E premte, 02.05.2025, 02:31 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Marjan Sebaj-Sopi dhe Ndue Ukaj: Në vreshtën e Zotit

E enjte, 07.11.2013, 09:05 PM


Në vreshtën e Zotit

Kujtim i 40 vjetorit të meshtarisë 1973-2013 të don Ndue Gjergjit, don Aleksandër Kola dhe don Lush Gjergji-t!

Përgatiti: Marjan Sebaj-Sopi dhe Ndue Ukaj

“Të lavdëroj, o Zot, me gjithë zemrën time, i shpall gjitha mrekullitë e tua.”

(Ps 9,2)

Kjo fjali e përzgjedhur nga psalmi, ishte motoja e kujtimit të 40 vjetorit të shugurimi meshtarak të tre meshtarëve: don Ndue Gjergjit, don Aleksandër Kola dhe don Lush Gjergjit.

Kisha shqiptare, e persekutuar dhe martire, para dyzetetetë viteve, filloi të marrë frymë më mirë, kur në vreshtën e Zotit po fillonin të shërbenin priftërinj vendor. Para 40 vitesh, kishës shqiptare, ju shtuan tre meshtarë të zellshëm, që me vonë, do të bëhen tri pishtarë të vërtet të krishterimit ndër shqiptar.

Ky përvjetor i rëndësishëm, sivjet u shënua pikërisht me 12. 08. 2013., në famullinë e Stubllës, sepse pikërisht me këtë datë para dyzet viteve, pra me 12. 08. 1973, këta të përzgjedhur të Zotit, ia paraqitën Atij meshën e parë të tyre. Shugurimi i këtyre tre meshtarëve të devotshëm, të përshpirtshëm e të dashur, u bë me datën 11. 08. 1973, në Kishën e Binçës. Edhe sot me mall, por mbi të gjitha me dashuri e respekt u kujtua dita e shugurimit dhe paraqitjes së meshës së parë.

Qysh në të hyrë në fshatin e lashtë e martir, në fshatin e shkollës së parë shqipe, fshatin që dha shumë martirë për fe e atdhe, Stubëll, shihej ditë kremteje, ditë gëzimi, ditë falënderimi. Besimtarët arrinin që nga orët e hershme nga të gjitha anët e Kosovës, miq, dashamirë, familjar e besimtarë pa dallim feje. Dhe e gjitha kjo ishte që të merrnin pjesë në Meshën kujtim të këtyre barinjve të verrishtës së Zotit. Në të gjithë shihej ditë gëzimi, ditë në të cilën meshtarët falënderonin Zotin për të gjitha të mirat në jetë. Mesha solemne ishte në ora 11.00 dhe në të morën pjesë shumë besimtarë.

Meshën Shenjt në Kishën e shën Jozefit në Stubëll të mbushur përplot besimtarë e udhëhoqi don Aleksandër Kola, famullitari i famullisë së Binçës, në bashkëmeshim në njërën anë don Ndue Gjergji dhe anën tjetër të don Lush Gjegjit e në koncelebrim të thuajse gjithë meshtarëve nga ipeshkvia e Kosovës. Kjo ishte ditë e madhe, ditë që të krijonte një ndjen të jashtëzakonshme të mbushur plotë emocione e mallëngjim. Në kishën e Shën Jozefit, e cila ishte përplot besimtarë, meshtar e motra të nderit, në fillim don Aleksandër Kola me modestinë e urtinë që ka, falënderoi Zotin për gjitha ditët e jetës, duke mos i harruar as ipeshkvijtë si Imzot Smiljian Çekadën,  Imzot Joakim Herbut, Imzot Nikë Prelën, Imzot Mark Sopi-n si dhe të pranishmin e ipeshkvin aktual të  Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin. Ai nuk i harroi as gjithë meshtarët e mëparshëm, shembullin e të cilëve e ndoqën para dyzet viteve. Kujtoi me dashuri sivëllezërit meshtar që tanimë janë në amshim, kujtoi lutjet e prindërve të tyre që nuk janë më në jetë, por që nga amshimi vazhdojnë t’i përcjellin me lutjet e bekimet e tyre, kujtoi e falënderoi të gjithë besimtarët të cilët me lutjet, mirësinë, mirëkuptimin e ndihmën e tyre të shumëllojshme i përcollën këta deri në ditët e sotme.

