E diele, 28.04.2024, 02:58 AM (GMT+1)

Mendime

Kostaq Xoxa: Eufemizmi është zvetënim i historisë

E hene, 19.05.2008, 06:32 PM


Eufemizmi është zvetënim i historisë

Nga Kostaq Xoxa
   
Konformizmi vërehet shpesh edhe në titujt/Në një gazetë, që del bukur nga ana estetike, jepet në faqe të parë një intervistë me drejtoreshën e Arkivit Qendror të Shtetit: „Nevila Nika: Si e zbulova në arkiv urdhrin e Enverit për të rrahur Llazar Fundon”. Në brendësi, titulli merr trajtën më të saktë historikisht: „ Urdhrat e Enver Hoxhës për torturimin dhe ekzekutimin e Llazar Fundos“. Versionet ndryshojnë, paksa. Cili nga ato është më besnik i së vërtetës? Siç do të shihet nga leximi i këtij shkrimi interesant, i dyti e pasqyron plotësisht të vërtetën. Fraza është në përputhje me përgjigjen e pyetjes 17 të së intervistuarës: “Në radiogramet e Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare kam gjetur urdhrat e Enver Hoxhës për torturimin dhe ekzekutimin e Llazar Fundos e plot e plot dokumente të tjera”. Te titulli ne f. 1, verës i është hedhur pak ujë! Përcaktimet e rrahjes dhe të torturës nuk janë sinonime. Pavarësisht nga kjo vërejtje, duhet thënë që në fillim se intervistuesi duhet vlerësuar për intervistën, që mbart elemente të çmueshme për rrokjen e problemit të madh të pastrimit të historisë nga shformimet që i janë bërë në kohën e diktaturës. Mendimet e drejtoreshës së Arkivit janë të qarta, të sakta dhe, madje, të guximshme. Përmbajnë edhe risinë e përballimit të tezave delikate, të cilat bien ndesh me disa mendësí të prejardhura, që janë tabù të historiografisë standarde të indoktrinuar, të cilat na janë përcjellë nga e kaluara, me tema që edhe sot dëshirohen të jenë të paprekshme.
Për këtë le ta cekim pak më tej problemin, për të mos u shkëputur nga çka po flasim për titujt. Në rastin më të mirë, sa herë që titulli është i ndryshëm nga përfundimi që nxjerr lexuesi nga përmbajtja, kemi të bëjmë me një përshtatje, që tanimë është e përhapur. Është njëlloj konformizmi*, nga i cili historianët pa paragjykime po mundohen të shkëputen. Por bien ndesh gjithmonë me historianët që na kanë mëkuar me atë histori të diktuar, duke na përsëritur të njëjtën gjë e duke u bërë monotonë. Ka qenë një synim për shpëlarjen e trurit në një masë të madhe njerëzish. E keqja është se disa prej këtyre historianëve, që mundën të bëheshin “autoritete” në atë kohë, duke ruajtur të njëjtën mendësi, nuk dëshirojnë të mënjanohen nga fushëbeteja dhe nuk duan të bien nga protagonizmi. Mëtojnë, pra, që të jenë po ata që të kenë të drejtën ta rishkruajnë historinë! Por merita e kësaj interviste qëndron në atë se vërejmë një ballafaqim të fortë të mendimit demokratik që rrëzon hapur disa tabù që duhen përmbysur, tashmë. Dhe kjo është tepër e rëndësishme, në krahasim me atë vërejtjen për variantet e f. 1 me brendinë e këtij shkrimi. Nëse e vëmë në dukje, këtë e bëjmë për arsyen se është kthyer në një dukuri të përhapur. Duke folur më pas për prirjen për të thyer tabutë, po vazhdojmë edhe pak për titujt të cilët, në përgjithësi, duhet të jenë të thukët. E kjo mund të merret si përligjje. Megjithatë, çdo gjë është e mundshme. Në rastin e shkrimit për të cilin po flasim, ja një titull i shkurtër, që e përfaqëson më besnikërisht përmbajtjen: “Drejtoresha Nika zbuloi urdhrin për torturimin dhe ekzekutimin e Fundos”.
