Shtesë » Shoqëria
Albana M. Lifschin: Na mungon modeli që duhet të ndjekim...
E merkure, 29.08.2012, 07:35 PM
Na mungon modeli që duhet të ndjekim...
Nga Albana M. Lifschin
- Kur adoleshentet flasin hapur-
Para
kthimit në NY, kafen e fundit në Tiranë e piva me një miken time të
vjetër. Mbeta sa e hapitur aq edhe e shqetësuar kur nga biseda me të mësova
këtë fakt: Një vajzë 13 vjeçe, për shkak të takimit me një djalë u
kishte dhënë prindërve të saj valium në një dozë të madhe, për t’u
siguruar që ata të ishin në gjumë të thellë kur miku i saj të hynte në
shtëpi e të kalonte natën me të. Prindërit e vajzës ranë për të fjetur të
dielën mbrëma dhe u zgjuan të martën në mëngjes. Shkuan në punë të
ndërgjegjshëm se ishte ditë e hënë.
Duke
marrë shkas nga ky episod e ftova mikeshën time të bënim një takim me disa
adoleshentë.
Tema e
bisedës ishte:
Si e
kuptojnë adoleshentët ndjenjën e dashurisë dhe në ç’masë është ajo
reale në këto marëdhënie?
Biseda
u zhvillua me një grup nxënësish të klasave të nënta të shkollës "Jeronim
De Rada" të kryeqytetit si edhe disa bashkëmoshatarë të tyre të qytetit të
Rrëshenit. Nxënësve,paraprakisht iu dha për të lexuar tregimi
"Stina e vetëvrasjeve" ku protagonistët – ishin mosha e tyre, por
ngjarja ishte vendosur tre dekada më parë, në atë kohë kur tema e
dashurisë në moshën e adoleshencës ishte tabu. Për të flitej vetëm brenda
rretheve të mbyllura, më shumë në formën e thashethemeve se sa të një
fenomeni të rëndësishëm të cilës familja dhe shoqëria duhej t’i jepte përkujdesin
e duhur. Por ndërsa në familje nuk flitej me fëmijët për të, ishin
pikërisht adoleshentët ata që vërshonin në dyert e kinemave kur shfaqej”Romeo
dhe Xhulieta”.( Kujtojmë që Xhuljeta ishte 14 vjeçe).
Atë
kohë, një adoleshente që hynte në mardhënie me një djalë
persekutohej nga të gjithë e mbulohej me turp dhe në rastin më ekstrem një
situate e tillë bëhej shkak edhe për vetëvrasje, duke tronditur
shoqërinë nga brenda. Për këto ngjarje tragjike shtypi nuk shkruante, dhe
as që bëhej fjalë që shoqëria të kërkonte përgjigjen e pyetjes ‘Pse
ndodhi kjo?' për t’i parandaluar ato në të ardhmen.
Në
kohën e sotme, kur adoleshenca është krejt e çliruar nga një trysnia e
një mentaliteti të tillë po vihet re një tablo në ekstremin tjetër. Falë
zhvillimit të teknologjisë, internetit, fëmijët futen që herët në
‘sekretet” e jetës, djegin “fazat”, kapërxejne fëmijërinë e tyre, e
nxitojnë për të hyrë në radhët e të rriturve në mënyrë të parakohëshme
duke nëpërkëmbur rininë e parë. Mjaft prindër janë të detyruar t’u
plotësojnë të gjitha tekat fëmijëve, madje dhe jashtë mundësive financiare,
vetëm që ata të mos mbeten prapa shokëve. Dikush takoi në rrugë
mikun e tij të vjetër profesor, dhe i shkuan sytë tek këpucët e tij të vjetra.
I tha me të qeshur :
-Ore,
akoma me këto këpucë shekullore,ti ?
-Ku më
vjen radha mua në shtëpi, more vëlla?-u përgjigj edhe ai po me të qeshur.
Humor i dhimbshëm. Fëmijët e sotëm nuk pyesin nëse ka apo nuk ka prindi, nuk njohin çmimet, por dijnë fare mirë se cilat veshje janë "firmato”, cili është celulari i fjalës së fundit‘, etj. Nga ana e tyre mjaft prindër duke i plotësuar çdo dëshirë fëmijës mendojnë se kanë bërë gjithçka për ta, duke e lënë atë jashtë kontrollit, kur pikërisht këtu fillon puna e tij më e vështirë.
Kur adoleshentet flasin hapur
Kërkova
që biseda të bëhej e lirshme dhe e hapur si midis bashkëmoshatarësh, pa
“autocensurë”.
Po jap
këtu vetëm mendimet e disa nxënësve adoleshentë pa e parë të nevojshme të
përmend shkollën të cilës i përkasin.
Megi:
Duke krahasuar tablonë e para 20 apo 30 vjetësh që jep tregimi, me kohën
tonë sot, them se shohim dy pamje me kontrast të madh: e kaluara –prapambetje,
e sotmja – çthurje.
Deana:
Mendoj që më par? lidhjet dashurore të të rinjve kan? qen?
m? të
forta.
Joris:
Sot trendi i kohës është të kesh të dashur.
Emanuela
Ndreka: Sot dashuria është materialiste, vajzat e duan djalin se ka makinë, se
është i pasur, domethënë për vlerat materiale.
Rozalba:
Tek djemtë është idea që sa më shumë vajza të kenë , aq më tërheqës bëhen në
sytë e tyre. Ata lidhen me vajza, si të thuash, për t’u bërë “të famshëm”, por
jo se ndjejnë ndonjë gjë për to. Dhe askush nuk thotë ndonjë gjë të keqe për
ta, kurse po qe se një vajzë ka një djalë dhe prishet me të, pastaj
lidhet me një tjetër shihet ndryshe, me sy jo të mirë. Mendoj se
ka hipokrizi nga ana e shoqërisë.
Anna
Maria: Djemtë bëhen si garipa. Flasin me zhargon rrugaçësh
që i bën të duken 'interesantë' në sytë e vajzave mendjelehta. Por edhe vajzat
bëjnë gjëra për t’u dukur, shkruajnë statuse në facebook për të tërhequr
vëmendjen e të tjerëve. Ka një personalitet fals. Kjo nuk është e nevojshme, se
ne e njohim mirë njeri tjetrin se kush jemi.
Këtu,
për pak çaste, ra një qetësi në klasë sikur pritej që mendimi i saj të kundërshtohej
nga djemtë. Por nuk ndodhi ashtu. Nxënësi Aldo Kaçorri u ngrit nga banga
e tha:
-Ne
dalim nga vetja, pretendojmë të jemi ata që s’jemi,bëjmë sikur duam, por në të
vërtetë nuk është ashtu. Dashuritë e djemve janë sipërfaqsore.
Henri:
“Mendoj se nuk flitet për dashuri, por për pëlqime. 90% e lidhjeve nuk provojnë
ndjenjën e vërtetë të dashurisë
-
Ç’është dashuria për ju?
Megi: është një ndjenjë që i duhet njeriut për të qenë i kompletuar.
Flavia:
Sot letrat e dashurisë janë zëvendësuar nga komunikimi i shpejtë në
internet, janë zëvendësuar me chat.
Vanesa:
Sot nuk ka dashuri. Sot flitet për shoqëri me benefite. (Friends with
benefits)-Domethënë djali ka një shoqe, por njëkohësisht e përdor atë
edhe për seks...
Gjoni:
Djali krenohet mes shokëve kur shkon me vajza. Marëdhënia intime me një vajzë
është gjë e madhe për të, dhe ai e diskuton atë me shokët.
Pyetjes
: “A mund të mbijetojë marëdhënia miqësore midis një djali dhe një vajze
pa rënë në marëdhënie seksuale?” i erdhi kjo përgjigje:“Vajzat hyjnë në
mardhënie seksuale të vëna nën presionin e djemve, se po qe se nuk
pranojnë maredhënien seksuale atëhere lidhja e tyre vdes, pra seksi
është si kusht që ajo të vazhdojë”.
Megi: Ne
harrojmë që zgjedhjet i bëjmë ne vetë, edhe gabojmë. Por nuk dijmë si të
veprojmë, nuk kemi një model që ta ndjekim. Na mungon modeli .
Na mungon modeli.
Çdo deklaratë e bërë nga
të rinjtë, mendoj se është një temë më vete për t’u trajtuar nga
psikologu, pedagogu, prindi, edhe më gjerë - nga vetë shoqëria. Vini
re faktin e hidhur që nuk bëhet fjalë fare për personalitetin e vajzës,
për vlerat e saj; Vajza (mjerisht) e ndjen veten krejt të varur nga djali dhe e
sheh veten në funksion të tij.Të rinjtë e pranojnë mungesën e ndjenjës së
dashurisë, romantizmit, në këto lidhje si diçka të mirëqënë. Ku është
dashuria si një ndjenjë sublime, që fisnikëron shpirtërat,që e bën njeriun më
të bukur e më të pasur shpirtërisht? Mos ndoshta ky tashmë është një koncept
démodé që egziston vetëm nëpër librat e autorëve romantikë të shekujve të
kaluar?
Peshë
të rëndë mbajnë fjalët e Megit kur thotë:Na mungon modeli…
Më ra në
sy që mungesa e ‘modelit ‘ nuk u kundërshtua nga askush. Asnjëri nga
nxënësit në atë klasë nuk tha: “Unë kam mamin si model”, ose “Unë kam babin’ . Çfarë po ndodh me fëmijët
adoleshentë? Mos janë lënë në mëshirën e fatit, si një anije në
oqean të hapur , në mes të stuhive, pa asnjë orientim? Kush e ka busullën
? Tradicionalisht
fëmijët rriten duke u brumosur me mësimet e prindërve dhe pak a shumë
pritet t’u ngjajnë atyre. Mu kujtua thënia e Walt Whitman ” Rrisni fëmijë
të mirë, të tjerat vijnë pas.” Gazetari amerikan Dawson McAllister që është marrë për dekada të tëra
me problemet e adoleshencës shkruan se ”ata (adoleshentët) kanë nevojë
për “role models”, tek të cilët të besojnë. Nëse ne do t’i kuptojmë
më mirë, do të dijmë të ndërtojmë një ambjent në familjet tona ku ata të gjejnë
ngrohtësi dhe t’i udhëheqim drejt një jete me kuptim”.
Adoleshenca
që zëvendëson ndjenjën e dashurinë me seksin është si një lule e
vyshkur para kohe. Edukimi i të rinjve është detyrë e vështirë e prindit , e shoqërisë dhe e vetë
shtetit. Nuk është slogan i së kaluarës, por një e vërtetë e padiskutueshme, që të rinjtë
e sotëm do të përbëjnë shoqërinë e të
ardhmes, shtetin e të nesërmes në çdo regjim apo sistem ekonomik.
Biseda
me kolegen time vazhdoi edhe jashtë auditorit.
-Nuk e
di çfarë modeli kërkon, e dashur, -më
tha ajo. Në një shoqëri të korruptuar njeriu i ndershëm që u qëndron parimeve të tij morale, mund të vdes për bukë. Ka
vajza të reja që hyjnë në punë si sekretare, duke e ditur se u duhet të
përmbushin edhe detyrat ‘extra’, që u kërkon shefi. Ka gra, jo pak, që
një lidhje jashtëmartesore e konsiderojnë ‘trofe’, sepse i siguron asaj të mira materiale dhe të holla,që bashkëshorti i saj nuk është
në gjendje t’ja sigurojë. Vajzat gjithashtu tentojnë të lidhen me djem të pasur ,
apo hyjnë në marëdhënie me burra të stabilizuar financiarisht. Gjah i
preferuar është edhe ai që vjen nga jashtë, djemtë ”naivë’ që duan të marrin
nuse Shqipërie.
***
Pse habiteni ? Ne nga ju i kemi mësuar…
Më ka
ndodhur disa herë, gjatë vizitave të përvitshme në atdhe, që kur bie fjala për
korrupsionin apo imoralitetin, të më thonë:
-Pse
habiteni kaq shumë ju “amerikonët’? Nga i mësuam ne këto ? Prej jush i mësuam!
Filmat tuj shohim!
Personalisht
mendoj që ky është një reagim i nxituar dhe i papërgjegjshëm.. Ky
“çfajsim” i fajshëm ligjëron shkarjen në të keqe duke e konsideruar
atë si pjesë normale e jetës së re demokratike, ‘të influencuar nga
Perëndimi'/Amerika. Mirëpo harrohet që Amerika përveç lirisë që i jep
individit, mbart me vete edhe ndjenjën e madhe të përgjegjsisë. Këto të dyja
nuk janë të shkëputura nga njera tjetra. Janë dy anë të një medalje. Po
citoj këtu presidentin Klinton “Amerika është për të dyja bashkë:Lirinë
individuale dhe përgjegjsinë ndaj komunitetit” .
Tashmë
të gjithë e dijnë që në Amerikë njerëzit punojnë shumë për të siguruar një jetë
më të mirë, e nuk kanë kohë për të humbur nëpër kafenera. Në atdhe, mjerisht,
për shumëkend është i adhurueshëm koncepti i të bërit të parasë pa
punuar, e lirisë pakufi të shkëptur nga përgjegjësia. Në Tiranë, ashtu
sikurse edhe në qytetet e tjera të vendit lokalet janë plot nga mëngjesi në
mbrëmje. Njerëzit qahen, ankohen ,bëjnë politikë,thashethemojnë…,
fantazojnë:”Ah,sikur të më jepnin 200 euro në muaj, as që do e kisha vrarë
mëndjen për të punuar !“ Po nga do të vijnë ato 200 euro? Nga qielli?
Po le
të vazhdojmë më tutje, duke u marrë me justifikimin ” Nga ju i kemi mësuar!”
Nëse disa,
nga qindra kanale televizive private që funksionojnë në SHBA , japin
filma me porno apo dhunë, (duke ushtruar të drejtën e lirisë së shprehjes
që ua jep kushtetuta) ,ata janë të detyruar gjithashtu të
paralajmërojnë shikuesit nëse ai film apo shfaqje nuk është e përshtaçme për
një kategori të caktuar moshe. Sigla R-(restricted) që shihet në ekranin
televiziv apo edhe ne kinematë e qytetit,paralajmëron që ai film nuk është i
rekomandueshem për shikuesit nën moshën 17 vjeç. PG (parental guidance)-dmth që
prindi vendos vetë nëse fëmija e tij mundet ta shohë këtë apo atë
film. Nëse një adoleshent amerikan hyn në dyqan, apo lokal për të blerë birrë,
atij i kërkohet të paraqesë kartën e idenditetit, pasi duhet të jetë 21 vjeç që
të jetë i ligjshëm për të. A nuk ndjeni këtu dorën e shtetit? Ligji amerikan
shkon edhe më tej. Ai kërkon që, kur një dhunues, del nga burgu,
(qoftë edhe për një periudhë të përkohëshme) , të paralajmërohet
komuniteti,duke i bërë njerëzit të ndërgjeshëm për lirimin e tij.
Qytetarët amerikanë i kërkojnë qeverisë mbrojtjen e fëmijëve të tyre, sepse
është edhe detyra e saj. Në rastet e tragjedive tek fëmijët, grabitjet,
përdhunimet,shoqëria ngrihet në këmbë dhe bëhet shkak që shteti të nxjerrë ligje
me qëllim parandalimin e tyre në të ardhmen. Ligjet marrin emrin e fëmijës të
cilit apo cilës i ka ndodhur ajo tragjedi. Më bie ndërmend këto
çaste “Megan law” - Ligji i Megit, i cili u ligjërua nga
qeveria amerikane në kohën e administratës së Presidentit Klinton, për të
parandaluar rastet e përdhunimit të të vegjëlve.
“Prej
shumë vitesh tashmë prindërit nga gjithë anët e Amerikës thonë se ka shumë
dhunë e seks në ekranet televizive duke kërkuar nga qeveria të mbrojë
fëmijët e tyre nga skenat e nga një fjalori të atillë që nuk i përket
dhomës së ndjënjes së familjes. Prindërit thonë se është e drejta e tyre t’i
rrisin fëmijët në atë mënyrë që të përforcojë vlerat morale, prandaj
programet për të rritur nuk mirëpriten në familje, pasi ndërhyjnë në
procesin e edukimit…. Kohët e fundit me shtytjen time industria
televizive ra dakort të shtojë sasinë e programeve edukative në
transmetim si edhe të punojë për ndryshimin e përmbajtjes së televizionit për
fëmijë për të mbështetur vlerat kombëtare duke reduktuar dhunën … “(nga
libri i presidentit Bill Klinton, “Between Hope and History”. fq.124 )
Dikur
televizioni publik shqiptar ka patur programe edukative ku fëmijëve u
mësoheshin fjalët magjike , “Të lutem” dhe “Të faleminderit”, si të
silleshin bukur. Fëmijët mësoheshin të donin e ndihmonin njëri tjetrin, të
ishin mirënjohës, të dëgjonin këshillat e prindërve, të mos gënjenin. Dhe
këto mësime i merrnin nëpërmjet përallave e teletregimeve për
fëmijë. A ka më televizioni publik emisione fëmijësh? Nje kolege e
vjeter e televizionit më tha: 'Nuk ka, sepse kërkojnë
shpenzime" nga shteti. Por populli thotë që 'malli i lirë të kushton
shtrenjtë' .
Presidenti
Klinton shkruan:“ Ndoshta mësimi më i mirë që kam marrë këto tre vjet e gjysmë
(është fjala për vitet e fillimet e presidencës së tij-A.M.L) është që
kur punojmë të ndarë jemi të mundur , kur punojmë sëbashku ,si komunitet ,
Amerika gjithmonë fiton ‘.
Nju Jork, Gusht, 2012