Predikimin me ketë rast, e pati don Ndue Gjergji, i cili, me fjalët e përzgjedhura e të dalura nga zemra emocioni pamasë të gjithë të pranishmit. Si një predikatar i shkëlqyer, si një mësues i vërtetë, patriot e atdhedashës i madh i fesë dhe kombit ai i la “pa frymë” të gjithë të pranishmit. Këtu po ua sjellim predikimin e don Ndue Gjergjit, tani e shumë vite meshtar në shërbim të popullit shqiptarë në Shtete e Bashkuara të Amerikës, ambasador i vërtetë i popullit shqiptarë në Amerikë.

“…Vëllazen e motra, duhet falënderuar Zotin që na dha meshtarë të devotshëm, të përkushtuar, punëtorë e që vepruan e veprojnë këtu, në Shqipëri e që nga Shtetet e Bashkume, Gjermani, Zvicër, Austri, Kroacia e nëpër mbarë botën e që duhet të hapen ende misione në shumë vende tjera. Në jetën tonë kemi pas probleme, vështirësi, kryqe, vuajtje… Kosova ka kalue nëpër vështirësina të mëdhaja, luftë, gjakderdhje, shpërngulje, Kisha ka qenë ajo që bashkon popullin, bashkon njerëzit, e ka nda të mirën e të keqën. Atje në lutje shën Pali thotë: ‚Gëzohuni me ata që gëzojnë, qani me ata që qajnë, vuani me ata që vujnë’. Kisha e jonë është një Kishë e lavdishme. Një njeri, një historian, (nuk e di a është këtu por që është dasht me ardhë), thonte: ’Ipeshkvia e Shkupit bashkë me Ipeshkvinë e Shkodrës, ta marrim edhe Tivarin këto qendra të mëdhaja të kulturës që kanë dhënë njerëz të Mëdhajë, që kanë ruajt gjuhën, e kemi ruajt kombin, e kemi ruajt fenë, e kemi ruajt traditën e jemi sot një Kishë e gjallë. Shihni këta meshtar rreth jush e para jushë, fëtyra të reja, rini, që i kushtohet Zotit. I kemi jo nashta një numër të madh, por përpara ipeshkvi ynë imzot. Nikë Prela, lavdonte, i numëronte dhe thoshte se i kemi 200 murgesha nga Kosova, ndoshta i kemi edhe 300, gjithkund… nëpër spitale këta engjuj, engjuj të Zotit. E një ma e madhja e gjithë engjujëve edhe vulltarisë është Nëna Tereze e jona, e cila hapi lavdin dhe namin në tanë botën. Kjo Kishë, ky popull dha Martirë pothuaj 500 vjet nën turq, robni, të shkatrrume me dikun afër 40 ipeshkvnina në gjitha tokat shqiptare…mija e mija martirë, dëshmitarë të fesë. Më vonë erdhë komunizmi, ateizmi, që e luftoi Zotin. Erdh prej Lindjes, prej Rusisë, u hapë nëpër botë, deshti ta dominojë botën, dhe e dominojë gati dy të tretat. Për neve shqiptarë si turqia si komunizmi qe shumë i rand, e sidomos në Shqipëri, e meshtarët tonë qëndruan, meshtarët tonë dijtën me nejt me popull e me nda të mirën e t’keqen gjatë gjithë shekujve. Pjetër Bogdani i Madh u vishte me rroba të bariut e shkonte me i vizitue besimtarët e vet, e mendojshin që ashtë një njeri që lypë (lëmoshtar) e ai iu thonte; Unë jam ipeshkvi Juaj” Në komunizëm edhe nën sundimin Otoman, të njëjtën gjë meshtarët për një mësim, besim, kanë shku në vdekje.

