Shtesë » Shoqëria
Don Lush Gjergji: Familja shqiptare dikur dhe sot
E diele, 04.11.2012, 04:30 PM
Dr. Don
Lush GJERGJI
FAMILJA
SHQIPTARE DIKUR DHE SOT
(Ndërrimi prej patriarkales në thelbore)
Familja
shqiptare historikisht, dikur ishte kryekëput tradicionale, patriarkale dhe
mbështetej në këto parime: të mbledhun gjymtyrësh (njerëzish) që jetojnë nën
një kulm dhe si qëllim kryesor e kanë shtimin e njerëzve (lindjen e fëmijëve)
nëpërmjet martesës si dhe zhvillimin e tyre trupor dhe mendor (1).
Siç mund
të hetohet nga ky përshkrim familja patriarkale mbështetet në bashkësi të gjerë
njerëzish, e jo në marrëdhënie ndërpersonale burrë-grua-fëmijë, si dhe qëllim
kryesor kishte shtimin e numrit të anëtarëve të ri të familjes, dhe vetëm
sekundarisht zhvillimin e tyre trupor dhe mendor (2). Këtë e vërteton edhe vet
terminologjia: zoti i shtëpisë, zonja e shtëpisë, robët e shtëpisë apo të
familjes. Pikërisht për këto veçori familja shqiptare traditore nuk ishte
natyrore, burri, gruaja, fëmijë, por kishte edhe shumë elemente tjerë, gjyshi,
gjyshja, vëällezërit e martuar nën një pullaz dhe nën një zot dhe zonjë shtëpie,
një lloj kolektivizmi mjaft burimor.
Burimi i
këtij botëkuptimi ishte ky: bashkësia, komuniteti, sepse personi i pavarur
vetvetiu nuk egzistonte në traditën shqiptare, por vetëm në kraharorin e
familjes dhe në solidaritet me të (3).
Kjo
psikologjikisht dmth. se njeriu në kontekstin familjar shqiptar nuk është
individ, person, i ndarë dhe i dalluar prej të tjerëve, por më tepër pjesë
përbërëse, një lloj fuzioni-shkrirje në bashkësi nën udhëheqjen apo sundimin e
një autoriteti.
Pikërisht
këtu dhe kështu krijohet mentaliteti ynë grumbullor, turmor, masiv, ku si pikë
orijentuese dhe përcaktuese është traditë, kontrollimi, sundimi dhe diktatura
horizontale, ose si të tjerët, ose s’ka rrugë, mënyrë apo veprim tjetër, sepse
vijon përjashtimi. Ta përkujtojmë shembullin e bujtorës dhe shtratit në
mitologjinë greke: kush ishte i shkurtër, e zgjatësishin, kush ishte i gjatë e
shkurtonin, pra, çdo bujtar e linte kokën, jetën në atë bujtore famkeqe.
Mentaliteti
grumbullor e robëron dhe kushtëzon njeriun si person, njësi, dhe atë e shkrin
në grumbull, mori njerëzish duke ia mohuar të drejtat themelore të të menduarit
dhe të vepruarit, lirinë, për t’u përcaktuar, mundësinë e ndryshimeve dhe të
përmirësimeve.
Mu për
këto arsyra shumëkush ose fare s’ka ndonjë mendim apo përcaktim personal,
botëkuptim jetësor, ose s’ka guxim të jetë vetvetja para të tjerëve.
Figurativisht unë them kështu: Shqiptari e ka kryet ose për hijeshi ose për
turrshi, që dmth. ose nuk e përdoron fare, ose e përdoron vetëm për ruajtjen e
traditës, të kaluarës, i fiksuar dhe i robëruar nga ajo.
Neve na
mungon së pari personaliteti bazor-unë, sepse së shpejti shkrihemi në njerëz
anonim, pa identitet dhe pa personalitet, vetëm me përgjegjësi kolektive, e jo
edhe personale (lindja, edukimi, fejesa, martesa, jeta, puna, çdo gjë ndodhë në
gjirin familjiar). Shqiptarit kur i mungon rrethi i ngushtë dhe i gjerë
familjiar ndihet keq, është i tretur, s’ka më siguri, ndihet si peshku pa ujë,
rrezikon çdo gjë. Nga kjo përvojë lind edhe farizeizmi, formalizmi, përshtatja
rrethit me çdo kusht dhe në çdo mënyrë, dyfytyrësia-pafytyrësia, sepse kush i
ka dy s’e ka asnjë, rreziku i madh të luhen disa role, të krijohen disa maska
dhe maskime, pa pjesëmarrje dhe angazhim personal.
Pa
identitet dhe personalitet s’jemi vetvetja, shitemi, maskohemi, përshtatemi,
bëjmë çmosin që të jemi dhe të sillemi si të tjerët.
Rreziku
apo skajimi i kundërt është individualizmi i tepruar ose “bajraktarizmi”,
dëshira për të sunduar me të tjerët: vetëm si të them unë, ku tjetri
objektivizohet, vogëlsohet, nënçmohet, përdorohet, keqëpërdorët në forma të
ndryshme familjare, politike, kulturore, fetare, shoqërore.
Me
mentalitetin grumbullor, anonim dhe individualizmin e tepruar-sundimtar,
diktatorial, s’ka mundësi për bisedime, dialog, komunikim, por vetëm për
nënshtrim (për shumicën) dhe sundim (për pakicën) (4).
Njeriu
është unitas complexa-qenie e kombinuar, trup, psikë dhe shpirt, dhe pa
njohjen, pranimin, zhvillimin dhe harmonizimin e tyre-tre shtresave-elementeve,
s’ka individualitet, personalitet, pjekuri dhe drejtpeshim në jetë dhe në
veprim. Thënë figurativisht njeriu është një lloj shtëpie trekatëshe, por
dikush as nuk e di se i ka këto mundësi, jeton gjithnjë vetëm në përdhesë,
sepse s’ka shkallë apo ashensor për t’u ngritur më lartë.
Nëse unë
nuk e di se kush jam, çka dëshiroj dhe si dua të realizohem, atëherë jetoj
rastësisht, pa kurrfarë plani dhe përcaktimi jetësor, sipas hujeve, tekeve,
rasteve apo mundësive, por pa vazhdimësi, si automjeti pa vozitës ose me
vozitës në gjendje të dehur apo në gjumë.
Vetëm
njeriu i harmonizuar në vetvete, me identitet dhe personalitet, me unin e vet,
mund ta bëjë hapin vijues ndaj tjetrit, duke njohur, pranuar dhe nderuar
tjetrin si rast, mundësi takimi, afrimi, bashkimi, bashkëpunimi dhe
bashkëjetese me marrëdhënie dinamike ndërpersonale.
UNË-TI-NE-
janë tre hapat vendimtar për komunikim ndërnjerëzor, për arritjen e ndjenjës së
përbashkët: NE i takojmë njëri tjetrit, jemi subjekte e jo objekte, vegla,
sende, pra, duhet të jetojmë njëri pranë, afër, me dhe për-tjetrin.
JAM
VETVETJA- JI VETVETJA do t’ishte motoja për ne, sepse dukshëm na mungon kultura
e komunikimit ndërnjerëzor, e pa te s’ka as qenie personale, familjare,
shoqërore, por vetëm mashtrime, teatrime, tjetërsime (5).
Dikur
familja dhe shoqëria shqiptare kryesisht bazohej në mësime dhe zbatime sa ma të
përpikët të traditës, kulturës, fesë, që të jemi si të tjerët, si të parët
tanë, që t’iu përmbahemi rregullave që janë krijuar me shekuj. Sot më s’është e
mundëshme të jetohet kështu “në barkun” e familjes së madhe patriarkale, sepse
ajo më nuk egziston, s’ka më modele kulturore dhe shpirtërore për identifikimin
dhe edukimin (si babai, nëna, gjyshi, gjyshja…).
E vjetra
patriarkalja, është rrënuar, e reja, nuklearja apo bërthamorja, ende s’është krijuar.
Kjo gjendje kalimtare mes patriarkales dhe bërthamores, është dyfishë më e
vështirë për familjet shqiptare në botën e jashtme, sepse përpos mungesës së
familjes së madhe patriarkale, iu mungon edhe rrethi shoqëror, kulturor,
kombëtar, fetar, gjuhësor…Kështu shqiptarët jashtë rrethit familjar dhe
shoqëror ndihen dhe fatkeqësisht janë të tretur, pa orientim dhe përcaktim,
“mall” në duar të të tjerëve, sepse s’kanë mbështetje, siguri, s’janë mësuar
dhe aftësuar për përgjegjësi personale, familjare, shoqërore…
Që t’iu
ikim këtyre rreziqeve nevojitet:
1. Krijimi apo formimi i personalitetit
bazor, sipas dhuratave dhe mundësive që ka çdo njeri. Njihe, pranoje, zhvilloje
dhe dhuroje vetveten në komunikim të gjithanshëm, e jo vetëm në atë formal dhe
verbal, ku shkohet aq larg në pseudovlera sa që konsiderohet sukses mashtrimi,
dredhia, rrena, manipulimi, keqpërdorimi…Shembull tipik mund të jetë tregtia,
ku shitësi kënaqet se e shiti mirë mallin, e mashtroi blerësin, ndërsa blerësi
po ashtu e ka të njëjtën “kënaqësi”, e mashtrova shitësin, e bleva gati falas,
shumë lirë…
2. Edukimi për liri dhe përgjithësi, për
vlera dhe virtyte, me përcaktime të qarta jetësore, e jo për marri dhe për
anarki. Liria s’është çka më pëlqen mua (hedonizmi), çka më duket mua (hamendja),
çka më ofrohet apo mundësohet mua (oportunizmi), çka bëjnë të tjerët
(popullizmi masiv), çka më ndihmon mua të pasurohem dhe të kam sukses
(materializmi dhe karierizmi), por çka është e mire, e drejtë dhe e vërtetë. Ku
nuk ka vlera ka pseudovlera, ku nuk ka virtyte ka vese.
3. Edukimi për komunikim-për takim, afrim,
bashkim, për bisedë, dialog, kërkimin e të mires së përbashkët, sepse ne jemi
njerëz, lindim, jetojmë, zhvillohemi në marrëdhënie, dhe mu nga kjo kryesisht
varet suksesi, fati, lumturia, jeta në tërësi (6).
Shoqëria
moderna më tepër mbështetet në atë çka kemi se në atë çka jemi, në
materializëm, në pasuri dhe kështu e dëmton dhe varfëron dukshëm njeriun si
person, edhe më tepër familjen, bashkësinë…Sot gati s’dijmë më të dëgjojmë dhe
të takojmë njëri-tjetrin, ngutemi, s’kemi kohë, duresë, mirëkuptim sepse s’jemi
të hapur, të sinqertë, pa maska, fajësojmë të tjerët për ta shfajësuar veten,
merremi me thashëethëna. Në një atmosferë të tillë s’ka bashkëbisedim,
bashkëpunim, bashkëshortësi, por më tepër punëtorë dhe shërbëtorë; je i mirë
vetëm nëse më nevojitesh dhe më shërben, të shfrytëzoj…
Mentaliteti
ynë grumbullor shpeshherë përjashton çdokënd që nuk është si ne, në anën
kombëtare, fetare, kulturore, politike…
Kështu ne
dukshëm e varfërojmë vetveten, sepse nuk mësojmë dhe nuk marrim prej të
tjerëve, por gjithnjë mbesim të ngurruar dhe të mbyllur. I dëmtojmë edhe të
tjerët, sepse nuk i pranojmë si të tillë, i etiketojmë, njullosim, jetojmë në
paragjykime, projektime me regresion në histori: dikur ishte mire, dikur
ishim…, ose me projektim në ardhmëri: do të bëhet mirë nesër…duke ëndërruar për
një ardhmëri më të mirë por pa bërë asgjë që ajo të arrihet.
Pa
vetëdijsim njerëzor, kombëtar dhe fetar vështirë mund t’i përballojmë kushtet
dhe rrethanat e reja dhe të ndërlikuara të jetës, familjes dhe shoqërisë (7).
Në
familjen patriarkale, të madhe, dikur edhe nëse burri dhe gruaja s’ kanë shkuar
mirë, prapë për sy e faqe kanë duruar njëri tjetrin, s’ kanë koritur familjet e
tyre, sidomos bota femrore ka pësuar dhe vuajtur pa masë. Përpos kësaj në
familje të madhe disi më lehtë e kanë gjetur vetveten, me vjehrri, me kunata,
me halla, ndër shumë anëtar të familjes së paku me dike janë kuptuar më mire,
dikujt ia kanë çelur zemrën… Sot më s’është ashtu, mungon përkrahja e familjes,
çdo mosmarrëveshje, konflikt, mund të jetë fatal, sepse s’kanë më të afërmit,
me kë ta përballojnë dhe ta zgjedhin ndonjë çështje të vështirë. Nëse burri nuk
kuptohet me gruan dhe anasjelltas, së shpejti krijohet ferri, përlarja,
përçarja, mosbesimi, mbyllja, urrejtja, shpesh edhe shkurorëzimi (8).
Shtyllat
tjera të familjes shqiptare janë rrënuar, ka mbetur burri-gruaja, eventualisht
fëmijët, e nëse këta s’janë të aftësuar për marrë-dhënie ndërpersonale, atëherë
së pari individi, personi, e pastaj edhe familja është në krizë të madhe.
Që të plotësohen gjithë këto zbrazëti dhe plasaritje rendësi të madhe, do të thoja, të jashtëzakonshme ka feja, jeta shpirtërore, ndihma e Zotit, urata, pendesa, jeta sakramentale, veçmas rrëfimi dhe kungimi. Përse? Sepse njeriu është fshehtësi, mister, shpesh nuk e kuptojmë as vetveten, e jo më tjetrin. Atë çka nuk di unë, atë çka s’mundem unë, di dhe mundëm s’ bashku me Zotin, e pastaj edhe me të afërmin. S’ duhet ta shikojmë njëri tjetrin vetëm me sytë e ballit, por edhe me sytë e mendjes, mbi të gjitha me sytë e zemrës. Zoti është Dashuria dhe ai që mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të.
I. BASHKËSHORTËSI (MARTESA) - RAST ZHVILLIMI DHE
REALIZIMI
(Rritja dhe pjekuria në dashuri)
Të flasim
sot në përgjithësi për martesë-bashkëshortësi dhe për familje është mjaft
vështirë, sepse shumëçka është ndërruar apo është gjithnjë duke u ndërruar
sipas vendeve dhe rrethanave. Me një gjë gati të gjithë pajtohen: martesa dhe
familja janë në krizë të madhe dhe pothuaj pa shtegdalje.
Ja disa
fakte të pamohueshme: ka gjithnjë e më tepër shkurorëzime, gjithnjë e më pak
fëmijë-lindje, numri i dështimeve (abortusit) shtohet dita-ditës, si dhe
bashkëjetesa pa kurorë civile dhe fetare (kishtare). Rinia e sotme e shtyn,
largon, në disa raste edhe e dëbon martesën dhe familjen si institucion, aq sa
në shtetet e pasura përendimore dhe në SHBA rritet numri i atyre që s’martohen
fare-singl-s; rritet dhuna ndaj femrave (prostitucioni) si dhe ndaj
fëmijëve-deri te pedofilia-keqpërdorimi i tyre epshor, SIDA, alkoholizmi,
droga, banditizmi, terrorizmi…
Para
këtyre fakteve të pamohueshme edhe ne s’jemi më imunë, të mbrojtur dhe të
sigurtë, por së bashku duhet të mendojmë dhe të veprojmë.
Ja disa
shkaktarë të kësaj situate:
-Privatizimi
i lidhjeve afektive, seksit dhe moralit, si dhe privatizimi i kurorës dhe
familjes, sikurse çdo gjë të ishte thjesht private: punë për mua, si më pëlqen
mua, jetojmë së bashku aq sa kemi dobi, interes, dashuri, sa dhe si na pëlqen
neve…Për çiftat e ri martesorë më askush s’ka kujdes sistematik, ku janë, si
jetojnë, sikurse mos t’ishin më pjesë e familjes dhe e shoqërisë. Tek ne
shqiptarët gjendja është edhe më e keqe, sepse martesa paraqitet si qëllim i
jetës, prandaj, mjafton që të martohesh mire, ta gjejsh një burrë apo grua të
mirë, të bukur, të shëndosh,… dhe çdo gjë automatikisht do të jetë në rregull.
Me
martesë i riu dhe e reja shkëputën deri diku prej familjes së prejardhjes,
krijojnë familjen e re, por askush më nuk i përcjell, s’ ju ndihmon, sepse sot
secili i ka hallet e veta.
Ata si të
rinjë, pa përvojë, shpeshherë nuk janë në gjendje t’i përshtaten njëri-
tjetrit, ta njohin, ta pranojnë, nderojnë dhe dashurojnë në tërësi, përpos në
mënyrë truporo-epshore, e kjo s’ mund të zgjasë shumë dhe nuk i bënë të lumtur
dhe të sigurtë në jetë.
-Familja
sot gjithnjë e më tepër ngushtohet, sepse njeriu modern pjesën dërmuese të
jetës e kalonë në punë, jashtë shtëpisë, në marrëdhënie me të tjerët, aq sa
shtëpia gati shndërrohet në bujtore, hotel, ku çifti martesor janë të lodhur,
të harxhuar, të mërzitur, dhe si të tillë më tepër ndeshën se takohen. Dikur
mbarë shoqëria ishte e bazuar në familje, në martesë, ndërsa sot mbështetet
kryesisht në individ, në punë, fitim dhe prodhim, në profesionalizëm, duke
rrënuar kështu sidomos martesën dhe familjen. Askujt më gati nuk i intereson
kush je, si je, çka bën, ku dhe si jeton, por çka, sa dhe si punon-fiton.
-Fëmijtë
lindin gjithnjë më pak, disa çifta martesor i qesin kusht njëri-tjetrit për m
martesë edhe këtë: do të jetojmë së bashku vetëm nëse bijmë në pëlqim që mos të
kemi fëmijë! Moto i tyre është ky: martesa po, fëmijë jo! Sot shumë fëmijë të
perëndimit s’kanë më përvoja themelore jetësore, si p.sh. me vëlla apo me motër, përpos shprehjes
gjuhësore, e mos të flasim më për përvojën: fëmija i parë, i dytë, i madhi, i
mesmi, i vogli…Kështu fëmijtë e pakët tani jetojnë në vetmi, sepse s’kanë
fëmijë tjerë, janë me prindër dhe pa prindër, edukohen nëpër çerdhe,
institucione shoqërore-prej të huajve.
-Marrëdhëniet
ndërnjerëzore janë gjithnjë më sipërfaqësore, sepse jetojmë dhe punojmë gati në
lëvizje të vazhdueshme, ndërrojmë vendin e punës, të banimit…njohim shumë
njerëz, por kemi pak miq dhe dashamirë.
-Pluralizmi
i mendimeve dhe qëndrimeve, botëkuptimeve, popujve, gjuhëve, kulturave,
feve…është një sfidë e madhe për mbarë njerëzimin. Kjo bashkëjetesë s’është
aspak e lehtë dhe automatike, por kërkon punë, edukatë, angazhim, mundësi dhe
aftësit të mëdha adaptimi.
Në bazë
të këtij përshkrimi të shkurtër të disa dukurive që kanë ndikim të madh në
martesë, në familje dhe në shoqëri, shtrohet pyetja themelore: a ka më famlje
dhe çka mbetet ende e paprekshme, e vlefshme për të gjithë?
Njeriu
gjithnjë e më pak mirret me vetveten, kurse të tjerët shpesh i trajton si hall,
vështirësi, rrezik, ngarkesë…Gjendja e tillë e tensionuar-ngarkuar paraqet
martesën dhe familjen si një lloj strehimi para botës dhe shoqërisë gjithnjë e
më pak njerëzore. Sot gati më asgjë s’është e qartë, e sigurtë, natyrore, e
pëlqyer dhe e pranuar-zbatuar së paku nga shumica, as martesa, familja, por
secili jeton si di dhe do, si mendon dhe dëshiron…
Familja
është dhe duhet të jetë shkëmbimi i gjithanshëm i jetës, të mirave, begative,
përvojës…me dashuri dhe për dashuri, ku prindërit e kanë rolin primar, ndërsa fëmijtë
janë lidhësa mes vete dhe me prindër.
Pa
pranimin e vetvetes s’mund ta pranojmë tjetrin. Mospranimi apo dëbimi i
vetvetes mvaret prej përvojës jetësore qysh në ngjizje, në lindje, në
fëmijërinë e hershme, në rini. Me edukim të rreptë, të egër dhe formal, me
kërcnime, me mungesën e procesit të socializimit dhe të identifikimit me
prindër, gjendja dukshëm vështirësohet dhe ardhmëria rrezikohet. Prindërit e
frustruar dhe të parealizuar-të pakënaqur i ngarkojnë fëmijtë me kërkesa dhe
pritje të pamundshme: gjithçka të kam dhënë, e ti? Ata fëmijtë i objektivizojnë
dhe vegëlsojnë për t’u dëshmuar, lavdëruar para tjerëve, një lloj vazhdimi i
vetvetes…Çka s’kam pasur unë, duhet të kesh ti. Çka s’kam qenë unë duhet të
jesh ti!
Disa
martohen për ta thyer monotoninë, vetminë, për t’i plotësuar mungesat afektive
nga fëmijëria dhe rinia, por pa e harmonizuar veten, kështu që dikujt i jetë në
qafë.
Sipas
disa hulumtimeve moderne njerëzit sot martohen për këto motive:
30 % që
mos të mbesin të vetmuar, sidomos në pleqëri;
30 % që
të jenë të dashur prej dikujt;
20 % për
t’u liruar prej familjes së prejardhjes;
10 % për
nevoja seksuale (më shumë mashkulli se femra);
10 % për
t’u afruar, bashkuar dhe jetuar në dashuri (9).
Fëmijëria apo rinia e dështuar dukshëm kushtëzon edhe zgjidhjen e çiftit martesor, si dhe jetën në bashkëshortësi, si p.sh. dikush në burrin e saj kërkon babain, apo nënën, vëllaun apo motrën, përindërit, sigurinë shpirtërore, materiale…
II. SHOQËRIA ANONIME
Shumë
njerëz tani janë të çrrënjosur prej rrethit të tyre, jetojnë dhe punojnë në
vende dhe rrethe të panjohura. Kjo gjendje iu harxhon shumë energji në pësime,
përshtatje, punë, dhe hurxhet dhe pakënaqësitë e tilla doemos i bartin edhe në
martesë dhe në familje. Ackermani thotë se njeriu (individi) e ka humbur
drejtpeshimin me shoqërinë; Durkheimi flet për shoqërinë anonime, Frommi për
moskomunikimin mes njerëzve, Riesmani për njeriun i cili është i drejtuar kah
të tjerët por duke harruar apo humbur vetveten.
Lufta për
jetë, punë, sukses, fitim, pasurim rëndon dukshëm edhe marrëdhëniet martesore
dhe familjare, se shoqëria e sotme mbështetet mbi atë që ke e jo mbi atë që je
(10). Kjo e copëton, disintegron dhe shpartallon njeriun, aftësitë e tija për
nderim dhe për dashuri, e depresonalizon martesën dhe familjen, sepse njeriu më
tepër është mjet pune, fitimi, harxhimi (konsumimi), se njeri. Në rrethana të
tilla të tensionuara ku ka shumë pësime, mossuksese, hurxhe, frustrime, martesa
është më tepër si ikje nga vështirësitë, strehim dhe mbrojtje prej vetmisë dhe
pasigurisë, një lloj “besëlidhje në dy kundër botës” (11).
Vështirësia
e parë është zgjidhja e partnerit me të cilin matet dhe vërtetohet edhe aftësia
e njeriut për qëndrime, orjentime dhe përcaktime jetësore. Zgjidhja s’duhet të
jetë çështje e rastit, pëlqimit epshoro-trupor, verbërisë së dashurimit,
gjendjes së vetmisë…, por shprehje e tërësisë së qenies njerëzore: trup, psikë
dhe shpirt, sepse ajo që është pjesërisht është edhe përkohësisht. S’ka zgjidhje pa njohuri, së pari ndaj
vetvetes, pastaj edhe ndaj të tjerëve, dhe pa angazhim të gjithanshëm, si
Michelangelo i cili në Moisiun e derdhi mrekullisht vetveten, artin, dashurinë,
pavdekësinë.
-Të jesh
në disponim-dmth. të jesh vetvetja dhe t’i dhurohesh tjetrit ashtu si je dhe me
atë çka ke. Kush s’është i harmonizuar në brendi tjetrin ose e mbiçmon ose e
nënçmon-robëron dhe vegëlson, me këto qëndrime: më duhesh, më shërben, kam
nevojë për ty, por vetëm aq sa të plotësohet ndonjë nevojë, kërkesë, dëshirë e
përkohshme. Marrë + dhënie është një proces dinamik jetësor, gjithnjë i hapur
dhe në veprim, ku tjetri kurrë s’mund të harxhohet, aq më pak çifti martesor.
Rreziku
tjetër në martesë është tradhtia së pari ndaj vetes, e pastaj edhe ndaj
tjetrit. Kur s’je vetvetja, por lojë “roli” apo teatri, atëherë doemos do ta
mashtrosh edhe tjetrin. Këtu është burimi i çdo tradhtie, pra, edhe i tradhtisë
martesore, mosjetesa në prizmën e të vërtetës dhe në frymëzimin e dashurisë.
Për ne
shqiptarët martesa trajtohet si qëllim jete, ndërsa njeriu pas moshës madhore,
sidomos pas martesës, tashmë si i pjekur dhe i formuar për çdo gjë dhe për çdo
kohë. Ky botëkuptim është mjaft i gabueshëm dhe i rrezikshëm, sepse jetën nuk e
çmon si proces, njeriun si dinamizëm, bashkëshortësinë si rast dhe mundësi
zhvillimi dhe pjekurie. Njerëzit e tillë janë fatalista: i tillë jam apo je dhe
i tillë do të mbes dhe do të vdes! Përse kështu? Sepse determinizmi-natyra ime,
fëmijëria, rinia, prindërit, edukata, shoqëria…më kanë bërë të tillë, s’mund të
dalë prej lëkurës time! Kjo është
padrejtësia më e madhe, dhuna e përditshme ndaj njëri-tjetrit, moszbulimi dhe
mosbesimi në vetvete dhe në tjetrin, infantilizmi, papjekuria, paragjykimet…që
për ne të krishterët është edhe mëkat i madh, sepse ia mohojmë edhe Zotit, edhe
vetvetes edhe tjetrit mundësinë e ndërrimit dhe të përmirësimit!
Ky
qëndrim jonjerëzor, edhe më tepër jo i krishterë, tregon mosaftësinë e
bashkëjetesës dhe të bashkëpunimit me Zotin dhe me të afërmin, psikologjikisht
është vdekje para vdekjes.
Nëse besnikëria martesore është vetëm dëtyrë martesore, atëherë s’ka më risi-dashuri, por ligje, rregulla sa për sy e faqe. Tradhtia në martesë nuk është vetëm shkelje e kurorës, por edhe mosjetesë në harmoni dhe dashuri, mosdhurimi në tërësi, trajtimi i partnerit apo partnerës si vegël apo mjet shërbimi, zbavitjeje, e jo si person…Mjetet ndërrohen dhe përdoren sipas nevojave dhe mundësive, por jo edhe njerëzit, partnerët. Këtu e gjejmë burimin e jetës së panjerëzishme, kur njeriu vetveten dhe tjetrin e vegëlson, tjetërson, banalizon aq sa edhe jetën, dashurinë, martesën, familjen e trajton si një lloj loje dhe zbavitje. Kush luan me vetveten përse mos të lozin edhe me të tjerët?
III. ZHVILLIMI I PERSONIT NË BASHKËSHORTËSI
Materializmi
dhe hedonizmi njeriun e projektojnë në këtë drejtim: shëndeti, rinia, pasuria,
suksesi…capre diem-grabite rastin-ditën-jetën…e çdo gjë do të jetë në rregull,
duke premtuar shumçka dhe pa dhënë gati asgjë!
Njeriu
pjeket dhe formohet fiziologjikisht deri në moshën e rritjes, kurse
psikologjikisht, shpirtërisht, moralisht formohet dhe trajtohet gjatë tërë
jetës. Shi për këtë zhvillimi dhe formimi i njeriut s’ka të ndalur, ndërprerje,
si edhe vet jeta, është një vazhdimësi dhe risi e përhershme. Ky gabim e trajton
fëmijërinë dhe rininë si faza përgaditore për jetë, ndërsa martesën si qëllim
jete, faze përfundimtare formimi, e jo si rast, mundësi për zhvillimin dhe
realizimin e gjithmbarshëm të njeriut. Jeta është një lloj zingjiri- me cikle,
prej lindjes e deri në vdekje, e këtë populli shqiptar e ka shprehur fare mirë
me fjalën: RRNO E MËSO! P.sh. për çiftat martesor rëndësi të posaçme ka
partnerizmi, ndarja e jetës me tjetrin, si dhe përjetimi, përvoja e atësisë apo
amësisë, edukimi i fëmijëve…
Zhvillimin
e personit në martesë do ta veshtrojmë në dy drejtime: individualizimi - të
jesh vetvetja dhe ta zbatosh jetën tënde, dhe kohezioni - lidhjet dhe
marrëdhëniet e njeriut me të tjerët, me botën që na rrethon (socializimi).
Fëmija i
posalindur është ende i padefinuar, një lloj tërësie, që ngadalë zhvillohet dhe
specializohet për veprime të ndryshme, për lëvizje, dëgjim, shikim, ecje…,ku
çdo gjymtyrë e trupit zhvillohet dhe harmonizohet edhe si njësi edhe si tërësi
me mbarë trupin. Kjo arrihet me ndihmën dhe bashkëpunimin e të tjerëve, sidomos
nënës. Pas krijimit të ego-s-vetvetes, ndihet nevoja për të tjerët, dëshira për
kohezion apo socializim. Dashuria është fuqia që njeriun e orjenton dhe drejton
kah tjetri, kah të tjerët, por pa e mohuar apo zhdukur vetveten. Pa procesin e
parë të individualizimit, formimit dhe harmonizimit në mbrendinë tone, s’ka as
kohezion, komunikim me të tjerët.
Deri në
rini më tepër theksohet individi - unë, ndërsa me rini nëpërmes dashurisë
njeriun kërkon vetveten në tjetrin, në partnerizëm. Mirëpo populli mirë thotë:
Kush s’është për veti s’është as për në gjeti! Kur s’jemi vetvetja, në rregull
dhe në harmoni të mbrendshme, atëherë s’kemi guxim, fuqi, siguri, mundësi të
hapemi ndaj të tjerëve, sepse jemi të bllokuar (bllokada psikologjike dhe
shpirtëror është paraliza tepër e rrezikshme për njeriun e sotshëm). Ja një
shembull nga jeta e përditshme: kur s’jemi të veshur dhe të rregulluar, s’dalim
përjashta, ose nëse shtëpinë e kemi të papastër dhe jo në rregull, atëherë
s’pranojmë musafirë, mundohemi t’i ndalim te dera, para hyrjes në shtëpi, në
oborr, që mos të koritemi.
Harmonizimi
mes individualizimit dhe kohezionit-socializimit është çështja jetësore, unë
dhe të tjerët, integrimi i njeriut me vetveten dhe me të tjerët. Pa
individualitet, personalitet s’ka bashkim, bashkësi, dashuri,
kohezion-integritet me botën që na rrethon.
Ja disa
mundësi konkrete për zhvillimin e njeriut në martesë:
Dashuria
i mund inhibicionet, pengesat, bllokadat e mbrendshme dhe njeriun e orjenton
dhe njëkohësisht e aftëson për marrëdhënie ndërnjerëzore. Duhet pranuar veten
si trup, moshë, pamje e jashtme, brendi, gjini me tipare dalluese, pra, në
tërësi, për t’u aftësuar që t’i pranojmë edhe të tjerët, sidomos në martesë.
Martesa ndihmon për ta zbuluar tjetrin-çiftin martesorë- jo më si në fëmijëri
fëmija nënën në funksion të tij, fëmija qanë, zhytet, ka uri…,dhe nëna është
aty për të, si objekti i tij, apo edhe si pjesë e tij, por si subjekt të
dalluar dhe të barabartë për krijimin e bashkimit në dallime, në përplotësime
mashkull-femër. Kjo është risia e dashurisë së ndërsjelltë që kurr s’harxhohet
dhe s’përfundon.
-Martesa
është faze e rendësishme në jetë për arritjen e pavarësisë prej prindërve, për
marrjen e përgjegjësisë personale-unë, ndërpersonale, unë dhe ti, shoqërore
(unë-ti-ne) fëmija, familja, shkolla, shoqëria…
-Bashkëshortësia
mundëson integrimin e individit në shoqëri nëpërmes jetës familjare, familjes,
si qëliza e pare e shoqërisë.
Njeriu
është qenie shoqëror, dhe si i tillë lind, rritet, zhvillohet, jeton, punon në
marrëdhënie ndërnjerëzore, në shoqëri.
-Në
martesë arrihet faza e re e individualizimit apo identifikimit të ri si ne, si
diçka e përbashkët që është shumë më e madhe se unë dhe ti veçmas, apo si në
matematikë 1 + 1 = 2, në jetë s’është ashtu. Dhurimi i vazhdueshëm në dashuri
begaton dhe fisnikëron shumë çiftat martesorë, i aftëson për marrëdhënie
ndërnjerëzore si në familje, ashtu edhe në shoqëri. Kush është i suksesshëm në
jetën familjare, ka parakushte që të jetë i tillë edhe në sferat e ndryshme të
jetës dhe të veprimit.
-Kohezioni
në dashuri nuk është një lloj simbioze, bashkimi si ai mes nënës dhe fëmijës,
ku fëmija tërësisht varet prej nënës, dhe nëna vihet në shërbim të plotë të
tij, por më tepër si lirim prej egoizmit dhe egocentrizmit në reciprocitet, në
dashuri aktive, ku dy qenie njerëzore “në dashuri janë një, megjithatë mbesin
dy”(12).
Dashuria
nuk është fusion, shkrirje e dy personave, por kohezion, ku secili mbetet
vetvetja, por në bashkim janë dhe kanë shumë më tepër se secili vetvetiu.
Në
martesë si fazë zhvillimore e personalitetit vjen në shqyrtim dhe në sprovë UNË
– personi, që hapet, bashkëpunon, bashkëjeton dhe dashuron TJETRIN. Pra, në
pyetja janë dy njerëz të dalluar, të cilët në bashkim, në dashuri kërkojnë dhe
gjejnë vetveten në njëri-tjetrin. Është risi të jesh çift martesor, burr, grua,
më vonë nënë, babë…gjyshë apo gjyshe…të krijosh diçka krejtësisht të re dhe të
panjohur, të papersëritshme, bashkësinë që quhet bashkëshortësi - ndarjen e
tërësishme të jetës me tjetrin. Aty gjendet burimi i dashurisë, zanafilla e
jetës së re, edukimi, kultura, qytetërimi i mbarë njerëzimit.
Dikush ka
lindur prej barkut të nënës, por kurrë nuk e ka krijuar personalitetin bazor,
egon-unin, por ka mbetur gjithnjë i mvarun prej prindërve, vëllezërve, motrave,
familjes, shoqërisë. Prandaj si të tillë gjithnjë iu përshtatën tjerëve, janë
të nënshtruar, të dëgjueshëm, të “mirë”, që mos ta humbin përkrahjen dhe
solidaritetin.
Individualizimi
apo “ndarja e dytë” prej nënës, babait, vëllezërve, motrave, prej familjes
është “lindja e dytë” – lindja psikologjike, dhe ndodh fillimisht diku në
mbarim të vitit të tret të jetës dhe vazhdon gjatë tërë jetës.
Kush nuk
i ka kaluar mirë këto dy faza jete në partnerin kërkon mbrojtje, siguri,
përkrahje, që shprehet me forma të ndryshme, si p.sh. sundimi ndaj çiftit
martesorë (te burrat), ose nënshtrimit të plotë (te gratë) si një lloj i ri i
marrëdhënieve primordiale nëna dhe fëmija.
Nëse edhe
faza e kohezionit s’është plotësuar mirë, atëherë tjetrin nuk e çmojmë,
nderojmë dhe dashurojmë ashtu si është, por e trajtojmë si vegël për nevoja
tona, si fëmija që e “shfrytëzon” nënën për nevoja jetësore: ushqim, pastërtim,
kontakti lëkurë-lëkurë, siguri…Kush ka mbetur i fiksuar në këtë fazë s’ka
mundësi dhe aftësit për bashkëshortësi, por vetëm për përdorim, manipulim
funksional me partnerin apo partnerën.
Si mund
të zgjidhen këto dy konflikte bazore individualizimi dhe kohezioni,
socializimi?
Me njohjen
dhe pranimin e gjendjes reale dhe me komunikim të vazhdueshëm. Mes burrit dhe
gruas duhet të jenë të hapur të gjitha kanalet e komunikimit, sepse përndryshe
do të mbesin dy të huaj dhe të panjohur, që komunikojnë vetëm me trup, por jo
edhe me mendje, vullnet, liri, zemër-tërësi. Mendja dhe zemra duhet të lidhën
dhe shprehen me gojë-me fjalë, por edhe më shumë me komunikimin joverbal.
Dashuria
e vërtetë është e mundshme vetëm nëse ka komunikim të gjithanshëm dhe të
vazhdueshëm mes partnerëve. Pikërisht për këtë jeta është e bukur në çdo faze,
nëse jetojmë në paqe dhe në harmoni me vetveten, nëse i dhurohemi njëri-tjetrit
në vazhdimësi, nëse nga përvoja mësojmë se dashuria është pema e të gjitha
stinave, si buka, apo si frymëmarrja, pa të cilën s’ka jetë.
Për këtë edhe thuhet: Të piqemi e mos të digjemi. Pjekuria më e madhe e jetës është ekvilibri, drejtpeshimi në ne dhe me të tjerët, si trupi i njeriut, ku të gjitha gjymtyrët janë njësi të veçanta, por krijojnë edhe një tërësi-njeriun.(13)
(Zgjodhi për Zemra Shqiptare Marjan Sebaj-SOPI)
(1) Krh. KLD përmbledhur dhe kodifikuar nga atë Shtjefën GJEÇOVI me biografi dhe parathënie të prof. Dr. Syrje Pupovcit, Prishtinë, 1972, fq. 7.
(2) Lexo: Dr. Lush Gjergji, Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri, Drita, 1990, fq. 21-27.
(3) Giuseppe Valentini, në Roli…, vep. e cit. fq. 24.
(4) Lexo: Dom Lush Gjergji, Gjendja aktuale fetare shqiptare, shqyrtim psikologjiko-shoqëror, në (“Krishterizmi ndër shqiptar”) Simpozium ndërkombëtar Tiranë, 16-19 Nëntor 1999, Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Shkodër, 2000, fq. 482-487.
(5) Lexo: Dr Lush Gjergji, Zbulimi i Zotit-dhurata më e çmuar, Shpresa, Prishtinë; 2002, fq. 11-40.
(6) Lexo: Dr. Lush Gjergji, Fitorja e kryqit, Drita, Ferizaj, 1992, fq. 7-21.
(7) Don Lush Gjergji, Gjendja aktuale fetare shqiptare, vep. e cit. fq.474-478.
(8) Dr. Lush Gjergji, Roli…vep. e cit. fq.97-151.
(9) Krh. Nadine Boucher, L’uomo e la donna in armonia, SEI, Torino, 1973, fq. 47.
(10) Lexo: E. Fromm, L’arte d’amare, Il Saggiatore, 1972, fq. 107-124.
(11) Po aty, fq. 122.
(12) E. Fromm, vep. e cit. fq. 35.
(13) Mbi familjen shqiptare më gjerësisht lexo: Lush Gjergji, Obitelj i brak mjesto autenticnog susreta osoba, në “Obnovljeni zivot”, Zagreb 4/1982, fq. 320-336; Dr. Lush Gjergji, Familja shqiptare dje, Drita- Ferizaj 2/1980, fq. 2-3; Dr. Lush Gjergji, Familja sot, Drita- Ferizaj, 3/1980, fq.2-3; Dr.Lush gjergji, Ä ka ende familje?, Drita- Ferizaj, 4/1980, fq. 2-3; Dr. Lush Gjergji, Privatizimi i familjes, Drita-Ferizaj, 8-9/1980, fq. 6-7; Dr. Lush Gjergji, Familja në gjumë, Drita-Ferizaj, 12/1980, fq. 4-5; Dr.Lush Gjergji, Frika nga jeta dhe vdekja, Drita-Ferizaj, 5-6/1982, fq.3; Dr.Lush Gjergji, Ä ka ende mundësi për dashuri, Drita-Ferizaj, 3/1978, fq.7; Dr.Lush Gjergji, Izolimi “vdekja” e dashurisë, Drita-Ferizaj, 4/1978, fq.5-6; Dr.Lush Gjergji, Kush (s) është i aftë për dashuri? Drita-Ferizaj, 5-6/1978, fq.9; Dr.Lush Gjergji, Përgaditja për dashuri, Drita-Ferizaj, 10/1978, fq.7; Dr.Lush Gjergji, Dashuria e vërtetë, Drita-Ferizaj 1/1979, fq.6.