Udhëpërshkrim
Murat Gecaj: Një roman i ri për fëmijë
E marte, 15.10.2013, 06:46 PM
PËRUROHET NJË ROMAN I RI PËR FËMIJË…
(Fatmir
Gjestila, “ E fshehta e Kështjellës së Zezë”)
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
1.
Sa
herë më vjen ftesë për të marrë pjesë në përurimin e një libri të ri, ndiej një
kanaqësi të veçantë. Sigurisht, ketë ndjesi të bukur e kanë edhe kolegë të tjerë,
shkrimtarë e publicistë, studiues e lexues të librave të shkrimtarëve dhe poetëve
tanë. Kjo ndodhë jo vetëm se do të
njihesh nga afër me krijimtarinë e një
shkrimtari ose poeti, i çdo moshe qoftë ai, por edhe sepse do të ndodhesh i
rrethuar nga sa e sa krijues, kolegë e miq tu.
Kështu, këtë gjë e përjetova edhe
sot, në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet.
Pasi kisha
marrë njëftim për një përurim të ri të shkrimtarit dhe poetit Fatmir Gjestila,
nga kryetari i Shoqatës së Shkrimtaravë për Fëmijë e të Rinj, Pandeli Koçi (me
emrin letrar Sazan Goliku), shkova aty bashkë me kolegun e mikun nga Malësia e
Gjakovës (Tropoja), Ibrahim Hajdarmataj.
Në atë sallë, që pulsonte fort nga prania e mjaft krijuesve, u takuam
ngrohtësisht me shkrimtarin e njohur
Bardhyl Xhama, por dhe me poeten e afirmuar të letërsisë për fëmijë, Adelina Mamaqi, e cila ka vite që
jeton në Itali. E, kësaj “liste”, mund t’i shtonim edhe sa e sa emra të tjerë të
njohur, me botimet e tyre për fëmijë e të rritur.
Përurimin e paralajmëruar e hapi P.Koçi, i cili shprehu
kënaqësinë e tij, por dhe gjithë të pranishmëve, se aty do të flitej për
romanin e ri, shkruar për të vegjëlit, por i vlefshëm dhe për të rriturit, nga
Fatmir Gjestila, “E fshehta e Kështjellës
së Zezë”. Sigurisht, nuk është vetëm titulli intrigues i këtij libri, që i
tërheq lexuesit e vegjël, por tërë përmbajtja e tij. Po kështu, mjaft të bukura
janë kopertina dhe ilustrimet, nga
Mariglen Gjestila. Libri është venë në qarkullim nga Shtëpia Botuese “West Print”, Tiranë.
Për
vlerat e këtij libri foli edhe redaktori, Viktor Canosinaj. Ndër të tjera, ai
theksoi se aty zbulohën para fëmijëve, që nuk e kanë përjetuar atë periudhë, “të fshehtat” e diktaturës së kaluar. Ishte
koha, kur poetët e shkrimtarët dhe artistët dënoheshin për një varg, që nuk u pëlqentë
pushtetarëve, për një këngë a një veshje etj. Duke e njohur mirë mjedisin dhe
psikologjinë e fëmijëve të fshatit, autori i ka skalitur personazhet dhe i ka bërë
të dashur për lexuesit e vegjël. Në
fund, folësi ngriti problemin ende të
pazgjidhur, që nuk po organizohen konkurse, gjë që do ta nxiste
krijimtarinë letrare, si për të vegjëlit dhe të rriturit. Mendime për krijimet
e sotme letrare shfaqi edhe publicisti Bujar Ferhati.
Pasi
u recituan nga fëmijë të pranishëm, poezi të F.Gjestilës, për romanin e ri të
tij foli studiuesi Behar Gjoka. Mbresat
e një kolegu të autorit të këtij romani, me banim në Amerikë, i lexoi
publicistja Oralda Lake. Emocionuese ishin edhe fjalët e shprehura, nga një
ish-nxënës i Fatmirit.
Sipas
traditës, në mbyllje të kësaj veprimtarie të bukur, autori Fatmir Gjestila
“zbuloi” para të pranishmëve një suprizë të këndshme. Meqenëse aty ishte redaktorja
e dikurshme e një reviste për fëmijë,
Adelina Mamaqi, ai hapi një zarfë, brenda të cilës kishte letrën, që ajo i
kishte dërguar në përgjigje të një poezie. Me daahmirësi, ajo e këshillonte autorin
e ri që ta vazhdonte udhën e krijimtarisë. Dhe ja, tanimë, ai ka se për çfarë
t’u flasë lexuesve të moshave të ndryshme.
2.
Duke
hapur faqe të nryshme Interneti ose duke parë në skedarin e Bibliotekës Kombëtare,
e ke fare të lehtë të njihesh me jetën dhe krijimtarinë e begatë letrare të
Fatmir Gjestilëes. Ai lindi në rrethin e Matit dhe mësimet fillestare i mori në
fshatin Laç-Bruç. Më tej, mbaroi shkollën e mesme “Prenkë Jakova” dhe
Instiututin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Duke shfaqur talentin e tij në
krijimatrinë për fëmijë, e drejtoi për disa vjet revistën e njohur, “Cicërimat”. Me emrin e tij janë
publikuar shumë poezi, fabula, gazmore dhe publicistikë në shtypin e kohës. Gjithashtu,
në ndihmë të krijuesve të ndryshëm, ka redaktuar disa libra, në poezi e prozë.
Por,
tashmë, ky autor ka botuar edhe vetë disa libra, në gjini të larmishme. Ndër
to, janë: “Mos ma vrisni dashurinë”
(poezi), jetëshkrimet “Ku del shqipja”,
kushtuar dëshmorit Shahin Toçi dhe “Mustafai,
miku i të gjithëve”. Por janë të
njohur edhe librat e tjerë të Fatmir Gjestilës, si ata për fëmijë: “Përroi i zanave”(legjenda), “E bukura e liqenit”(përralla),”Edhe të qeshim” e ”Nuk të fal ujku”(fabula), “Nora dhe matematika” e “Përtej ëndrrës”(poezi) etj.
…Pjesëmarrësit
në përurimin e librit, që përmendëm në hyrje të këtij shkrimi informues, por
dhe kolegë e miq, lexues të shumtë, të vegjël e të rritur, e dijnë se autori
Fatmir Gjestila do të shkruajë e botojë, përsëri e përsëri. Prandaj i urojnë
atij nga zemra: shëndet të mirë, krijimtari të begatë dhe gëzime e lumturi
familjare!
Tiranë, 9 tetor 2013