Sot, është tjetër gjendje. Sot ka ardhë liria, demokracia, janë formu dy shtete Shqiptare. Bota ka ndryshu saqë nuk iu besojmë as syve tanë se si ka ndryshu kjo Botë. Por Krishti dhe feja, Krishti është i njejt dje, sot e për amshim. Sot noshta ka më shumë nevojë për meshtar, sot ka nevojë më shumë për dëshmi. E kush janë meshtarët? Ju jeni meshtaria, tanë të pagzumit marrin pjesë në meshtarinë e Krishtit. Nuk na dërgon Krishti vetëm neve, që tha; po ju dërgoj, ju zgjedha e po ju dërgoj. Ai dërgon çdo njanin nga ne, çdo besimtarë, çdo njeri vullnetmirë, çdo intelektual, çdo I dijshëm, çdo politikan. Çdo njeri që i beson Krishtit, sot e ka një rol të mrekullueshëm në këtë Botë e cila është edhe me plotë të kqija. Në dëftimet e Zojës së Bekume nëpër botë ajo porositë kryqin simbolin e vuatjes, pendesa, urata le t’i përcjellin besimtarët e mi e meshtarët e mi, kthehuni ka Zoti. Çdo ditë edhe ne meshtarët duhet mu kthy kah Zoti, edhe na jemi si ju dhe çdo ditë duhet me kërkue, me njohtë Krishtin, me jetue Krishtin dhe kemi nevoj për kthim, kemi nevoj për mëshirën e Zotit, kemi nevoj për shëlbimin tonë, si ju edhe na gjithë. Por, Krishti ju kujtohet në bisedë me shën Pjetri, tri here e pyet; Simon a më do, e ky tri here i tha; Ti e din se të du! E Jezusi i tha; Kulloti delet e mia, grigjën time si e shkruan sot në ungjill shën Gjoni! Ne na ka thirrë në meshtarin miniseriale  me predikue fjalën e Zotit,me u lute, me nda sakramentet e bekimet që na jep Zoti, e bashkë me ju e përbajmë meshtarinë e Krishtit. Do t’na pyet edhe neve Krishti a më do? Edhe juve ju pyet Krishti, a më do?

Jam i lumtur që punoj me një vend, tanë thojnë tash në një vend të madh, në një vend ku ka rreth 600.000 mij shqiptarë. Në në Detroit i kemi dy Kisha, dy famullina. Meshtarët e parë imzot Zef Oroshi, don Prenk Ndevasha, don Prek Cama, mandej don Antoni (Kçira) dhe unë kemi vazhdue, e don Lazër Shendija, pra kemi vazhdue misionin e Krishtit dhe Kishës në popullin tonë. Jemi të lumtur që kemi këto qendra të mrekullueshme (në Amerikë). Edhe kur i shohim këto Kisha nëpër Kosovë, sa ka shkue Kosova përpara, sa ka shkue Shypnia përpara. Mu kënaqë tu e pa Shypnin sot me të gjitha ato Kisha, me Xhamia, me Kisha Katolike e Ortodokse ku Krishti na thirr të gjithëve me qenë dëshmitarë të kohës. Jo vetëm neve meshtarëve na bënë këtë pyetje; a më do? A më do ti si meshtar dhe na dërgon ne te ju, te delet, te grigja, populli i Zotit.

Kam jetuar me don Pjetër Berishën dhe në bisedë i thosha, don Pjetër na ka kapë pleqëria. Ai thonte; jo nuk jemi plak! Pleqëria thonte, fillon në tetëdhjetë vjet, ne nuk i kem ende 80, mirëpo edhe njëzet vjet, edhe pesëdhjetë e deri të punon kama (këmba) e dora, duhet me punue për Zotin, me punue për Kishën e Krishtit ME PUNUE PËR POPULLIN TONË MARTIR DHE MA TË MIRIN POPULL NË BOTË, POPULLIN SHQIPTARË, popullin e vuajtur që e quante i madhi papa Gjon Pali i Dytë. Gjurmave të Nënës Tereze, gjurmave të martirëve, gjurmave të dëshmitarëve duhet me shkue.

Një popull që e ka ruajtur këtë kulturë, na e kemi një kulturë të mrekullueshme edhe shpirtënore edhe të shkrimit edhe të leximit e të monumenteve… E thonte një historian i madh; Kulturë nën tokë, e rrënume dy herë, nën turq e nën komunizëm. Por që po ngjallët ky popull është evidente që po ngjallët, dhe po jep botës sot shumë. E thonte ipeshkvi i ndjerë, dritë i paste shpirti, Imzo Nikë Prela; Ende populli shqiptarë nuk e ka thënë fjalën. Në Gjermani, në Itali…, në Shtetet e Bashkume (shqiptarët) jemi një ndër ma të mirët që i ka ai vend, si në biznese, në shkolla, në dije e kulturë, në marrëdhënie të mira. Kisha e Krishtit është kjo!

Prandaj sot në këtë 40 vjetorin e shugurimit tonë meshtarak, falënderojmë Zotin për thirrjen që na bani, që na zgjedhi neve, falënderojmë për përkrahjen e madhe që na dha Zoti, ipeshkvijtë, meshtarët e përparshëm e që i kemi pas si ideal, jetën e tyre, në jetën tone.

Prandaj, vëllazen e motra kjo Kishë, ky popull duhet të jetoj. Kisha jonë ka ende me i dhanë shumë Nënë Tereza botës. Do të jap edhe shumë shkrimtarë e dijetarë, shumë apostuj…

Faleminderit Zotit sot e kemi shkencën, kemi diturinë, kemi dy shtetet me të gjitha institucionet tona. Por, kërkush nuk mundët me zavendsue Kishën, meshtarin, në shumë lëmi, në ato shpirtëroret rreth idealeve, rreth virtyteve, rreth vlerave shpirtërore e kombëtare, kulturore që ka dhënë krishterimi ynë.

Tu falenderu ipeshkvin imzot Dodën, vëllazën meshtarë, murgeshat, ju besimtarë, ju musafir që jeni këtu, bashkë me neve sot e falënderojmë Zotin. Dhe Krishti mendoj se edhe sot prapë na thot, unë ju kam zgjedhë. Jo ju mue, por unë ju kam zgjedhë juve, kështu që na dërgon edhe një here me fuqi të reja, me shkue e me shpallë Lajmin e Mirë, Lajmin e Gëzueshem. Lajmin se çdo njeri është bir  dhe bijë e Zotit. Jemi të shelbum, Krishtin na quan vëllazën. Ju jeni vëllazën të mi, ju jeni miqtë e mi.

Tu e uru edhe don Aleksandrin, don Lushin e vetveten edhe aq sa Zoti na jep në veprimtarinë meshtarake, jeta e jonë të jetë edhe më e frytshme e më e mirë, dhe të jep Zoti thirrje të reja, meshtar të ri, murgesha, besimtarë të kushtum Zotit, por jo vetëm me emën të themi, jam katolik, jam i krishten, jam besimtarë.

Në Shypni kam nejt disa ditë, dhe jam takuar me disa studenta që e kanë kry teologjinë dhe mendojnë me u shugurue e me u bë meshtar. Njëzet vajëza, që kanë krye shumë prej tyne fakulltete dhe mendojnë mu u kushtu Zotit, si vërgjëresha (murgesha). Kjo është tipike një Kishë e Parë, një Kishë plotë dëshmi, plotë fe, plotë shpresë, njerzë t’kushtum Zotit e për këta ka nevoj Kisha. Jo për emna, jo për muri sepse Krishtin nuk na kqyr si mori (numër). Krishti të thirrë me emën. Çdo njanin e ka thirrë me emën kështu edhe neve na thirrë në Kishën e Tij.

Këtu i kemi politikajt e njerëzit e kulturës. Sot njerëzit e kulturës, të krishterë e gjithë njerëz të kulturës tonë e të shtetit tonë, e të politikës, nëse nuk janë në nivelin e tyne, janë tradhtar të popullit dhe idealeve. Nëse ne, nuk jemi në nivelin e meshtarisë jemi tradhtar të Krishtit dhe tradhtar të Kishës. Nëse ju nuk jeni në nivelin e të krishterëve në familje, vendin e punës, në kulturë, civilizim…, ju jeni tradhtar të idealeve dhe planeve që ka Zoti me ne dhe popullin tonë shqiptar. Kjoftë levdu Krishti!''

Pas këtyre fjalëve e porosive të mrekullueshme, populli i emocionuar, u ngritë në këmbë dhe me duartrokitje të gjata në një mënyrë falënderoi don Nduon dhe dy meshtarë të tjerë për fjalët e ëmbla, porositë mësimdhënëse, për jetë e tyre në shërbim të Zotit dhe popullit e predikimet që tanimë e 40 vite radhazi bëjnë.

Krejt në fund të meshës, famullitari i Stubllës dhe organizatori i këtij jubileu Don Albert Jakaj, fjalën ia dha siç e kërkon zakoni ipeshkvit imzot Dodë Gjergji. Ai në fjalën përshëndetëse dhe falënderuese ndër të tjera tha:

