E premte, 02.05.2025, 07:47 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Engjëll Koliqi: Takimet e Dom Mikelit 2013

E diele, 29.09.2013, 05:46 PM


Në Stubëll të Karadakut u mbajt edicioni i njëzetekatërt i manifestimit tradicional, në përkujtim të Shkollës së Parë Shqipe “Takimet e Dom Mikelit 2013”:

FUNDJAVË SPEKTAKULARE ME GËRSHETIM TË MREKULLUESHËM TË SHKENCËS DHE KULTURËS SONË KOMBËTARE

Tribunë shumë e frytshme shkencore, mbi Konstantinin e Madh (Shën Konstantinin Ilir)

Në vigjilie të manifestimit, të premten në mbrëmje shkëlqyen nxënësit e Shkollës Fillore dhe Të Mesme të Ultë “Dom Mikel Tarabulluzi” nga Stublla, kurse të shtunën paradite, tribuna shkencore “Konstantini Ilir, Edikti i Milanos dhe Shqiptarët” që pasuroi shumë historinë tonë kombëtare. Në këtë tribunë u përkujtua veprimtari i denjë i këtij manifestimi – shkencëtari ynë i ndjerë Dr Engjëll Sedaj, me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij. Ndërkaq në orët e mesditës, në sallën e madhe të Qndrës Rinore në Stubëll, shkëlqyen letrarët dhe artistët, në programin e përbashkët kulturo-artistik e letrar, me pjesëmarrjen e letrarëve dhe artistëve nga mbarë trojet shqiptare, që zgjati afër dy orë. Laureat i Çmimit letrar “Agim Ramadani”, me plot meritë, ishte mjeshtri i poezisë shqipe – Abdullah Konusheci. Nga ky edicion i përkujtimit të Shkollës së Parë Shqipe dolën dy propozime shumë interesante dhe të rëndësishme: Ragip Gjoshi, nga Ministria e Arsimit e Kosovës, hodhi në dritë nismën që data e fillimit të mësimit shqip në Stubëll, të kremtohet si Dita e Mësuesit në Kosovë, kurse zëvendësministri i kulturës i Republikës së Kosovës – Gjergj Dedaj, propozoi që Stubllës t’i njihet një status special-i veçantë, si vatër e parë e shkollës sonë kombëtare.

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Fundjava që e lamë pas ishte kremte e përbashkët mbarëkombëtare në Stubëll, ku u mbajt edicioni i njëzetekatërt i manifestimit shkencor e kulturor, në përkujtim të Shkollës së Parë Shqipe “Takimet e Dom Mikelit 2013”. Si zakonisht, edhe këtë vit, ky fund-shtatori, mblodhi në Stubëll elitën tonë shkencore, letrare dhe artistike. Në sesionin shkencor të manifestimit, bashkë me shkencëtarët tanë u angazhua edhe një profesor i nderuar austriak, albanolog tashmë i dëshmuar.

Manifestimi ka filluar të premten mbasdite, me orën letrare dhe programin kulturo-artistik të nxënësve të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ultë “Dom Mikel Tarabulluzi”. Në vigjilie të manifestimit të madh në përkujtim të shkollës së parë shqipe, kanë shkëlqyer nxënësit, me shkreptima poetike dhe muzikore. Në fillim të pranishmit i kanë përshëndetur kryetari i Këshillit Organizativ të manifestimit – famullitari i Stubllës Dom Albet Jakaj dhe drejtori i shkollës – Prof Fran Gjergji. Juria e përbërë nga mësimdhënësit Avdulla Emërllahu, Mhill Ukaj dhe Engjëll Koliqi, i kanë ndarë këto çmime: vendi i parë – Elsa Tomaj kl. V, vendi i dytë Donika Nikolla kl. VI, vendii tretë Shtjefën Ukaj kl. IX, vendi i katërt Mirlinda Zefi kl. III dhe vendi i pestë Kaltrina Gashi kl. VIII.

 Fituesja o Orës letrare Elsa Tomaj, bashkë me kryetarin e Këshillit organizativ, me drejtorin dhe me mësuesin e saj.

Dom Lush Gjergji me bashkëvëllezërit meshtarë, duke celebruar meshën solemne të Takieve të Dom Mikelit

Të shtunën manifestimi ka filluar me meshën solemne, në ora nëntë e gjysmë. Mbasi përfundoi mesha solemne, e drejtuar nga vikari gjeneral i Ipeshkëvisë së Kosovës – Dr Dom Lush Gjergji, manifestimi vazhdoi me tribunën shkencore, që sivjet kishte temë bosht: “KONSTANTINI ILIR, EDIKTI I MILANOS DHE SHQIPTARËT”.

Tribuna shkencore u moderua nga Mr Sarë Gjergji, i cili i ftoi personalitetet ta hapin dhe ta përshëndesin manifestimin, pastaj ftoi kryesinë e punës, të cilët vazhduan me tribunën. Kryesia e punës e kësaj tribune shkencore, sivjet përbëhej nga: Dr Mehmet Halimi, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, i cili dhuroi libra, Prof Dr Sabri Fetiu, nga Instituti Albanologji, i cili poashtu dhuroi libra, Ragip Gjoshi, nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës dhe Dr Nuri Behxheti – prorektor, nga rektorati i Universitetit të Prishtinës.

 

Kryetari i Këshillit Organizativ om Albert Jakaj

 

Zëvendësministri i Kulturës Gjergj Dedaj dhe kryetari i Komunës së Vitisë – Mr Nexhmedin Arifi

Manifestimin e shpallën të hapur, kryetari i Këshillit Organizativ e famullitar i Stubllës, Dom Albert Jakaj dhe kryetari i Komunës së Vitisë Mr Nexhmedin Arifi. Pastaj përshëndetën edhe personalitete të tjera, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe shkencore-arsimore të Republikës së Kosovës. Ragip Gjoshi, në fjalën e tij përshëndetëse, në emër të Ministrisë së Arsimit, ndër të tjera propozoi që dita e hapjes së shkollës së parë (Kolegjit të Shën Lukës të vitit 1584), të shpallet Dita e Mësuesit në Republikën e Kosovës, ndërkaq zëvendësministri i kulturës i Republikës së Kosovës – Gjergj Dedaj, në fjalën e tij përshëndetëse propozoi që për Stubllën të shpallet një status i veçantë – special, për hir të vlerave kombëtare-historike që ka ky vend, vatra e parë e shkollës shqipe, në mbarë trojet shqiptare.

Dr Edmond Malaj dhe Prof Dr Kurt Gostentschnigg

Për Konstantinin e Madh dhe Ediktin e Milanos, të vitit 313, si akt i parë i demokracisë botërore, që lejonte secilin të besojë dhe t’i lutet Zotit në fenë e vet, ligjëruan: Dr Zef Mirdita, nga Universiteti i Zagrebit, Dr Luan Përzhita, nga Instituti i Arkeologjisë i Tiranës, Dr Edmond Malaj – nga Instituti i Historisë i Tiranës dhe Mr Arben Arifi, nga Instituti i Historisë i Prishtinës.

Prof Dr Kurt Gostentschnigg, nga Universiteti i Grazit në Austri (albanolog i dëshmuar, i cili disa vjet ka ligjëruar në Universitetet e Tiranës dhe të Shkodrës), ka ligjëruar për një temë shumë të rëndësishme – mbi shkollën e parë shqipe të legalizuar në Stubëll (pra mbi Shkollën e Dom Mikelit) dhe kontributin e Austro-Hungarisë për këtë shkollë.

Flet për Dr Engjëll Sedaj, Prof Fran Gjergji

Pasi që mbaroi tema bosht, në tribunën shkencore u përkujtua edhe veprimtari i palodhshëm i këtij manifestimi, i ndjeri Dr Engjëll Sedaj, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij. Për jetën dhe veprën e Dr Engjëll Sedaj-t foli drejtori i shkollës fillore dhe të mesme të ultë “Dom Mikel Tarabulluzi” – Prof Fran Gjergji.

Ishte kjo një tribunë e vlefshme dhe e frytshme shkencore, çfarë shumë qarqe e qytete, madje edhe kryeqytete dëshirojnë ta kenë.

Me të mbaruar tribuna, shkencëtarë e shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve shkencore, edukativo-arsimore, kulturore, artistë dhe mijëra pjesëmarrës të tjerë, mbushën sallën e madhe të qendrës rinore (sallën e sporteve), në Stubëll. Rreth orës dymbëdhjetë e gjysmë, aty filloi Ora e Madhe Letrare “Agim Ramadani”, që sikurse vjet, edhe sivjet u kombinua me programin artistik me këngë e valle.

Fituesi i Çmimit të Parë “Agim Ramadani”, Abdullah Konusheci dhe laureatja e Çmimit të veteranit të airsimit Qeshk Ukaj – Haxhere Pira

Në këtë sesion të manifestimit janë inkuadruar aktivisht afër dyzet poetë, nga të gjitha trevat tona etnike, me poezitë e tyre dhe dhjetëra artistë vendorë, nga Vitia e nga Gjilani, me këndime e vallëzime shumë të bukura. Të pranishmit janë kënaqur me tinguj dhe me vezullima këngësh e vallesh të artistëve të rinj, nga Shkolla “Dom Mikel Tarabulluzi” (shpresat e SHKA “Zëri i Karadakut”, me artistët e vyeshëm të këngëve e valleve të SHKA “Kemajl Azizi” nga Vitia dhe të famshmin grupin e valleve “Alba Folk” nga Gjilani, nën drejtimin e korreografit tashmë të dëshmuar, Rasim Hajdari. Sidomos ka shkëlqyer këngëtarja e ëmbël, shumë e talentuar e këngëve tona popullore – Merita Sabiti, nga SHKA “Kemajl Azizi”.

Orën e Madhe Letrare me programin arrtistik e ka moderuar Rudi Berisha – kryetar i Klubit Letrar “Zahir Pajaziti” nga Podujeva. Juria, që vlerësoi poezitë e sivjeme të orës letrare ishte me këtë përbërje: ProF Dr Sabri Fetiu, Nuhi Ismajli dhe Fehmi Ajvazi. Çmimin letrar tradicional të Stubllës “Agim Ramadani”, të këtij viti, e fituan: vendi i parë Abdullah Konusheci, vendi i dytë Shefqete Gosalci dhe vendi i tretë Sevdail Demiri. Çmimi për punëtorë të dalluar të arsimit, med emrin e veteranit tonë teë ndjerë të arsimit Qeshk Ukaj, sivjet iu nda mësimdhënëses Haxhere Pira nga Pozharani. Të gjitha çmimet i dorëzuan kryetari i Këshilit Organizativ Dom Albert Jakaj dhe vëllai i Heroit Agim Ramadani – Dr Jashar Ramadani.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx