, por edhe është i sinqertë. Ne si prind
dhe rrethi e çmojmë se është tip i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë”, përshkruan
Hysriu të birin e tij tashmë të paraburgosur.
Ai është prangosur
të martën në Prishtinë në orën 12:51 minuta. Vetëm dhjetë minuta para
arrestimit, i ati kishte biseduar me të birin.
“Unë jam
dëgjuar me të 10 minuta para se me marrë lajmin që në shtëpinë time kanë hy
policia. E kam thirr djalin dhjetë minuta para se me thirrë të shtëpisë. Djali
me ka thanë jam tu ardhë në shtëpi, më tha, jam në Prishtinë e jam t’u ardhë në
shtëpi”, tregon Hysriu.
Familjarët
e kishin njoftuar se po i bastisej shtëpia dhe nga Gjilani, Hysriu ishte nisur
drejt fshatit. Arsyet e bastisjes i kishte kuptuar vetëm pasi kishte hyrë në fshat
dhe kishte parë policë edhe në shtëpinë e shokut të djalit të tij, Musli
Hysenit. Edhe Musliu është i arrestuar sikurse që janë të arrestuar edhe Valon
Shala, Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani e Bekim Mulolli. Në shtëpi, Gencit nuk
i ishte gjetur armatim, por armatimi i ishte zënë në dorë.
“Më doli
djali nga dora”
Hysriu ka
vite që e kishte ditur që djali po shoqërohej me shokë që po mbanin mjekra. Në njërën
anë i kishte konvenuar që djali po shkon në xhami, po i falë pesë vaktet e nuk
po shoqërohet me shokë të këqij. Por në anën tjetër, kjo edhe e kishte frikësuar.
E pranon se djali i ka dalë nga dora që nga mosha 15-vjeçare.
“Si i ka
ba 15 vjet më ka dalë prej dore. Ka fillu mu shoqëru me ta, me nejt me ta, me
djemt me mjekra”, thotë Hysriu, duke përsëritur se djalin ia kanë “futur në lojë”.
Ndryshimet
tek i biri i kishte vërejtur kur dy vajzat e tij iu kishin ankuar për presionin
që po ua bënte vëllai. Vajza e madhe e tij është studente, por Genci thotë të ketë
bërë presion tek motra e tij e vogël që ajo të mbulohej.
Genci
ishte martuar në prill të vitit të kaluar. Nga ajo martesë ai ka një vajzë tashmë
gjashtëmuajshe. Babai i tij thotë të mos ketë qenë pro asaj martese ku nusja
sot e asaj dite është e mbuluar me të zeza dhe as sytë nuk i shihen.
“Na sot
erdhëm me e pa në paraburgim. Mua më lanë, edhe vajzën e lejuan me pa, por jo
edhe nusen e tij. Nusja e tij është e mbuluar dhe nuk ka as letërnjoftim, pasi
që për bindjet e Gencit fotografimi është haram dhe për këtë arsye nusja edhe
nuk ka letërnjoftim”, thotë ai.
Telashin
e parë me të birin, më 1 gusht të vitit të kaluar
“Është e
vërtetë që djali im më 1 gusht të vitit të kaluar është arrestuar me dy shokë të
tjerë. Ai është arrestuar në Pasjak për shkak se tek ta është gjetur një pistoletë
dhe disa fishekë. Djali jem është mbajt në paraburgim bashkë me shokët e vet,
janë liruar pas 48 orëve”, thotë i ati i tij.
Nga ai
moment, ai thotë të jetë munduar t’i qëndrojë afër të birit, ndonëse vetë i
biri disa herë i kishte thënë që nuk po bën asgjë keq. I kishte mbetur hatri
edhe kur i biri kishte shkuar në Stamboll, pasi synonte të vazhdonte për
studime në Egjipt. Por ai thotë që djali vetëm një natë ka qëndruar në Stamboll.
Hetuesia ndërkaq dyshon që Genci ka qenë në Siri dhe nga koha e kthimit të tij
edhe e kanë përgjuar. Babi i tij e mohon kategorikisht këtë duke shtuar se i tërë
ky arrestim është bërë për interesa të ndryshme. Djalin thotë se ia kanë maltretuar
pasi që e kanë arrestuar.
“Nuk i
njoh të arrestuarit e tjerë përveç shokut të djalit tim. As shoku i tij kurrë s’ka
qenë por në shtëpinë time kanë qenë persona të tjerë që janë me mjekra e të cilët
nuk janë të arrestuar”, thotë Selimi, teksa ata që e kanë inkriminuar djalin e
tij në këtë frymë, të cilët edhe vetë i ati e pranon se është ekstremiste, thotë
që i din me emër e mbiemër por tash, sipas tij, nuk është koha që të flitet.
Njëri nga
hetuesit policorë i kishte thënë se djali yt ngarkohet se ka rrahur fizikisht
dy shtetas amerikanë më datën 3 nëntor. Me këtë datë, Hyzriu thotë se kishte
qenë tërë ditën me të birin.
Madje
Hyzriu tregon se si djali i tij është rritur me dhuratat që ia kanë sjellë ushtarët
amerikanë në Kosovën e pasluftës kur Genci ishte fëmijë.
Hysriu
kishte punuar në pasluftë si administrator lokal dhe si i tillë thotë që amerikanët
si paqeruajtës në rajonin e Gjilanit, kanë hyrë në shtëpinë e tij lirshëm.
“Amerikanët
çdo ditë i kanë pru dhurata Gencit, i kanë pru lodra Gencit, çdo ditë ka marrë dhurata.
Ata kanë qitë flija bashkë me neve në oborr”, thotë Hysriu, teksa thekson se
Hadithet e Kur’anit që i janë ligjëruar djalit të tij janë shtrembëruar.
“Kurani
nuk thotë kështu. Kur’ani predikon paqe, mirësi e dashuri mes njerëzve. Dhunë nuk
sheh në Kuran. Hadithet që këta i lexojnë, ato kanë një përmbajtje tjetër, janë
një shtrembërim i së vërtetës. Ata e shtrembërojnë sipas tekeve dhe qëllimeve të
tyre dhe çdo njeri normal, kur e sheh që po i manipulohet fëmija, dikur thotë,
kadale stop”, thotë Hysriu, teksa nuk ka intencë që ta lirojë djalin nga burgu
si të pafajshëm, por synon që të mos i devijojë djali dhe si i tillë të kthehet
pranë familjes, gruas e fëmijës që e kanë.
Hysriu i
frikësohet edhe lirimit të të birit
“Këta rrezikohen edhe nëse lirohen. Kam frikë që djali mund të bashkëpunojë me policinë, ngase është mes dy zjarreve, dhunës policore, presionit psikik dhe anës tjetër që nuk guxon me kallxu asgjë nga frika prej ekstremistëve”, përfundon Hysriu teksa tërë ngjarjen e djalit vazhdon ta cilësojë si montim e futje në lojë nga, siç thotë ai “qarqe të caktuara”.