Kerko: Resmi Osmani
Resmi Osmani: Gogoli
E enjte, 16.05.2013, 06:39 PM
GOGOLI
TREGIM
NGA RESMI OSMANI
Astriti
hyri në paradhomë dhe i tha sekretares, Eftës, që e kishte thirrur drejtori.
Efta e ngrysur, e veshur në të zeza, ishte në zi nga vdekja e të shoqit, i tha
se drejtori ishte duke biseduar në telefon. Sa të mbaronte mund të hynte. Kur
nga zyra e drejtorit nuk u dëgjua më zëri itij. Efta i tha se kishte ardhur
agronom Astriti, pastaj i bëri me kokë që ai mund të hynte.
Drejtori
ishte përqëndruar mbi një pirg shkresash dhe nuk e ngriti të shihte të
sapoardhurin, nuk i ktheu as përshëndetjen dhe nuk e ftoi të ulej. Me një laps
të kuq vijëzonte shkresën që kishte parasysh, si të hapte në të ca plagë të
përgjakura, pastaj e mënjanoi atë dhe u kujtua që në zyrë ishte edhe dikush
tjetër. Pa i dhënë sytë, i bëri shenjë me dorë që të ulej te karrikia në cep të
tryezës.
Astriti
priste. Drejtori autoritar e kishte hijen të rëndë, fjala,shpesh e hidhur
kishte peshën e gurit. Askush nuk guxonte ta kundërshtonte,ngado përhapte frikë
e pasiguri. Mjerë kush i dilte ndesh. Heshtja ishte shtypëse dhe me shurdhërinë
e saj s’premtonte gjë të mirë. Drejtori nisi të trokiste syprinën e tryezës me
fundin e lapsit. Ishin si të shtëna automatiku, shenjë nervozizmi, një shkarkim
i emocioneve dhe tensionit të brendshëm. Pastaj befas, pushoj së trokituri,
foli me zë të plotë e të vendosur, me fjalë të shkoqura, si goditjet e çekiçit
mbi gozhdë, që tjetrit ti nguleshin në tru e ti dhembnin, por pa e parë në sy.
-Të kam
thirrur që nesër në mbledhjen e kshillit teknin të mos të të duket e papritur
ajo që do të dëgjosh. Do propozoj që të shkarkohesh nga detyra dhe të vihesh në
dispozicion të seksionit të bujqësisë të rrethit. Mosrealizimet e sektorit tënd
në prodhimin e qumshtit dhe perimeve për eksport, janë bërë shkak që ne të mos
jemi më në pararojë dhe kuadrot e punëtorët, të mos e marrin shpërblimin e
fundvitit. Në analizë të fundit, përgjegjësia është e gjitha e jotja. Kjo nuk
mund të falet.Ky turp nuk gëlltitet. Je specialist i aftë, por i pazoti për të
organizuar e drejtuar.
Drejtori
frymoi thellë. E kishte kaluar çastin e vështirë. Picërroi ata sytë e përhinjtë
të akullt, të frikshëm si sy të vdekuri
dhe që të shijonte ligësinë e tij, nisi ta shihte me vërejtje prenë, Astritin, për të kuptuar ndjesinë e vendimit tronditës , që kishte kumtuar.
Astriti
ishte shtatlartë, me flokë të kuqërremtë, të dallgëzuar, që lëshonin ca
reflekse si bakër, hunda me samar,vetullat dhe qerpikët e verdhë bënin që sytë
e kaltër ti dukeshin si të shplarë. Tër fytyrën e kishte të mbushur me quka
ngjyrë kafe. Dhëmbët e sipërm të rrallë bënin që fjalët ti delnin si me
fërshëllimë.
Po
heshtëte, veçse në cepat e buzëve endej ajo buzëqeshja e zgjuar e
shpotitëse dhe në sy një dritëz e
verdhëreme, përbuzëse dhe e ligë, si drita në sytë e tigrit kur hidhet mbi
prenë. Asnjë tronditje.
-E ke
menduar mirë? – Pyeti ai me atë të folurën si vërshëllimë gjarpri.
-Po,
shumë mirë. Është gjë e mbyllur, ka
marrë fund.
-Po
Gogolin, e ke menduar?
Drejtori
nuk kuptoi se çfarë donte të thoshte tjetri, por e çuditi qetësia me të cilën u
tha fjala dhe ajo shprehja djallëzore e syve dhe e gjithë pamjes së tij.
-Mos u
bëj karagjoz! Ç’është ky Gogol?
-Gogoli,
që të ha, që të shkul zemrën! Nuk ta kanë thënë kur ishe i vogël kur donin të
të trembnin?
Drejtori
bëri të habiturin dhe deshi ta zbonte nga zyra, por Astriti i bëri një pyetje
të beftë:
-Shoku
Kristaq, sa muaj keni shërbyer në milicinë Italiane, kur ishit i ri e i papunë
në Leskovik? Po në Partinë Fashiste pse u antarësuat?
Ishte
radha e Astritit të shihte sesi do të ndjehej dejtori.
Në zyrë
kishte rënë rrufeja. I ndodhur para kësaj të papriture atij një fytyrë i vinte
një i shkonte, u zbardh si gëlqere,u skuq si spec dhe u nxi e u err si nata.Nuk
e mbajti dot veten. Brofi nga karrikia, i ra me grusht tryezës dhe gërthiti:
-More i
pafytyrë, si guxon? Ç’janë këto që thua? Shpifje, të gjitha shpifje, s’është e
vërtetë! Gënjeshtar i pacipë!
Astriti
po shijonte efektin trallisës të goditjes, që ishte si një thikë në brinjë dhe
vazhdoi qetësisht të shqiptonte ato fishkëllima si të gjarprit:
-Mos u
mundo të shfajësohesh. Kam dëshmitarë. Ç’është më e keqja ia ke fshehur partisë, nuk i ke shkruar në
dokumentat personale! Me të dalë këtej, do shkruaj një nga ato anonimet , siç e
di vetë dhe do t’ia dërgoj Komitetit të Partisë.Ta dinë kush je, ta dinë se
ç’drejtor kanë!
Drejtori
u bë meit. Si mbeti pikë gjaku në fytyrë, zemra i rrihte si e çmendur dhe gati
po i binte zali.
-Mua
gjete të më bësh kokë turku, për paftësinë dhe përgjegjësitë e tua? Dhe kush
pa, ti që je zvarritur gjithë jetën si kërmilli dhe s’ke lënë bythë të dhier pa
lëpirë, për një karrike dhe për ca dekorata teneqeje për tu kapardisur. Gabove.
Astriti është kockë e fortë, që të ngec në fyt. More fund! Kaq e pate! Do ta
mbyllish pleqërinë me turp! Pastaj është edhe ajo puna e sat shoqe, bijë kulaku
e fajdexhiu që i ka pirë gjakun fukarasë! Nuk do harroj edhe ato kurvëritë e
tua me ca bushtra, që i ke bërë brigadiere.
Drejtorit
iu ftoh trupi iu bë akull, iu mpi truri, iu err shikimi ,ju rënduan gjymtyrët
dhe u plandos në kolltuk. Ky Astriti ishte vetë poshtërsia. E kuptoi që kishte
ngacmuar folenë e grerëzave.
-Ke kohë
të mendohesh. Mendohu mirë. Ki mëndjen Kiço ziu! Gogoli, ruhu nga Gogoli!- Dhe
u ngrit të dilte nga zyra.
-Prit,- i
tha drejtori,- Nuk e dija që ishe kaq bir bushtre!
- Një qen
e bir qeni si puna jote, vetëm një bir
bushtre mund t’ia dalë! Poshtërsisë ju përgjigja me poshtërsi!
Para se
të dilte ,me dorën te doreza e derës, e kujtoi edhe një herë:
-Gogoli,
Kiço, Gogoli! Thirri mendjes dhe ruhu!
Ai doli,
po helmin e la prapa. Drejtorit po i zihej fryma. Hapi dritaren e zyrës. Iu bë
se nga të gjitha anët, ca fytyra si fantazma, e rrëfenin me gisht dhe të
ngërdheshur e me përbuzje e quanin ”Milic,fashist”. Mbylli veshët me duar,por
thirrjet dëgjoheshin njësoj,vinin ngado,ishin si era që drithëron ajrin. Nuk
duronte dot më. Dha porosi të vinte makina. I tha Eftit ta shtynte mbledhjen e
nesërme të Këshillit Teknik dhe ,ndryshe nga sa e kishte zakon, shkoi në shtëpi
parakohe.
Kur e pa
ashtu të ngrysur,të dërrmuar,të zgërlaqur, që mezi i hidhte këmbët, e shoqja,
Sofia e mbyti me pyetje se ç’farë kishte? Ç’farë i kishte ndodhur?
I tha se
kishte shpeshtim të rrahjeve të zemrës dhe luhatje tensioni. Por do t’I
kalonin. Nuk shtiu gjë në gojë. E shoqja i solli ilaçet dhe bizhamat. Ai u
shtri të qetësohej.
Po kjo
ç’ishte, nga na doli?- pyeti ai veten. Atij bir kurve si i kishte shkuaur
mendja ta sulmonte kësisoj? Nuk ishin të vërteta. Nuk kishte qenë në milici, as
në Partinë Fashiste. Nisi ta mendojë punën hollë. Pas letrës anonime do të
ngjalleshin dyshimet, do ta thërrisnin
për të dëshmuar, do të dërgoheshin në vendlindje hetues, do të thirreshin
dëshmitarë. Kishte dhe nga ata që nuk e donin, ambiciozët që një zot e di se
çmund të thoshin nga smira. Emëri i tij do të njollosej për muaj të tërë. Ju
kujtua ajo fabula e lepurit që mori arratinë kur tridheshin kuajt. Kur e pyetën
pse vraponte se ai nuk ishte kalë, ai u përgjigj”Sa të merret vesh që unë nuk
jam kalë, vajtën hallatet e mia!” Si t’ia bënte me atë të poshtër?
E kishte
zënë ngusht. Aq ngusht sa s’ia kishte pritur mendja!
Në
ndajnatë, kur kishte rënë muzgu, atë ishte duke e kapluar gjumi. Ndjeu një
gjëmim të shurdhër e të largët, pastaj kanata e dritares u hap, perden e
fluturoi era dhe brenda në dhomë u shfaq një qenie e çuditëshme. E madhe
katana, kokë njeriu, mjekër cjapi, brirë demi, sy të kuq të përgjakur që
nxirnin flakë, krahë të gjatë leshtorë, duar me kthetra të mprehta, bisht luani
dhe këmbë të holla njëthundrake. U afrua te shtrati, thundrat kërcisnin në
parket, sytë përvëlonin.Kur hapi gojën të fliste u dukën çatallët e mprehtë
shqyerës.
I
tmerruar dhe I lemerisur, Kristaqi u mblodh grusht, deshi të bërtiste por zëri
nuk i dilte, zemra po i plaste. Deshi ta mbulonte kryet me jorgan, por jorgani
u flak tej si leckë dhe kristaqi u drodh nga të ftohtit e akullt dhe nga
llahtaria që po i shinin sytë.
-Aman,
k-k-ush je ti? Çfarë kërkon nga mua?
-Pse bën
sikur s’më njeh, jam Gogoli!
Zëri
ishte bubullues dhe dukej sikur dilte nga thellësitë e një shpelle.
-Kam
ardhur të të shqyej gjoksin dhe të shkul zemrën, se ajo zemër është gurësuar,
nuk ka gjak por farmak që helmon jetën e të tjerëve!
Gogoli
zgjati panxhat,shqeu bizhamat dhe Kristaqi ndjeu në mish therjen e kthetrave të
gjata që iu ngulën në gjoks. Bërtiti aq fort sa u drodhën muret. Sofia që sosi
aty në çast e gjeti dyllë të verdhë, sytë e kallkanosur i ishin ngulur
zbrazëtirës. Ishte larë në djersë,
dihaste e s’mbushej dot me frymë. I dha një gotë ujë të ftohtë. E piu si i
zhuritur dhe i kërkoi edhe një tjetër. I vuri dorën në ballë: nuk kishte të
nxehtë,biles ishte akull I ftohtë.
-Kiço, i
dashur, ti nuk je mirë. Të thërresim doktorin. Çfarë pate?
-Erdhi
ai!
-Kush
erdhi? Këtu s’ka njeri!
Sofia
mbylli dritaren dhe rregulloi perden.
-Gjithë
kjo erë. Do prishet moti, prandaj më dhembin eshtrat.
Kiçua e
mblodhi veten. Krenaria e tij prej burri nuk e la ti hapej të shoqes.
-Lere
fare, s’është gjë. Pashë një ëndërr të frikshme. Mos e fik dritën, lere hapur
edhe abazhurin e komodinës dhe ti eja gdhihu këtu me mua.
Ishte
natë e frikshme,e lodhshme,me mundime, me makthe, hije dhe përfytyrime, por Ai
nuk u shfaq më. Më në fund nata e zezë pruri ditën e bardhë, rrezet e arta të
diellit hynë nga dritarja që binte në lindje. Kiçua ndihej i dërrmuar.
Lajmi i
sëmundjes së drejtorit u mor vesh kur u shty mbledhja e Kshillit Teknik. I pari
për vizitë shkoi Astriti. Ai la mbi komodinë një qeskë më fruta dhe u ul
kundruall në karrike. Kristaqi vuri re se ai ngjante shumë me gogolin e
mbrëmshëm.
-Të
shkuara shoku drejtor. Si kështu papritur? Ta dish që jam lutur për shëndetin
tënd.
-E di që
më do të vdekur!
-Larg
qoftë. Ne mezi të kemi. Çdo të bëheshim ne pa ty që je cdrejtuesi dhe krenaria
e ndërmarrjes?
-Prandaj
e dërgove mbrëm atë?
-Cilin?
-Atë
de,që më the ti ruhesha. Erdhi dhe deshi të më shqyente zemrën!
Astriti u
ngazëllye. Kiçua kishte patur makthe.
-Besomë,
nuk e kam dërguar, ka ardhur pa më pyetur.
Sofika i
pruri mikut kafe dhe raki. Astriti nuk i preku, druhej se mos ajo shtriga,e
thatë si shkarpë, i kishte hedhur ndonjë çikë bar miu apo fostoksinë.E çfarë
nuk pritej nga ajo fole gjarpërinjsh. Por më kot trembej,ajo nuk dinte gjë.
Astriti
futi dorën në xhepin e brendshëm dhe nxori një zarf. Kiçua e pa adresën, ishte
për Komitetin e Partisë. Astriti ja tundi para fytyrës:
-Gogoli
është këtu. I mbyllur brenda, i lidhur me shkronja e fjalë. E ke në dorë
vetë: ta zgjidh që të marrë rrugët dhe
mjerë ti, apo ta djeg në zjarr dhe të
shpëtosh!
-Aman, folë
e mos ma sfilit shpirtin. Çfarë kërkon nga mua o njeri? Zëri vinte i lodhur,
ankues e i zvargur.
Astriti
po shijonte frytin e ligëssisë së tij. Ku shkoi gjithë ajo qibër, gjithë ajo sjellje fodulle, krenaria dhe ajo
burrëria e shtirë? Kishte para vetes një të mbaruar, një leckë. Ky ishte i
vërteti.
-Tashti
po që the fjalë me mënd. Hiq dorë nga shkarkimi im. Nuk duhet as ta çosh nëpër
mend, kurrën e kurrës!
-Vetëm
kaq?
-Ka edhe
më. Në vjeshtë, ti e di që martohem. Në vend të ”Dhutatës”, që deshe të më bësh,
dua një apartament në qendër të qytetit. Lejen e zakonshme, do ta marr në gusht
dhe dua të më sigurosh dy fletë kampi për në Sarandë. E fundit fare: dua të iki
nga sektori. Më ka ardhur në majë të hundës. Do më marrësh zëvendës drejtor,
dhe pastaj vere kasketën mbi sy! Pas kësaj vetëm paqe midis nesh. Fare e
thjeshtë. Asgjë s’ke për të nxjerë nga xhepi.
Kiçua
s’kishte takat të kundërshtonte. Gogoli e përgjonte. Krenaria nuk hynte më në
punë.
-Po me
Çomen, zëvëndës drejtorin, çdo të bëhet?
-Bëje
kryetar të bashkimeve profesionale. Llapaqen më të mirë s’ke ku gjen për atë
punë.
-Më ler
të mendohem.
-S’ka çtë
mendohesh. Dhe boll ndejte në jatak. Çohu të të shohin njerëzia. Ilaçin ta
prura. Je i shëruar. Nesër të pres ta pimë kafen në turizëm. Tregohu i mençur.
Ndryshe…..Ai nuk e tha fjalën e fundit.
Të
nesërmen, në turizëm, ulur në një vend të dukshëm, ata që pinin kafen e
mëngjesit, panë të ulur drejtor Kristaqin dhe agronom Astritin që po pinin kafe
dhe fërnet dhe bisedonin shtruar e me përzemërsi. Kur dolën, Astriti I hodhi
krahun dhe bënë një copë rrugë bashkë, që njerëzia ti shihnin sesa për zemër e
kishin njeri-tjetrin.
Para se
të ndaheshin, Kiçua I tha:
-Astrit,
asgjë nuk ka ndodhur midis nesh! Askush nuk duhet ta dijë veç meje e teje.
-Pa
merak,shoku drejtor.
Astriti i hipi biçikletës që të shkonte në sektor, kurse Kristaqi i çliruar nga ajo peshë e rëndë që i ra mbi shpinë, i tha shoferit ta çonte në zyrë.
Maj 2013.