| E marte, 08.10.2013, 09:01 PM |
“DËGJOJENI ZËRIN E DR. BUJAR
LESKAJ”
Nga Ramiz LUSHAJ
Kësaj here, në
këtë vjeshtë të (r)evolucionit të së majtës të riardhun në pushtet, sërish një
zë kombëtar i pastër e vizionar, njëherash profesional e autoritar, doktori i
shkencave financiare, Bujar Leskaj, kryetar i sotëm i Kontrollit të Lartë të
Shtetit, riapeloi edhe në masmedia për një reformë të thellë në sistemin e
Sigurimeve Shoqërore (ISSH), të cilat nga keqpërdorimi i politikës së ditës
kanë mbetë “për vjeshtë” dhe po zezon drejt një “vdekjeje klinike”.
Gjithësesi, ky
zë diagnozë e prognozë nga piramida e shtetit dhe bota e shkencës duhet dëgjuar
qoftë edhe pa falenderime vetjake e publike ndaj tij po me veprime aktive
shtetërore për t’i nxjerrë me ndërgjegje politike, ekonomike e humanitare nga
“salla e reaminacionit”, ende pa e falimentue edhe Shtetin Shqiptar në
Tranzicionin e tejzgjatur dhe të futun në krizën oktapode që iu ka dalë
njerëzve të thjeshtë deri tek buzët e sytë dhe politika po e shkelmon me kambë.
Shifra theqafje prej kohësh po dalin mbi ujna të politikës e të letrave të
financës si “dinosaurë të krizës”, që kanë me na gjarpnue tmerrsisht,
veçanarisht moshën e tretë, këta “breza
të djegun”, ma të shumtit të lindun e
rritë në tri regjime të ndryshme dhe me premtime flakadane e të mbetuna hi i
pshurrtë si ato për “lugë të florinjtë” e “çek të bardhë”. INSTAT në faqen e
tij zyrtare fakton se në Shqipëri aktualisht janë 2.9 milionë banorë rezidentë
dhe 722.000 familje, kurse nga ana tjetër ISSH deklaron se paguan çdo muaj
540.000 pensionistë të katëgorive të ndryshme, numri i të cilëve statistikon me
rritje gati dyfishe prej nga koha e “Rënies së Bllokut” afër Lanës. Vetëm në
vitin 2012 do të shtohen 5.000 pensionistë. Buxheti i shtetit shqiptar për
vitin 2013 kapën 4 miliardë dollarë, kurse ekspertë të njohur të financave si
ish zv/ministri Haldeda dijenojnë (më 2 tetor 2013) se “fatura e pensioneve për
tre vitet e ardhshme pritet të arrijë në 1 miliard dollarë USD, ose më pak se 8
për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto”. Alarm financiar, social e moral janë
dhe shifrat që vargnon dr. Bujar Leskaj, kreu i KLSH, teksa flet për dy kambët
mbi varr të sistemit të Sigurimeve Shoqërore. Njana kambë po hidhet sot kur
“deficiti i skemës së pensioneve nga viti në vit është rritur me ritme të
shpejta dhe vetëm për vitin 2012, krahasuar me Produktin e Brendshëm Bruto
(PBB) zë 1,4 për qind të tij” dhe “55 për qind e kontributeve rurale financohen
nga buxheti i shtetit”.etj. Kamba tjetër
do të hidhet nesër, pasi, sipas dr. Bujar Leskajt, “shkalla e mbulimit të popullsisë me
elementet e sigurimit shoqëror është shumë e ulët, me një pjesëmarrje në
kontribute të vetëm 65 për qind të forcave aktuale të punës”…
Zëri i dr. Bujar
Leskajt duhet dëgjue me vëmendjen e merituar nga politika institucionale, nga
mazhoranca qeverisëse, qoftë edhe me një heshtje të zgjuar të shoqëruar me
veprime të shpejta, sepse institucioni i kryesuar prej tij iu ka ba shtetërisht
“skaner” sistemit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Gjithashtu, mirëduket se
shtetari financier na e jep qartë “terapinë” e shërimit e të shpëtimit të kësaj
situate emergjente, teksa diagnostikon mbledhjen e të ardhurave nga subjekte
shtetërore e private, nga të (vet)punësuarit për sigurimet shoqërore dhe
shpenzimet e sigurimeve shoqërore për përfitime për pensionet e ndryshme për
