Kulturë
Albert Zholi: Flet shkrimtari Petraq Risto
E merkure, 27.02.2013, 07:09 PM
Flet
shkrimtari, poeti, publicisti Petraq Risto: Po ndonjëherë vetmia e pjek
shkrimtarin
Problemi
kryesor është përfaqësimi i saj në rrafshin botëror vetëm me Kadarenë
Çmimet
nuk pasqyrojnë të vërtetën letrare, por të vërtetën klanore
Poeti - një anije lumore, që duhet të përshtatet dhe me detin
Nga Albert Zholi
(Petraq
Risto ka lindur në Durrës më 9 qershor 1952. Shkollimin parauniveristar e kreu
në vendlindje. Më 1971-1975, kryen studimet e larta për Gazetari në
Universitetin e Tiranës e më vonë një vit pasuniversitar si kritik teatri në
Akademinë e Arteve të Bukura. Ka punuar si gazetar dhe libretist. Është autor i
mbi njëzetë librave me poezi, romane, tregime etj., ku do të veçonim vëllimet
poetike “Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë”, “Zgjohu princesha ime”, “Lojë shahu
në shekullin XXI”, “Engjëlli me virus H5N1”, “Hallelulja”, “Lexuesi i buzëve:
ar+sy+eja!”, “Miq të dyshimit”dhe këto ditë vëllimin “Udhëtar me pluhur ferri”;
librat me tregime “Vdekja e palaços”, “Ndalohet vrasja e ujqërve”, si dhe romanet
“Avioni Madam Baterflaj 9ë11”,“Bukuroshja fantazmë dhe unë zoti Prek Vdek”,
“Një grua me Urdhrin e Ujkut”.
Ka
publikuar poezi dhe libra në vende të ndryshme të botës. Në Meksikë vëllimin
poetik “Kujdestar i dallëndysheve”, në Rumani vëllimin “Gjuetia e kuajve të
detit” dhe në Francë librin me poezi të zgjedhura “Mjalti i varreve është i
hidhur”.)
-Kjo
është intervista jonë e dytë. Sot diskutohet shumë për çmimet në letërsi. Cili
është mendimi juaj për zgjedhjen e Jurisë, po për krijimet e marra në konsideratë,
mbi ç’baza bëhen?
-
Përgjithësisht te ne çmimet nuk pasqyrojnë të vërtetën letrare, por të vërtetën
klanore, madje, shpesh, veçanërisht nëpër rrethe, është arritur gjer në
ekstrem: autori merr çmimin, juria merr paratë… Kjo është rrjedhojë e varfërisë
së autorëve, qoftë edhe e babëzisë apo mungesës së integritetit të jurive
(përgjithësisht të varfëra).
-Cilat
janë problemet e letërsisë shqiptare sot?
-Letërsia
shqipe ka shumë probleme, por mendoj se problemi kryesor është përfaqësimi i
saj në rrafshin botëror vetëm me Kadarenë. Natyrisht që shkrimtari ynë i shquar
i meriton kurorat që ka marrë, por besoj se ka dhe autorë të tjerë në prozë dhe
poezi që duhen përkthyer në gjuhë të huaja. Kjo duhet bërë në mënyrë të
studiuar e të organizuar nga institucionet e specializuara.
-Këtu
problem kryesor mbetet përkthimi. Mungojnë përkthyesit e mirëfilltë, apo ka
vepra të dobëta? A duhet të kemi një shkollë përkthimi?...
- Mendoj
se në fillim mungon vizioni. Ne kemi disa shkrimtar të rëndësishëm, të cilët
duhen përkthyer. Përshembull Kasëm Trebeshina, Petro Marko, Jakov Xoxa, Vath
Koreshi, Frederik Reshpja, Fatos Arapi, Koço Kosta, e të tjerë, por edhe
më të rinjtë si Roland Gjoza, Bashkim Shehu, Moikom Zeqo, Anton Papleka,
Shpëtim Kelmendi, Luljeta Lleshanaku, etj. Duhen përgatitur përkthyes të
talentuar, që të përkushtohen në përkthimin e veprave serioze dhe jo në
përkthimin me nisma inividuale, në përpjekje për të nxjerrë bukën e gojës.
Institucioni i përkthimit duhet të përbëhet nga mjeshtra të rinj dhe të drejtohet
nga specialistë seriozë dhe njohës të mirë të letërsisë, jo vetëm kombëtare.
-Jeni
poet dhe prozator, ku e gjen më mirë veten sot Petraq Risto?
- Edhe në
prozë unë mbetem poet. Kam kryer shkollën për Gazetari, kam punuar dhjetë vjet
si gazetar, pastaj si libretist, por gjithnjë kam qenë poet.
-Sot ka
një boom botimesh, këto ndihmojnë apo pengojnë letërsinë shqiptare?
-Në të
gjithë botën ka boom botimesh, por ka edhe kritikë serioze që evidentojnë
vlerat elitare… Natyrisht letërsia shumë e mirë, apo e madhe, mbase nuk bie në
sy në këtë oqean të madh ku librat shfletohen si dallgët… Qëllon shpesh që një
autor të madh ne e njohim vetëm pasi merr çmimin Nobel, apo një çmim tjetër
letrar, sepse fatkeqsisht lexuesi është boombarduar me emra shpesh herë të rëndomtë
që fatkeqsisht, ashtu si telenovelat braziliane apo turke, do të bëjnë ligjin e
leximit te shumica, jo vetëm shqiptare.
-Atëherë
ju kërkoni gjallërimin e një kritike serioze? Kam vënë re se disa studiues dhe
kritikë seriozë janë marrë me krijimtarinë tuaj, veçanërisht poetike, mendoni
se është e pamjaftueshme kjo?...
-Këtu nuk
është problem vetëm analiza e krijimtarisë sime, por analiza e fenomeneve
letrare të kohës, veçanërisht të këtyre dy dekadave të fundit. Duhen gjallëruar
katedrat universitare. Nga sa di unë, në Nju Jork, përshembull, unversitetet
luajnë një rol të rëndësishëm në studimin e autorëve të ndryshëm që sjellin
vlera cilësore me veprat e tyre. Por në universitetet tona shumë pedagogë
ligjërojnë të njëjtat leksione, pa folur pastaj që ka dhe disa pedagogë që kanë
kryer shkollën e lartë me “part time”!
- Ju jeni
një poet, por edhe prozator, që jetoni me shqetësimet globale dhe kjo vihet re
edhe në shumicën e titujve të librave: “Lojë shahu në shekullin XXI”, “Engjëlli
me virus H5N1”, “Apo-ka-lypsi”, “Miq të dyshimit”, etj. Mendoni se natyrat e
poetëve lindin si të tillë, apo formohen?
-Natyrisht
që lindin. Që në adoleshencë shkruaja pak a shumë në këtë frymë, gjë që u vu re
nga redaktorët e gazetave “Zëri i Rinisë”, “Drita” apo të revistës “Nëntori”,
ku unë botova në moshë tepër të re. Mbaj mend që mësuesi i poezisë në shtëpinë
e pionierit në Durrës, latinisti i njohur Mark Dema, na lexonte fragmente nga
“Eneida” e Virgjilit, përkthyer prej tij. Po kështu, lexoja Shekspirin e
përkthyer nga Noli. Në kohën e rinisë u sollën në shqip dhe autorë të tjerë të
mëdhenj si Neruda, Majakovski, Uitmani, Ricosi, Gëte, Lorka, Gilen, Prever,
Aragon, Elyar…e shumë të tjerë, të cilët
shërbyen edhe si modele për talentet e rinj. Pastaj, edhe disa nga autorët tanë
ishin në një nivel të mirë cilësor për kohën. Po kështu, foklori ynë kishte një
vizion dhe ndjesi gjeniu.
-Çfarë po
shkruani dhe botoni tani?
- Sapo
doli nga shtypi vëllimi i ri poetik “Udhëtar me pluhur ferri”, botuar nga
“Neraida”, ku janë përmbledhur poezitë nga nëntori 2010 deri në shkurt të 2013.
Vazhdoj punën për mbylljen e romanit “Salla me hijet prej letre”. Po këtë vit
do të synoj publikimin në ShBA të romanit “Një grua me Urdhrin e Ujkut”,
përkthyer nga ime bijë, Sidorela.
- E kam
lexuar këtë roman. Kam lexuar dhe disa ese dhe recensione rreth tij. Mendoni se
kjo vepër e shkurtër dhe tepër dramatike, specifike për mjedisin e sotëm
shqiptar, i përshtatet shijeve të lexuesit amerikan?
- Them se
po. Vihet re se në ShBA shkrimtarët ekstra komunitarë pëlqehen qoftë për temat
origjinale që sjellin, qoftë për këndvështrimet dhe ekzotikën që shpërfaqin,
gjë që e shohim me shkrimtarë afganas, kinezë, japonezë, etj. Në rastin tim me
modesti mund të shprehem se do të ishte ngjarje personale nëse do të botohesha
dhe do të kisha sukses në këtë vend të madh, me letërsi të madhe.
-Çfarë
keni botuar në ShBA?
-Një
libër me poezi për sistemin elektronik Kindle “ Chess Match in XXI
Century”(“Lojë shahu në shekullin XXI”), që shpërndahet dhe tregtohet në
amazon.com bashkë me vëllimin poetik “Amer est le miel des tombes” (“I hidhur
mjati i varreve”) i botuar në Francë…Kam botuar dhe poezi te veçanta në disa
revista të njohura letrare në New
Jersay, Colorado, etj.
- Tani që
një pjesë të kohës vjetore e kaloni në SHBA, si ndjeheni atje?...
- Po të
vini re në vëllimet e dekadës së fundit (për herë të parë unë shkela në ShBA në
vitin 2003), më shumë se gjysma e krijimtarisë
poetike është shkruar në Nju Jork. Pra, si krijues jam përshtatur
shpejt. Më pëlqen gjallëria njujorkeze. Gjithnjë kam reaguar ndaj udhëtimeve,
tematika e letërsisë sime është pasuruar edhe me motive nga problematika
globale, gjë që bie në sy dhe në vëllimin që sapo dritëbotova.
- Po
Tirana?...
- Ah,
Tirana, Durrësi!… Këtu mekem… (mekem është një folje shumë e bukur, mbase nga
që ka në rrënjë Mekën). “Guri i rëndë në vend të vet”, thotë urtësia popullore.
Po jemi të pafuqishëm ta kundërshtojmë fatin. Po ndonjëherë vetmia e pjek
shkrimtarin…
- Pra,
një poet e kërkon fatin dhe lutet për fatin?
- Poeti
është si një anije lumore që duhet të përshtatet dhe me detin…
-A
dyshoni në këtë botë! Nuk keni frikë nga stuhitë detare?
- Dyshoj
shumë. Libri i vitit 2010 titullohet “Miq të dyshimit”. Dyshoj dhe kam frikë se
kjo botë do bëhet më e mirë…Kam filluar të dyshoj dhe te sistemet shoqërore:
qenkan shpikje të pakicës për të shtypur shumicën, prandaj edhe pëmbysen…
- Më
kujtohet një thënie e juaja se poeti ëndërron për një sistem të tretë apo të
katërt…që të vijë pa gjak, por me gjakun e kaltër,të blertë apo të bardhë të
metaforave.
-Po, jam
shprehur kështu, madje mund ta përsëris atë shprehje, fundja, poetit i lejohet
të ëndërroj më shumë se të tjerët… Mbase nga ëndërrimi i tepërt i lindin dhe zhgënjimet.
-Vazhdoni
me idenë për ta përmbledhur krijimtarinë tuaj në kolanën “Enciklopedia e
zhgënjimit?”.
-Po, një
ide e vjetër dhe gjithnjë tunduese për mua.
- Ju faleminderit
për intervistën.
-Edhe unë ju falënderoj.