Kulturë
Vangjush Saro: Shënime për poetin Qazim Shehu
E merkure, 27.02.2013, 10:28 PM
Shënime për poetin lirik Qazim Shehu
Nga Vangjush Saro
Duke
ndjekur me interes disa nga ciklet e botuara së fundi, duke vështruar rrugën
poetike nëpër të cilën poeti Qazim Shehu ka ardhur deri këtu, mund të them se
ai është ende duke ngjitur të përpjetën e mundimshme të artit, për të përcjellë
prej andej gjithë përvojën jetësore dhe përjetimet poetike që aq shumë e
trazojnë. Qazim Shehu është një poet lirik. Në vjershat e tij, jo rrallëherë gjen motive e fabula të
vështira, rrëfime brengosëse e meditime të serta; por gjithsesi, të gjitha këto
të para në një drite tejet realiste. Dashuria dhe kujtimet e saj, jo gjithmonë
të këndshme, bëjnë kaq shumë vend në botën e tij poetike. “Këtu ndoqa një
shamibardhë,/ Që hapej e mbyllej,/ Xixëllonjë.” (Përroit në shelgjishte)
Gjithaq zënë vend në shpirtin e trazuar të poetit edhe ndijesitë e lodhshme të
jetës së përditshme. “Dhe gjithë këto ngarkesa të ditës,/ Këto nerva pafund,/
Për çfarë të etiketuan tinëz,/ Vagabondët e paturp.” (Zënka)
Si gjithë
poetët lirikë, Qazim Shehu e sjell vazhdimisht në vjershat e tij natyrën. Ajo
ka shumë vend në krejt botën e tij plot meditime e vuajtje gjithfarë, sepse në
natyrë gjejmë më pak deformime. Peizazhet e vjershave të tij, janë vizatuar me
shije. “Pranë lumit në shelgjishte/ Barin vështroj,/ Guacka fjalësh të buta,/
Hedh mbi ujë.” (Përroit në shelgjishte) Një model tjetër perfekt të peisazhit
poetik, e gjejmë te poezia “Ylberi”: “Me një hark të stërmadh u shfaq ai,/ Duke
fshehur nisjen në ardhje,/ Mbështeti mbi lumë buzët e tij,/ Sikur donte t`i
pinte plagët.”
Përgjithësisht,
në poezinë Qazim Shehut nuk ka sforcim. Ai është nga ata poetë që nuk shtiren, nuk bëjnë poza. Kur pamjet e
jetës dreqosen dhe flugeri parashikon kohë të keqe, ai e gjen veten sakaq
brenda sarkazmës. Në çaste lodhjeje, vargjet e tij bëhen edhe më të përkorë; ai
i përzgjedh me kujdes elementet stilistikë që mund të përcjellin më mirë
mesazhin e tij. (“Lartësitë” “Ngjizje”) Shpesh poeti nuk e përmban dot vërtikun
e ndjenjave. Në këso raste, ai parapëlqen poezinë-polemikë. (Njeriu pyll)
Poeti, si gjithë krijuesit profesionistë të artit, shpesh bie në dëshpërim.
Mërzitet. “Duke përcjellë kohën si një njeri,/ Që ikën e s`vjen më,/ Në duar
mbart një trishtim të ri,/ Që as s`e zhbëj, as e lë.” (Duke përcjellë kohën)
Gjendja
shqirtërore e krijuesve është një rebus. Dhe nuk ka asgjë të re nëse pohojmë
(me njëlloj dhimbjeje) që mjedisi nuk është fort inkurajues për shkrimtarë dhe
poetë të cilët s’dinë ta “shesin” artin e tyre përmes shtirjes dhe kërkimeve
gjoja “të kohës”. Qazim Shehu nuk flet me fjalë të zgjedhura. Ai është një nga
ata që nuk vishen trendi dhe në mënyrë të tillë që të duket modern. Ai nuk
kërkon miqësi me zor atje ku kanë në dorë të të japin një çmim apo të të
lëvdojnë, të të dekorojnë, të të fusin në lista snobësh e provincialësh, ku di
ç’tjetër. Ai thjesht është një poet. Kjo i mjafton. Më vjen ndërmend një copëz
nga filmi “Postieri” (Il postino) i Majkëll Redford, që hedh dritë mbi një
fragment të jetës së poetit të njohur Pablo Neruda. Poeti i shpjegon
personazhit kryesor të filmit se ç’është metafora. Dhe ky njeri i thjeshtë por
gjithë virtyte, e dëgjon duke ia përpirë fjalët një e nga një...
Unë e di
që jo çdokush mund ta kuptojë poezinë. Unë e pranoj që përgjithësisht letërsia
shkon te pjesa më e kënduar dhe më e përkëdhelur e shoqërisë. Por kaq sa jemi
larguar ne sot nga lexuesit, kur shumë e shumë shkrues nuk i njeh askush dhe
kur shitjet tregojnë për një zgrip të letërsisë, veçmas të poezisë, këtu e vlen
të qëndrojmë. E pra, poezia e Qazim Shehut është ndër ato që shkojnë kundër
rymës. Ai beson te lexuesi, i dhimbsen raportet me të. Ai e grish lexuesin,
cilido qoftë ai dhe kultura e tij. Kjo është një nga meritat, por tek e fundit
edhe destinacioni i tij artistik. Ashtu si me të drejtë ka vënë në dukje edhe
Sejdi Berisha, “ai, sikur ka dëshirë që çdo udhëtari të vonë, që ka humbur
rrugën, të ia joshë dëshirën dhe vullnetin për mikpritje, për dashamirësi, që
askush të mos digjet në “perandorinë” e errësirës, por bile, së paku me shikim
ta shijojë lumturinë.” E ndërkaq, poeti e di shumë mirë se në këto rafshe ka
humbella dhe pragje gjithfarë; ai është gjithnjë i ndërgjegjshëm për
vështirësitë: “Një fjalë rend për t`u bërë poezi,/ Ngaqë s`bëhet, zhduket./
Kërkoj hijen e saj në ndjesi,/ Si vesën te lulet.” (Hije)
Në
tërësinë e tyre, poezitë e Qazim Shehut, janë fluide e të derdhura, (sikundër
kam thënë para do kohësh në sallat dhe botimet e Akademisë “Fjala e lirë”); por
në të njëjtën kohë, janë edhe të përmbyllura nga pikëpamja gjuhësore dhe
estetike. Ai nuk fal asnjë pasiguri dhe lëkundje drejtshkrimore, ai e nderon
galaktikën e rregullave dhe parimeve artistike gjer në detajin më të
parëndësishëm. Në këtë vështrim, ai është njëlloj stoiku, poet i shkollës “së
vjetër”, që do të thotë se nuk iu qaset manierave eksperimentuese, jo pse i
paragjykon, por ngase ka gjetur veten në këtë stil e në këto aroma, që të
kujtojnë nganjëherë Zef Seremben, Lasgush Poradecin, pse jo edhe Jorgo Bllacin,
Vangjush Zikon, Dhori Qirjazin, etj.
Përherë
në dallgët e tij, në ngastrat e tij, në qetësinë dhe trazimin e tij, Qazim
Shehu është një nga poetët tanë interesantë, përherë në lulëzim lirik.