shtetasit shqiptarë dhe na ban prognozë të këtij sistemi mbështetur në shtatë
çështje si një të vetme. Dr. Bujar Leskaj nuk ban politikë me shtatë shkronja
të gjuhës Shqipe: “Reformë”. Ai nuk e përdor si fjalë të vetme refreni
propogandistik e demagogjik, nuk i ban plastelinë problemet, nuk i kthen në
kaçimak. Ai i argumenton si të shtyllta këto shtatë piketa të themelta: Niveli
i personave të siguruar. Formula aktuale e pensionit. Evazioni fiskal. Mënyrat
dhe rregullat e indeksimit të pensioneve. Trajtimet e favorshme për banorët
ruralë. Skemat shtetërore të veçanta dhe suplementare. Sistemi i
pensioneve. Këto “shtatë shtylla
ekonomike” si i kanë pasë thanë një shprehje të moçme: “Nuk i luajnë as shtatë
krajli”, po ne, shtetasit shqiptarë në tanësi e mosha e tretë në veçanti po
duam me i ndigjue vetëm Shteti ynë Shqiptar.
Ky apeli ynë:
“Dëgjojeni zërin e Bujar Leskajt” na imponohet edhe prej faktit të
padëshirueshëm se deri në kit’ ditën e sodit, politika shqiptare nuk po dëgjon
askënd për “Reformën e Sistemit të Sigurimeve Shoqërore”, përndryshe: Reformën
e Sistemit të Pensioneve në Shqipëri.
Politika nuk po e dëgjon as Bankën Botërore, që ka asistue në Tiranë
edhe me platformë objektive e perspektive për Sistemin e penisoneve në Shqipëri
sipas “sistemit shumëkolonësh” si “Kolona zero” (për të moshuarit e varfër,
etj.), “Kolana e parë” (pay as you go – skema aktuale e bazuar në solidaritetin
e brezave), “Kolona e dytë” (sigurimet shoqërore tërësisht private – një
zgjedhje e zgjidhje vetjake), etj. Politika nuk po e dëgjon as organizmin e
zgjedhun prej saj: Komitetin e Planifikimit të Strategjive, që e ka miratue
këtë Platformë qyshse në vitin 2008. Shqipëria i kapërcey njëzet vite pa krye
realisht Reformë në Sistemin e Pensioneve, pra qyshse në vitin 1992 kur u ngrit
së parit ISSH. Tashti ka ardhë koha për modernizim e fleksibilitet të
pensioneve, për vendosjen e një sistemi të drejtë të pensioneve (rregullimi i
raporteve midis kontributeve që japin të siguruarit dhe përfitimit që marrin me
moshën e daljes në pension, etj.). Kjo “Reformë” nuk është çështje kartonash,
që të miratohet një ligj i ri e plotor me 84 vota në Kuvend, të cilat i ka
mazhoranca e sotme qeverisëse. Patjetër duhet
vizion i qartë, debat i thellë, konsensus i plotë i pozitës dhe i
opozitës, sepse kjo Reformë e madhe i shtrin efektet e saj deri kah viti 2040,
përcaktohet mosha e daljes në pension, niveli i kontributeve për pension,
sistemi privat i sigurimeve shoqërore etj. krijimi i mekanizmave për dalje në
pension para ose pas moshës zyrtare, krijimi i skemave të pensioneve të
parakohshme, stimulimi i krijimit të vendeve të punës së përshtatshme për
moshat e vjetra, etj. Politika nuk po merret vesh ndërveti. Ka mbi 4 vjet që
Platforma për Sistemin e Pensioneve rrinë në dosje, pasi PS me aletaët e vet
nuk jep konsensusin e saj. Tani çështja shtrohet: a do të presim edhe 4 vjet të
tjera që PD me aleatët e vet nuk do ta japin konsensusin e saj. Nëse e miraton
pozita e sotme e rrëzon ajo e nesërmja, diçka e tillë siç po ndodh aktualisht
me disa vendime të qeverisë së mapërshme. Në Sistemin e Penisoneve do të kemi
lojën “Po” e “Jo”, “në Fuqi” – Shfuqizo”(!) Ndodhemi përballë një situate që
jemi tepër të vonuar dhe pritja qoftë edhe një ditë apo një vit është me mjaft
pasoja për ekonominë shqiptare, vet për shoqërinë shqiptare, për brezat e sotëm
e të nesërm.
