Mendime
Fatmir Lamaj: Në kujtim të Lirak Bejkos
E merkure, 09.10.2013, 09:04 PM
NË KUJTIM TË LIRAK BEJKOS
NGA FATMIR
LAMAJ, I BURGOSUR POLITIK
Po mbushet një
vit kur me pikëllimin e thellë dhe dhimbjen e madhe do t’i jepnim lamtumirën e
parakohëshme drejt përjetësisë mikut, shokut dhe vëllait tonë të paharruar
Lirak Bejkos. Familja humbi pjestarin e saj më të dashur, ndërsa ne
bashkëvuajtësit shokun tonë më të mirë.
Vetëflijimi i
detyruar i Lirakut u krye nga pushteti berishian, i cili ishte kthyer në një
krematorium gjigand ku çdo ditë që kalonte, dalëngadalë po na digjte të
gjithëve. Ai ishte shnderruar në një përbindësh mitologjik që për të mbijetuar
kërkonte çdo ditë kufoma. Hitleri kufomat e çifutëve i digjte në krematoriumet
të ndërtuara posaçërisht për krimet e tij makabër kur ata kishin vdekur, ndërsa
Berisha i dogji të burgosurit politik në krematoriumin e urrejtjes së vet e
improvizuar në mes të Tiranës. Duhet ta përsërisim edhe një herë se Hitleri
kufomat i digjte pasi kishin vdekur, ndërsa Berisha na dogji të gjallë, pasi na
ktheu në kufoma që ende marrim frymë. Në krematoriumin e pushtetit berishian po
digjeshin çdo ditë dhe më shumë ëndrrat, dëshirat dhe shpresat tona për një
jetë më të mirë, ku mos të ishim më të nëpërkëmbur, të fyer e të përbuzur nga
ajo parti që erdhi në pushtet në emër të dhimbjes, sakrificave si dhe votave të
gjithë shtresës sonë të burgosurve e të persekutuarve politikë.
Mosmirënjohja
është shkalla më e ulët karakterit njerëzor ose dukuria më e errët e
imoralitetit. Jo më kot Stalini do ta quante mirënjohjet ndjenjë qëni. Në ato
flakë të përbindshme ku u dogj Liraku,
para tij kaluan i pamposhturi me qëndresën e vet antipushtet Gjergj Ndreca, që
rastesisht sot është akoma gjallë, si dhe i urti dhe i pafjali Gëzim Hamiti, e
rastësisht shpëtuar nga ndërhyrja e menjëherëshme e Shefit të Krimeve të
Rajonit Nr.2, Benet Kokës dhe një tjetër i burgosur politik. Përse të gjithë
këta burra shkuan me kurajo drejtë vetëflimit? Gjithkush prej nesh e kishte
kuptuar se pushteti berishian ishte kthyer në një skuadër pushkatimi për
kundërshtarët e vet ku të parët në rradhe ishim ne, të burgosurit politik, të
cilët padyshim ishim dhe mbetemi armiq të komunizmit dmth të Partisë që kishte
përfaqësuar dhe përfaqëson besnikërisht komunisti Berisha.
Në regjimin e
Berishës, largësia ndërmjet jetës dhe vdekjes për ne, të burgosurit e të
persekutuarit politik ishte bërë e papërfillshme. Ajo pothuajse nuk ekzistonte
më. Në moralin njerëzor mbetet gjithmonë më e pranueshme që çdo individ vdekjen
e tij ta shndërrojë në jetë se jetën e tij në vdekje. Akti i vetvrasjes është
një gjendje emocionale e veçantë ku individi ndërpret çdo raport me arsyen dhe
ambjentin përreth tij. Ndërsa në rastin e kundërt të vetëflijimit të detyruar të Lirakut dhe të tjerëve, ajo është
një sfidë heroike që i bëhet pushtetit që shtyp dhe shoqërisë të strukur ne
indiferencën e vet. Liraku dhe të tjerët ishjin plotësisht të ndërgjegjshëm për
aktin e tyre, pa nxitjen e kurkujt dhe larg anatemimeve që bëri pushteti i
atëhershëm i Berishës me inatin e tij provincial si dhe në urrejtjen e
trashëguar politikisht ndaj shtresës tonë.
Në këtë drejtim
dhanë dhe ndihmën e tyre të pakursyer falangat perverse të spiunëve e servilëve
që ai ka mbajtur dhe vazhdon t’i mbajë mbas vet së tij si njerëz të shitur e të
blerë që nga koha e diktaturës komuniste. Ai dha shëmbullin më të keq të
pushtetarit që ka qenë në krye të këtij vendi se dhe në burgjet komuniste kur
bëheshin greva urie, dikush do të vinte si përfaqësues i pushtetit për të
biseduar me të ngujuarit në greva. Ndërsa në rastin konkret, në shekullin e
XXI- në mes të Tiranës, asnjë pushtetar se mori mundimin për të biseduar për
kërkesat tona të drejta duke i lënë të burgosurit politik të aq shumë vuajtur
të flijoheshin në mënyrën më mizore. Jo vetëm ai, por dhe larot e tij të lidhur
në zinxhirat e pushtetit autokratik që ai kishte krijuar, lehnin të detyruar
çdo ditë ndaj nesh.
I vetmi zyrtar i
lartë i shtetit që u ngrit në lartësinë
e dinjitetit njerëzor dhe me shumë
mirësjellje dhe bujari shkoi për ngushëllim në familjen e Lirak Bejkos,
ishte Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Berisha mezi priti rastin që
një person i paautorizuar prej nesh, ta quante grevën tonë me kërkesa dhe
politike, deklarëtë e një individi bërë jashtë ambienteve të grevës që ai të
dilte nxitimthi në konferencë shtypi pas dy orësh dhe të deklaronte se me ne
nuk kishte më punë pasi greva jonë kishte kërkesa politike, kur ne kishim më
shumë se dy javë të ngujuar dhe kishim deklaruar kërkesat tona të drejta.
Revolta ndaj
diktatorëve, thotë Beniamin Franklin, është detyrë ndaj Zotit ...dhe greva jonë
ishte një revolte e një lloji të veçantë që ne të burgosurit politik bënim ndaj
padrejtësive të pushtetit. Në flakët e benzinës ku u dogj Liraku dhe të tjerët,
do të qëndrojë gjithmonë e pashuar drita e idealit dhe e qëndresës sonë dhe e
të gjithë shqiptarëve, e cila do të ndriçojë përjetësisht në qiejt e vrenjtur
të këtij vendi që dalëngadalë po fillon të kthjellohet nga retë e zeza të së
kaluarës që lamë pas. Ato flakë u shndërruan në pishtarë në natën e zezë ku
ndodheshim për të na nxjerrë njëherë e mirë nga çdo errësirë pushtetare, dhe
ato flakë do të djegin përgjithmonë endrrat dhe dëshirat perverse të çdo
politikani apo pushtetari që në të ardhmen do të guxojë të poshtërojë e përbuzi
shtresën e të burgosurve politike.
Lirak, ti na le,
duke u ndarë nga kjo botë në mënyrën më dinjitoze të një martiri. Ti ike
nxitimthi nga kjo jetë dhe ikjen tënde të parakoheshme e bërë për të gjithë ne
e të gjithë shqiptarët. Në ato flakë ku u dogj jeta jote, u dogj turpshëm dhe
ëndrra e Berishës për vazhdimësi pushteti.
Ditën që dola
nga reanimacioni për të vazhduar sërish grevën, pasi nuk më lanë për të hyrë në
ambjentet e grevës, në intervistën që kam dhënë për NJUZ 24, kam thënë këto fjalë:
“Jehona e kësaj greve do të jetë përgjithmonë muzika funebre që do të shoqërojë
fundin e pashmangshëm të Berishës”.
Lirak, parajsa
është e martirëve, ferri i xhelatëve! U preftë përjetësisht në paqe shpirti yt
i bekuar!