Shfrytëzimi i lëshimeve demokratike i çoi majtistët në kundërthënie/Kështu i shmangemi edhe eufemizmit për njëfarë oportunizmi. Duhet të themi, për lexuesin e thjeshtë, se eufemizmi është një shprehje me anën e së cilës shmangim një kuptim të vrazhdë: “U nda prej nesh”, në vend të “vdiq”, për shembull. Këtë zbutje, në rastin tonë, e kemi trashëgim që kur komunsitët, pasi fillimisht u tulatën për njëfarë kohe nga bombardimet e ashpra të shtypit demokratik, e morën veten dhe bënë disa mea culpa hipokrite: “Janë bërë edhe gabime”. (Jo gabime, o nostalgjikë: Janë bërë krime. Krime si rrallë në vende të tjera). Avash-avash, pasi kërkuan njëfarë gjuhe më të butë nga ata që e kishin pësuar si tepër në diktaturë e që flisnin e shkruanin troç, arritën që të bënin edhe “anketime” në gazetë për të rivlerësuar E. Hoxhën, si njeriun e shekullit! Lëshimet demokratike u shfrytëzuan djallëzisht nga intelektualët nostalgjikë. Majtizmi në pushtet pas ’97-s legalizoi P. Komuniste, u vunë fotot e E. Hoxhës në stenda të institucioneve, në përshtatje me atë që u quajt fryma Nano-Milo; pa na dolën edhe këngët për Enverin dhe fotot e diktatorit me rastin e festimit të 16 shtatorit në Pezë, me nismën dhe zellin e ekstravagantit Edvin Rama. Përdorëm këtë cilësor, sepse po ky Edvin, nuk la gjë pa vjellë, në fjalime të zjarrta kundër E. Hoxhës, në ditët e ethshme të proceseve të para demokratike! Konformizmi u bë mënyrë e të shprehurit publik dhe tani është shpallur nga familja Hoxha festimi madhështor i 100-vjetorit të lindjes së diktatorit, më 16 tetor. Nëse mujshia antidemokratike do të arrijë gjer këtu, atëherë shtypi demokratik dhe mediat televizive kanë detyrën t’i bëjnë pritë kësaj herezie politike, që bie ndesh në mënyrë skandaloze me Vendimin e AP-së së KE-së, veçanërisht tani, që kemi marrë ftesën për ne NATO. Sepse po flasim që 95% e popullit tonë është për NATO-n (Ne s’jemi si serbët, që dihet, tashmë, se janë gati të sakrifikojnë NATO-n, për kolonilizimin në vazhdim!). Pra, do të ishte një kundërthënie e hapur që të jemi edhe me NATO-n, edhe me diktaturën!
Risitë në këtë intervistë/Cilitdo demokrati të përkushtuar do t’i pëlqente përgjigja pa zhibla e prerazi e zonjës Nevila për pyetjen se me ç’sy mund të shihen sot të ashtuquajturit diversantë. Kjo pyetje do të dëshirohej të mos u bëhej historianëve të kapërthyer nga e kaluara. Është çështje tabù. Nostalgjikët fanatikë do të villnin vrerin e tyre. Intelektualët majtistë pseudodemokratë, do të përdridhnin buzët dhe do të fillonin nga sofistikimet. Ja përgjigja e drejtoreshës së A.Q.Sh:“I konsideroj (diversantët) heronj, si dje ashtu edhe sot, pasi ata guxuan, në emër të dashurisë për vendin e vet, të bënin të pamundurën, të vinin në rrezik jetën e tyre dhe të familjarëve të vet.. Por është krejt normale që dje janë cilësuar “armiq”, pasi e tillë ishte ajo kohë: kush guxonte të mendonte, jo më të të vepronte ndryshe, cilësohej si i tillë”. Frymëzuese. Ja çdo të thotë të jesh historian pa paragjykime. Përshëndesim edhe intervistuesin, me pyetje që u bënë shkas për mendime të tilla demokratike, për korrigjimin rrënjësor të një historie të shpërfytyruar. Një pyetjeje tjetër, e intervistuara i jep këtë