Faleminderit
Pjetër Domgjoni: Millorad Defar - Don Mila
E shtune, 24.11.2012, 08:24 PM
DON
MILLORAD DEFAR – DOM MILA
Meshtar i Zotit dhe i popullit
Nga Pjetër Domgjoni
Që kur
isha fëmijë e mbaj mend ish famullitarin tim, don Millorad Defar. Kishte ardhë në vend të të ndjerit
don Luka Filiç. Atëherë, ky i kishte afro 30 vjeçë. Kishte nji trup
mesatar e nji fytyrë të plotë. Plot energji për punë. Shumë i urtë, shumë i
çetë, shumë i dashtun, shumë i butë e me plotë kulturë. Aq shumë ishte i përvuejtë sa të shkonte mendja
se kishe përpara ndonji shejt të gjallë. Shprehjet e tij kryesore e të vetmet
ishin.
Këto
shenime të pakta për jetën e dom Miles i nxora prej Radio Vatikanit ku
kryeredaktor i asaj shtëpie informative,
dega në gjuhën shqipe, asht sot. Don David Gjugja, ish nxansi i dom Miles.
Thash se i nxora prej radio Vatikanit sepse. Dom Mila, kurrë nuk fliste për
veten, për familjen e tij e prite o Zot për kombin e tij. Kurrë nuk fliste as
për historinë e kombit shqiptarë. Nuk fliste kurrë, as kundër çeverisë, as
kunder komunizmit. Megjithse komunistët ia kishin pas prue shpirtin me dalë sa
kishte qenë n' Guci, por ai kurrë nuk fliste për ta. Fliste vetëm për Ungjilin
e i transmetonte vetëm porositë e JEZU KRISHTIT të cilit kishte vendosë me
ia kushtue gjithë jetën. Na merrte ne fëmijëve tuj na dhanë besimin me
nji përkushtim e dashni e kështu na
pregatiste për kungimin e parë.
Dom Mila
ishte prifti, i vetëm, kisha me thanë
unë që kishte ardhë n'famullinë tonë dhe afro katër vite s'kishte pas as adresë
banimi, as kishë, as famulli, as plang, as shpi. Flinte tuj shkue herë në nji
shpi e her nji tjetër shpi nëpër katundin e Bishtazhinit e meshën e thonte në
oborrin e shtëpisë t'familjes Bisaku.
Nji ditë,
çohet nji shpirtbardhë prej Bishtazhinit e ia fal priftit nji livadh. E si
n'skaj të atij livadhi, besimtaret e famullisë ia ndërtojnë nji barakë prej
dërrasave që për afro njizet vite, do t'jetë shtëpia tij e vetme e banimit.
Afër asaj barake i sjellin katër shylla t'nalta ei vendosin mbi to, kumbontë e
kishës. Si n'mes atij livadhi poashtu prej dërrasave e ndërtojnë edhe nji tjetër
barakë tuj e vue elterin n'mes të saj dhe ajo n'vitet n'vazhdim do të ishte
kisha. Ky ishte nji gëzim i pa përshkruem edhe për priftin edhe për t'gjithë
famullinë tonë. Por me qenë se Bishtazhini ishte shumë afër Gjakovës.
Komunistet gjakovarë, alarmohen kur e dëgjojnë zanin e kumbonve. Menjiherë
dërgojnë n'vendin e ngjarjes policë të armatosun ei sharrojnë ato shtylla
t'nalta tuj hjedhë kumbontë për dhe. E arrestojnë edhe dom Milen dhe afro
dhjetë ditë e mbajnë në hetuesi. Lajmi zi i shkon ipeshkvit të Shkupit e ai
intervenon tek çeveria jugosllave, por dom Milen nuk e l'shojnë derisa
intervenon Konferenca ipeshkvnore e Kroacisë. Mbasi të
Rrëzimi i
kumbonëve t'kishes dhe burgosja e meshtarit, besimtarëve katolikë, ua kishte
hapun tash, plagët e luftës ende t'pa thara dhe ato ditë s'banin tjetër gja veç
i kujtojshin vrasjet e masakrat që tri ditët e Pashkëve të vitit 1941, i kishin
ba mbi ta, komunistët e Gjakovës n'bashkpunim vllaznorë me çetnikët e Serbisë.
Në vitin
1967, në famullinë tonë, si prift ndihmës apo si praktikantë, kishim me thanë
në gjuhën e sotit, e sjellin priftin e ri, DON ANTON KQIRËN. Don Antoni ishte i rrethit Gjakovës dhe
ndoshta at vit edhe ishte shugurue për prift. Si djal i ri që ishte, kishte nji
hie të randë e nji shikim të drejtë e të ashpër, por kur flitshe me te s'ishte
fare i tillë. E kam shumë të freskët predikimin e tij në meshën e parë të cilin
e pat fillue me këto fjalë.
Vllazene
e motra, sot përpara meje, unë po shof vetëm gra e vajza, e nuk po e shof asnji
burrë. Të gjithë qenkeni ba burreca. Si qenkeni krrusë e ra me fytyrë për dhe
kështu, ju që jeni gjaku i pastër i Gjergj Kastriotit e i Lekë Dukagjinit. Dhe
tuj qenë krenarë në këto troje, prej se
ka krijue Zoti, diell e hanë e tokë e qiell dhe prej se ka lindë Jezu Krishti e
deri sot. S'ka dal kush me na e mohue kombin e me na e ndalue fenë e po dalin
sot nji grusht komunistë gjakovarë me e ba nji gja të tillë. Kini mendjen te
Zoti e çonje kryet naltë e mos ju frigoni askujt se kështu na porosit vet Jezu Krishti. Unë
sot, vllazen e motra, prej këtij elteri
po i lajmroj komunistët gjakovarë se, pa kalue as dy muaj, mbrapa ksaj barake,
së bashku me dom Milën, kemi mej vue
gurët e themelit e kemi me fillue ndertimin e nji kishe madhështore. E le
t'vijnë komunistët gjakovarë e ti sharrojnë shtyllat e kumbonëve. Le t'vijnë
komunistët gjakovarë e ta burgosin dom Milen e dom Antonin. Le t'vijnë
komunistet gjakovarë e vetëm ta provojnë mej nxjerrë guret e themelit prej
këtij trolli se unë e dom Mila do ti presim këtu.
Fjalet e
don Antonit dilnin si shkëndia zjarri e depërtonin thellë në zemrat e t'gjithë
besimtarëve. Noj plakë o noj plak e çonte kryet kah qilla tuj veshtrue se mos
komunistat vijnë me noj helikopter e po e arrestojnë me petka t'meshës
meshtarin e tyne. Mbas meshe, askush s'shkoi te shpia, por të gjithë e
rrethuanë don Antonin e plakatë shkonin tuj ia puthë dorën e pleqtë e shikonin
me sy t'përlotun. Mbas nji kohe, n'shpi filluen me shkue vetëm gratë e vajzat kurse mashkujtë mbetën n'oborr
të kishës e po i përcillnin dy priftat që shkonin drejtë zyres që ndodhei në at
barakë banimi. Në zyrë kishte vetëm nji
vitrinë me libra, nji tavolinë me dy karrige e dy makina shkrimi. U ulën të dy
priftat, i nxorrën dy makinat mbi
tavolinë dhe filluen me shkrue. Tingujt
e ashpër të tasterave t'makinave, atë ditë ishin ma të butë e ma të ambël për
veshë se sa tingujtë ma t'bukur të pianove të botës.
Predikimi
i don Antonit, u dha zemër besimtarëve, ua largoi edhe frikën banorëve
t'famullisë. Prej asaj dite, filloi nji
ngjallje, filloi nji lëvizje mbrenda famullisë. Filluen me u interesue prindët
mej çue fmijtë n'shkollë. Filluen me kërkue punë nëpër shtete të Europës e disa
shpërnguleshin me krej familje drejtë noj qyteti brenda Kosovës tuj kërkue jetë
ma t'mirë. Pa u ba as dy muaj, dom Antoni i vendosi disa shkopijë rreth e
rrotull t'lidhun me shpagë për me i tregue dimensionet e kishës së ardhshme.
