E hene, 29.04.2024, 03:42 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Ç'do bëjë Rama me gafat e Bushatit

E diele, 06.10.2013, 05:55 PM


Ç'DO BËJË EDI RAMA ME GAFAT E DITMIR BUSHATIT NË NEW YORK– ASSESI TË MOS IA GËLLTISË!

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Më 17 shtator në Pallatin e Qelqtë u hap sesioni i 68-të i Asamblesë të Përgjithshme të OKB, që kishte bërë të zbarkonin në New York burrat e shteteve të të gjithë botës për të mbajtur fjalime, për dialog dhe takime të nivelit më të lartë. Me këtë rast në New York kishte arritur edhe delegacioni shqiptar, që drejtohej nga kryeministri i posazgjedhur i vendit Edi Rama, nën shoqërinë e ministrit të Jashtëm të posazgjedhur Ditmir Bushati.

Pikërisht për të përcjellë atmosferën nga Pallati i Qelqtë, gazetari dhe komentatori i famshëm politik Bill O'Reilly, që drejton tek Fox News Channel - The O'Reilly Factor - programin më të shikuar në televizionet kabllore të lajmeve në Amerikë, kishte dërguar aty gazetarin Jesse Watters, i njohur për intervistat e tij "On-The-Street" – në rrugë –për të marrë mendime por edhe për të peshkuar aty ndonjë scoop a gafë mes të ftuarve që në rastin konkret ishin Ambasadorë, Ministra të Jashtëm etj.etj.

Dhe në grepin e gazetarit ra pikërisht ministri jonë i Jashtëm, dmth ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë.

Pyetja që Jesse Watters u drejtoi diplomatëve më të lartë ishte kjo: “A është Amerika një vend fisnik?” – Kur Watters pyeti PhD Simona-Mirela Miculescu, një diplomate kariere rumune, e cila është Ambasadorja e përherëshme e Rumanisë në OKB, ajo e çuditur se si gazetari mund të bënte të tilla pyetje absurde, në mënyrë eksklamative iu përgjigj “Natyrisht, që është, natyrisht Amerika është një vend fisnik” –

Kur i erdhi radha ministrit tonë të Jashtëm, e në ekran dilte i titruar emri, posti që mbante e vendi që përfaqësonte - dhe ishte një rast i mrekullueshëm që me anglishten e tij të mirë të shfaqte performancën e tij përpara publikut amerikan -, kur Jesse Watters e pyeti: “A është Amerika një vend fisnik?”, Ditmir Bushati përmes një gafe 24 karatshe iu përgjigj: “Është një pyetje shumë komplekse !”

Ditmir Bushati nuk gjeti argument në kokën e tij për t’i dhënë një përgjigje pozitive pyetjes ashtu si u përgjigj me eksklamacion përfaqësuesja e Rumanisë për vendin më demokratik të botës, krijuar prej emigrantëve. Ditmir Bushatit nuk i ka mjaftuar fakti që, të paktën gjatë dy dekadave të fundit, qindra mijë bashkëkombas të tij, ikur prej një Shqipërie gjithnjë në trazicion dhe me një demokraci të rrezikuar, të gjejnë këtu strehë, vatër e mundësi për të qenë pjesë e këtij vendi dhe e këtij kombi; Ditmir Bushatit nuk i ka mjaftuar fakti që SHBA iu gjet në krahë Kosovës për të ndalur konfliktin dhe për t’i dhënë fund shpërnguljes së 1 milion shqiptarëve nga trojet e veta; Ditmir Bushatit nuk i ka mjaftuar fakti që SHBA i janë gjendur në krah Shqipërisë për ta anëtarësuar në NATO; Ditmir Bushatit nuk i ka mjaftuar fakti që SHBA për Shqipërinë përbëjnë Aleatin jetik, më të rëndësishëm. Ditmir Bushatit nuk i kanë mjaftuar këto fakte dhe është përgjigjur sikur të jetë ministër i jashtëm i kohës së republikave sovjetike.

Por ashtu si ndodh rëndom, edhe gafa e Ditmir Bushatit, ministrit të Jashtëm u fsheh në Shqipëri. Nëse gafa e tij kishte marrë dhenë në SHBA, në Shqipëri askush dhe asnjë nuk tregoi dhe reagoi për të, qofshin gazetat, qofshin televizionet, qofshin anchormen-ët, qoftë opozita, qoftë lideri i opozitës, i cili ka qenë edhe vetë ministër i Jashtëm, qoftë Komisioni për Politikën e Jashtme në Parlamentin e Shqipërisë, qoftë shoqëria civile. Askush. Sikur Shqipëria të jetojë në kulmin e izolimit, të cilin Edi Rama e shpreh figurativisht me bunkerat. Merreni me mend sikur gjithë këta që përmenda unë më sipër të hanin në bunker, të pinin e të flinin në bunker, bile edhe programet televizive me të ftuarit e tyre të përhershëm t’i xhironin në bunker, përfshi edhe Sokol Ballën me Ipodi-in e tij, të gjithë pa asnjë përjashtim në bunker! Me gojë të mbyllur, për hir të gafave të Ditmir Bushatit!

Por rroftë Facebook-u dhe komuniteti i shqiptarëve në NY, të cilët ndihen të fyer kur vendin e tyre e përfaqëson një njeri që pyetja më e thjeshtë për shqiptaret, atij i duket më kompleksja e botës dhe nuk di se si t’i përgjigjet! Por çfarë diplomati qenka ky!

Ndërkohë, gafa e Ditmir Bushatit nuk fshihet dot. Ajo është një fait accompli, e kryer tashmë. Nëse numri 1 i diplomacisë shqiptare vë në dyshim dhe nuk gjen asnjë arsye për t’u përgjigjur pozitivisht se “Amerika është një vend fisnik”, mendoj se kryeministri i Shqipërisë nuk ka pikën e dyshimit se Amerika është një vend fisnik. Atëherë çfarë do të bëjë shefi i qeverisë shqiptare me Ditmir Bushatin, do t’ia gëlltisë gafat – të cilat kur shqiptohen nga një ministër i kabinetit adresohen si gafat e tij! A ia vlen që kryeministri të përfaqësohet me diplomatë që dëmtojnë imazhin e qeverisë Rama, që në hapat e saj të para, kur qeverisjes i duhen njerëz seriozë, të përgatitur të cilët duhet assesi të bëhen cironka që i kap grepi me herën e parë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora