Shtesë » Shoqëria
Blerim Rrecaj: Mes dy zjarreve
E diele, 24.02.2013, 06:58 PM
Mes dy zjarreve?
Nga Blerim Rrecaj
Njëra nga
lojërat fëmijërore që luanim ishte edhe ajo që e quanim “Në mes të dy
zjarreve”. Në këtë lojë dy lojtarët që ishin nga njëri tjetri në një largësi të
caktuar e gjuanin me top lojtarin që ndodhej mes tyre dhe vraponte e ikte sa në
njërën anë sa në tjetrën për t’iu shmangur goditjes me top që e nxjerrte prej
loje, e lojtari që ndodhej mes dy zjarreve ndërkohë përpiqej edhe të kapte
topin pa rënë në tokë dhe çdo top i kapur atij ia shtonte edhe një “jetë” tjetër. Ende mund të hasësh ndonjë lojë
“Kaladibrançe” e që fatkeqësisht në të ende dëgjojmë ndonjërën prej fjalëve serbe që përmendet
duke kërcyer mbi shpinën e atij mbi të cilin kapërejnë. Por ndoku ndoku në këtë
lojë mbase përdoren shprehjet vetëm shqip siç edhe i përdornim dikur pasi na
tërhiqte vëmendjen ndokush si p.sh derisa kalonim duke vënë duart mbi shpinën e
tjetrit thonim: “Kështu gatuhet buka”. Po lojërat fëmijërore si lojërat
fëmijërore. Ato të dikurshmet dhe këto të tashmet. Na kujtojnë mjaft gjëra e edhe fjalët e atyre që ankohen se si loja
“Kërr” është shndërruar në “Counter”. Në një postim në facebook dikush ka
postuar këtë karikaturë ku fëmija i drejtohet babait: “Babi unë përdor Ipad,
MP3, Notebook, Smartphone. Po ju në shkollë çfarë përdornit?” E babai që mban
kokën të “zhytur” në gazetë përgjigjet: “Kokën!” Dhe vërtet koka duhet të jetë ajo që do të
ishte mirë ta komandonte njeriun për të gjetur një lloj mesi të artë për të
përdorur gjithçka me masë mund të themi derisa dalim prej ndonjë
internet-kafeje ku shumë fëmijë e të rinj adoloshentë me vëmendje por të lodhur
e me një lloj agresiviteti luajnë, “vrasin, prejnë e grijnë” kundërshtarët virtual. Fjala nxorri fjalën
por unë desha e do të dal për jetën tonë në përgjithësi , e në të ndodhemi
mbase më së paku mes të dy zjarreve. Dhe vazhdojnë të vargisen e të dëgjojmë
deklaratë pas deklarate, të ndryshuar a të sofistikuar, akuzë pas akuze, të
vjetër e të re, e kërcënim pas kërcënimi me padi në gjykatë për çështje hajnie
dhe një morie emrash për të si korrupcion, zhvatje, plagjiaturë nëpër këtë fushë e atë livadh, në detr a në
mal dhe thua se më jemi mësuar me të tilla aventura. Dhe rroftë interneti thotë
dikush pasi që diku nëpër të po mundet të shfaq ndonjë mendim a pikëpamje të
tij. Nëpër të kemi parë e po shohim skema klanesh si p.sh të strukturave të
krimit serb në Mitrovicë, tash së fundmi edhe skema klanesh të ndikimit politik
e ekonomik në e përtej Kosovës me figura publike shqiptare. E bredhëritja nëpër
internet të sjell shkrimin e Isa Mulajt me titull: “Versioni elektronik i
letrës së ambasadores së SHBA-së rreth paraburgosjeve, burgosjeve dhe torturave
të USAID-it” ose ndonjë gjë tjetër për
Konferencën e Londrës 1913 si: Unioni gjithëshqiptar "Vëllazërimi
ynë" me titull: “Letër e hapur
Kryeministrit të Britanisë së Madhe z. David Cameron! “. E çfarë të bësh shiko
e lexo, (mos) like-os e (mos) komento. Vërtit mendjen e diç mëso.Shih se
ende ka probleme drejtshkrimore
nëpër tabela udhëzuese nëpër rrugë.Për
të përmendur edhe një reportazh të gazettes spanjolle “El Mundo” siç transmetojnë mediet në të cilin pos
tjerash thuhet: “Të jetosh në rrugë me baltë por me emra plot ngjyra si “Silvio
Berluskoni”, “Nikolas Sarkozi” ose “Moxart” dhe të punosh në “Manhattan”, “Coca
Cola”, “Paris”, “Meksikë” ose “Dubai”, është një privilegj që e kanë vetëm
njërëzit e varfër të qytetit të Kamzës në Shqipëri”. Plus kësaj s’ke se si të
mos kujtohesh pak për ekstremizmin medial si për zi e si për bardh. Diku u tha
se Norvegjisë ia kalojmë për rrugët. Për të mos e zgjatur për asfaltin në
Drenicë a tabelat me e pa mbishkrime shqip e me shkronja me madhësi më të vogël
të shqiptarëve të Maqedonisë të bie në mend edhe poezia e Faslli Halitit që
titullohet Tabelat: “Njerëz:/Ruani pemët
dhe lulet!/Njerëz:/Ruani njerëzit nga njerëzit!” Dhe pos tjerash merrja jo një kënge po një
ecjeje të ngadaltë duke folur e u përshëndetur me dikë që ndeshesh rrugës ,
vështro trungun e zhveshur të një pishe që e paskan krasitur të tërën dhe nga
qielli i hirtë si në të bardhë përjeto ca pika të lehta shiu pos tjerash edhe
mbi këpucët. Dhe vështro zogj në kërkim të trohave qoftë edhe nëpër qese
mbeturinash. Dhe shih shumë pamje
drejtpërdrejt që i ke parë me dhjetëra e qindra herë, e ç’të thuash tjetër pos
se ende vazhdon gjahu nëpër kontenjerë. Mendo dhe për ata që në Kosovë nga
jashtë janë kthyer me ëndrra e shpresa
për të kontribuar e jetuar në vend të
vet dhe shumë prej tyre që pasi letrat po i kanë Kosovën e përsëri po e lënë.
Dikush dikujt i shkruan në facebook: “Me me ndëgju mua njëherë nuk kthehesh, se
llugë asht kah shkon e zhgënjehesh”. Dhe dëgjo ato që thuhen e për të cilat
flitet e përflitet me të madhe se ekziston rreziku i vazhdueshëm për shpërthimin e trazirave politike e trazirave
sociale… Derisa e ndjejmë se gjendemi diku mes ankthit e mllefosmërisë pyesim:
A e di kush se çka po e çka do bëhet? Për të na kujtuar shkrimi i Petro Markos
: “Nga t’ia mbajmë” ose atë që ka vendosur sociologu Fadil Maloku në statusin e
tij në fb: “Çka duhet bërë”. Për që po
vazhdon të jetë kohë e përçudnive të mëdha
dihet…Ndryshimi e përmirësimi nuk vijnë vetë e pa i dashur…Thashë diç
veç sa për të thënë diçka dhe nëpër mend më vërtiten edhe të tjera gjëra, si
tregimi shkrimtarit kinez Lu Sin : “Keqardhje për të shkuarën” ose
novella e Balzakut: “Mesha e
ateistit”...
Ditë të
vakëta të këtij dimri vazhdojnë, nata mbrëmë ishte e ftohtë e me yje e një
oxhak aq fort tymonte sa kishe përshypjen se nga tymi që dilte nga ai do të
formohej një mjegull e dendur…