Mandej, ai shkoi prej famullisë sonë e dom Mila filloi mej mbledhë
t'hollat, me sjellë materjalin dhe e
filloi ndertimin e kishës.
Përafërsisht
me fjalë të njejta si të don Antonit u ishte drejtue edhe IMZOT NIKË PRELA
komunistëve gjakovarë ditën e Shfrrokut në kishën e Novosellës kah mesi i
viteve të tetëdhjeta sepse ata kurrsesi nuk
lejonin ndertimin e kishës n'katundin e Doblibarës. Por këtu mu kujtuanë
edhe vitet e pesëdhjeta kur DON NIKOLLË MINI,
shefin e policisë Prizrenit, Ali Dautin që së bashku me tre policë të
armatosun, kishte shkue me e arrestue
kur ky po e kremtonte Meshën Shejte në kishën e Velezhës. Dom Nikolla ju
kishte pas drejtue: Përjashta dil, o Ali Damuti. Dil përshta, o qen e merr me
vete edhe këta tre zagarët e tu. Tregonin se nesrit, dom Nikolla i kishte shkue
Ali Dautit n'zyre dhe me grusht ia kishte pas thye xhamin që i ndodhei mbi
tavolinën e punës.
Kishën
madhështore, dom Mila, po e ndërtonte me shumë mund e me pak të holla që i
mblidhte prej famullisë sonë prandaj edhe derisa e përfundoi, patën kalue disa vjetë. Por dom Mila kurrë nuk pranoi me ndërtue
shtëpi banimi për vete pa e përfundue ndërtimin e kishës dhe deri në
përfundimin e saj, ai pat jetue në at barakën prej dërrasave. Kurse si mjete transporti. Në fillim kishte
nji kal mandej nji motorr dhe në fund nji makinë të tipit, Renault 4 të cilin ma vonë edhe ia
patën vjedhë.
Kisha e
Zojës Rruzare në Bishtazhin të cilën e pat ndertue don Millorad Defar.
N'vitin
1986, si kapelan, vjen në famullinë tonë don Viktor Sopi. Mbas dy vitesh
sherbimi si kapelan, don Viktori bahet famullitar kurse dom Mila nuk do t'ketë
ma vend as si kapelan as si prift
ndihmës, por mbas 27 viteve shërbimi në
famullinë tonë tuj llogaritë edhe dhjetë vitet e para në Guci që bajnë plot 37
vjetë jete meshtarake, përfundon n'rrugë të madhe tuj mbetë pa punë, pa kishë,
pa famulli, pa plang e shpi dhe pa asnji çindarkë në xhep. Dhe n'krejt
ipeshkëvinë e Shkup-Prizrenit e në arxhipeshkëvinë e Tivarit (në at kohë,
argjipeshkëvi i Tivarit ishte kroat). S'do të del askush që dom Milës sonë të
dashtun mej çelë noj derë shpie apo noj
derë kishe. U zhduk dom Mila si mos t'kishte egzistue kurrë. Mbas nji kohe u
muar vesh se ai kishte shkue n'Zagreb tuj kalue ditë të jetës në nji gjendje
shumë të mjerë.
N'Dalmaci
të Kroacisë, prej vitesh, shërben si
motër nderi, ROZA KUZHNINI. Me t'marrun vesh gjendjen e dom Miles, shkon në
Zagreb tuj alarmue dy vllaznit e saj: Simonin e Mikel Kuzhninin dhe të tre i
shkojnë n'zyrë kardinalit Franjo Kuhariç dhe kardinali menjiherë e pranon
kërkesën e tyne dhe kërkon që t'nesërmen ta vizitojë ate, dom Mila. Dalin prej
zyres Kardinalit që te tre dhe me ta gjetë dom Milen ia japin lajmin e mirë e
dom Mila u drejtohet.
Për
t'vertetë, nuk m'bajnë kambët me shkue nesër te kardinali sepse mua përveç
gjakut asgja tjetër nuk m'lidh me popullin kroatë. Se me zemër e shpirt e me
gjithë qenjën time e ndjejë vehtën shqiptar prandaj s'muj me e marrë me mend me
thanë meshë në ndonji kishë t'Zagrebit
ku flitet gjuha kroate.
Po si do
me jetue, o zotni. E pyet motra Rozë. Si t'jetë ba vullnesa e Zotit, oj e
bekueme. Me këto fjalë edhe u ndanë dhe pa kalue java, SIMON KUZHNINI i pat nxjerrë lejen prej
arxhipeshkëvisë dhe dom Mila filloi me e
thanë meshën në gjuhën shqipe n'qytetin e Zagrebit. Mandej e kishte gjetë edhe
banesën dhe kish fillue nji jetë normale, por ipeshkëvia e Kosovës dëshironte
me pas nji misionar të rregulltë e nën juridiksionin e vet, fillojnë kontaktet
zyrtare n'mes dy ipeshkëvijve. Të Shkup-Prizrenit dhe asaj të Zagrebit dhe pa
kalue viti, në Zagreb e dërgojnë nji
prift të ri, shqiptar prej Kosove e dom Mila
detyrohet me e l'shue edhe Zagrebin. Zhduket përseri dom Mila e ndoshta
edhe kishte vdekë pa i shkue askush n'vorrim.
Vetëm pas
disa vitesh, me të ardhun Arxhipeshkëv në Tivari, DOM ZEF GASHI, menjiherë do ta kërkojë e do ta
gjejë dom Milën tuj e rindertue kishën katolike shqiptare nëpër ato male të
ashpra e të egra të Shqipnisë. Menjiherë imzot Gashi e thërret në
arxhipeshkëvinë e tij, tuj dhanë shtëpi banimi, tuj dhanë kishë e famulli e
t'gjitha t'mirat që i kishte falë i Madhi Zot. Mandej marrin vesh malsorët se
pas sa e sa vitesh u ishte rikthye ish famullitari i tyne. E thërrasin edhe në
Amerike, tuj ia festue jubileun e pesëdhjetë të meshtarisë e tuj e çue nëpër
t'gjitha shtetet e Bekueme të Amerikës. E tuj ia mbushë zemrën e shpirtin me
plot gëzim e dashni.
Kthehet
përseri dom Mila në famullinë e vet tuj shërbye Zotit derisa fillon e sëmuhet
dhe tash Imzot Zef Gashi nuk e dërgon n'spitalin e përgjithshëm, por tek
motrat françeskane në Podgoricë e motrat, deri n'minutin e fundit t'jetës së tij,
kujdesën për te si për ndonji hyjni të gjallë sepse hyjni e gjallë ishte ish
famullitari im i dashtun, DON MILLORAD DEFAR.
N'mëngjesin
e hershëm të 26 marsit të vitit 2009, në moshën 85 vjeçare, dom Mila i mbylli
sytë për këtë botë, për ti hapur në Agimin e jetës së vërtetë në hyjin Atë.
PUSHOFTË NË PAQE.
Me këto
fjalë e pat përfundue lajmin mbi kalimin në amshim të dom Milës, Radio
Vatikani.
Imzot Zef
Gashi i kishte organizue nji funeral mdhështorë që asnjiherë ma parë nuk kishte
ndodhë në argjipeshkëvinë e Tivarit në të cilin kishin marrë pjesë përveq nji
numri shumë të madh meshtarësh, rregulltarësh e rregulltare, por edhe shqiptarë
t'Mali Zi, T'Kosovës, t'Shqipnisë e t'Kroacisë. Nji i pranishem në funeral tuj
pa gjithë at masë njerzish, e kishte
pyet imzot Gashin. I kujtë ishte ky meshtar. KY ISHTE MESHTAR I ZOTIT DHE I
POPULLIT. Ju kishte përgjegjë imzot Zef Gashi.
Kliko
këtu për t'pa festimin e 50 vjetorit të meshtarisë dhe për të ndi t'folmen e
dom Milës.
http://www.youtube.com/watch?v=G4SC7DBVWpA