E hene, 29.04.2024, 04:23 AM (GMT+1)

Mendime

Ramiz Lushaj: Dëgjojeni zërin e Dr. Bujar Leskaj

E marte, 08.10.2013, 09:01 PM


“DËGJOJENI ZËRIN E DR. BUJAR LESKAJ”

Nga Ramiz LUSHAJ

Kësaj here, në këtë vjeshtë të (r)evolucionit të së majtës të riardhun në pushtet, sërish një zë kombëtar i pastër e vizionar, njëherash profesional e autoritar, doktori i shkencave financiare, Bujar Leskaj, kryetar i sotëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit, riapeloi edhe në masmedia për një reformë të thellë në sistemin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH), të cilat nga keqpërdorimi i politikës së ditës kanë mbetë “për vjeshtë” dhe po zezon drejt një “vdekjeje klinike”.

Gjithësesi, ky zë diagnozë e prognozë nga piramida e shtetit dhe bota e shkencës duhet dëgjuar qoftë edhe pa falenderime vetjake e publike ndaj tij po me veprime aktive shtetërore për t’i nxjerrë me ndërgjegje politike, ekonomike e humanitare nga “salla e reaminacionit”, ende pa e falimentue edhe Shtetin Shqiptar në Tranzicionin e tejzgjatur dhe të futun në krizën oktapode që iu ka dalë njerëzve të thjeshtë deri tek buzët e sytë dhe politika po e shkelmon me kambë. Shifra theqafje prej kohësh po dalin mbi ujna të politikës e të letrave të financës si “dinosaurë të krizës”, që kanë me na gjarpnue tmerrsisht, veçanarisht moshën e tretë,  këta “breza të djegun”, ma të shumtit të  lindun e rritë në tri regjime të ndryshme dhe me premtime flakadane e të mbetuna hi i pshurrtë si ato për “lugë të florinjtë” e “çek të bardhë”. INSTAT në faqen e tij zyrtare fakton se në Shqipëri aktualisht janë 2.9 milionë banorë rezidentë dhe 722.000 familje, kurse nga ana tjetër ISSH deklaron se paguan çdo muaj 540.000 pensionistë të katëgorive të ndryshme, numri i të cilëve statistikon me rritje gati dyfishe prej nga koha e “Rënies së Bllokut” afër Lanës. Vetëm në vitin 2012 do të shtohen 5.000 pensionistë. Buxheti i shtetit shqiptar për vitin 2013 kapën 4 miliardë dollarë, kurse ekspertë të njohur të financave si ish zv/ministri Haldeda dijenojnë (më 2 tetor 2013) se “fatura e pensioneve për tre vitet e ardhshme pritet të arrijë në 1 miliard dollarë USD, ose më pak se 8 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto”. Alarm financiar, social e moral janë dhe shifrat që vargnon dr. Bujar Leskaj, kreu i KLSH, teksa flet për dy kambët mbi varr të sistemit të Sigurimeve Shoqërore. Njana kambë po hidhet sot kur “deficiti i skemës së pensioneve nga viti në vit është rritur me ritme të shpejta dhe vetëm për vitin 2012, krahasuar me Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) zë 1,4 për qind të tij” dhe “55 për qind e kontributeve rurale financohen nga buxheti i shtetit”.etj.  Kamba tjetër do të hidhet nesër, pasi, sipas dr. Bujar Leskajt,  “shkalla e mbulimit të popullsisë me elementet e sigurimit shoqëror është shumë e ulët, me një pjesëmarrje në kontribute të vetëm 65 për qind të forcave aktuale të punës”…

Zëri i dr. Bujar Leskajt duhet dëgjue me vëmendjen e merituar nga politika institucionale, nga mazhoranca qeverisëse, qoftë edhe me një heshtje të zgjuar të shoqëruar me veprime të shpejta, sepse institucioni i kryesuar prej tij iu ka ba shtetërisht “skaner” sistemit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Gjithashtu, mirëduket se shtetari financier na e jep qartë “terapinë” e shërimit e të shpëtimit të kësaj situate emergjente, teksa diagnostikon mbledhjen e të ardhurave nga subjekte shtetërore e private, nga të (vet)punësuarit për sigurimet shoqërore dhe shpenzimet e sigurimeve shoqërore për përfitime për pensionet e ndryshme për shtetasit shqiptarë dhe na ban prognozë të këtij sistemi mbështetur në shtatë çështje si një të vetme. Dr. Bujar Leskaj nuk ban politikë me shtatë shkronja të gjuhës Shqipe: “Reformë”. Ai nuk e përdor si fjalë të vetme refreni propogandistik e demagogjik, nuk i ban plastelinë problemet, nuk i kthen në kaçimak. Ai i argumenton si të shtyllta këto shtatë piketa të themelta: Niveli i personave të siguruar. Formula aktuale e pensionit. Evazioni fiskal. Mënyrat dhe rregullat e indeksimit të pensioneve. Trajtimet e favorshme për banorët ruralë. Skemat shtetërore të veçanta dhe suplementare. Sistemi i pensioneve.  Këto “shtatë shtylla ekonomike” si i kanë pasë thanë një shprehje të moçme: “Nuk i luajnë as shtatë krajli”, po ne, shtetasit shqiptarë në tanësi e mosha e tretë në veçanti po duam me i ndigjue vetëm Shteti ynë Shqiptar.

Ky apeli ynë: “Dëgjojeni zërin e Bujar Leskajt” na imponohet edhe prej faktit të padëshirueshëm se deri në kit’ ditën e sodit, politika shqiptare nuk po dëgjon askënd për “Reformën e Sistemit të Sigurimeve Shoqërore”, përndryshe: Reformën e Sistemit të Pensioneve në Shqipëri.  Politika nuk po e dëgjon as Bankën Botërore, që ka asistue në Tiranë edhe me platformë objektive e perspektive për Sistemin e penisoneve në Shqipëri sipas “sistemit shumëkolonësh” si “Kolona zero” (për të moshuarit e varfër, etj.), “Kolana e parë” (pay as you go – skema aktuale e bazuar në solidaritetin e brezave), “Kolona e dytë” (sigurimet shoqërore tërësisht private – një zgjedhje e zgjidhje vetjake), etj. Politika nuk po e dëgjon as organizmin e zgjedhun prej saj: Komitetin e Planifikimit të Strategjive, që e ka miratue këtë Platformë qyshse në vitin 2008. Shqipëria i kapërcey njëzet vite pa krye realisht Reformë në Sistemin e Pensioneve, pra qyshse në vitin 1992 kur u ngrit së parit ISSH. Tashti ka ardhë koha për modernizim e fleksibilitet të pensioneve, për vendosjen e një sistemi të drejtë të pensioneve (rregullimi i raporteve midis kontributeve që japin të siguruarit dhe përfitimit që marrin me moshën e daljes në pension, etj.). Kjo “Reformë” nuk është çështje kartonash, që të miratohet një ligj i ri e plotor me 84 vota në Kuvend, të cilat i ka mazhoranca e sotme qeverisëse. Patjetër duhet  vizion i qartë, debat i thellë, konsensus i plotë i pozitës dhe i opozitës, sepse kjo Reformë e madhe i shtrin efektet e saj deri kah viti 2040, përcaktohet mosha e daljes në pension, niveli i kontributeve për pension, sistemi privat i sigurimeve shoqërore etj. krijimi i mekanizmave për dalje në pension para ose pas moshës zyrtare, krijimi i skemave të pensioneve të parakohshme, stimulimi i krijimit të vendeve të punës së përshtatshme për moshat e vjetra, etj. Politika nuk po merret vesh ndërveti. Ka mbi 4 vjet që Platforma për Sistemin e Pensioneve rrinë në dosje, pasi PS me aletaët e vet nuk jep konsensusin e saj. Tani çështja shtrohet: a do të presim edhe 4 vjet të tjera që PD me aleatët e vet nuk do ta japin konsensusin e saj. Nëse e miraton pozita e sotme e rrëzon ajo e nesërmja, diçka e tillë siç po ndodh aktualisht me disa vendime të qeverisë së mapërshme. Në Sistemin e Penisoneve do të kemi lojën “Po” e “Jo”, “në Fuqi” – Shfuqizo”(!) Ndodhemi përballë një situate që jemi tepër të vonuar dhe pritja qoftë edhe një ditë apo një vit është me mjaft pasoja për ekonominë shqiptare, vet për shoqërinë shqiptare, për brezat e sotëm e të nesërm.

Prandaj na duhen shumë zëra në istikamin e kohës politike, në veprimtarinë shtetërore, në botën akademike, në shoqërinë civile, si ky i doktorit të shkencave financiare, Bujar Leskaj, në personalitetin e tij, në profilin e karieren e tij ndër vite, i ka të gjitha këto. Përndryshe: kur themi “Dëgjojeni zërin e dr. Bujar Leskaj” nuk kemi parasysh vetëm pozicionin e tij të sotëm zyrtar si kryetar i KLSH, i një institucioni që vet shteti shqiptar e ka ngritë për t’ia dëgjuar zërin. Nuk flet vetëm një personalitet politik e zyrtar i betuar tre herë para Parlamentit Shqiptar për kryerjen e detyrave të tij me përgjegjësi të lartë si deputet, ministër, kryekontrollor i shtetit. Dr. Bujar Leskaj, avokat, i përket botës akademike, me tri diploma universitare: inxhinier nafte në gjeologji-miniera (1990), ekonomist i degës së financës në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës (1998) dhe jurist në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës; pjesmarrës në konferenca shkencore (ndër)kombëtare, autor i disa botimeve në revista shkencore, etj. Ka qënë deputet i Vlorës dhe antar i delegacionit të përhershëm të Parlamentit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s;  ka qënë doganier e deri Nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe pedagog i brendshëm dhe i jashtëm në Fakultetin Ekonomik të universitetit ma të madh publik në vend – të Universitetit të Tiranës, në lëndët “Para dhe Banka”, “Financë”; ish antar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe ministër i Turizmit, Kulturës e Sporteve gjatë qeverisjes së saj; krye specializime në Universitetin e Nebraskës - Lincoln, SHBA, Departamenti i Menaxhimit (Diplomë për mësimdhënie në nivel masteri në Administrim publik) në  shkurt-qershor 2003 dhe në Universitetin Bamberg në Gjermani - specializim për Financat publike në shkurt 2005; ka botime shkencore për financat si  "Senjorazhi” (Punim Doktorature, 2009),  “Paraja dhe Banka” (Cikël Leksionesh, 2011), “Leksione në Financë” (Pjesa e I) (2011); për historinë "Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009" (2009), për politikën "Brenda dhe Jashtë…PARLAMENTIT (maj 2007-maj 2009)" (2009), për letërsinë “Muzat e Qëndresës” (Nëpër libra të kryqëzuar) (Tiranë 2011), etj., kryetar i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike “Ismail Qemali”, etj.  Një personalitet i tillë si dr. Bujar Leskaj, siç e kam cek edhe herë tjetër, është prurje e Vlorës, e Parlamentarizmit, e Nacionalizmit Shqiptar dhe ka sjellë prurje risore e meritore për Demokracinë, për Kulturën, për Kombin.

Mazhoranca e djeshme dhe e sotme shpesh herë e ka dëgjue zërin e dr. Bujar Leskaj, edhe kur ishte deputet e ministër, edhe sot kur është kryetar i KLSH, aqsa shpesh herë ka ndodh që të udhëheq edhe puna e tij shembëlluese, pasi disa ide, alternativa, platforma të tij janë të sprovuara në kohën e trevat etnike shqiptare në Ballkan. Shumëkush i ka ba të tija ato, siç ishte rasti i kryesocialistit Edi Rama në fundgushtin 2013 në Prizren që dha një premtim elektoral për veprimtari të përvitshme të përbashkëta kultutore Shqipëri-Kosovë. Njësoj ashtu siç kishte veprimtarue realisht, aktivisht e cilësisht në vitin 2006 e ma së forti më 2007 dr. Bujar Leskaj, asokohe ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Kjo e mbajti emrin e mirë të një ministry kombëtar, siç është dr. Bujar Leskaj, paçka që e çoi në zbehje ministri pasardhës, ministri skandaloz Ylli Pango. Kjo kopjaci e Ramës u trajtue edhe në shtypin e Tiranës e të Prishtinës.

Shpesh herë dr. Bujar Leskaj ka paraprirë me vizionet e tij, ka ngritë problematika të atilla në Kuvendin e Shqipërisë që jo vetëm kanë ngjallë zgjime politike e shtetërore, i kanë dhanë kosto karriere, si për të Perndjekurit e të Persekutuarit Politik, që po të mos ishte dëgjuar edhe zëri i tij nuk do të kishte PD përkrahje të tillë ndaj kësaj shtrese në vështirësi të prejardhuna qyshse nga rregjimi komunist, etj. Shembuj të tillë nuk janë të pakët, veçse po due me e përveçue njanin prej tyne.

Një portret të veçantë për kryetarin e ri të KLSH, dr. Bujar Leskaj, pesë muaj pas zgjedhjes së tij në këtë post, e hasa në revistën “Java” të Tiranës të prillit 2012. Aty më bani përshtypje fakti i debatueshëm sot: “në zyrën e tij gjendej një portret i madh i Ismail Qemalit, themeluesit të Shtetit Shqiptar”. Ky portret rrinte krahas atij të Presidentit të Republikës, asokohe Bamir Topi. Në dhjetor 2011 apo janar 2012 më pat tregue edhe ish ambasadori i parë i Kosovës në Tiranë, dr. Gazmend Pulaj. Tjetër kund e kena fjalën: kaq iu desht kryesocialistit Edi Rama e nisi ta “privatizonte” rastin, ta bante të vetin në fjalathaniet në 100 Vjetorin e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, derisa ia mbrrini të stekonte ma andej: me vendim Qeverie e ktheu në portret zyrtar në të gjitha zyrat e shtetit, në vend të Presidentit të Republikës. Nuk e di si ka veprue kryekontrollori i Shtetit, po kena mësue në televizione, me zë e pamje, se kryetari i Kuvendit të Shqipërisë i mban të dy portretet: edhe të Ismail Qemalit, edhe të Bujar Nishanit. Në këtë revistë dhe nga ish ambasadori i Kosovës kam mësue se në zyrën e dr. Bujar Leskaj rrijnë dy flamuj: Flamuri Kombëtar Shqiptar dhe Flamuri i Kosovës, një shembull që rrallëkund e gjen ndër zyrtarët e lartë dhe institucionet e larta shqiptare në Shqipëri, Kosovë a ndokund tjetër. Edhe ky do të jetë një shembull që do të marrin përkrahje kombëtare, edhe pa e cek emnin e dr. Bujar Leskaj, të cilit, jo më kot i themi politikës kombëtare e shtetit shqiptar: Dëgjojani Zërin”, edhe në heshtje, edhe me veprime, edhe për Reformën në ISSH, në Sistemin e Sigurimeve Shoqërore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora