Mendime
Vangjush Saro: Antikomunizmi si leverdi(!)
E shtune, 16.02.2013, 10:51 AM
Antikomunizmi
si leverdi(!)
Përndryshe: Të heqim këmbën nga çarku i së shkuarës...
Nga Vangjush Saro
Një nga
gazetat e njohura në Shqipëri, shkruante këto kohë se ish-burgu i Spaçit, i
shpallur qendër muzeore, po shkatërrohet nga dita në ditë nga banorët, të cilët
vjedhin hekurishte për të krijuar të ardhura për familjet e tyre, për shkak të
gjendjes së keqe ekonomike.
Ndërsa e
lexoja këtë informacion, si dhe duke kujtuar mosvëmendjen në një sërë çështje
të së shkuarës dhe të sotmes së shqiptarëve, përfshi qëndrimin banditesk ndaj
gjithë trashëgimisë së tyre - temë që e kam sjellë edhe herë tjetër në revistën
e nderuar “Zemra Shqiptare” - vetiu lindi titulli i këtij shkrimi:
“Antikomunizmi si leverdi”. Në vështrimin tim, kjo është një histori e vjetër
shqiptare. Letra të djegura, që dikush i luan së keqi, edhe pas gati njëçerek
shekulli që komunizmi na la. E them këtë sepse dikur, këtu ishte me leverdi
antizogizmi...Dhe në përgjithësi, e shkuara. Edhe pse kanë qenë periudha me
shumë probleme, shkruesit kujdeseshin që të nxihej edhe më, fund e krye. Paçka
se në atë kohë Shqipëria, së paku, kishte një parlament pluralist, një
pasaportë që lejonte lëvizjen e lirë dhe disa gazeta të pavarura. Por rendit
komunist i duhej një propagandë histerike në lidhje me të shkuarën; ajo “ishte”
e errët, kështu koha e PPSH-së do të “ndriste” edhe më. Shtypi shqiptar dhe
drejtuesit shqiptarë nuk kishin modestinë të tregonin thjesht përpjekjet kundër
analfabetizmit, ato për elektrifikimin e vendit, shtrirjen e shërbimit
shëndetësor dhe të arsimit (fryt i lojës pagë nominale- pagë reale), etj., hapa
që mbase në çdo rend do të ishin hedhur, ndoshta edhe më mirë. Jo. Këto punë
paraqiteshin në një ekstazë të tillë, a thua lumturia e kishte përmbytur atë
vend. Në të njëjtën kohë, klaneve që drejtonin Shqipërinë, iu duhej një e
shkuar e nxirrosur, pa kurrfarë vlerash e arritjesh.
Mbase
skenari është disi më ndryshe, por pak a shumë kështu po ndodh edhe sot: për
klanet që drejtojnë vendin, antikomunizmi është shndërruar në një mjet
përfitues, mekanizëm ideologjik. Problemi i parë është ai i mosshkëputjes nga
modeli. Duke folur përpara disa të rinjve të PPE në Tiranë, (njësoj sikur
propaganda që bëhej dikur me ato grupet marksiste - leniniste) kryeministri i
Shqipërisë, Sali Berisha, tha se Shqipëria që trashëguam në vitin ‘92
ishte...midis tre vendeve më të varfëra në planet(!) Domethënë, Shqipëria na
qenkej më keq se vendet e Afrikës, më keq se ato të Amerikës Latine, më keq
edhe se Laosi e Kamboxhia, India...Kurse sot, Shqipëria qenka në vendin e
katërt në botë për...Nuk denjoj të dëgjoj për çfarë, sepse e di që është
gënjeshtër. Gënjeshtër e trashë. Ja, kështu grinte sallatë edhe propaganda
komuniste për kohën e Zogut. Për të shkuarën në përgjithësi.
Nuk ka
turp më të madh për një njeri, të cilin ajo Shqipëri e mjerë e dërgonte për t’u
specializuar në Francë, të shpifë tani - pas çerek shekulli që dikton - se këtu
na paskej qenë fundi i botës. Tepria nuk është asnjëherë argument.
Përfitimi
nga antikomunizmi ka edhe pamje të tjera. Sa herë që na ngec sharra në gozhdë,
na e kanë fajin...komunistët, ata të Bllokut, grupet puçiste, fqinjët, pse jo
dhe Amerika. Duam të bëjmë për vete njerëzit e t’i shprehim devotshmërinë
shefit, japim shfaqje delirante. E tillë ishte sjellja e Kryetares së
Parlamentit këto ditë. Nuk kam dëshirë të lëndoj askënd, kam lexuar mjaft
pozitivisht për familjen e saj, më vjen mirë. Por ajo vetë i ka hipur kalit
mbrapsht. Niset për në Bullgari dhe ndalon diku në një segment të Rrugës së
Kombit dhe bën poza, reciton si ndonjë rapsod i ekzaltuar, lëshon deklarata se
janë lëvizur malet dhe vetëm Sali Berisha mund t’i lëvizë malet e ku di ç’tjetër…Kështu
thuhej edhe për PPSh-në e për Enver Hoxhën, që lëvizën malet(!) Ne duhet të
heqim dorë nga recitimet dhe nga ky lloj primitivizmi, sikur çka u bë; doemos
që do të ndërtohet; çka këtu për të bërë horte e për të bërtitur “Ligjëro,
shoku Enver!”
Problemi
i dytë është “loja me të persekutuar”. Klanet që drejtojnë Shqipërinë, (përfshi
ata që përmenda më sipër) pothuaj nuk kanë asnjë lidhje me këtë pjesë të
dhimbshme të historisë së vendit. Shumica e drejtuesve politikë dhe zyrtarëve
të lartë, vijnë nga familje ish-komuniste. Ose kanë pasur probleme me rendin,
por jetën e kanë shkuar disi. Ndërkaq, atyre iu vjen për mbarë ta trajtojnë
këtë temë më me egërsi se vetë të persekutuarit politikë. Për klanet, jeta e
shqiptarëve në katër dekadat e shkuara, fillim mbarim, ishte përndjekje dhe
masakër. Paraqitja e asaj jete vetëm si njëlloj hetuesie e pandërprerë, kampe
pune e tela me gjemba dhe asgjë tjetër, me një fjalë kohë e errët, bëhet
që...të “ndrisë” sa më shumë e sotmja, por sidomos që të mos i shkojë mendja
askujt në...rishfaqjen e analfabetizmit, në akte të ulëta rrugaçërie të
përditshme, në vrasjet politike, në korrupsionin e pafre. Klanet kanë pasur dhe
kanë gjithnjë hallin e propagandës; e vërteta nuk iu bën punë asnjëherë. Dhe
kështu, bëhet kujdes (njësoj gjithnjë) që i gjithë populli e të gjithë njerëzit
e asaj kohe, të paraqiten si një kope skllevërish, kudo duke ngrënë baltë, në
çdo kohë me lecka në trup dhe pranga në duar. (Kur kështu? Kur shumica e atyre
që bëjnë sot politikë specializoheshin jashtë shtetit? Berisha. Gjinushi.
Islami. Ruka. Etj.)
Antikomunizmi
nuk na shpëton dot nga mëkatet dhe hallet e sotme. Duke e lënë komunizmin
tashmë në duart e historianëve dhe të ekspertëve, ne duhet të shohim nga e
ardhmja. E shkuara nuk prodhon më asgjë për ne. Së paku, nuk duhet të lejojmë
që klanet ta shfrytëzojnë atë në emër të interesave që s’kanë të bëjnë me të
gjithë shqiptarët. Të heqim këmbën nga çarku i së shkuarës; kjo do të ishte
germa B. (Sepse A-në e kemi kaluar, jemi në pluralizëm e në ekonomi tregu, ka
ndryshime e përparime, paçka se problemet “shqiptare” kohët e fundit sërish
janë “trashur”.) Faik Konica, një nga të paktët shqiptarë me mentalitet
perëndimor, shkruante në kohën e vet: “...meqë historia nuk ecën kurrë së
prapthi dhe ne nuk mund ta zhbëjmë të kaluarën,
Falemnderit
për kohën.