përgjigje:“Nuk ka mashtrim të madh e të vogël. Mashtrimi ose falsifikimi janë absolutisht të papranueshëm. Shqiptarët janë mashtruar duke ua fshehur të vërtetat historike, duke retushuar fotot, duke botuar qëllimisht dokumente historike të pjesshme, për të shtrembëruar thelbin e vërtetë të dokumentit. Këtu do të më mjaftonte të kujtoja Aktin e Pavarësisë, nga i cili ishin hequr pjesa dërmuese e firmave të nënshkruesve”. Pyetje tjetër që i xhindos intelektualët e indoktrinuar, është: A ka pasur apo jo luftë civile gjatë Luftës së Madhe? Kjo pyetje nuk i është bërë z-s Nika. Por e marr me mend përgjigjen, po t’i bëhej kjo petje. Siç e di edhe përgjigjen e atyre që luftojnë si me mullinjtë e erës, se po mohohet Lufta NacionalÇlirimtare, gjë që s’është e vërtetë. Siç është, përkundrazi, e vërtetë edhe se pasqyrimi i të gjitha përdhosjeve që janë bërë në këtë luftë (me l të vogël), ngërthejnë probleme të rënda, siç janë vasaliteti ndaj emisarëve të armiqve shekullorë të kombi tonë; synimet kundër pluralizmit, duke quajtur armiq edhe antifashistët (“po s’qe me ne, je kundër nesh”); terrorizmi (i shprehur zyrtarisht nga S. Mlëshova në plen. e Beratit); varfërimi i popullit, duke mbushur vendin me bunkerë, nga psikoza e sulmeve të përfytyruara, e të tjera, e të tjera, të cilat kërkohet të jenë tema tabù. Nëse trajtimi i këtyre çështjeve do të thotë mohim, është puna e tyre. Por të mos të kërkojnë ta ribëjnë po ata historiografinë e re, me atë mendësi që kanë bartur në atë kohë dhe me atë përnjollosje që u vunë në shërbim të totalitarizmit të kuq.
Kjo intervistë u dha përgjigjen e merituar synimeve të Nexhmije Hoxhës, e cila, në libra kujtimesh me një stil propagandistik të jashtëkohshëm për ditët e sotme, shkruan në librin “Jeta ime me Emverin”, në faqen 271, për “humanizmin” e diktatorit. Në librin historik të dokumentuar të Luan Dodes, “Kosova në qendrimet e Enver Hoxhës”, botuar në vitin 2006, lexojmë: “Kur D. Ndreu njofton Enver Hoxhën për kapjen e Ll. Fundos, Enveri me radiogramin e datës 21 shtator, urdhëron; “Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta ekzekutoni” (f. 268). Kjo çështje kërkon një trajtesë më vete dhe në një shkrim të afërt do ta paraqesim në gazetën tonë. Një miku im, pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, që ka njohuri të shumta për ngjarjet e asaj kohe, e ka grisur atë faqen 271 të librit për “humanizmin”, i kapluar nga një zemërim i brendshëm për falsifikime të tilla të një panegjirizmi të pagëlltitshëm. Ai ka qenë në burg dhe ka vëzhguar nga frëngjia e derës së qelisë, sesi i merrnin zvarrë njerëzit për t’i pushkatuar në orët e para të mëngjesit, fatkëqij që mezi ecnin, se këpucët ua kishin mbathur me thumba nga brenda, para se t’i ekzekutonin. Dokumentet për fjalën e fundit të të pandehurit flasin për thirrjet “Rroftë Shqipëria”, përpara plotonit të ekzekutimit. Ka pasur, po, edhe që kanë thirrur, para se të ekzekutoheshin, “Rroftë Enver Hoxha”! Dëshmi e një indoktrinomi të thekshëm, që edhe persekutorë të paturpshëm, janë “turpëruar” e s’kanë dashur t’i nxjerrin në dukje, se edhe sadistët e kuptojnë se cilat janë argumentet që u nxjerrin bojën. Por e vërteta nuk mund rë mbahet përjetësisht e fshehur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora