Shtesë » Lajme
LB: PDK dhe VV nuk dallojnë
E enjte, 15.08.2013, 07:11 PM
PDK dhe VV nuk dallojnë kur është në pyetje keqpërdorimi i parasë publike!
Në
mbledhjen e fundit të KQZ-së, përfaqësuesi i PDK-së e akuzoi Lëvizjen
Vetëvendosje! që së bashku me iniciativën tjetër qytetare, JSL-në e Rada
Trajkoviqit, po e shfrytëzojnë në mënyrë të paligjshme Fondin për mbështetjen e
subjekteve politike.
Lëvizja
për Bashkim, duke qenë edhe e dëmtuar drejtpërdrejt nga këto keqpërdorime,
shkeljen e tillë ligjore e ka denoncuar shumë kohë më parë edhe publikisht
përmes mediave, edhe juridikisht përmes ankesës në KQZ dhe ngritjes së padisë,
përkatësisht kallëzimit penal në institucionet kompetente. Megjithëkëtë,
shkelja ka vazhduar, madje, me përkrahjen edhe të vetë përfaqësuesit të PDK-së
në KQZ, z. Betim Gjoshi.
Ne
konsiderojmë se është fakt i pakontestueshëm që ndarja e mjeteve për Lëvizjen
Vetëvendosje! dhe JSL-në, të cilat nuk janë regjistruar, por vetëm janë
certifikuar si iniciativa qytetare, përbën shkelje të rëndë ligjore.
Konsiderojmë se është fakt i pakontestueshëm që shkelës të ligjit në këtë rast
janë të gjitha palët që kanë pasur mundësi e nuk e kanë penguar këtë shkelje,
duke përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje! dhe JSL-në, si përfituese në mënyrë të
paligjshme të fondit, si dhe KQZ-në dhe vetë përfaqësuesin e PDK-së, si pjesë e
këtij institucioni, të cilët megjithëse kanë qenë të njoftuar me kohë për
shkeljen, kanë refuzuar ta trajtojnë atë si të tillë. Prandaj, sjellja e
përfaqësuesit të PDK-së tregon qartë se motivi i denoncimit të këtij rasti nuk
është evitimi i shkeljes së ligjit, por përfitimet në aspektin elektoral apo
aspekte të tjera subjektive. Gjithashtu, LB konsideron se loja e deritashme e
“qengjit të butë” nga Lëvizja Vetëvendosje! ndaj KQZ-së dhe shndërrimi në ujk
tani kur pjesën dërrmuese të mjeteve i ka përvetësuar, është edhe një fakt se
VV nuk është një organizatë e ndershme, siç përpiqet të paraqitet në opinion,
por është një organizatë politike si shumë të tjera të cilat ajo vetë i akuzon,
organizatë që për të arritur në pushtet nuk zgjedh mjete.
Lëvizja
për Bashkim e fton KQZ-në që të ndërpresë sa më parë keqpërdorimin e parasë
publike dhe të sillet në përputhje me ligjin; e fton Lëvizjen Vetëvendosje! dhe
JSL-në që ta ndërpresin praktikën e përfitimit të paligjshëm nga buxheti i
Kosovës; dhe i fton institucionet e drejtësisë që të veprojnë me më efikasitet
në lidhje me këto shkelje të denoncuara, në mënyrë që të mos vazhdojë të
dëmtohet buxheti i shtetit dhe drejtësia në vend.
LËVIZJA
PËR BASHKIM
Zyra për
Informim
Prishtinë,
15.8.2013