Kulturë
Resmi Osmani: Skifteri
E hene, 28.05.2012, 07:34 PM
Resmi
Osmani
Tregim
SKIFTERI
Markua,i
njohur edhe si Skifteri, që kishte qenë pseudonimi i tij i luftës, ishte njeri
i frikshëm. I gjatë, shpatullshtrembër, gjoksin të futur nga tuberkolozi , flokë
të ashpër e të kreshpëruar që i
tallaziteshin sa herë luante kokën. Fytyrën e kishte të verdhë e të rrudhur si
një maskë, ballin të ngushtë, vetullat të kreshpëruara, sytë të futur thellë në zgavra i digjeshin si dy thëngjij. Hunda
si e skifterit, buzët e holla dhe mjekra e dalë përpara i jepnin një pamje të hakërruar
e kërcënuese. Zëri i plotë, me tingëllim metalik. Fjalët i nxirte me forcë, si
fërshëllima dhe përpiqej t’i ngulte si gozhdë në trurin e bashkëbiseduesit. Ecte
lakadredhas,si gjarpri. Tymoste cigare papushim dhe si ndahej kolla e keqe dhe
e thatë.
Nuk
kishte arsim,asnjë specialitet,për çudi ai mburrej për këtë. Ishte militant,
punëtor partie, njeri politik, agjitator e propagandist, me nje kujtesë të habitshme
dhe logjikë të hekurt. Kishte mbajtur detyra të larta drejtuese e me përgjegjësi
në pushtet, në parti dhe ekonomi. Kur u Riorganizua dikasteri, Markon, që ishte
inspektor në kabinetin e ministrit e liruan nga ajo detyrë, pa i thënë se edhe
ai kishte një pjesë të përgjegjësisë. Ulja në detyrë e nënkuptonte. Tashmë që ishin
vitet e fundit të punës, e shihte që e braktisën si gunën e vjetër, si një tepricë
administrative, si një hedhurinë , rrangallë, që s’i hyn në punë askujt. Ishte
koha e të rinjve, por ai ishte kockë e fortë për tu gëlltitiur. Nuk dorëzohej
kurrë. Sa për sy e faqe, për t’u gjendur në punë, e lanë specialist të thjeshtë
në një sektor të drejtorisë se Ndërmarrjeve
Bujqësore. Ishte një mbyllje pa lavdi e një karriere të gjatë e të shkëlqyer. Ai
nuk e thoshte, por e ndjente veten si të papunë, si një të mishëruar,që duhet të
merrte një rrogë.
Prej tij
ruheshin, e pse jo, e kishin frikë, i shmangeshin, nuk donin ta hasnin e të hapnin
bisedë me ‘të. E dinin që ishte mjeshtër I provokimeve. Ai edhe temave të çfardoshme,
që u jepte drejtim politik e të partishëm, thurte rrjetën e merimangës, e kapte
atje viktimën dhe pastaj i turrej si skifter e me forcën e fjalës së partishme
e torturonte ngadalë, duke e detyruar
tjetrin ta ndjente veten një hiç, ndërsa ai shijonte kënaqësinë e triumfit të tij.
Si inspektor i ministrit ai akuzoi si sabotatorë, pushoi nga puna dhe burgosi
shumë drejtues ndërmarrjesh. Kur shkonte për inspektim shoku Marko, njerëzit s’dinin ku të futeshin. Pritej të rrëzoheshin
koka.
Në sallën
e mbledhjeve, që ishte në katin e dytë të dikasterit, bëhej analiza e punës së nënëtmujorit
që ishte e para pas ndryshimeve dhe riorganizimit. Në tryezën e madhe, prapa së cilës nën
portretin e madh të Enver Hoxhës, spikaste një parrullë e madhe në sfond të kuq
dhe flamuri kombëtar, ishin ulur ministri i ri, zëvëndësat etij, sekretari i
byrosë së partisë dhe të deleguarit nga qeveria dhe Komiteti Qëndror i Partisë.
Pritej që mbledhja të ishte e fortë e nxehtë dhe të përfundonte me detyra të rëndësishme.
Markua, tërë
sy e veshë, ishte ulur në radhën e parë dhe ndiqte me kërshëri zhvillimin e
mbledhjes, si të donte ti vinte një notë ministrit të ri.”Pa të shohim si e përcjell
ky birçja vijën e politikës së partisë në ekonomi dhe si e ve politikën në plan
të parë?”- mendoi ai. Që në krye të herës, pasi përfundoi raporti, (që Markos
nuk I pëlqeu se iu duk si shumë I sheqerosur) të cilin të pranishmit e ndoqën tërë
sy e veshë, për të kapur kritikat që u bëheshin, ministri iu turr me tërbim e
fjalë të ashpra njerit nga drejtorëve. Plani
nuk ishte realizuar. Edhe në sektorët e tjerë gjërat nuk ishin më mirë. Ministri
i rrokëzonte fjalët, dhe vinte theksa të fortë, fjalët delnin nga goja e tij të
rënda si plumb e si breshëri mitralozi. Pllakosi një heshtje e rëndë, njerëzit
u mrrolën e u mpakën si të donin të hynin nën tryeza. Pesha shtypëse e saj reëndoi
mbi secilin. Ndërhyrja e ministrit Markos i pëlqeu, por, sidoqoftë, mendoi ai, ajo duhet të ishte më e fortë, më e ashpër,
përvëluese, tu shtinte drithmat dhe tu kallte frikën. Të shihnin se me cilin
kishin të bënin. Si i thonë asaj fjalës? Ah, po: Të dridhej fëmija në barkun e
së ëmës!
Pas kësaj,
ftesës së ministrit për diskutim nuk guxonte ti përgjigjej askush. Në mungesë të
vullnetarizmit, ai i ngriti vetë. Këto ishin mbledhje të vështira e të çuditshme.
Me kritika të forta dhe autokritikë. Sekretari i Byrosë së partisë,i ndërhyri
një diskutanti:
-Thellohu,
thellohu më shumë në veten tënde, te faktori subjektiv, te shkaqet e
mosarritjeve, te dobesitë e punës tënde drejtuese, mos i kërko shkaqet te të tjerët
dhe bëje autokritikën të plotë, të sinqertë. Nuk kemi ardhur në analizë të dëgjojmë
gjepura!
“Bravo,-mendoi
Markua- kjo po, që ishte ndërhyrje me vend, paçka disi e vonuar”. Ai ia nguli
sytë e tij prej skifteri diskutantit, nuk deshi të dëgjonte se çfarë do të thoshte,
por të shijonte atë shndrrimin e çuditshëm, që
e shkaktonte kjo fjalë e magjishme. Autokritika, eh ç’fjalë! Ishte një nga
gjetjet e mrekullueshme të doktrinës. Ndofta ishte huazuar nga kisha. Por
ndryshe nga rrëfimi, që për të lehtësuar shpirtin bëhej fill vetëm para
priftit, që ruante të fshehtën, autokritika ishte ngritur në art. Bëhej hapur
para hallkut. Autokritika e pavullnetëshme,
ishte një normë, detyrim i diktuar nga eprorët për vetësharje, vetëposhtërim, për
ta bërë personalitetin vetiak leckë e të pavlerë. Ti hidhje vetes baltë në fytyrë.
Thellohu, thellohu, hapju kolektivit, thuaj përgjegjësitë e tua. Personi niste të ndjehej ligsht, si i pavlerë,
prishej nga fytyra, herë skuqej e herë zverdhej, e pllakoste djersa, mezi
gjente fjalët, bënte lëvizje të pakontrolluara, i merrej goja. Ishte si ti
fuste thikën vetes. Autokritika duhej bërë, për tu ulur hundën kapadainjve dhe
për të shkundur qullashët dhe dembelët. Ishte një ilaç i hidhur, që si shpëtonte
askush. Mund të kishe arritje, por e mira s’ka fund, gjej te vetja shkaqet pse
nuk është bërë më e mira. Thellohu,thellohu, gërmo në shpirtin tënd, zhvishu
nga egoizmi dhe mbeturinat mikroborgjeze! Askush nuk është i pagabueshëm! Markua
zotëronte mrekullisht aftësinë për ta
detyruar tjetrin të bënte autokritikë të shëndoshë. Psetë e tij nuk mbaronin
kurrë deri sa tjetrin ta vinte përfund, si ta shkelte me këmbë. Kishte rastisur
që viktimave të tij tu binte të fikët. Ai e shijonte triumfin, ndjente një ngazëllim
të brendshëm dhe e konsideronte detyrën të arritur, ashtu siç ishin porositë e
partisë. Ditëzinjtë mallkonin ditën që kishin lindur dhe nuk guxonin më ti
dilnin përpara.
Pasi folën
të deleguarit,ministri bëri përfundimet. Si rastësisht hodhi sytë nga Markua
dhe i tha:
-Shoku
Marko,mos kishe gjë për të shtuar?
Markos i
dogji pyetja. Ishte me kunj. Mesa duket, i kishin thënë për huqin e tij, që pas
përfundimeve të ministrit ai bënte një ndërhyrje, për të vënë në dukje edhe përfundimet
e veta që, ia jepta e drejta prej kuadri të vjetër.
-Faleminderit,shoku
Ministër. E vlerësoj konsideratën Tuaj, por ju I thatë të gjitha. Megjithatë dy
fjalë do ti shtoj: Kritika ishte në lartësinë e duhur, ndërsa autokritikat e
kuadrove të reja , të cekëta, të vakëta e të pasinqerta!
- Do t’i
kemi parasysh në analizën tjetër shoku Marko-tha ministri dhe e deklaroi mbledhjen të mbyllur.
Kur
mbledhja u mbyll, njerëzit që të shpëtonin nga ankthi i frikshëm, dihatën, u
ngopën me frymë e u çliruan nga trysnia dhe tensioni I nervave. Në bufe, nuk
gjeje radhë për të pirë kafe.
Ishte
fundi i orarit zyrtar. Markua u kthye në zyrë. Dhimitri, ish kryespecialisti i
vjetër, kishte hapur një revistë të huaj të specialitetit të vet dhe Kujtimi,
kryespecialisti i ri, që kishte gjysmën e moshës së tyre, po rrëmonte në një dosje.
Markua nuk u ul. U mbështet në pezulin e dritares dhe thithte me ashk cigaren
deri sa e zuri ajo kolla e thatë dhe e keqe. E flaku bishtin e cigars nga
dritarja dhe nisi të ecejakte në zyrën e ngushtë. Qëndroi në mes të saj dhe iu
drejtua Kujtimit:
-E ,
shoku kryespecialist, si tu duk analiza?
Kujtimit
nuk i erdhi mirë që ai e quajti me titullin e vendit të punës. Kishte tre muaj
në atë zyrë, por ata të dy i qëndronin ftohtë, hatërmbetur, sikur t’ua kishte
ai fajin, mbanin një farë largësie zyrtare dhe shkëmbenin ndonjë bisedë vetëm për
çështje pune. Nuk u vinte mirë , që I kishin vënë nën varësi të tij.
-Mirë- tha
ai pa e zgjatur.
-Prita që
ti të diskutoje.
-Nuk qe
nevoja,na përfaqësoi drejtori.
- Ishte,
si jo? Kur u vendosën detyrat. Si pranove , që të na ngarkonin deri në fund të vitit
ato detyra në dy muaj,kur të paktën duhen pesë. Ty të duken të realizueshme?
-Vështirë
ta thuash . por kemi kohë ta mendojmë.
-Po,apo
jo? Mos i dredho përgjigjes! - fërshëllima si e gjarpërit po bëhej kërcënuese.
- Gjërat,shoku
Marko,nuk priten si me sëpatë.
-Priten që
çke me të. Më jep nje përgjigje!
Kujtimi
ndjeu ti binin në fytyrë spërklat e pështymës dhe u ngrit më këmbë. Për të vazhduar
bisedën, doli në anë të tavolinës dhe u mbështet pas murit. Atëhere Markua hapi
dy krahët, si dy çatalle sfurku dhe i mbështeti në mur. Kujtimi mbeti mes tyre
si i mbërthyer. Në atë fytyrë të shtrembëruar e kërcënuese, sytë e Markos, me
një dritë të keqe të verdhëreme, e shihnin me ngulm.
-Po, apo
jo. Folë!
I ndodhur
nën atë sulm të beftë, shikimin tinzar që e shponte si thikë dhe akërrimin si të
një demi të egërsuar,Kujtimi u gabua.
-E po të them
jo, çfarë? Këtë kërkon!
-Dëgjo
mirë djalosh: Ne jemi të vjetër, nuk kemi më se kur ti shlyejmë mosrealizimet,
mbetemi me njollë dhe kjo për shkakun tënd. Ti je I ri, ke ende kohë për ta rregulluar
biografinë. Prandaj, lumë miku shko te ministri dhe kërko edhe në emërin tonë korregjimin
e detyrës. Nuk pranoi Ministri, për këtë jam i bindur, shko te kryeministri!
Kujtimi u
shtang, por kishte ende për të dëgjuar.
- A e di
se në ç’karrige e ke ulur bythën? Po nuk e di ta them unë: Ajo nuk është karrige,
ndën të ke një vullkan, që mund të shpërthejë kur s’ta merr mendja dhe të-të hedhë në erë! Ky është fillim i keq, prandaj
në qoftëse nuk ke guxim e kurajo, bën mirë ta dorëzosh detyrën dhe të ikësh
andej nga ke ardhur! He si thua, ta mban?
Dhimitrit,
që po e ndiqte skenën, iu dhimbs djali dhe i nervozuar u ngrit nga vendi. I
zuri të dy krahët e Markos, i tërhoqi dhe e çliroi Kujtimin nga çarku i krahëve.
-Boll
more Skifter i Zi, mos ke ndër mend ti çash gjoksin dhe ti çukitësh mëlçinë! Lere
djalin.Nuk të dha shkak. Mos e fut në ato ujëra, se ai nuk e di atë not dhe
mbytet! Atje ku I thua shko vetë, se ti je mësuar dhe di ta bësh mirë atë notin
tënd në ujërat e turbullta, të thella e të rrëmbyera!
Markua, që
sapo kishte nisur t’a shijonte masakrën dhe terrorin psikologjik, nuk e priste
ndërhyrjen e Dhimitrit. Fytyra inatçore e pa pikë gjaku iu ngërdhesh dhe
shfytyrua nga zemërimi:
-Edhe ti
more Dhimitër, i del krah. Ai s’ka nevojë për dado! E kam ditur me kohë, që je oportunist e me dy fytyra,
ndryshe nuk do të punoje në dikaster tridhjet vjet!- Tha ai dhe doli me vërtik
nga zyra.
Kishte
ende kohë, që të gjente një viktimë tjetër për ta hedhur në rrjetën e tij të merimangës,
që ta shushaste me helmin e fjalës.
Kujtimit
iu duk sikur u zgjua nga një ëndërr e keqe.
-Faleminderit
xhaxhi- I tha Dhimitrit.
-Maskarai.
Provokator mbeti gjithë jetën. Është si ujku. Qimen e ndërron por zakonin se
harron. Mos pandeh se e ka vetëm me ty. Tashti që e di se kush është, vari
hejbet. Ja kanë pirë lëngun dhe s’ja dëgjon më kush fjalën.
Kujtimi I buzëqeshi dhe e ndjeu, se ai njeri pa pritur iu bë i afërt. Orari zyrtar kishte kaluar dhe ata të dy dolën për të ikur.