Prandaj na duhen
shumë zëra në istikamin e kohës politike, në veprimtarinë shtetërore, në botën
akademike, në shoqërinë civile, si ky i doktorit të shkencave financiare, Bujar
Leskaj, në personalitetin e tij, në profilin e karieren e tij ndër vite, i ka
të gjitha këto. Përndryshe: kur themi “Dëgjojeni zërin e dr. Bujar Leskaj” nuk
kemi parasysh vetëm pozicionin e tij të sotëm zyrtar si kryetar i KLSH, i një
institucioni që vet shteti shqiptar e ka ngritë për t’ia dëgjuar zërin. Nuk
flet vetëm një personalitet politik e zyrtar i betuar tre herë para Parlamentit
Shqiptar për kryerjen e detyrave të tij me përgjegjësi të lartë si deputet,
ministër, kryekontrollor i shtetit. Dr. Bujar Leskaj, avokat, i përket botës
akademike, me tri diploma universitare: inxhinier nafte në gjeologji-miniera
(1990), ekonomist i degës së financës në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e
Tiranës (1998) dhe jurist në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e
Tiranës; pjesmarrës në konferenca shkencore (ndër)kombëtare, autor i disa
botimeve në revista shkencore, etj. Ka qënë deputet i Vlorës dhe antar i
delegacionit të përhershëm të Parlamentit të Shqipërisë në Asamblenë
Parlamentare të NATO-s; ka qënë doganier
e deri Nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe
pedagog i brendshëm dhe i jashtëm në Fakultetin Ekonomik të universitetit ma të
madh publik në vend – të Universitetit të Tiranës, në lëndët “Para dhe Banka”,
“Financë”; ish antar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe ministër i
Turizmit, Kulturës e Sporteve gjatë qeverisjes së saj; krye specializime në
Universitetin e Nebraskës - Lincoln, SHBA, Departamenti i Menaxhimit (Diplomë
për mësimdhënie në nivel masteri në Administrim publik) në shkurt-qershor 2003 dhe në Universitetin
Bamberg në Gjermani - specializim për Financat publike në shkurt 2005; ka
botime shkencore për financat si "Senjorazhi”
(Punim Doktorature, 2009), “Paraja dhe
Banka” (Cikël Leksionesh, 2011), “Leksione në Financë” (Pjesa e I) (2011); për
historinë "Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë,
1912-2009" (2009), për politikën "Brenda dhe Jashtë…PARLAMENTIT (maj
2007-maj 2009)" (2009), për letërsinë “Muzat e Qëndresës” (Nëpër libra të kryqëzuar)
(Tiranë 2011), etj., kryetar i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike
“Ismail Qemali”, etj. Një personalitet i
tillë si dr. Bujar Leskaj, siç e kam cek edhe herë tjetër, është prurje e
Vlorës, e Parlamentarizmit, e Nacionalizmit Shqiptar dhe ka sjellë prurje
risore e meritore për Demokracinë, për Kulturën, për Kombin.
Mazhoranca e
djeshme dhe e sotme shpesh herë e ka dëgjue zërin e dr. Bujar Leskaj, edhe kur
ishte deputet e ministër, edhe sot kur është kryetar i KLSH, aqsa shpesh herë
ka ndodh që të udhëheq edhe puna e tij shembëlluese, pasi disa ide,
alternativa, platforma të tij janë të sprovuara në kohën e trevat etnike
shqiptare në Ballkan. Shumëkush i ka ba të tija ato, siç ishte rasti i
kryesocialistit Edi Rama në fundgushtin 2013 në Prizren që dha një premtim
elektoral për veprimtari të përvitshme të përbashkëta kultutore
Shqipëri-Kosovë. Njësoj ashtu siç kishte veprimtarue realisht, aktivisht e
cilësisht në vitin 2006 e ma së forti më 2007 dr. Bujar Leskaj, asokohe
ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Kjo e mbajti emrin e mirë të
një ministry kombëtar, siç është dr. Bujar Leskaj, paçka që e çoi në zbehje
ministri pasardhës, ministri skandaloz Ylli Pango. Kjo kopjaci e Ramës u
trajtue edhe në shtypin e Tiranës e të Prishtinës.
Shpesh herë dr.
Bujar Leskaj ka paraprirë me vizionet e tij, ka ngritë problematika të atilla
në Kuvendin e Shqipërisë që jo vetëm kanë ngjallë zgjime politike e shtetërore,
i kanë dhanë kosto karriere, si për të Perndjekurit e të Persekutuarit Politik,
që po të mos ishte dëgjuar edhe zëri i tij nuk do të kishte PD përkrahje të
tillë ndaj kësaj shtrese në vështirësi të prejardhuna qyshse nga rregjimi
komunist, etj. Shembuj të tillë nuk janë të pakët, veçse po due me e përveçue
njanin prej tyne.
Një portret të
veçantë për kryetarin e ri të KLSH, dr. Bujar Leskaj, pesë muaj pas zgjedhjes
së tij në këtë post, e hasa në revistën “Java” të Tiranës të prillit 2012. Aty
më bani përshtypje fakti i debatueshëm sot: “në zyrën e tij gjendej një portret
i madh i Ismail Qemalit, themeluesit të Shtetit Shqiptar”. Ky portret rrinte
krahas atij të Presidentit të Republikës, asokohe Bamir Topi. Në dhjetor 2011
apo janar 2012 më pat tregue edhe ish ambasadori i parë i Kosovës në Tiranë,
dr. Gazmend Pulaj. Tjetër kund e kena fjalën: kaq iu desht kryesocialistit Edi
Rama e nisi ta “privatizonte” rastin, ta bante të vetin në fjalathaniet në 100
Vjetorin e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, derisa ia mbrrini të stekonte ma
andej: me vendim Qeverie e ktheu në portret zyrtar në të gjitha zyrat e
shtetit, në vend të Presidentit të Republikës. Nuk e di si ka veprue
kryekontrollori i Shtetit, po kena mësue në televizione, me zë e pamje, se
kryetari i Kuvendit të Shqipërisë i mban të dy portretet: edhe të Ismail
Qemalit, edhe të Bujar Nishanit. Në këtë revistë dhe nga ish ambasadori i
Kosovës kam mësue se në zyrën e dr. Bujar Leskaj rrijnë dy flamuj: Flamuri
Kombëtar Shqiptar dhe Flamuri i Kosovës, një shembull që rrallëkund e gjen ndër
zyrtarët e lartë dhe institucionet e larta shqiptare në Shqipëri, Kosovë a
ndokund tjetër. Edhe ky do të jetë një shembull që do të marrin përkrahje
kombëtare, edhe pa e cek emnin e dr. Bujar Leskaj, të cilit, jo më kot i themi
politikës kombëtare e shtetit shqiptar: Dëgjojani Zërin”, edhe në heshtje, edhe
me veprime, edhe për Reformën në ISSH, në Sistemin e Sigurimeve Shoqërore.