Udhëpërshkrim
Kalosh Çeliku: Ulu mal të dalë Hëna
E shtune, 19.10.2013, 05:04 PM
ULU MAL TË DALË HËNA
NGA KALOSH ÇELIKU
Vargu i poezisë erotike, moti e ka tejkaluar plumbin e pushkës.
Përçudi, qëllon jo në zemër, por në ballë. Edhe atë, dudumët që me vite na
ngatrrohen nëpër këmbë. Fatkeqësisht, e them me plot gojën, se: populli
shqiptar atë që e ka arrirë me vargun erotik, nuk e ka arrirë ende me pushkë. Dhiere
këto, që të hipin në Baba Tomor.
Punë tjetër është ajo se, ne shqiptarët shesim plot “moral” dhe “trimëri”
mejdani. Pajtohem, por pse nuk e provojmë edhe këtë “plumbin” erotik për ta
bërë Atdheun. Historikisht, e kemi përdorë shpatën e Skënderbeut, Topin e Mic
Sokolit. Gërshërët e dhenëve të Sulltanë Qafës. “Nagëntin” e Sefer Zajazit,
Mauzerrin e Shotë Galicës. Koha është ta përdorim edhe “plumbin” artistik, që
nuk të qëllon në zemër, por në lule të ballit. Këmbët, pas mullarit me bar t’i
ngre përpjetë në “hava” mes livadhit.
Ditët e fundit në përdorim e kemi vënë edhe “Rilindjen” e Edi
Ramës, por jo edhe Kanarin e Çajupit. Armën më moderne, që sot për sot e kanë
shqiptarët me të cilën mund të krenohen si popull me traditë luftarake.
E dini pse? Shkaku se, ne kemi “moral e besë”. Dhe, jemi trima. Edhe,
fëmijët ne nuk i kemi lind me gruan legjitime, por na i ka sjellë lejleku. E,
në anën tjetër gjithë natën kacavjerremi kasollave e avlive pas Pjeshkës së
Sulojcës.
Megjithatë, për t’i hipur në majë Pjeshkës së Sulojcës, duhet
guxim, talent dhe trimëri kreshnikësh. Rilindasit tanë, moti i janë ngjitur
kësaj pjeshke, edhe i kanë zbritur, që sot ne pasardhësit e tyre ta kemi plot
me fruta gjirin. Tjetër punë është ajo se, “Rilindasët” e sotshëm nuk e kanë
mbushur gjirin, por turren t’i mbushin xhepat.
Poetët janë ata që mbushin gjirin me fruta për Dimër, e jo
politikanët që i hipin e i zbresidn gomarit të Nastradinit me “vota të lira
demokratike”. Shkak ky, që xhepat e tyre janë të grisur, arnë përmbi arnë. Vështirë
i mbajnë frutat e Vjeshtës për Dimër. Thasët i ngarkojnë kotnasikoti mbi
shpinë. Ose, e lëshojnë furrikun si pula në mes të lëmës. Momentet e fundit tra
më tra e kërkojnë kotecin dhe u shpëtonë në kashtë.
Pjeshka e Sulojcës këtë vit me fruta degët i ka përtokë. Moment
historik ky, që Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar nga Shkupi kësaj radhe Manifestimin
Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP e strehoi në Kërçovë. Poetët
iu turrën të mbushin gjirin dhe shpirtin. Vargun erotik ta shalojnë edhe mes
këtyre maleve. Bora ku e zë borën. Erdhën nga të katër anët e Atdheut, në Shkup
dhe Kërçovë. Orën simbolike letrare e hapi artisti i popullit, Dhimitër Orgocka
me poezinë e Pano Taçit: Na bashkoi Rrapi.
Miqtë e pranishëm në sallë i përshëndeti
kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar, Kalosh Çeliku. Gani Xhafolli,
kësaj radhe erdhi pa 33 dashnore nga Prishtina… Nikolla Spathari me Zanën e
Maleve… Fatmir Minguli doli në dyluftim me Rrufjanin. Skënder Demolli nga Korça
(vendlindja ime e dytë) krah për krahu me Dhimitër Orgockën dhe Edmont Hoxhalli
me kitarë, Rozeta Kreste me frymën e lirikave të Lasgush Poradecit, Vlladimir
Muça me Gruaverën e Durrësit, Gjon Gjergjaj me mjekrën e Pjetër Bogdanit,
Albina Idrizi pa pashterkë të kuqe, të cilën e ngjeshi në Kërçovë. Poezi
erotike gjatë Natës Madhe deri në agim lexuan edhe poetët: Artur Balli, Fadil
Curri, Eduart Sulollari, Ilir Shyta, Marina Shkurti, Festim Tomori, Istref
Sulollari, Xhelal Tosku, Beatriçe Balliçi, Jokida Mati, Enea Ruci, Abdyl
Kadolli, Shqipe Hasani, Rami Kamberi, Xhelal Ademi, Safet Hyseni, Begzat Rrahmani,
Him Koça, Rexhep Bajrami, Adem Xheladini, Xhevdet Ukalli, Vesel Xhaferi –
Çeliku etj.
Shtëpia e Artit mes maleve i hapi dyert krah më krah për poetët.
Gani Xhafolli e hapi ekspozitën e pikturave mistike të Vesel Xhaferit – Çeliku.
Dielli, që atë ditë ai mbante në duar, derdhi rrezet mbi Kërçovën historike.
Drejtori i Termoelektranës së Oslomesë, zoti Qerim Halili poetëve u shtroi edhe
një drekë poetike. Gotat me verë u ngritën dolli. Skënder Demolli doli edhe në
fotografi me Don Kishotin e Mançes.
Pasdite, poetët zbritën në qytet. Koha ishte për pak pushim, që në
mbrërmje t’i jepnin poezisë zjarr. Natën e Madhe e hapi kantautori kërçovar Ferid
Abdiu me këngën e tij të mirënjohur: Të
pret poeti. Miqtë i përshëndeti edhe Kryetari i Komunës së Kërçovës, zoti
Fatmir Dehari. Poetët i dhuruan Kryetarit të Komunës një Mirënjohje nga druri i
Rrapit me emrat dhe mbiemrat e tyre në ballinë. Vargu krynegritës jehoi në
sallë. Dhe, Gjatë kësaj nate u bë edhe
përurimi i librave: Individualitete
letrare 2 – Teki Dërvishi (studim) me autor Nahas Sopaj, Gruaja me të zeza (novela) me autor Him
Koça dhe libri Venela (poezi) i Vesel
Xhaferit – Çeliku. Për librat në fjalë folën: Fatmir Minguli, Safet Hyseni,
Shaban Dalipi dhe Kalosh Çeliku. Pasmesnate, u ndanë edhe çmimet letrare:
Çmimin për poezi më të bukur e fituan Rozeta Kreste dhe Albina Idrizi. Çmimin
për vepër erotike botuar brenda dy takimeve e rrëmbeu Gjon Gjergjaj nga Klina e
Kosovës. Çmimin për vepër jetësore, Fatmir Minguli. Juria profesionale e
përbërë nga Gani Xhafolli (kryetar), Rami Kamberi dhe Kalosh Çeliku (anëtarë)
ndau edhe dy çmime speciale: Mikja e Rrapit, që i takoi Jokida Matit, dhe Miku i
Rrapit - Xhelal Ademit.
Korça e serenatave (vendlindja ime e dytë), më doli zot Natën e Madhe. Burrat e dheut,
vërtetë më bënë një befasi, që kurrë në jetën time nuk e kisha përjetuar si
shkrimtar. Poezive të mia, përveç gjakut dhe shpirtit ju dhanë edhe zjarrin
artistik me kitarë. Vendlindjen time mes maleve me vargje e kitarë e ngritën më
këmbë. Nënën dhe Babain i ringjallën mes varreve, rrëzë Çukës dhe m’i sollën në
Natën e Madhe. Vesel Xhaferi – Çeliku, më dhuroi një orë muri dhe një sharrë.
Him Koça dhe Argëton Dervishi, në mesin e poetëve e pritën agimin
me këngën kërçovare: Në bahçe na ka ra bryma. Ditë e Madhe për Kërçovën historike, që kurrë
deri më sot nuk kishte pasur në gjirin e vet kaq shumë poetë nga të gjitha
trojet etnike shqiptare. Qytetitin e kaçakëve të malit: Kalosh Zajazi me shokë dhe
Sulltanë Qafa. Mefailave të Zajazit. Grave dhe burrave trima të këtyre anëve,
që brez pas brezi i dolën zot dje dhe i dalin edhe sot Atdheut.
E përcollëm Natën e Madhe me poezi, valle e këngë kërçovare matanë
Çelëvjollcës, majën me dëborë verë e dimër, ku lind Dielli. Edhe atë, me këngën popullore të dasmave shqiptare:
Ulu mal të dalë Hëna!...
Gani Xhafolli gjatë hapjes së
ekspozitës figurative me piktorin Vesel Xhaferi.
Poetët pas hapjes së ekspozitës
figurative, në Shtëpinë e Artit mbi Kërçovë.
Xha Zeneli me kësulën e bardhë
në fund, i përcjellë me vëmëndje poetët.
Edmond Hoxhalli me kitarë dhe
Dhimitër Orgocka në poetikun: Kaloshiada.
Poetët në oborrin e Shtëpisë së
Artit shkrepin për kujtim disa fotografi.
Albina Idrizi, Demir Gjergji
dhe Xhelal Tosku në oborrin e Shtëpisë Artit.
Argëton Dervishi dhe Him Koça me këngën: Në bahçe
na ka ra bryma.
Pasmesnate, rreth sofrës
kërçovare me serenata korçare deri në agim…