Kulturë
Besim Muhadri: Përkushtimi i krijuesit dhe shprehja e revoltës artistike
E enjte, 24.05.2012, 07:46 PM
PËRKUSHTIMI I
KRIJUESIT DHE SHPREHJA E REVOLTËS ARTISTIKE
Muharrem Kurti: “Dritë e zezë”, botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2012.
Shkruan Dr. Besim Muhadri
Viteve të fundit proza
shqipe në përgjithësi dhe tregimi i shkurtër në veçanti, sikur kanë pësuar rënie
të dukshme, qoftë në aspektin kualitativ, qoftë në atë kuantitativ, karshi poezisë,
e cila, hiq aspektin kuantitativ, është shndërruar në një nga “zejet” më në
modë” në qarqet tona kulturore e mbase edhe jokulturore. Mirëpo, megjithatë, aty-këtu,
ndonjë autor i përkushtuar po përpiqet që të mbulojë këtë boshëllëk tonin letrar, qoftë me botimin e ndonjë romani, qoftë
të ndonjë libri me tregime.
Në mesin këtyre krijuesve tanë
letrar, mjaft serioz, i cili u mundua të kompensojë këtë mungesë zhanri, është edhe
Muharrem Kurti, i cili para lexuesit solli vëllimin me tregime me titull Dritë e zezë, që është një libër me një
tematikë, sa interesante aq edhe domethënëse. Në librin e Kurtit po të fillojmë
nga titulli, mund të vërejmë një simbolikë interesante dhe kuptimplote, ku ngërthehet
dhe zbërthehet simbolika e kontrasteve bardh dhe zi: Emri Dritë, që simbolizon
të bardhën, të dëshirueshmën, që shoqërohet nga cilësori e zezë, e që përveç të zezës, simbolizon edhe errësirën. Kemi këtu
paraqitjen e figurës së kontrastit, e cila fuqishëm shpreh intencën e autorit për të paraqitur nyancat
e realitetit jetësor dhe artistik në një kohë krize, qoftë politike, qoftë
kulturore e pse jo edhe shpirtërore të qenies sonë kombëtare.
Vëllimi me tregime “Dritë e zezë” i Muharrem Kurtit është i ndarë në tre cikle, brenda të cilëve hasim tregime tematikash të ndryshme. Në ciklin e parë “Llahtar” kemi të trajtuar temën e luftës së fundit në Kosovë, por gjithsesi të shikur nga prizmi i kujtimeve dhe i dëshmive, në të dytin “Dritë e zezë” shpërfaqen deformimet e mëdha të shoqërisë shqiptare të kohës së paluftës, ndërkaq në të tretin “Perlë zemre” autori sjell përvojën dhe emocionet intime, por të ndërthurura gjithsesi me një mjeshtëri dhe përkushtim të lakmuar artistik.
Lufta e shikuar nga prizmi i kujtimeve dhe dëshmive
Kur jemi te tregimet e ciklit
të parë, duhet të themi se ato trajtojnë temën e luftës së fundit të Kosovës, të
parë dhe të evokuar nga prizmi i kujtimeve dhe reflektimi i këtyre kujtimeve në
një moment të caktuar të kohës së pasluftës. Personazhet e këtyre tregimeve janë
protagonistë të atyre ngjarjeve rreqethëse, që kanë mbetur vrragë të pashlyera
në kujtesën tonë. Tregimi Tmerr lufte,
ndonëse i ndërtuar në formë rrëfimesh më tepër i përngjanë një synopsisi për dokumentar,
ku rrëfehen ngjarje tmerri, që duhet të trokasin në ndërgjegjen e sëmurë njerëzore.
Ai është një tregim me prosede interesant dhe me një ndërthurje rrëfimesh për
ngjarje dhe dëshmi të një kohe jo të largët, brenda të cilës ngërthehet një kronikë
rrëqethëse lufte, ku dhimbja dhe malli, pritja dhe zhgënjimi pothuajse bashkëveprojnë
në qenien e njeriut të traumatizuar të kohës së pasluftës, dhe ku, për shkak të
devijimeve të mëdha që ndodhin në kohën e pasluftës, thyhen dhe fundosen
idealet.
Në tregimet e Muharrem Kurtit
shohim pak dritë e shumë zezësi. Kjo e fundit zbeh pamëshirshëm ndriçimin e
shumëpritur të lirisë së lënduar. Lëndimi i lirisë vjen në një moment të
caktuar, delikat dhe të papritur. Kjo dëshmohet më së shumti te tregimi
“Varret”, i cili është sajuar me mjaft mjeshtëri, jo vetëm për të treguar përmasën
trishtuese të varrit, por edhe të rrëfimit të nënës, që sjell mesazhin e
heronjve, dëshmorëve dhe të gjithë idealistëve që ranë për lirinë e atdheut, të
cilët, për shkak të devijimeve të mëdha të atyre që mbetën për të udhëhequr dhe
për të sendërtuar idealet për të cilat ata u flijuan, janë të pakënaqur dhe tëpër
të dëshpëruar.
Revolta për këto devijime
shpërfaqet edhe në tregimin Kthimi i kryekriminelit, ku kemi një
ftesë të hapur artistike jo vetëm për të mos harruar të kaluarën tonë të
dhimbshme, por edhe për të denoncuar dhe madje edhe për ta dënuar. Ardhja e
kryekriminelit në vendin e krimit, jo vetëm që zgjon asocacione dhimbjeje dhe
urrejtjeje, por edhe kërkesën për hakmarrje ndaj kësaj krijese të turpshme e të
urryer, siç është kryekrimineli që pa fije turpi vjen në vendin e krimit, tash
si zyrtar i lartë që bën politikë dhe që provokon ndjenjat e lënduara e të
vrara të viktimave të tij. Në krijimet e tij krijuesi letrar Muharrem Kurti, përmes
kësaj forme, me mjaft mjeshtëri aludon në gjëra të mëdha, të cilat reflektojnë
në jetën e njeriut tonë që i është ekspozuar fenomeneve dhe dukurive më të shëmtuara
të kohës, siç janë korrupsioni, prostitucioni, tradhtia, imoraliteti, injoranca
etj., që janë e zeza e përspektivës shtetërore e kombëtare, e cila jo vetëm që zbeh, por edhe e vret
reflektimin e dritës së ëndërruar.
Në një shoqëri të mbushur imoralë,
injorantë, debilë, që madje edhe udhëheqin me vendin, autori nuk ka se si të qëndrojë
indiferentë pa shprehur revoltën e tij, qoftë edhe në mënyrë artistike, por që
rrezaton vlerë në një kohë tepër të rëndë dhe të stërmbushur anakroni
gjithëpërfshirëse. “Tregimi i Nobelistit”, është strumbullari i ironisë së
autorit kundruall udhëheqësve injorantë të kulturës kombëtare, të cilët
njëkohësisht janë edhe vrasës së përspektivës sonë kulturore dhe artistike,
ashtu sikurse që një mesazh të tillë shprehin edhe tregimet e tjera të kësaj
natyre e në mënyrë të veçantë “Letër nga
Gjakova”, ku përmes letrës që i dërgon mikut të tij, autori arrin që mikut të
tij t’ia shpërfaqë shqetësimet për devijimet dhe deformimet e mëdha të shoqërisë
sonë në të gjitha aspektet. E vetmja gjë që e bën optimist autorin, si duket
është liria e fituar, mirëpo këtë optimizëm sikur e zbehin të gjitha defektet
që e shoqërojnë dhe që janë bërë kancer për këtë shoqëri.
Tregimet e ciklit të fundit,
janë tregime, që në një farë forme relaksojnë zemërimin e autorit. Ato janë
krijime që burojnë nga bota intime e autorit, e përjetuar nga jeta studentore.
Në këto tregime Kurtin e shohim një lërues të talentuar dhe të përkushtuar të
prozës së shkurtër dhe moderne. Atij nuk i mungon as informacioni, por as
pasioni dhe as vokacioni për të shkruar tregime të kësaj tematike, të cilat
janë mjaft të realizuara dhe që lexohen me mjaft ëndje nga ana e lexuesit.
Kurti në këto tregime shpërfaq talentin dhe sensin e të shkruarit dhe e të çuarit
përpara të vokacionit të tij krijues.
Në fund më duhet të konkuldoj se, marrë në përgjithësi, tregimet e Muharrem Kurtit, të prezantuara brenda për brenda kopertinave të vëllimit “Dritë e zezë”, janë tregime të shkruara me mjaft përkushtim krijues dhe një shprehje e revoltës artistike të tij në një kohë përmbysjesh dhe shqetësimesh të mëdha morale e kombëtare.