Shtesë » Lajme
Grupi i dyshuar për lidhje me “Al Qaedan”
E marte, 12.11.2013, 10:05 PM
Nga Selvije Bajrami
Disa muaj
janë përgjuar në telefon si të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në
Kosovë. Ky grup prej shtatë personave me nacionalitet shqiptar, në mesin e të cilëve
njëri është i kthyer nga Siria, janë të rinj nga Prishtina dhe Gjilani, emrat e
të cilëve janë siguruar nga gazeta “Zëri”.
Javën e
kaluar disa nga ata ishin mbledhur afër liqenit të Gërmisë ku dyshohej se po përgatisnin
një sulm terrorist. Kurse sulmin ndaj dy shtetasve amerikanë në Prishtinë ditë më
parë dyshohet se e kanë bërë dy pjesëtarë të këtij grupi. Dhe nga përgjimet mësohet
plani, i cili rezulton me aksionin e policisë për arrestimin e tyre.
Jo të gjithë
janë kapur në Gërmi, aksioni është zhvilluar edhe në Gjilan. Në këto dy qytete
janë arrestuar gjashtë prej tyre: V. Shala, G. Selimi, M. Hyseni, N. Sylejmani,
A. Mehmeti dhe B. Mulolli, kurse njëri nga ata vazhdon të mbetet në arrati. “Gjatë
arrestimeve në Gjilan përveçse është arratisur një person, njëri nga të arrestuarit
është kapur në fshatin Bresalc teksa po tentonte arratinë”, ka thënë burimi
brenda policisë.
Gjatë bastisjes
së shtëpive të tyre, policia ka konfiskuar: një snajper, një karabinë, një pushkë
gjysmautomatike, dy revole, një revole e modifikuar, rreth njëmijë e dyqind
fishekë të AK-47, njëmijë e nëntëqind euro, dy vetura, BMW dhe Mercedes, si dhe
prova tjera materiale.
Një ditë pas
arrestimit të tyre, është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej
tridhjetë ditësh.
Burime të
gazetës bëjnë të ditur se masa e paraburgimit ndaj tyre është caktuar, përveç se
janë të dyshuar për përgatitje për terrorizëm, edhe për veprën penale të armëmbajtjes
pa leje. Policia e Kosovës, një ditë pas arrestimit të tyre pati njoftuar se
gjatë operacionit dhe bastisjeve të kryera në Gjilan e Prishtinë janë gjetur
armë.
Por,
gazeta ka mësuar nga burimet e saj brenda rastit se te personat e arrestuar janë
gjetur edhe mjete eksploduese e madje të tilla që po përgatiteshin për sulm.
“Tek V. Shala
dhe G. Selimi në ditën e arrestimit është gjetur edhe material eksploziv që ishte
gati për të eksploduar dhe si i tillë ka qenë i lidhur me telefona komandues përmes
të cilëve do të dirigjohej eksplozivi i gjetur në shtëpinë e njërit prej tyre në
Gjilan”, ka thënë ky burim i gazetës pa specifikuar se ndaj kujt ishte përgatitur
ky sulm.
Por, sipas
shkresave aktuale të lëndës, mësohet se këta dy persona janë të dyshuar për
sulmin fizik ndaj dy shtetasve amerikanë që ka ngjarë në Prishtinë, të dielën më
3 nëntor. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës se dy persona
nga ky grup dyshohen për sulm fizik ndaj dy shtetasve të SHBA-ve.
Ndonëse
Policia e Kosovës ka qenë e rezervuar në dhënien e detajeve përkitazi me
rastin, hetimet dhe përgjimet e bëra si rezultat i të cilave edhe është kryer
aksioni, tregojnë për lidhjen e disave nga të dyshuarit me organizatën arabe “Al-Qeada”.
Në këtë mes, gjithnjë sipas burimeve të gazetës, është tashmë i paraburgosuri,
G. Selimi. Ky i fundit, sipas të njëjtave burime, një kohë ka qenë luftëtar në Siri,
ndërsa nga momenti i kthimit në Kosovë ai është hetuar nga policia.
Si
rezultat i përgjimeve të policisë, është arrestuar ky grup nga Prishtina e
Gjilani, i cili fillimisht dyshohej për kontrabandim të armëve.
“Gjatë përgjimeve
të zhvilluara, policia ka kontaktuar me të dyshuarit, të cilëve për t’u bindur
për veprimtaritë e tyre edhe u ka shitur armë dhe në fund është zbuluar
aktiviteti i tyre”, ka njoftuar një zyrtar i afërt me rastin.
“Operacioni
është zhvilluar me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe ka
rezultuar me arrestimin e 6 personave të dyshuar (katër nga këta të dyshuar janë
nga Gjilani dhe dy nga Prishtina)”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Ndonëse
rasti tashmë është cilësuar si përgatitje e terrorizmit, rasti ende nuk është marrë
në duar të Prokurorisë Speciale. Paraburgimi ndaj gjashtë të dyshuarve është caktuar
me kërkesë të prokurores kujdestare të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Bajram Tmava është njëri nga avokatët në këtë rast. Ai mbron interesat e të arrestuarit N. Sylejmani. Tmava për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk ka dhënë detaje mbi arsyet e paraburgimit të klientit të tij, përveç se e ka konfirmuar që paraburgimi prej tridhjetë ditësh është caktuar nën dyshimin se të pandehurit kanë kryer vepër penale të përgatitjes së terrorizmit dhe atë të armëmbajtjes pa leje.