“Të dashur besimtarë, të dashur vëllezër e motra, të dashur familjar të familjes don Aleksandërit të don Ndue dhe don Lushit. Vërtetë ky vit feje, që papa Benedikti e ka shpallë sivjet, ka qenë më se i begatë për Kishën tonë, me festa të ndryshme, me manifestime shpirtërore dhe kulturore…dhe në këtë përvjetor të meshtarëve tanë. Shumica prej jush e dinë se ne para pak javëve kemi festuar 25 vjetorin e shugurimit meshtarak të disa meshtarëve tanë. Sot jemi këtu për të festue (kujtue) 40 vjetorin e shugurimit të don Ndout, don Aleksandërit dhe don Lushit. Nesër do të jemi në Letnicë për të festuar festën e Zojës, kurse më vonë do kemi festën e shën Rrokut. Do të kemi 05. shtatorin ditën e Nënës Tereze dhe dhjetëvjetorin e lumturimit të saj, dhe kështu të festojmë, të besojmë e bashkohemi në Zotin, në njëri-tjetrin. E për të gjitha këto ta falënderojmë Zotin, ta madhërojmë e këndojmë Zotit këngë lavde e falënderimi për të mirat që na ka dhënë. Nëse kthehemi në të kaluarën, atëherë sigurisht që kjo Kishë (jo ne, sepse ne nuk ishim ose ishim shumë të vegjël) por kjo Kishë bashkoi për të dhënë zemër njëri tjetrit që të përballojmë sakrificën, vuajtjen, mjerimin… Që të na ruaj fenë, dashurinë ndaj kombit, ndaj Atdheut dhe ndaj Zotit.

Kisha jonë, ishe kishë e misionarëve për shumë kohë. Populli i Zotit ishte këtu por nuk kishte meshtarë, këndej kësaj Kishe i kanë ardhur në ndihmë meshtarët nga vende të ndryshme, sepse kisha është universale dhe ajo synon të mirën dhe të kujdeset për grigjën e vet kudo që e ka.

Me shugurimin e disa meshtarëve, aty këtu nëpër Kosovë në fundvitet e gjashtëdhjeta e fillimin e viteve të shtatëdhjeta, si shugurimin i mons Damjan Kurtit e mons Mark Sopit, don Franës, shugurimi i don Ndout, don Aleksandërit, don Lushit, don Jakës…, kanë qenë shugurime si dhuratë e madhe e fesë për Kishën tonë, sepse ishte zanafilla, ose fillimi i Kishës së vendit, jo vetëm me grigjë, por edhe me barinj. Ta falënderojmë Zotin për këtë dhuratë, që pas këtyre shugurimeve neve jo vetëm kemi pas meshtar por kemi pas edhe ipeshkvij e sot jemi këtu të bashkuar grigjë e barinj, të këtij populli, të kësaj Kishe për ta kryer dhe duam ta kryejmë misionin tonë që kemi. Sepse, kjo Kishë nuk është më e misioneve por një Kishë që ka mision, e misioni jonë sigurisht që është i gjithanshëm. Ju luteni për meshtarë, si besimtarë pjesëmarrës në meshtarinë e Krishtit me pagëzim dhe si të shuguruar që ia kanë kushtuar jetën e vet Zotit dhe popullit, nevojave të grigjës për shëlbimin e tyre duke iu shërbyer në sakramente dhe me shpalljen e Ungjillit. Por, ka mbetur pa u realizua misioni ynë i përbashkët për ta shpallë Krishtin. Prifti duhet ta prijë popullin e Zotit, përpara këtyre ditëve, përpara kësaj kohe sepse misioni jonë është që të ftojmë çdo njeri të kthehet në Kishë, të besoj, të përqafoj dashurinë e Krishtit, të pagëzohet dhe të ndriçoj shpirtin e tij, me dashuri, me shpresë dhe fe…''

Dhe në fund ipeshkvi duke përgëzuar edhe një herë meshtarët për këtë jubile, mori një fëmijë dhjetëvjeçar që krahasoi me vetën kur ishte dhjetë vjeçare atëherë kur këta tre meshtar qenë shuguruar, dhe me emocione përshkroi gëzimin e asaj dite të madhe. Dhe së bashku me këtë djalë të vogël iu drejtuar kah meshtarët jubilar për t’iu puthë duart në shenjë respekti dhe falënderimi, këto duar siç ceku, që kanë ndarë sakramente të shëlbimit e shërbyer deri tash e tutje Zotit, këto duar të bekuara nga vet Zoti. E gjitha ishte jashtëzakonisht emocionuese.

Pas meshës, organizatorët e këtij Jubileu don Albert Jakaj e don Marjan Demaj, ftuan të gjithë besimtarët e pranishëm që pas Sofrës së Krishtit, Gostisë së Tij, pra meshës shenjt, t’i bashkohen të gjithë në sallë si vëllezër për një drekë vëllazërore, pikërisht ashtu siç ishim të gjithë një edhe në Kishë.

Manifestimi vazhdoi në sallë, me këngë e valle, me poezi dhe një drekë për të pranishmit.

Kremtimi i 40 vjetorit të shugurimit meshtarak;nga e majta don Ndue Gjergji, në mes don Aleksandër Kola dhe djathtas dr.don Lush Gergji



(Vota: 19 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx